Biora Vojka: KQZ hedh shortin e kujës së dështimit për zgjedhjet vendore, i heq numëruesit opozitës së bashkuar

189
Sigal

KQZ vendosi ta lërë opozitën pa numërues në gjysmën e vendit. Komisioni Qëndror i zgjedhjeve bëri dorëzanin e qeverisë në pushtet, duke vulosur si me paramendim një tjetër goditje të pashmangshme të zgjedhjeve të lira e demokratike në vend.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi lehtazi mbylli sytë para raporteve, si ai OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, ku u evidentua shqetësimi për shitblerjen e votës, përdorimin e administratës dhe resurseve shtetërore nga partia në pushtet për fushatën elektorale.

Thuhet se popujt që nuk dinë historinë e vetë, janë të destinuar t’a përsërisin atë. KQZ e vetëdijshme për këto shqetësime që kanë minuar zgjedhjet e lira dhe demokratike, përgatit me sy qorr e një vesh shurdh kujën e dështimit të vendoreve dhe përsëritjen e historinë e vjedhjes së vullnetit të qytetarëve.

E orkestruar me një seri vendimesh, koalicioni “KQZ dhe pushteti “, ia kanë hequr mundësitë opozitës reale të vendit, të konkurrojë sadopak e barabartë me një mekanizëm të përbindshëm të Rilindjes të pajisur me armatë e patronazhistëve, aktivistëve, administratës dhe gjykatave. E zhveshën nga pak opozitën me të cilën populli do të përfaqësohet. Nisur këtu nga marrja e vulës, duke ja bërë peshqesh Enkelejd Alibeajt,i cili nuk gëzon mbështetjen e demokratëve, dhe që as nuk arriti të plotësonte listat me kryebashkiakë. Ashtu siç KQZ i dha 1 miion dollar pa patur elektorat. Lanë opozitën e bashkuar dhe pa numërues në gjysmën e vendit, vendim arbitrar që nuk i ka hije një vendi, që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe të padëgjuar në ndonjë vend të parimeve demokratike.

Shorti që i vendos drynin pluralizmit

KQZ përcaktoi se dy nga numëruesit e votave do t’i takojnë si shumicë Partisë Socialiste dhe një tjetër Partisë Demokratike, me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori në shqyrtim projektvendimin për të ndarë se cilës parti do t’i takonte numëruesi i tretë dhe i katërt duke caktuar se do të ndahet me short ndërmjet PDIU-së dhe PL-së. Kjo vendimmarrje e KQZ-së u kundërshtua nga përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” duke u shprehur se PDIU është pozicionuar krah mazhorancës. Por, pavarësisht ankesave të koalicionit edhe pse garon në 61 bashki të vendit, “Bashkë Fitojmë” do të ketë numërues në gjysmën e KZAZ-ve, pikërisht atë që ju dha Partisë së Lirisë. Nga shorti i hedhur në KQZ për të ndarë numëruesin e katërt mes PL dhe PDIU për zgjedhjet e 14 Majit, u arrit në përfundimin se PDIU do të ketë numërues tek tavolinat me numër çift ndërsa Partia e Lirisë në tavolinat me numër tek.