Mitro ÇELA/ Në “mbretërinë” e kallashit

571
Sigal

Ditari i gazetarit

Të nderuar këndonjës!

Këto ditë, kombin tonë e gjeti një e madhe hata! Rama ka bërë hasha sojë e sorollopin Rama.( Nuk kemi habere për sorollopin e gruas. Gojët e kripura thonë- JO. Sepse është shtatzënë. Por unë nuk besoj, që Rama të më ngjajë mua për dashuri të ezmerkësfamily.) Për farefisin e liderit të socialistëve, as ka, as do të ketë punë shteti!
Ministria e Luftës, i ka prerë një “vesh” Presidentit, d.m.th do t’i “hajë” ca kompetenca në emërim gjeneralësh.
U bë herë e tretë që Gjykata Kushtetuese ja “menderos” kryeministrit?!…
Presidenti i Rusisë ndan gruan…Me sakrifica, pasi pushtoi Krimenë, ka gjetur një biondinë tre herë më të re! Hallall…Presidenti i Francës ndan të dashurën e vjetër duke u thënë gazetarëve: “Nuk jam anglo-sakson të “kullos” vetëm një zonjë?!”
Ku të kullos pa sëkëlldi? Më e lehta: Ditarët…Në fakt i kam bërë lëmsh. Nuk më vret ndërgjegjja, sepse duke qenë ditarë politikë, korkolepsen, syrgjynosen, kanosen, nakatosen. As më shumë e as më pak si vetë politika e ditës…
Me këtë filozofi kapërcejmë ndër vite. Mbërrijmë në stinën e dimrit ‘97-të. Skena politike. Socialistët kishin muaj që nuk bënin jetë parlamentare. Vazhdonte mërija për zgjedhjet e 26 majit 1996, dhe për dajakun në “Sheshin Skënderbe” më 28 maj të atij vit. Nano vazhdonte të qëndronte në burgun e Bënçës, duke nisur të famshmin mocion, që nuk ja botoi “ZP”-ja, por “Koha Jonë”, duke i bërë lëmsh socialistët dhe duke etiketuar Metën, Doklen, Pëllumbin etj., si “delfinë” të Presidentit Berisha.
Kishte nisur kriza e fajdeve. Ishin shembur me radhë Xhaferi, Driza, Vefa, Gjallica and Co. Tërmet i vërtetë ekonomik. Shqiptarët u shokuan, u rebeluan, u tensionuan dhe rrëmbyen kallashin për të shembur shtetin. Në Vlorë studentët ishin futur në grevë urie.
Një grup politikanësh të PD-së, kishin krijuar një lëvizje me emrin Promemorje.
Në vijë paralele në kohë, një grup intelektualësh me në krye Fatos Lubonjën dhe Kurt Kolën kishin krijuar Forumin për Demokraci…
Në mbretërinë e kallashit, parlamenti më 3 mars 1997 rizgjodhi Berishën President… E të tjera, e të tjera, vargëzonte miku im, i miri Todor Keko…
18 shkurt ‘97
Vdiq Ten Sia Pin. 92 vjeç. Në vitin 1968 tha në Kongresin e Partisë Komuniste një proverb: “Nuk ka rëndësi ngjyra e maceve. Rëndësi ka që të hajë minj!” U internua për 10 vjet. Pas shumë luhatjesh erdhi në pushtet në vitin 1978. Teni, ka bërë histori me dy “fytyra”. Reformator liberal në ekonomi. Radikal në të drejtat e njeriut. Në kulmin e pushtetit, Teni urdhëroi shtypjen e demonstratave në Sheshin Tjen Anmen, në vitin 1989. Ushtria e Kuqe, me tanket përpara, shtypën ose vranë 3000 student, pikërisht në kohën kur u rrëzua muri që ndante Berlinin?!
20 shkurt ‘97
Një grup studentësh nga Vlora u takuan me Presidentit Berisha. Biseda u transmetua në TVSH.
Presidenti:- Kini përpara dy alternative. E para, radikale. E dyta, të bëjmë bisedime. Ju, zgjidhni cilën rrugë të doni.
Studentët:- Çfarë t’u themi shokëve në Vlorë? Ata duan paratë e humbura në piramida.
Presidenti:- Jo çdo gjë mund të bëjë qeveria. Ajo merr përsipër të japi kredi të buta për ata që kanë humbur shtëpitë. Ndihmë sociale për ata që nuk kanë mjete jetese. Më parë duhet të mblidhen kreditorët. Të kenë një përfaqësi. Ata duhet të vendosin. Komisioni qeveritar i ngritur vetëm mund të ndihmojë. Edhe ju studentët, ngrini një grup për të gjykuar mbi transparencën e firmës “Gjallica”

-21 shkurt ‘97
Në shtypin e ditës është botuar një mocion me titull: “Promemorie”. Bëjnë pjesë 14 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së. Mes tyre edh katër deputetë: Dashamir Shehi, Fred Serreq, Tomorr Dosti, Ariana Nati. Një ditë më vonë, deputeti Bashkim Kopliku deklaroi në “Zërin e Amerikës”: “ Firma ime është një falsifikim…Unë jam vetëm për heqjen e Meksit si kryeministër”. Promemoria kishte 12 kërkesa. Dy vlen të përmendim.
Së pari, të largohet Presidenti Berisha nga strukturat e PD-së. Së dyti, të krijohet një qeveri e unitetit ose shpëtimit kombëtar. Me këtë rast, në gazetën “Albania”, me humor, botohet qeveria e ardhshme. Kryeministër- Gumeni, nga Forumi për Demokraci. Zëvendës i tij-Dashamir Shehu, nga Promemoria.
-22 shkurt ‘97
Ambasadori italian në Shqipëri Frasino flet në parlamentin e Italisë: “Ne kemi bashkëpunuar me qeverinë dhe me opozitën. Në skemat piramidale ka zënë vend edhe mafia italiane?! Vefa-Italia ka bërë 6 milionë dollarë investime në Leç. Janë hapur disa supermarkete në Itali”. Biro o Mina! Me paratë e shqiptarëve të varfër, investohet në Italinë e pasur?! Në vend që investimet të bëjnë tu, shkojnë tutje?

