Safet Ramolli: Sami Frashër, mesazhe para një shekulli

1864
Sigal

Rilindësi ishte për një shtet me demokraci të gjerë, i cili pronën private ta trajtonte të shenjtë

Sami Frashëri, mesazhe para një shekulli

SAFET N. RAMOLLI

Para më shumë se një shekull, Sami Frashëri botoi në shqip në Bukuresht veprën “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është dhe çdo të bëhet”. Falë njohjes së thellë të problemeve të kombit, kompetencës profesionale, por edhe të patosit patriotik, edhe pse e botuar pa emrin e autorit, menjëherë u bë me dije se cili ishte autori i saj.

Në 70 faqe, si në një histori të shkurtër të kombit, shtjellohen probleme që përbëjnë “Thembrën e Akilit“ për atë. Ajo mbetet modeli i një Traktati Politiko-Historik, një prozë e vërtetë poetike, që imponohet ta lëçitësh me një frymë; jep informacion të pasur, sikundër grish të thellohesh në argumentet dhe analizën e fakteve.

Që në krye të këtij punimi, me preokupimin e patriotit, me merakun e filozofit, me përgjegjshmërinë e intelektualit, por edhe me keqardhjen e natyrshme për një komb që rrezikohet të copëtohet, autori rreket të japë: “… mendime për shpëtimon’ e mëmëdheut nga rreziket që e kanë rrethuarë…”. Më se njëherë, përmes ideve që shpalos, i bën apel atdhetarizmit, si ndjenjë gjithëkombëtare dhe historike e kombit, përgjegjësisë së tij për t’i dalë Zot Vatanit, kur kombi kanosej deri në shpërbërje përmes “krasitjes“ territoriale dhe asimilimit nga fqinjët shovenë e të pabesë. Në këto rrethana, më së shumti si patriot se sa si historian e filozof, Samiu merr përsipër të sqarojë e publikojë çështje të tilla si: autoktonia e padiskutueshme e popullit shqiptar në vatrat e veta; aftësia për të mbijetuar në rrethana tejet të vështira; atdhetarizmi e besa si cilësi të vyera, por edhe aspirata mbarëkombëtare për të ngritur një shtet demokratik mbi baza organizative, ekonomike, kulturore e morale të shëndetshme.

Tezën e autoktonisë e pohon disa herë, ashtu si bën mjaft që ta argumentojë sa më bindshëm. Për “Dijetarin“, një epitet i meritueshëm për Samiun, Ballkani ka qenë trevë e banuar që herët në Evropë, ku formuar fiset: Ilire, Maqedone, Trake, Frygase, e të tjera. Në jugë Ilirët shtriheshin deri në Vjosë, bashkëjetonin në fqinjësi të mirë me Epirin, edhe ky një fis Ilir. Këto dy mbretëri; kanë pasur gjuhë të përbashkët, ngjashmëri në formën e qeverimit me një organ kolegjial; kanë nxjerrë mbretër të ditur e të fortë si Pirua, Teuta, e të tjerë. Deri në shekullin VI-VII, kur u dynden sllavët e jugut dhe bullgarët nga veriu e nga lindja, Ilirët jetonin në trojet e tyre në thuajse 80.000 kilometra katrorë, ose tre herë më shumë se sa sipërfaqja e Shqipërisë së sotme.

Origjinën pelazgo–ilire të popullit shqiptar, Ai e argumenton edhe përmes etimologjisë dhe të dhënave fiziko–fiziologjike të banorëve. Nocionin “ARBËRI“ apo “ARBËR“ e argumenton edhe me faktin se, banorët e këtyre anëve ishin të aftë të ndërtonin shtëpi me gurë, dinin të punonin tokën, të bënin arë. Pra, shqiptarët ishin “Arëbënë” apo “Arë-bërë”, prej nga edhe muarën emrin “Arbër“.

Nocionin tjetër “Shqiptar“, Samiu e shpjegon me prezencën e zogut “Shqiponjë”, një zog i bukur, i fuqishëm, pra “Zog i Yjit“, të cilit stërgjyshët tanë i faleshin, si dhe shëmbëllenjën e saj e vunë në Flamur si simbol të trimërisë, të mprehtësisë, të forcës, të jetëgjatësisë, e të tjera, simbol të cilin e kemi edhe sot në Flamurin Kombëtar.

