Fitim Çaushi: Ju rrëfej diskutimet në Institutin e Arteve me Kujtim Spahivoglin, Shaban Hadërin dhe Çesk Zadenë

33
Sigal

Flet publicisti Fitim Çaushi: Në Mat Enver Hoxha theksoi:  “Socializmin e ndërtojnë masat, Partia i bën këto të ndërgjegjshme”

  •  -Në ditët e fundit të majit, 1972, në hollin e Institutit, u vendos njoftimi që studentët të diskutonin fjalimin e Enver Hoxhës në plenumin e Komitetit të Partisë të rrethit të Matit.
  • -Skulptori Shaban Hadëri, na thoshte: Është një fjalim që na shkund, duhet t’i thërrasim mëndjes të gjithë!
  • – Pse, ka rrezik socializmi Shaban? – qeshte prof. Kujtim Spahivogli me dashamirësi.
  • – Prof. Çesk Zadeja: “Nëpër këtë rrugë debatesh e diskutimesh profesionale, do të përballojmë probleme të tjera që preokupojnë muzikën shqiptare – Poema e tij për Partinë, kishte partishmëri të lartë, optimizëm, patetizëm dhe figuracion ideo-artistik që na emociononte.
  • – Si vendosi regjizori Spahivogli në skenën e Institutut të Arteve dramën e Majakovskit, “Banja”?

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit“, “Në tufan“, “Shtëpia në bulevard“, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj. Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve”, i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.

-Për Kujtim Spahivoglin është folur shumë. Personalisht ju në shumë biseda e keni përmendur emrin e tij. Mund t’i përcillni lexuesit momentet e njohjes dhe impresionet e para të takimeve?

Me prof. Kujtim Spahivoglin jam njohur në Institutin e Lartë të Arteve. Ishte pedagogu, që studentët e dramës komunikonin më lirshëm. Rasti e dha që të zgjidhesha sekretar i Komitetit të Rinisë së Institutit dhe për probleme të procesit mësimor-edukativ takohesha me pedagogë, kryetar degësh, dekanë, drejtorin dhe sekretarin e Partisë. Për studentët e dramës kishte më shpesh vërejtje, veçanërisht në mbrëmje, pas provave në skenë me të cilat do të mbronin provimet e vitit. Në këto raste ata hynin zhurmshëm në konvikt dhe prishej qetësia. Ndonjëri përplaste në korridor filxhanët e çajit, të cilat ua çonin shokët në dhomë, sepse në orët e vona menca ishte mbyllur. Detyrohesha të komunukoja me prof. Kujtimin, për ta biseduar me studentët për një mirëkuptim dhe respekt të rregullave të konviktit.

Në ditët e fundit të majit, 1972, lajmërimi i afishuar në hollin e Institutit,  njoftonte studentët për të diskutuar fjalimin e Enver Hoxhës në plenumin e Komitetit të Partisë të rrethit të Matit, i cili përmbante një mesazh të madh: ”Socializmin e ndërtojnë masat, Partia i bën këto të ndërgjegjshme”. Me përmbajtjen e tij ishim njohur gjatë orës politike. Ky fjalim kishte sensibilizuar tërë institutin, veçanërisht pedagogët. Skulptori Shaban Hadëri, një intelektual babaxhan, ish partizan në Luftën Nacionalçlirimtare, me një trup të shkurtër, të lidhur, flokët të shpërndara si t’i frynte mbi to një erë e vazhdueshme, me zërin bas, na thoshte kur bisedonim në holl:

-Është një fjalim që na shkund, duhet t’i thërrasim mëndjes të gjithë! Vetëm ashtu mund të garantohet socializmi, ndryshe na mori lumi…

-Pse, ka rrezik socializmi Shaban? – qeshte prof. Kujtimi, sepse për të kishte një respekt të madh. Prof. Shabani e shoqëronte fjalën e tij me gjestikulacione, aq sa jo rrallë shkaktonte të qeshura për mobilizimin e tij tepër serioz.

-Me këtë presion që ushtrohet nga jashtë, dhe me këta njerëz që kemi, rreziku është i madh! –theksoi nuancat e dyshimit profesori. Lufta midis dy vijave, vijës socialiste dhe asaj kapitaliste shikohet më qartë në prizmin e këtij fjalimi. Nuk është e lehtë të garantohet socializmi pa një mobilizim të ndërgjegjshëm prej të gjithëve, prandaj duhet vigjilencë, punë e madhe dhe hapësirë demokratike, ku të gjithë të japin mendimin e tyre për punën dhe njerëzit – theksoi pedagogu dhe u nis drejt sallës së madhe të shfaqjeve, ku do të zhvillohej diskutimi i hapur.