TVSH. Lajme. Ora 20. Në ekran Blerim Çela, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Foli për “Gjallicën”. Jep haberin: kompania ka sponsorizuar fushatën e PD-së për 50 mijë dollarë. PR-në me 5 mijë dollarë. Para kanë marrë edhe gazetat: “Koha Jonë”, “Albania” etj. U përmendën disa emra që kanë marrë para nga “Gjallica”. Në krye të listës me 2 milionë dollarë, qëndronte Osman Shehu. Sipas Blerimit, “Gjallica” kishte grumbulluar 800 milionë dollarë. Kishte shpërndarë 400 milionë dollarë. Kishte investuar 35 milionë dollarë. Kishte bërë rrush e kumbulla miliona dollarë. Kishin mbetur në arkë 160 milionë dollarë. Ku përfunduan këto 160 milionë dollarë edhe sot, pas 15 vjetëve ka mbetur enigmë?!
-25 shkurt ‘97
Më 25 shkurt 1972, Niksoni vizitoi Kinën. Bisedoi me Mao Ce Dunin në Pekin dhe Çu En Lain në Shangai. Vizitën e parapriu një takim në ping –pong, mes ekipeve kineze dhe amerikane. Fituan kinezët, që populli të besonte se Kina është më e fuqishme se Amerika. Këtu e ka zanafillën dhe politika e “Ping-Pongut”. 55 vjet më parë nisi transmetimet radio: “Zëri i Amerikës”. Drejtori, zoti Hill tha në emisionin e parë: “Do të kemi lajme të mira. Do të dëgjoni lajme të këqija. Por gjithmonë do të themi të vërtetën”.
-28 Shkurt 1997. Ora 18.
Nis seanca plenare në parlament. Në presidium kryeministri Meksi: “Gjendja në Vlorë e jashtëzakonshme. Duhet t’i dalim të keqes përpara. Duhet të shpallim, që sot, gjendjen e jashtëzakonshme. Sa nuk është vonë. Sa pa u djegur Shqipëria!”
Kaq tha Meksi dhe u ul në sallë. Kundërshtojnë të gjithë. Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, me zë melankolik tha: “Unë do të abstenoj, por do të zbatoj çdo ligj të parlamentit. Kështu e konceptoj unë detyrën e ministrit të Mbrojtjes!”
Mbyllet seanca plenare. Nisi mbledhja e grupit. Janë po ata deputetë, me katër pesë mungesa. Deputetët rozë ende vazhdojnë bojkotin. Filluan debatet. Mish-mash. Nuk e merrte vesh i pari të dytin. Të gjithë flisnin. Të gjithë kishin vënë në shënjestër qeverinë…
Erdhi Presidenti Berisha. Shpjegon gjendjen e vështirë. Flet për komplot të kuq. Të vrarë. Sulm mbi policët. Pastaj shpjegon konceptin e gjendjes së jashtëzakonshme. Nisën përsëri debatet. Në fund u la të behet një projektligj! Një ditë më vonë. Projektligji nuk u paraqit. Në parlament nisi një rrëmujë e vërtetë. Secili fliste kodra pas bregut. Më të ashpër deputetët e Vlorës.
-29 shkurt
BBS-ja jep një deklaratë të Kinkelit, ministri i Jashtëm i Gjermanisë. Kish thënë se do të ishte avokat i Shqipërisë. Deklarata, nga toni i ashpër, të kujtonte një prokuror. Nuk ishte dakord për të vendosur Gjendjen e Jashtëzakonshme. Iso i mbajti po thua i gjithë shtypi evropian. Më e rreptë media angleze!?…
Meksi mbeti si titulli i romanit sovjetik: “Edhe i vetëm trim në luftë”!
Pas pesë ditëve u vendos Gjendja e Jashtëzakonshme. Ata që e kundërshtuan, tani bënë hosona! Si ta shpjegosh këtë qëndrim? Ku ishte diplomacia evropiane?! Pyetje enigmë. Vështirë të parashikosh se çfarë do të ngjiste. Por një gjë është e sigurt, sipas Meksit: “Vonesa e shpejtoi procesin e shkatërrimit të Shqipërisë. Gjykatës do të jetë historia!”
-3 mars 1997
Në sallën e parlamentit zunë vend deputetët demokratë me aleatët e tyre. Do të rizgjidhej Presidenti. Disa fjalë. Pak procedura. Kutitë e votimit përpara. Nis votimi i fshehtë. Hapen kutitë. Berisha rizgjidhet President. Asnjë deputet që kishte firmosur Promemorien nuk votojë kundra!
Pas këtij paradoksi: No Comment!