Safet N. Ramolli: Vazhdon i përgjakur 9 Maji!

869
Më 9 Maj 1945 u pohua e mbyllur një nga skenat më tragjike të njerëzimit në historinë e tij të re. Ra sipari i Luftës II Botërore që shkaktoi 33 milionë viktima dhe po më shumë se kaq të plagosur, të gjymtuar dhe të rrënuar psikologjikisht. Genocidi rëndoi më dukshëm mbi popullsinë hebrease dhe atë cigane, që u viktimizuan respektivisht në shifrat 6-6,5 milionë dhe 200-400 mijë. Në këtë kasaphanë të pashembullt u përgjak edhe populli shqiptar. Në punimin madhor “Historia e Evropës”, i hartuar jo nga imamë e hoxhë të xhamive, as nga predikues dhe priftërinj të kishave, por as edhe nga aplikues dhe dervishë të teqeve dhe mekameve, por nga akademikë dhe historianë mendjehapur, Shqipëria në bilancin e Luftës II Botërore është kualifikuar si vijon: pati 12 mijë viktima në njerëz; 20 mijë shtëpi u shkatërruan; 90 mijë bagëti të trasha dhe 150 mijë të imta u asgjësuan; 25 mijë kv. drithëra u dëmtuan, si dhe shumë të holla të grabitura në bankat dhe nga plaçkitjet… Lufta e popullit shqiptar për çlirimin e vendit, e inkuadruar në Frontin Antifashist Botëror, me gjithë devijimet në disa raste nga kjo vijë, gjithsesi mbetet një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët të popujve për të shpartalluar forcat regresive të bllokut militar Berlin-Romë-Tokio, po të mbajmë parasysh numrin e kufizuar të popullsisë dhe gjendjen ekonomike dhe organizative mjaft të dobët të vendit, si dhe një ndër viktimat e para të kasaphanës së përbotshme.
“Kurrë më luftë!”,“Jo më gjakderdhje!”, “Jo më…!” . Ishin disa nga thirjet më të dhembshme më 9 Maj 1945. Njerëzimi kështu dëshironte të mbyllte siparin e tragjedisë më të kobshme të tij, por njëherësh të shkaktuar nga vetëvetja… Ulte perden e skenës makabre, ku u luajt drama tragjike tejet e përgjakur, e cila në historiografinë botërore ka hyrë me emrin e frikshëm: Lufta II Botërore.

Si datë fillimi shënohet 1 shtator 1939, por realisht kishte filluar më 1931, atë mot Japonia pushtoi Mançurinë. Mandej, më 1935, Italia kalon brigjet e Mesdheut dhe pushton Abisininë. Më pranë në kohë, në tre vite (1936-1939 S.R), u sulmuan Spanja e Kina, Austria e Çekosllovakia, dhe të “Premten e Zeze“ më 7 prill 1939 edhe Shqipëria, duke marrë kështu përmasat e vërteta të një konflikti të përbotshëm. Studiuesi amerikan Bernard J. Fisher, njohës kompetent i problematikës së luftrave, përpos të tjerash pohon: “Pushtimi i Shqipërisë shënon ndërkombëtarizimin e Luftës II Botërore”, ndoshta një mësim i mirë ky për “nxënësit shqiptarë” që mohojnë apo deformojnë këtë fakt historik kokëfortë. Në themel të motiveve të Luftës II Botërore janë ato politike, por nuk munguan as ato ekonomike, raciste, e deri edhe psikologjike, duke hedhur kundër njëri-tjetrit, jo vetëm shtete apo koalicione shtetesh, por edhe grupime shoqërore brenda të njëjtit shtet, dhe për më shumë, edhe midis bashkëkombasve, duke marrë në shumë raste ngjyra të pastra të luftës civile. Konflikti botëror u zhvillua në territore të gjera të tre kontinenteve: Evropë, Azi dhe Afrikë, por moralisht, dhe sidomos politikisht e materialisht, në atë u përfshi edhe kontinenti amerikan. Janë 61 shtete, që përbënin 80% të popullsisë së globit, që u integruan në këtë konflikt; ndërkohë veprimet e drejtperdreja ushtarake u zhvilluan në territoret e 40 shteteve, të cilat shpalosën keshtu “Amfiteatrin e Madh Antihuman”, që i dhuroi njerëzimit, për fat të keq të tij, tragjedinë më gjakësore, gjakderdhjen më të madhe në tërë historinë e tij. Tashmë ne e dimë fare mirë se, 110 milionë njerëz të racave dhe kombeve të ndryshme u përleshën me njëri–tjetrin me motivin absurd për t’i ndërprerë jetën njëri–tjetrit. U ideuan dhe u përdorën mjete e pajisje luftarake me destinacion