Në skenë ishte një tavolinë e gjatë mbuluar me kadife të kuqe, në mes të saj një vazo me lule shumëngjyrëshe. U ulën sekretari i partisë, drejtori i Institutit, dekani i muzikës, sekretari i komitetit të rinisë dhe dy studente të pikturës dhe dramatikut. Sekretari i Byrosë së Partisë, pasi bëri prezantimin e fjalimit dhe vlerësoi rëndësinë e tij historike, ja dha fjalën drejtorit të institutit. Ky bëri një panoramë të punës në institut dhe përfundoi:

-Shkolla jonë nuk mund të mos e analizojë veten nën prizmin e së ardhmes, duke vënë në shërbim të saj edhe traditën e vjetër, edhe eksperiencën e sotme që u jepet studentëve nëpërmjet lëndëve teorike dhe profesionale. Vetëm me pikësynime të tilla perspektive, revolucionare, Instituti i Arteve do t’i shpëtojë konservatorizmit, akademizmit dhe rutinës, që janë rreziqe kryesore për shkollat e kësaj natyre. Po ngjitej në podium profesor Razi Brahimi, kritik letrar dhe studiuesi i mirënjohur në fushën e letërsisë dhe kulturës. I shkurtër, ezmer, me ballin e gjerë dhe zërin e ngadaltë, që dukej sikur të vinte në gjumë, ishte argumentimi inteligjent dhe idetë e tij të fuqishme që mbanin ndezur kureshtjen:

-Për realizimin e piksynimeve të përcaktuara nga ky fjalim, mendoj se kanë penguar si mungesa e studimeve, që pjell në mënyrë të pashmangshme subjektivizmin, nihilizmin dhe konservatorizmin, ashtu edhe rutina dhe mungesa e guximit krijues për të asimiluar dhe zhvilluar më tej traditën dhe sukseset e arteve tona kombëtare. Shikimi i kolektivit pedagogjik në të ardhmen, kërkon parashikim shkencor të rrugëve që duhen çarë, duke luftuar ndjenjën e vetëkënaqësisë dhe egoizmit profesional…Me një thellim të njohurive, do të bëhemi mbështetje për të renë, për zgjidhjen e problemeve që do të shtrojë koha…Lufta e prirjeve të ndryshme, përfaqëson luftën ndërmjet të resë dhe të vjetrës, kalimin në vlera cilësore…këtë dialektikë zhvillimi është e nevojshme ta mbajmë kurdoherë parasysh ne, pedagogët e Institutit të Arteve…

 

  • Në këtë diskutim kaq intensiv dhe masiv çfarë të bëri më shumë përshtypje?

Ajo që ra në sy të gjithë studentëve dhe trupës pedagogjike, ishin ndërhyrjet e vazhdueshme të prof. Kujtim Spahivoglit. Në mbledhje të tilla prof. Spahivogli ishte shumë aktiv. Diskutonte vazhdimisht, diskutimin e mbante ndezur edhe pas mbledhjeve me studentët dhe kolegët. Ashtu katana i gjatë, esmer, xigomatikët shumë të dala si dy gjysma sferike dhe me ecjen e ç’kujdesur, më krijonte përshtypjen e një kreshniku, që përfytëronim në analizat e orës së letërsisë. Me shkathtësinë që e karakterizonte, u ngjit në skenë. E lëshoi zërin si një jehonë që gurgullon nga shpella:

-Nëse do t’i hedhim një sy historisë së re të arteve tona, do të vërejmë, se çdo kohë ka shtruar dhe zgjidhur disa detyra të reja artistike. Teatri ynë kapërxeu ndikimet e shumta të diletantizmit, të melodramatizmit, të sentimentalizmit dhe etnografizmit në dramë e regji…mësimet e shokut Enver në këtë fjalim janë nxitje për të zgjidhur detyra edhe më të rëndësishme, si dramaturgjia kombëtare, interpetimi dhe regjia…

Në fund u ngrit edhe dekani i degës së muzikës, prof. Çesk Zadeja: “Nëpër këtë rrugë debatesh e diskutimesh profesionale, që parashtruan shokët, muzika jonë kombëtare hodhi prapa krahëve arkaizmin, folklorizmin dhe prapambetjen e trashëguar…edhe në të ardhmen, do të përballojmë probleme të tjera që preokupojnë muzikën shqiptare si forcimi i karakterit kombëtar dhe popullor.