Por “Dijetari” shtron e argumenton edhe tezën e aftësisë të kombit shqiptar për të mbijetuar edhe në kushte tejet të vështira. Analizon cilësinë moralo–luftarake, që e ka bashkëshoqëruar ndër shekuj, është fjala për atdhetarizmin e pashuar. Në sajë të asaj Ilirët nuk humbën por ruajtën njësinë e bashkësisë; nuk u përzjenë me të ardhurit dhe as që muarën mënyrën e jetesës, ruajtën gjuhën; ruajtën marrëdhëniet midis tyre; bashkarisht u bënë ballë rreziqeve dhe vështirësive; u treguan të aftë për të mos humbur guximin, tjetër cilësi morale, e cila e ka bashkëshoqëruar dhe kombëtarizuar në të gjithë rrjedhën e historisë së tyre. Këtë sentencë e pohon disa herë, por në mënyrë koncize e shpreh: “Shqiptarët, sado që u mundnë e u vranë, nuk u pushtuan e s’u bënë robër…”. Personalisht gjykoj se, nuk duhet të jetë rastësi vlerësimi dhe qëndrimi i përbashkët edhe i At Gjergj Fishtës, i cili pohon edhe sa vijon: “… Ka pasur pushtues të Shqipërisë, por pushtues të shqiptarëve nuk ka pasur kurrë…”.

Qëndrueshmëria dhe mbijetesa e shqiptarëve janë rrjedhojë e trimërisë dhe e forcës së tyre dhe aspak e lëshimeve ose e sjelljeve “të buta” të kundërshtarëve. Më së shumti si atdhetar, por edhe si historian i kompletuar, Ai pohon se, kombi shqiptar është ndër më të fortët e më të shëndoshët. Edhe pse me popullsi relativisht të vogël, gati dy milion, ka aftësinë të nxjerrë një ushtri prej 500.000 vetësh, një formacion ushtarak prej 200 mijë shqiptarësh është i barazvlerëshëm për nga vlerat luftarake me një formacion tjetër ushtarak prej 500 mijë vetësh. Si personifikim të trimërisë shqiptare “Dijetari” merr Skënderbeun, i cili njëherësh është simbol i heroizmit, besnikërisë, qëndrueshmërisë, bukurisë, fisnikërisë, humanizmit…Për Heroin Kombëtar, Samiu formulon vlerësimin se, historia nuk “… i tregon nonjë shok a shëmbëllë në trimërit; në diturit’ të luftës, në forcë si dhe në dije…”; ”…se ai ishte i drejtë në mendime, i ëmbël dhe i madh në zemër e në shpirt”. Është fakt i njohur, që lidhja në fjalë dhe dhënia besë për shpëtimin e Shqipërisë pas Besëlidhjes së Lezhës (2 mars 1444 SR ), rritën qëndrueshmërinë e shqiptarëve, të cilët për gati tridhjetë vite u vunë përballë armiqve të shumtë në numër, të armatosur më mirë, por që gjithmonë triumfuan,”… duke vrarë e handakosur armiqtë…”. Atdhetarizmi e besa spikatën me mjaft shkëlqim në këtë periudhë, jo vetëm si tregues i autoktonisë dhe vazhdimësisë, por edhe i forcës e qëndresës. Burim force gjithëherët ka shërbyer çështja kombëtare, e cila ka ndezur prush atdhetarizmin. Në emër të atdhetarizmit shqiptari ka dhënë besën, ka lidhur fjalë dhe ka vënë gjithëçka në shërbim të çështjes kombëtare, duke përdorur krahas njëra-tjetrës pushkën dhe penën. Lidhjen e fjalës dhe dhënien e besës “Dijetari” e shpjegon si një akt të lartë moral me fuqi efektive vepruese. Shqiptari besën që jep nuk e merr, atë asnjëherë nuk e thyen apo nuk e prish, por e ka të shtrenjtë dhe bashkëudhëtare të përjetshme. Qëndrimi në besë e ka nderuar shqiptarin, i ka zbardhur faqen, i ka rritur dinjitetin. Por, në kushtet konkrete, autori konkludon se, duhet bërë një “Besë e Madhe”, e përjetshme dhe e përgjithshme, dhe për hir të saj duhen lënë mënjanë deri edhe hasmëritë apo gjakmarrjet, si dy vija ndarëse mjaft të fuqishme në psikologjinë e shqiptarit. Por kur është evident rreziku i copëtimit dhe i asimilimit të kombit, Samiu si patriot e diplomat jep sentencën: “… kush ka për të marrë gjak, ta dhurojë…”, sepse gjaku i shqiptarit është shumë i vlefshëm, ai kurrsesi nuk duhet derdhur kot. Ai e çmon magjinë e kësaj cilësie morale si burim force e bashkimi, prandaj lëshon thirrjen, gati apoteozë: “ O burrani o shqipëtarë! Zihni me të dy duartë në besë, në lidhjet’ e në bashkimt, se kjo do t’u shpëtojë…”.