krejt të qartë: të ndërprisnin sa më shumë jetë. Njerëzit, jashtë natyrës së tyre, shpalosën egërsi, cinizëm dhe histerizëm larg çdo hamendësie njerëzore, aqë sa deri në ditët e sotme, vetë njerëzimi “skuqet” prej këtyre sjelljeve dhe veprimeve kaq absurde të kryera nga qenia e gjallesave me logjikën më të lartë! Kujtojmë që ambasadori gjerman në Shqipëri vendosi kurorë lulesh në Barmash, ku paraardhësit e Tij bënë një masakër të pashembullt më 1943; personalitete të rëndësishme të Gjermanisë hera-herës kanë kërkuar ndjesë publike për krimet e paraardhësve të tyre; kreu i shtetit gjerman më 2-3 maj 2015 njohu detyrimet e luftës ndaj popullit grek, krerët e Japonisë së sotme kanë njohur dhe pranuar pozicionimin e gabuar dhe absurd të vendit të tyre gjatë Luftës II Botërore; ish-presidenti amerikan Barak Obama më 2016, gjatë një vizite në Japoni bëri homazhe për të rënët e kombit japonez etj. Në mënyrën më antihumane, për të shfarosur sa më shumë njerëz, u përdorën armë, pajisje dhe mjete luftarake, që nga ato më të thjeshtat e deri tek më të sofistikuarat e kohës, për të cilat sot njerëzimi mallkon çastin e shpikjes dhe nxitësit e instikteve antinjerzore që i ideuan dhe prodhuan. E paimagjinueshme të mendosh se, u vunë në përdorim më shumë se 1.5 milionë gryka zjarri artilerie të kalibrave të ndryshëm, të cilat “vollën” zjarr me mijëra predha mbi qendrat e banuara! Mjaftonte vetëm kërcëllima e një serie plasjesh për të bërë efektin e mjaftueshëm të një stresi psikologjik tejet të mbingarkuar, pa llogaritur efektin shkatërrues dhe vdekjeprurës të tyre! U përdorën mëse 620 mijë avionë luftarakë, që përveç efektit psikologjik stresues që shkaktuan, hodhën parreshtur bomba mbi njerëz të pambrojtur. Kujtojmë se një bombë shpërthyese–eksplozive kishte peshën e një automjeti 4 tonësh, ndërsa një bombë djegëse peshonte 400 kg! Vetëm kështu mund të përfytyrojmë terrorin psikologjik dhe shkatërimin material që shoqëronte një seri plasjesh prej 620 mijë predhash të tilla! Janë edhe 280 mijë tanke dhe artileri vetëlevizëse, që vetëm me prezencën e tyre fizike, bëjnë efektin e duhur shkatërrues moral, pa folur për potencialin e madh shkatërrues fizik. Ato hedhin hekur e çelik mbi popullsinë e ekspozuar përballë rrezikut, prej të cilit nuk kishte asnjë mundësi që të mbrohej, duke shkaktuar kështu dhembje dhe tmerr njëherësh! Dhjetëra mijë mjete luftarake detare, “rrihnin” pa mëshirë me çelik brigjet e shteteve të ndryshme duke kërcënuar realisht njerëzit, dhe duke kthyer në gërmadhë vlerat materiale e kulturore… Një psikolog i fushës ushtarake nënvizon posaçërisht për këtë fenomen, se ushtarakët në luftë zhvishen nga çdo ndjesi dhe shije për të bukurën! Ata kënaqen me skena rrëqethëse dhe makabre! Në këtë mënyrë u duket sikur “çlirohen” nga makthi i së keqes dhe sikur i afrohen gjithnjë e më shumë njerëzores – afrimit tek familjet e tyre. Gjithësesi, kjo është një gjendje psikologjike që krijohet, kur ata midis terrorizmit psikologjik të vijueshëm, duket sikur duan t’i japin fund kësaj gjendjeje sa më shpejt pa “u dridhur” përpara asnjë shkatërrimi, për t’u afruar tek ata, ajo e zakonshmja – jeta në qetësi! Për të shkuar sa më shpejt të jetë e mundur, tek mënyra e përditshme e jetesës, e cila është e sigurtë, edhe pse me ngadalësi, kur armët i mbyll në depo apo i vendos në muzeume! Luta II Botërore i ekspozoi njerëzimit skena rrëqethese. Miliona armë vinin në shenjën e vdekjes njerëz, sikur të mos ishin të tillë! Kudo ishte e pranishme tabloja e reve të predhave, që mbillnin veç shkatërrim e vdekje, fishkëllima të thata vdekjeprurëse, që kryqëzonin hapësirën e pafund, gërmadha mbeturinash ndërtimore që kallnin tmerr, grumbuj të plagosurish që kërkonin ndihmë pa shpresë! U ideuan, u