Dolëm nga salla të elektrizuar, pedagogët, duke zbritur shkallët e institutit vazhdonin të diskutonin. Prof. Kujtimi ishte epiqendra: “Konsiderohej si një ngjarje madhore në jetën e vendit ky fjalim…u jep masave frymëmarrje demokratike…Ky fjalim me parrullën: Më shumë demokratizim, më shumë vëmendje masave të popullit, do të krijojë një frymë më të madhe lirie në Institut.

-Si vazhdoi më vonë ideja e këtij diskutimi? Çfarë fryme kishin studentët në këtë drejtim?

Pas pushimeve verore u kthyem në Institut për të vazhduar vitin e fundit. Në ditët e para të dhjetorit 1972, u organizua një diskutim për nivelin e programeve dhe përmirësimin e përmbajtjes të Degës së Kulturës. Ishte ftuar trupi pedagogjik dhe organizata e Partisë së Institutit. Mbledhjen e drejtoi Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të Ranonit nr 2, Peti Shambi, në të foli edhe prof. Kujtimi: “I konsideroj të drejta problemet që shtruan sot studentët, jo vetëm për strukturën mësimore të degës, por edhe për paaftësinë e disa pedagogëve, që ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin kulturor dhe profesional të kuadrove të ardhshëm. Kjo gjë na ka shqetësuar disa herë në organizatën e Partisë, por i kemi kaluar përciptas, nuk jemi ndalur seriozisht dhe i kemi neglizhuar studentët, të cilët këto ditë na bënë të mendojmë seriozisht edhe për këtë degë. Dega e Kulturës ka një rëndësi të madhe, sepse ka në objektin e saj tërë shtresat dhe moshat e popullsisë, prandaj përgatija e studentëve duhet të jetë në një shkallë të lartë. Ç’përgatitje artistike kanë studentët që të përballojmë këtë detyrë të vështirë ? E keni pyetur ndonjëherë veten, kur kini firmosur këto programe dhe plane mësimore, cili do ta përgatisë një kompleks muzikor, një kor modest, apo thjesht një soliste në një vatër kulture, kur këta s’janë muzikantë ? Kush do ta vërë në skenë një veprimtari të thjeshtë kulturore me konferencierë e recitues, pa folur për ndonjë shfaqje estrade, apo teatër me amatorët e fshatit, ndërkohë që s’janë regjisorë? Për këtë zhvillohet lënda e fisarmonikës, e solfezhit, histori teatri, dëgjim muzikor, pastaj ju do të mbështeteni tek shkollat, – sqaroi i fyer dekani.

-Me një orë në javë fisarmonikë, do të bëhen muzikantë këta, kur në degën e muzikës zhvillohet përditë instrument? – ndërhyri i revoltuar prof. Kujtimi – Me histori teatri do të bëhen regjisorë për të vënë një çfaqje artistike në skenë këta studentë ? Ju u thoni mbështetuni tek shkolla ! Ku do t’i gjejë shkolla regjisorët dhe muzikantët ?!

Prof. Spahivogli, i cilësuar në media ndër më të mirët në fushën e regjisurës, njëherësh edhe pedagog në degën e dramës dhe anëtar i organizatës së Partisë, kishte një autoritet të madh në Institutin e Arteve. Ai kishte shkruar disa drama dhe poema e tij për Partinë, kishte partishmëri të lartë, optimizëm, patetizëm dhe figuracion ideo-artistik që na emociononte. U kërkua pushim. Dola në koridor, e prita prof. Kujtimin dhe e falënderova për përkrahjen që na kishte dhenë me diskutimin e tij. Kam ndërmend të shkruaj një dramë për burokratizmin në Parti,- më tha me atë qetësinë e tij, që fliste shumë, – kam skicuar platformën, kam mbledhur detaje…

-Po ju si reaguat? Mos ishte provokim? A nuk ishte nsimë e ëvshtirë të shkruaje për këtë temë kaq delikate?

