Riza Bregasi: Babaçe Faiku, arkitekti i aviacionit shqiptar

475
Sigal

E quaj veten fatlum që kam patur rastin të pi një kafe me legjendën e aviacionit shqiptar Babaçe Faiku. Kisha dëgjuar e lexuar shumë për emrin e tij, si aviator i klasit të parë qeveritar e themelues i aviacionit luftarak, kur shkoja me pushime te njerëzit e mi në Qytetin Stalin, sot Kuçovë. Një çun i hallës, Enver Bajram Lame dhe dy dhëndurët Timo Kaçaku e Rafail Bulgareci, ishin aviatorë e shërbenin në aviacionin luftarak të Kuçovës. Më çudiste fakti që emri i Babaçe Faikut lakohej shpesh si legjendë, por më shumë fakti që kur zihej në gojë emri i tij çoheshin në këmbë. Tregonin jo pak heroizmat e tij si zgalem ajri që asnjëhërë nuk kish gabuar. Babaçe Faiku?! Nuk gjen të dytë si ai. Shkollën e parë të Aviacionit në Vlorë, më 6 maj 1962 ai e ka udhëhequr. 14 pilotëve të parë ai ua mësoi ABC-në e pilotimit e manovrimit. Më kish mbetur në kujtesë fakti që në atë kohë mësova se me avionin e parë qeveritar IL 14 Babaçia kish sjellë në Shqipëri udhëheqësin komunist Enver Hoxha, kur në shenjë proteste, u largua nga mbledhja e 81 partive komuniste në Moskë, pas denoncimit të Hrushovit.

Në kushtet atmosferike dhe politike tej e tej të ndërlikuara e me rrezik të jashtëzakonshëm Babaçia me shokë ia doli mbanë . Bashkë me kolegun e nderuar ,pilotin Hamit Ulqinaku, për gjatë gjithë natës, në lartësi tepër të rrezikshme , fluturuan mbi Adriatik, duke shënuar një nga aktet më heroike në historinë e aviacionit shqiptar. Të nesërmen udhëheqësi komunist Enver Hoxha ndodhej mes të ftuarëve, me rastin e 28 Nëntorit, në Pallatin e Brigadave. Dhe ja një ditë, fati më trokiti në derë, të ulesha në lokalin « Sorkadhia » të Çorovodës, ballë për ballë me të. Përkujtohesh 40_ vjetori i Kongresit të BRASH-it, në Helmës, dhe i madhi Babaçe Faiku kish qënë delegatë, në vitet e LANÇ. I ati i Nevit, baxhanakut tim në Fier, Lakua, Neshat Hamitaj, një ish partizan dhe delegat edhe ai, shok arme me Babaçen, u bë mbles i kësaj miqësie. Të dy flisnin e tregonin kujtime nga LANÇ e unë mbaja shënime për reportazhin në gazetën lokale ‘’Jehona e Skraparit’’, ku kryeja detyrën e redaktorit të saj. Ndërsa Babaçja u ngrit në këmbë e përqafohej i përmalluar me një ish luftëtar armësh që kaloi aty, Lakua më tha, si në intimitet; Ka qënë ndër debatikasit e parë në Vlorë, me pseudonimin ‘’Llastiku’’. Anëtar i njësitit guerril që nga viti 1942. Nuk kish aksion mbi pushtuesin , ku mos ndihej arma e Babaçes,i plagosur keq në një aksion. Armiku e kish dënuar me vdekje në mungesë. Ndërsa unë nxorra aparatin fofografik t’u bëja të dyve një foto, me shajet e Kongresit të Parë të BRASH dhe duke shfrytëzuar këtë rast ta pyesja për një ndodhi të një defekti të rëndë mbi qiellin e Beogradit , ku ai nuk zbatoi urdhërin e këshilltarit sovjetik që të ulej se rrezikohej seriozisht jeta e të gjithëve. Ishte koha kur marrëdhëniet tona me Jugosllavinë ishin prishur dhe tensionuar në kulm. Babaçja e kundërshtoi këshilltarin duke ia prerë shkurt; nuk marr urdhëra prej teje, veç Ministrit tim të Mbrojtjes.

Avionin e uli në Budapest, duke udhëtuar 270 km me motorin e fikur. Lakua më tha në vesh, nuk ka qef t’i kujtosh heroizmat, ndonjëherë tjetër mbase. Si është Babaçja familjar, pyeta Lakon, si mik i hershëm i Babaçes?! -Ka bashkëshorte Mesarete Faikun, Lilon te ‘’Malet me blerim mbuluar » ! E ke parasysh filmin ?! Është histori më vete; Mesareti la bangot e gjimnazit në Gjirokastër dhe doli partizane. Në një betejë u plagos rëndë ,po rëndë fare,për të përfunduar në spitalin ’’BETAO’’ të Beogradit si më i specializuari. Ndërsa Babaçja shkon të vizitojë të plagosurit shqiptarë, kur studionte për aviacionin, njihet edhe me Mesaretin, Lilo laben. Familja e tyre më vonë, me tre fëmijë, kanë parë te Babaçja prindin serioz që shqetësimet e punës i linte në vendin e tyre, duke qënë një bashkëshort e prind i devotshëm. Nuk di të them sa ish koha e saktë që qëndrova aty, në atë bisdë aq mbresëlënëse, mes freskisë së rrapeve e ujit të Lumit të Guhakut, që kalonte aty pranë, se m’u dukën si punë minutash. Kur do ndaheshim të dyve ju luta të vinin për darkë te shtëpia e tim eti, ku edhe unë banoja, por nuk pranuan , se diku tjetër i kishin caktuar dhe ata si rigorozë në gjithçka, do të respektonin institucionet. Duke u larguar mbaja mend portretin e Babaçe Faikut, një trup i lidhur, diku mes mesatarit, fytyrën rrumbullake, që shpërndante mirësi. Më dukej se edhe unë fluturoja me Babaçen, në lartësitë ku kish bërë emër, me sa e sa ngjarje të njerëzve të veçantë. Herë pas here pyesja veten në ishte e vërtetë që kisha qënë me dorën vet, zgalemin Babaçe Faikun, zotin e qiellit. Sa fatlume që ishte ajo ditë për mua!