Kryebashkiaku Veliaj: Punimet për Zonën e lirë ekonomike të Tiranës në Kashar, janë prova konkrete se si lidhet kultura me ekonominë

27
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja inspektuan punimet për infrastrukturën publike në Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik të Tiranës (TEDA) në Kashar. Përmes TEDA Tirana, Bashkia e Tiranës synon të thithë investime të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus te industritë prodhuese si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logistics etj. Kryebashkiaku Veliaj shprehu ambicien e tij që kjo zonë të shndërrohet sa më parë në hapësirën më të madhe, ku do mblidhen të gjitha bizneset Ndërkombëtare, të cilat duan të investojnë në Tiranë, kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit, prodhimin e pjesëve për automjetet dhe turizmit. “Është zgjedhur kjo zone, sepse këtu kemi pasur një fluks të madh kërkesash për punë. Këtu kemi pasur një biznes që ka zgjatur për rreth 2-3 dekada, kryesisht të fasonerisë, por ishte një biznes vulnerabël me rroga të ulëta. Ajo që mund të bëjmë është të krijojmë vetë një zonë të lirë ekonomike ku të promovohet një lloj ekonomie e re, më e qëndrueshme, që punëson 4-5 mijë vetë në fazën e parë dhe paguan më shumë sepse janë punët e të ardhmes. Ne tashmë i kemi klientët e parë, kryesisht janë kompani për data center, që merren me të dhënat kompjuterike, të cilat shërbejnë si hub-e, pra si stacione të lidhjes së rrjeteve, sidomos për rrjetet sociale ku jemi edhe vetë konsumatorë. Ruajtja e të dhënave është një biznes i jashtëzakonshëm. Për Ballkanin planifikojmë që klienti ynë i parë të ketë databazën më të madhe të ruajtjes së të dhënave, serverët më të mëdhenj në të gjithë rajonin tonë, për të ofruar këto shërbime edhe në një Shqipëri, e cila po rritet nga ana teknologjike dhe e aftësimit, por sigurisht në një Shqipëri që kërkon rroga më të mira. Ka ardhur koha të kalojmë nga tekstili dhe këpucët, te teknologjia e informacionit dhe turizmi”, u shpreh Veliaj. Më tej, kryebashkiaku shtoi se qëllimi i Bashkisë së Tiranës është ta kthejë këtë zonë, nga një djerrinë, në një tokë që prodhon ekonomi dhe kthehet në një histori suksesi për qeverinë dhe bashkinë. “Kjo hapësirë është prova konkrete se si lidhet kultura me ekonominë. Ne patjetër që do të investojmë në Tiranën urbane dhe do injektojmë projekte të kulturës sepse ato prodhojnë më shumë ekonomi dhe turizëm.”, -tha ai.