Aspirata për të ndërtuar një shtet të vërtetë demokratik mbetet e gjere dhe e thellë për Samiun.

Këtë mesazh përcjell Traktati Politiko–Historik “Shqipëria ç’ ka qenë, ç’ është dhe ç’ do të bëhetë?”, përmes të cilit Samiu vlerëson unitetin kombëtar, i cili është me të shkuar të lashtë, por që mbetet po kaq i ri dhe imperativ. Ai qartazi parapëlqen formën republikane të qeverisjes. Kjo sepse kishte ideale të qarta demokratike, që i pohon qartazi në disa raste në këtë vepër. Kur flet për paraardhësit tanë, midis cilësive dhe virtyteve të larta që formonin psikologjinë kombëtare në përgjithësi, veçon idealin mbarëkombëtar për të qeverisur në bashkësi. Mentaliteti dhe mendësia për t’u qeverisur nga një Këshill apo një Kuvend të përbërë nga shumë të mençur dhe jo nga një “… vetë që bën ç’do në qeveri e në besë..”, duhet parë si pikë referimi bazë për Samiun. Sugjeronte që, qeveria të bëhet nga një organ i zgjedhur në mënyrën më demokratike. Në `të duhet të marrin pjesë njerëz të mësuar, të ndershëm, me dëshirë për të punuar për popullin. Këto organe duhet të jenë të shkallëzuara, të kenë kompetenca rreptësisht të përcaktuara, të zgjidhen sipas një rregulli të qartë dhe të detyrueshëm periodik, (rrotacion e quan diplomacia e ditëve tona), e të tjera. Këshilli i Pleqësisë do të kryente funksionet e Presidentit; Këshilli i Përgjithshëm, ato të Parlamentit; një organ i tretë funksionet e Ekzekutivit… Duket qartë që Samiu ishte për një shtet me demokraci të gjerë, i cili pronën private ta trajtonte të shenjtë; një shtet i begatë ekonomikisht, me motiv të qartë për zhvillimin kulturor e arsimor masiv dhe cilësor të krahasuar me kombet më të përparuar. “Dijetari” pohon që Qeveria duhej të punonte “… pas nevojës e pas të drejtave të shqiptarëve..”, sepse, qoftë problemi ekonomik, por sidomos arsyeja psikologjike, nuk do të ishte në një vijë me qeverisjen prej një mbreti apo princi, qoftë ai edhe jo shqiptar.

Sami Frashëri konkludon se, ndarja e popullsisë në pikëpamje territori në gegë e toskë, apo në pikëpamje të përkatësisë fetare në të krishterë e myslimanë, nuk ka përbërë ndonjë fatkeqësi për popullin tonë. Përkundrazi, ato nuk kanë sjellë të çara në bashkëpunimin dhe frymën e bashkekzistencës së popullit. Marrëdhëniet e popullit midis krahinave dhe besimit fetar, besës, sikurse i thotë Samiu, janë të zakonshme, të rregullta. Ato nuk kanë krijuar shqetësime, përçarje, e për më tepër as vëllavrasje apo gjakmarrje. Në të kundërtën, “… të gjithë janë një komb…., nuk ka çarje në mes të shqiptarëve… Shqiptari është shqipëtar përpara se të jetë mysliman a i krishterë”, e mjaft të tjera si këto sentenca, të cilat na bindin në konkluzionin e “Dijetarit“, si edhe shumë bashkëkohës të tij, se ideja e atdhedashurisë ka përshkuar në gjithë rrugëkalimin historik kombin shqiptar.