përgatitën dhe u përdorën pajisje dhe mjete vdekjesjellëse masive. Dhomat me gaz ishin pjella më antihumane e shekujve, që ndërprisnin jetë njerëzore përmes një ndjesie kënaqësie, krematoriumet, në të cilat digjeshin, (në mjaft raste edhe të gjallë S.R dhjetëra–qindra njerëz njëherësh, nën thirrjet për ndihmë në gjuhë të ndryshme, (por që çuditërisht midis tyre merreshin vesh aqë mirë! S.R. Ata e dinin se po ndaheshin nga njëri-tjetri! Ata e merrnin vesh fare mirë se po ndaheshin nga jeta! Ata i uronin njëri-tjetrit: prehje dhe qetësi në jetën e përtejme, ku së paku mund të ketë lumenj zjarri, por nuk mund të ketë në asnjë mënyrë furra, që gllabërojnë pa mëshirë njerëz të gjallë! Nga mbetjet e këtij makabriteti djegieje u prodhuan 1. 226 milionë ton pleh, si mundësi për të rritur prodhimin bujqësor në rruzullin tokësor “të rralluar” nga mëse 50 milionë njerëz!; a thua se, globi i rralluar nga miliona jetë njerëzore do të kishte të mira materiale dhe kënaqësi shpirtërore më të bollshme! Në keto kohë çmendurie, pati edhe njerëz “që gjenin” kurajon të mendonin për ngritjen e Kampeve të Përqendrimit!! Për ato geto famëkeqe, në të cilat jetët e njerëzve shuheshin aqë përdhunshëm ! Kampeve ekzistuese iu shtuan të tjerë, që u pagëzuan me nga një emër sipas territorit ku u ndërtuan si: Çelino, Solibar, Treblinka, Aushvic, Mojdanek, Prishtinë etj. Po, kampe në të cilat njerëzit veçoheshin nga njëri- tjetri dhe mandej u shuhej jeta përçudnisht! Njerëzimi kujton me dhembje se, vetëm në Aushvic u eliminuan në dhomat me gaz më se 2 milionë ebrej, si dhe humbën jetën në rrethana të tjera 1 milion të tjerë! Ishin njerëz, që kishin mëkatuar pse ishin lindur ebrej dhe jo ndryshe! Histerizmi i Hitlerit, Himlerit, Gebelsit, Musolinit, dhe dhjetra të tjerëve, nuk njeh kufij të arsyes njerëzore!! Një fatalitet historik që nuk ka nevojë për koment!Brenda një nate më 1931 japonezët, të prirur nga motua: “Të masakrohet gjihtëkush! Të shkatërrohet gjithëçka!”, ekzekutuan 50 mijë kinezë. Nën thirrjen e hakmarrjes për vrasjen e këshilltarit gjerman Von Hast, brenda një nate në Paris u vranë 93 ebrej, u shkatërruan 7500 dyqane dhe 101 objekte kulti, u internuan 36 mijë ebrej, shumica e të cilëve ishin fëmijë dhe gra. Kjo masakër ka hyrë në histori me togfjalëshin “Nata e Kristaltë“. Dokumentet historike dhe memoria e gjallë e popullit na servir edhe më shumë fakte të tjera dhune dhe masakre të pashembullt. Ky kanibalizëm kishte për moto deklarimet e Hitlerit: “Kur dërgoj lulen e gjermanëve në fushën e çeliktë të luftës, përse nuk paskërkam të drejtë të shfaros miliona njerëz, që i përkasin një race inferiore dhe që riprodhohen si minjtë!“, apo edhe “…Të gjithë çifutët e Evropës duhet të internohen. Ata që janë të vlefshëm do të kthehen në skllevër, kurse të tjerët do të zhduken …”. Pas kësaj alogjike dhe thirrjeje çmendurore, 450 mijë çifutë u varrosën në një varr të përbashkët, ashtu si në vitin 1942, përveç të tjerëve, u zhdukën edhe 150 mijë fëmijë… Është i njohur fakti, që numri i përgjithshëm i ebrejve të masakruar dhe të zhdukur është deklaruar në shifrën 6–6.5 milion! Një masakër makabre e pamatëshme as me vetveten. Një masakër çmendurore, që bën të skuqen nga turpi, nga mungesa e arsyes, edhe sot pasardhësit e atyre, të cilët kënaqeshin kur njerëzit e pafaj shkëputeshin nga jeta me një mijë mënyra të dhembshme: drithërime, klithma, shpërfytyrime, mallkime, lutje, thirrje, mall, brengë, lot! Por jo me më pak egërsi vepruan gjermanët edhe në vendet e tjera. Në Poloni vetëm në ditën e parë të sulmit (1 shtator 1939 S.R) 50 Divizione Gjermane u vërsulen me egërsi duke mos kursyer asgjë…. Më 1944 hasim në skena të tjera rrënqethese. Vetëm në tre ditë u ndërpre jeta e 4 mijë ebrejve në dhomat me gaz!
