Leda Shengjergji: Nuk kam ndonjë idhull, përpiqem të jem sa më origjinale!

656
Sigal

Personazh: Flet Këngëtarja e diasporës, Leda Shengjergji: Një Artiste e kompletuar!

Është e qeshur, modeste dhe me direktiva të qarta përsa i përket botës së muzikës, pasi Ledi është njohur me këtë fushë në moshë shumë të vogël. I gjithë rrëfimi i saj në këtë intervistë, të gjatë, ka të bëjë me mënyrën se si ajo e sheh botën e muzikës dhe mbi të gjitha karrierën si një artiste. Idetë e saj për projektet e reja, suksesi i klipit më të ri dhe planet për këtë sezon veror, vijnë në një rrëfim të sinqertë për lexuesit tanë. Mes fjalëve të saj, duket qartë një këngëtare me ambicie, mjaft e kujdesur në ato që thotë dhe që nuk pranon të adhurojë askënd, përveç punës së saj. Në intervistën e mëposhtme do të mund të mësoni gjithçka mbi jetën aktuale të këngëtares tashmë të njohur edhe në diasporë, Leda Shengjergji.

-Përshëndetje Ledi, sapo keni lancuar në ekranet e televizorit klipin tuaj më të fundit. Na rrëfe diçka me tepër rreth këtij projekti !

Klipi im më i ri titullohet “Vajzë me dy Kollana” dhe është një bashkëpunim(duet) me këngëtarin e diasporës nga Shkupi Z. Avdiu. Kompozimi e orkestrimi nga i mirënjohuri Tan Kastrati, Max Production dhe make up nga e mrekullueshmja Merita.

-Cila mendoni se është arma juaj më e fortë si artiste?

Mendoj se është publiku që duhet të vlerësojë armët e mia si artiste, sepse unë nuk kam vetëm një armë, kam komunikimin, paraqitjen skenike dhe mendoj se ato ndërthuren mjaft mirë me njëra-tjetrën. Nuk dua të tregohem modeste por është ende shpejt të tregoj avantazhet e mia. Dua që çdo gjë t’ia lë kohës. Por mund të them se muzika më jep siguri dhe është ajo që dua të bëj në këto momente.

-Fillimet e tua në muzikë, sa të vështira kanë qenë dhe sa rol ka luajtur fati në të?

Nuk besoj shumë në fat në këtë pjesë. Unë mendoj se fati është si ta bësh. Unë dhe e kam ndjekur dhe më ka ndjekur, kanë qenë shumë gjëra së bashku që më kanë çuar drejt ekranit të TV. Çdo gjë ka qenë dhe është e vështirë, por, falë talentit dhe vullnetit tim, ia kam dal mbanë!

-Në këto momente çfarë mund të themi, po shijon famën, apo suksesin?

Të shijosh frytet e punës tënde është diçka shumë e bukur dhe domosdoshmërish që arti ka edhe famën brenda, kështu them t’i shijoj të dyja. Është herët të flas për suksese të mëdha apo të vogla, dua që shkallët e mia të ngjiten ngadalë. Jam drejt një rruge të tillë dhe shpresoj të jetë një rrugë shumë e gjatë.

-Kush është idhulli juaj në fushën e muzikës?

Nuk kam ndonjë idhull, dhe nuk do të doja të kopjoja dikë. Përpiqem të jem sa më origjinale dhe nuk dua të adhuroj askënd. Adhurimi im i përket fesë sime. Jam tepër e kujdesshme në këto gjëra, idhujt për mua s’kanë vend.

-E re në moshë dhe me sukses mbi supe, ky quhet guxim?

Edhe guxim, edhe punë, edhe ëndërr, edhe një horizont drejt të ardhmes sime. Përqindja e guximit është e madhe, por 100% është puna ime, pasi ëndrra tashmë po bëhet realitet. Më pëlqen të qëndroj tek e para pasi po nuk guxove nuk arrin të mësosh as suksesin, as dështimin. Njeriu mundohet t’i ketë të dyja këto gjëra dhe mes tyre të bëjë një balancë të ndershme.

-Jeta juaj private, si shkon?

Shkon shumë mirë.

-Projekti juaj më i afërt, me çfarë po merreni konkretisht?

Të jeni të sigurt që projektet e mia do jenë në nivele akoma më të larta, kam mësuar shumë deri tani dhe do t’i vë në zbatim. Jam korrekte me gjërat që dëshiroj t’i shtoj jetës sime. Më pëlqejnë shumë risitë dhe do doja të eksploroja shumë në projektet e mia, që do të jenë gjithnjë pjesë e kulturës dhe artit.

-Si i ke raportet me kolegët?

Shumë mirë. Jam përpjekur të ruaj raporte të mira dhe korrekte me koleget e mia.

-Në klipet e tua nuk kemi parë të zhvishesh sikurse tek shumë të tjera….

Unë jam këngëtare dhe jo modele, kënga popullore ka kostumin e vet popullor dhe unë jam munduar ta vesh në disa këngë, por dhe te këngët e tjera kam zgjedhur veshje që më përshtaten mua, por edhe llojit të këngëve.

-Si janë shqiptarët me veshjen, në gjykimin tuaj?

Shumë mirë, të paktën njerëzit e medias dhe televizionit, që ne shohim çdo ditë dhe që deri diku janë një etalon për popullin në përgjithësi, kryesisht të rinjtë, janë goxha të kuruar, qofte në stil gjithashtu në përzgjedhje.

-Gjithmonë këndon “live”?

Unë personalisht kënaqësi ndiej vetëm kur këndoj live, por ka dhe koncerte që nuk këndojmë live. Në gëzimet familjare, apo festa të ndryshme gjithmonë këndoj live dhe aty ndjehem vërtet mjaft mirë si këngëtare.

-Ç’mendoni për këtë intervistë?

Intervista më e bukur që kam dhënë ndonjëherë. Faleminderit Hermes dhe Gazeta Telegraf !