Mjaft interesante e domethënëse mbetet ideja se, ku i kërkon, ku i gjen dhe ku i rekomandon miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Mëse një herë thekson, se popujt e Evropës tek populli shqiptar gjejnë e vlerësojnë trimërinë, burrërinë, besën, autoktoninë… Në veçanti ata çmojnë ndihmesën që u dha popujve të Evropës Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, i cili gozhdoi për një çerek shekulli armiqtë e kristianizmit, osmanët aziatikë.

Me shikimin tek Evropa e mësuar me dije, por edhe në lëmin e qeverisjes në demokraci, Samiu me largpamje të kthjellët hedh idenë se, Kombi Shqiptar, që të zërë vend denjësisht në Komunitetin Evropian, që të përparojë e të ecë përkrah tyre, duhet të mësojë gjuhët e Evropës së përparuar përmes arsimimit të lartë. I pajisur si rrallëkush me inteligjencie natyrore të hollë, i kompletuar me kulturë të gjerë oksidentale bashkëkohore, i pajisur me shpirt të lirë demokratik, shpëtimin e Shqipërisë e shikon drejt Perëndimit, drejt Evropës. Kjo sepse, Shqipëria është pjesë integrale e saj në pikëpamje gjeografike; ajo është fqinje me Italinë e Austrinë, ka kushte të përshtatshme gjeografike e psikologjike të ngjashme me Evropën.. Prandaj, nënvizon S. Frashëri, Shqipëria “… mund shumë çpejt të hyjë në qytetëri e të përzjehetë me Evropën…”, por me një mendim të konsoliduar, se në fund të fundit, shpëtimi apo humbja e Shqipërisë është në dorë të vetë shqiptarëve, të cilët në se dëshirojnë që ta shpëtojnë vendin e tyre, duhet të bashkohen gjithë sa janë, të bëjnë besa–besë, të qëndrojnë të patundur në fjalë, të kërkojnë me këmbëngulje të drejtën e tyre, sepse, “… s’ mund të ketë Shqipëri pa shqipëtarë, s’ mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqip…”, konkludon “Dijetari“ ynë si rrallëkush.

Mesazhet e “Dijetarit” janë krejt të qarta. Edhe pse të përcjella prej 125 vitesh më parë (1895-2020 SR), ato janë krejt aktuale, po të sjellim në vëmendjen e lexuesit se shtyllat e shoqërisë shqiptare janë ende të dobëta dhe pa bazament të qëndrueshëm.

Ndaj sot më shumë se kurrë është koha ti respektojmë këto mesazhe të Rilindësit Sami Frashëri, të cilat bëjnë apel në ditët tona për bashkim, për shqiptarizëm, për ndjenjë kombëtare, për investim të vlerave intelektuale dhe të aftësive fizike në interes të çështjes kombëtare, që Shqipëria të zërë meritueshëm vendin që i takon në Evropë dhe më tej ?!!

Fragment nga vepra[1]
“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”

A JANË TË ZOTËT SHQIPTARËT TË MBAJNË E TË RUAJNË VETEN?

Dy gjëra duhen në këtë jetë: e drejta dhe fuqia. E drejta pa fuqi, si dhe fuqia pa të drejtë, është si një krah i vetëm; ndonjë zog s’fluturon dot me një krah. Më të rrallë bën punë fuqia pa të drejtë, edhe e drejta pa fuqi fort rrallë dëgjohet. Peshku i madh e ha gjithnjë të voglin.
Tani shqiëtarët, që e kanë të drejtën me vete, aty s’ka dyshim. Qysh të mos ketë shqiptari të drejtë të shkruajë e të këndojë gjuhën e tij, kur gjithë kombet e kanë këtë të drejtë dhe njeri s’i ndalon? Pse shqiptarët të jenë të mërguar nga një e drejtë që e kanë gjithë kombet e dheut? Të mos mundin të shkruajnë e të mësojnë gjuhën e tyre, po të tjera kombe të huaj të vijnë e t’u hapin shkolla në gjuhërat e tyre e t’u kthejnë kombësinë e gjuhën e tyre? Janë kaq të dobët shqiptarët? Jo! një mijë herë jo…!
Pamë më sipr se sa trimëri kanë bërë shqiptarët. Këta që kanë treguar trimëri për të huajt, të cilët edhe s’para ua kanë ditur, s’qenkan të zotë sot të mbajë e të ruajnë vëndin, gjuhën, kombësinë e tyre? Qysh të mos jenë të zotë për këtë të drejtë, kur kanë edhe vendin e forë që u ndih?… Një trim që lufton për plaçkë e për rrëmbim është kurdoherë i turpëruar; ai që lufto për një të drejtë të këtillë është dy herë trim; e drejta i jep një forcë e një fuqi që s’e lë kurrë të mundet, po e bën njërin të mundë dhjetë!