U hutova nga ky guxim, ndjeva një pasiguri, që më turbulloi, sepse i tillë ishte niveli im i kufizuar. Profesor, më duket shumë delikate kjo temë, sepse kërkon të theksohet mirë dhe qartë ideja, se këtë luftë e zhvillon Partia si domosdoshmëri e revolucionarizimit të të gjithë jetës së vendit. Fjala e shokut Enver se “lufta e klasave ekziston edhe në gjirin e Partisë”, që ndoshta e keni vendosur në qendër të dramës, kërkon peshim të kujdesshëm, që të mos anojë, se tehu është kundër Partisë, por kundër individëve.

E kam parasysh këtë dhe më duhet ta vendos mirë raportin e forcave, është e vështirë, por do të provoj, – tha profesori i vendosur.

Pushimi po mbaronte. Duke hyrë për në sallën e bibliotekës, ndaloi pranë nesh sekretari i Komitetit të Partisë. Nuk shkoi asnjëherë në zyrën e drejtorit apo sekretarit të partisë, në çdo pushim rrinte në holl me studentët dhe pedagogët. Pyeste, dëgjonte dhe sqaronte. I dha dorën prof. Kujtimit, e pyeti për dramën e re që kishte vënë në skenë me trupën e Teatrit Popullor. Pas përgjigjes iu drejtua me ngrohtësi: “Me çfarë po punoni tani?” Po vendos në skenën e Institutit të Arteve dramën e Majakovskit, “Banja”.

-Suksese – i tha sekretari dhe u futëm brenda.

 Gjatë muajit dhjetor-janar, prof. Kujtimi po punonte me dramën e Majakovskit “Banja”. Më ftoi në provën gjenerale dhe u mahnita me atë fantazi, ku personazhet-burokrat, nuk ishin veçse mekanizma! Ishte një gjetje tepër artistike. E shoqërova për në shtëpi, gjatë rrugës më ftoi të pinim një kafe:

Unë bie dhe ngrihem me “Banjën” – më tha i kënaqur me punën e tij. E ndjeva sinqeritetin dhe preokupimin e madh të tij për punën, sepse këto ishin lehtësisht të dallueshme, si pjesa më kryesore e personalitetit të tij.

  • S’kaloi pak kohë dhe ndodhi fjalimi i 15 marsit, spikeri në mëngjes njoftoi: “Lexuam fjalën e shokut Enver mbajtur në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve të aparatit të KQ të PPSH”. Ishte një fjalë që peshonte rëndë, jepej alarmi për një situatë që nuk ishte vlerësuar. Në të goditej sekretari i komitetit të partisë së rrethit të Tiranës, që mbulonte propagandën, artin dhe kulturën.
  • -Si reaguat ju dhe studentët në institute për këtë fjalim? Çfarë ndodhi?

Dolëm nga dhoma për të shkuar në Institut, të gjithë ishin të elektrizuar, të shqetësuar, shumë pedagogë dhe studentë hynin në holl me gazetën “Zëri i Popullit” në dorë. Për ata që nuk i dinin gjërat nga brenda, ishte si një rrufe ditën me diell! U lajmëruan të gjithë studentët të mblidheshin në sallën e madhe, do të lexohej gazeta…Gjatë leximit një heshtje solemne, një përqëndrim që tregonte se pedagogët dhe komunistët po përjetonin thellë idetë e fjalimit.

Pas leximit të gazetës, prof. Kujtimi rrinte i vetmuar në holl, ata që i rrinin vazhdimisht mbrapa ishin frikësuar dhe e braktisën. E ftova për kafe, ai buzëqeshi hidhur dhe u nisëm të ngjitnim shkallët e Universitetit për në bufenë e korpusit kryesor, në të djathtë të katit të parë. Edhe atje jehona e fjalimit kishte sensibilizuar pedagogët.

-Nuk më çudit qëndrimi yt, je njeri me karakter! – dhe vazhdoi të fliste për sekretarin e Komitetit të Partisë, i cili ishte në qendër të këtij diskutimi. Profesori kishte një bashkëpunim të ngushtë me të, për shkak të vënies në skenë të disa dramave të tij: “Shtëpia në Bulevard”, “Mbi gërmadha”, etj. Nuk trembej, por as e shante atë, i dukej mungesë burrërie ta kritikonte tani, që e kishte kritikuar plenumi.

– Duhet t’ia kisha thënë më parë, nuk pajtohesha me disa koncepte të tij, jo se kisha frikë, por më kishte verbuar autoriteti i tij fals” – tha me keqardhje.

Vijon