Skenat tmerri të pamatë do të përsëriteshin me dhjetra herë, por tashmë edhe me më shumë cinizëm dhe egërsi: ja p.sh fëmijë që hidhen në zjarr pa ngurrimin më të vogël. Fëmijë që digjen si qiriu pa ditur përse?! Ç’mëkat kishin bërë dhe kujt i kishin borxh jetën! Të porsalindur, që u këputej koka pa hezitim! Koka që nuk dinin të ankoheshin! koka që apelonin por nuk dinin se si! koka që klithnin tmerrësisht dhembshëm!. Gra, që edhe pse burim i jetës, digjen në zjarr! Digjen që të mos prodhojnë më jetën! Digjen që të mallkojnë me dhembje nëne!
Por edhe nazizmit gjerman do t’i bëhej gjyqi, thuajse me të njëjtën medalje. Më 13 shkurt 1945, më shumë se 1 000 avionë luftarakë bombardojnë Drezdenin, dhe nën tmerrin e predhave, më se 250 mijë qytetarë, ndoshta më shumë të pafajshëm, do të humbisnin jetën në rrjedhat e jetës së pavlerë të këtyre kohëve çmendurore! Gjermania në përfundim të luftës numëroi 3.2 milionë të vrarë, më shumë se 0,5 milion të zhdukur; miliona të tjerë të gjymtuar; më shumë se 5 milionë banesa të shkatërruara… Një tmerr i paimagjinuar për mendjet njerëzore të shekujve që do të vijnë! Edhe militarizmit japonez më 6 dhe 9 gusht 1945, përmes një goditjeje bërthamore në qytetet Hiroshima e Nagasaki, në pak sekonda do t’i përcilleshin drejt vdekjes me dhembje 215 mijë qytetarë të pafajshëm, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë! Mijëra të tjerë, do të lëngonin nën veprimin e plagëve të pashërueshme të rrezatimit radioaktiv! Një plagë që dhemb ende në ditet tona! Një tragjedi që përkujtohet me dhembje çdo vit, por gjithësesi edhe me pendesë! Më 9 Maj 1945 u nënëshkrua akti i kapitullimit të Gjermanisë, çka do të thoshte se njerëzimi do të kishte mundësinë të jetonte larg tmerreve që shkaton lufta. Por fatkeqësisht nuk do të ndodhte plotësisht kështu, sepse gjakderdhja mes popujve nuk do të shterronte. 