Diturija (shkëputur nga vepra e cituar,  f. 79)

Në ka një gjë, për të cilënë Shqipëtarëtë duhetë të kujdesenë me të teprë, ajo pa ndryshim është Diturija. Gjithë katundetë e gjithë pshatratë a dy tre pshatra t’afërta bashkë duhetë të kenë shkolla të para dhe qytetetë të kenë nga më shumë se një, pas madhërisë së tyre. Gjithë djemt’ e vashatë që më 7 vjeç e gjer më 13 do të jenë të shtrënguarë të venë domosdo në shkollë edhe ata prindërë, që të mos dërgojnë fëmijënë në shkollë, do të qërtohen’ e të shtrëngohenë t’i dërgojnë fëmijënë në shkollë, do të qërtohen’ e të shtrëngohenë t’i dërgojnë. Mësimi do të jetë pa nonjë pagesë, edhe të varfëret do t’u epenë edhe fletoretë e karta etj. pa pagesë. Në mes të çdo nënëgastre do të jetë një shkoll’ e dytë për djemt edhe një për vajzat. Në mest të çdo gastre do të jenë veç shkollavet të dyta (ryshdije, skolion), edhe të treta (i’dadije, gjimnasion) për djem e për vajza veçan edhe shkolla për mjeshtëri pas vëndit a për bujqësi etj.

Në kryeqytett të Shqipërisë, përveç shkollavet të dyta e të treta do të jetë një gjithëmësime (dar-yl-fynun, panepistimion), një shkollë ushtërije, një për metaletë e për pyjetë, një për bujqësinë edhe shumë shumë të tjera për dituri e për mjeshtëri të veçanta. Më pastaj edhe dy gjithëmësime duhetë të hapenë: një në Shqipëri të Sipërme e një në të Poshtërmet. Shkoll’ e aniërisë duhet të jetë mb’anë të detit, tek të jen’ edhe aniat’ e luftësë, në Durrësë a në Ujët-të-Ftohtë (afrë Vlorësë).

Një këshillë diturije (akademie) duhet të jetë në kryeqytett, e cila të kujdesetë për gjuhët’ e për livratë, që duhenë etj. Një shtypëtore e qeverisë do të meretë me të shtypurë livratë, që duhenë për shkollatë edhe të nxjerrë fletore fletore diturije, të përkohëshme e çdo gjë, që duhetë për të xgjuarë Shqipëtarëtë. Disa shoqërira do të bëhenë me ndihmët të ministrisë së diturisë për të shpënë përpara dheshkronjënë, istorinë, dhekërkonjënë (gjeologjia), metalet’ e të tjera punëra të Shqipërisë; edhe cilado nga këto do të nxjerrë një herë në muajt a më pakë një fletore të përkohçime, në të cilat të rrëfehetë gjithë ç’ka gjetur’ a çpikurë shoqërija.

Në kryeqytett të Shqipërisë do të jenë dy shkolla të mbëdha për gjuhërat; në njërët nga këto do të mësohenë gjuhërat’ e ra t’Evropësë: francishtja, gjermanishtja, italishtja, ingjlishtja, slavishtja, greqisht’e re etj.; në tjatërët gjuhërat’ e vjetëra: Greqisht’ e vjetërë, latinishtja, arabishtja, persishtja, sankrishtja, etj. Cilado nga këto shkolla do të ketë një këshillë, e cila do të jetë e mbledhurë prej njerëssh, që dinë këto gjuhëra, edhe do të përpiqenë të shkruajn’ e të shtypinë livra mësimi etj. në këto gjuhë, edhe shtypëtore e qeverisë do të ketë shkronjat e gjithëve këtyre gjuhe për të shtypurë ato.