9 Maji, edhe më vonë deri në ditët e sotme, ka rezultuar i përgjakur. Vetëm në Ballkanin “fuçi baruti“ në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, ka patur gjakderdhje. Bosnjë-Hercegovina pagoi “haraçin e lirisë“ nga dhuna milosheviçiane me gati 260 mijë jetë njerëzish; shqiptarët e Kosovës në vitet 1998-1999 e paguan këtë “haraç“ të çmendurisë milosheviçiane me 15 mijë jetë të ndërprera, më shumë se kaq të sakatuar, më se 6000 të mbajtur peng në burgjet serbe, mëse 20000 femra të përdhunuara etj. Në prill-majin 2001 janë shqiptarët e Maqedonisë ata, që do të paguajnë “haraçin“ e të qenit të pabarabartë me etnitë e tjera me jetë njerëzish dhe me pasuri të shkatërruara! Në Afganistan janë deklaruar mëse 174000 jetë të ndërprera por edhe 3500 ushtarë nga forcat shumëkombëshe. Në Lindjen e Mesme prej disa dhjetevjeçarësh 9 maji ka rezultuar i përgjakur! Në Irak vazhdon të kullojë gjak, i cili për shkak të dasive etnike vijon të rrjedhë ende pakuptim! Janë pohuar shifra marramendëse, por le të sjellim në vëmendjen e lexuesit faktin që pohon më 9 korrik 2016, ish-zëvendësi i kryeministrit të kohës Toni Blerit, i cili akuzon pa asnjë ekuivok, se ndërhyrja në Irak më 2010 ishte e paligjshme, çka i shkaktoi Irakut humbjen e 150000 jetëve, Anglisë të 159 ushtarakëve dhe mijëra forca shumëkombëshe. Në zhvillimet e epitetuara “Pranvera Arabe”, pra revolta për t’u çliruar nga regjimet diktatoriale, në vitet 2010-2016 ka konsumuar mijëra jetë njerëzore në Tunizi, Libi, Egjypt, Siri etj. Në Egjypt u shkaktuan 846 viktima; në Libi rreth 33 mijë, në Tunizi disa qindra, ndërsa ne Jemen më shumë se 9500 viktima. Vetëm në Siri janë deklaruar më 2011-2013 mëse 70 mijë jetë të ndërprera, për të vijuar më 2015 me 200 mijë, më 2016 raportohen 250 mijë viktima, ndërkohë në maj 2017 numri i viktimave shkon në shifrën rrënqethëse 320 mijë. Janë disa organizata terroriste si “Boka Haram” në Nigeri, “Al-Shabad” në Somali, ETA në Spanjë, Talebanët në Afganistan etj, pa bërë fjalë për organizatën më ekstremiste dhe gjakatare që ka marrë përmasat e një shteti të quajtur ISIS, të cilat në mënyrë sistematike shkaktojnë viktima të pafajshme në vende të ndryshme, por sidomos në Afganistan, Irak, Siri, Jemen, Turqi, Egjypt etj. Organizata terroriste “Boka Haram” vetëm në vitet 2009-2016 ka shkaktuar më se 10 mijë viktima të pafajshme, por ka kryer edhe krime amorale të pafalshme me rrëmbimin vetëm më 2014 të 276 vajzave nga shkollat, 80 prej të cilave i la të lira ditët e fundit më 7 maj 2017. Jeta është bërë e pasigurtë edhe në vendet e quajtura të stabilizuara prej dekadash si në Suedi, SHBA, Gjermani etj. Edhe në Shqipëri nga viti 1945 e në vijim shifrat e viktimizimit të jetëve njerëzore janë të frikshme. Në periudhën e komunizmit janë burgosur jo më pak se 38 mijë, prej të cilëve gati një mijë kanë vdekur në burg; janë pushkatuar jo më pak se 6 mijë, prej të cilëve 450 janë femra; janë internuar mëse 32 mijë dhe në kampet e punës kanë gjetur vdekjen gati 7200 vetë etj. Por edhe ky çerek shekulli postkomunist është bashkëshoqëruar me jo pak jetë të humbura. Për vitet 1991-2011 pohohet shifra e 5098 të vrarëve me armë zjarri, 331 vetë rezultojnë të vetëvrarë; mëse 6000 është shifra e viktimave në aksidente etj. Vetëm në vitin 1997, për shkak të zhvillimeve të pazakonta shënohen jo më pak se 3000 viktima; çka duhet të përbëjë shqetësim serioz për politikanët dhe shtetarët shqiptarë.
Në analizë të fundit të kësaj masakre të pashoqe, popujt e botës ndjejnë dhembje për milionat e viktimave të humbur në rrjedhat e luftës! Një dhembje e thellë me vraga të pashlyeshme, e cila gjithësesi u imponon atyre të shprehen sa vijon: “Kurrë më luftë! Kurrë më vrasje! Jo më gjakderdheje! Jo më Aushvic!”, e të tjera pasthirma të dhembshme. Është një mesazh që do t’u rezistojë kohëve! Një mesazh për paqe midis njerëzve kudo ku ata jetojnë!
Sigal