Pushtimi i Shqipërisë jo sipas historisë

1335
Sigal

Nga Safet Ramolli

Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939 është bërë objekt jo vetëm i historiografisë shqiptare por edha asaj ballkanike, evropiane e më gjerë. Por zhvillimet e kësaj ngjarjeje në “Vendin e Shqiponjave” kanë preokupuar edhe intelektualë vendas dhe të huaj, ndonjëri syresh edhe historian i mirëfilltë, me përmasa ndërrajonale, të cilët i kemi cituar në vijim për të sjellë sa më saktësisht konceptimet, sjelljet dhe qëndrimet në truallin shqiptar.

Jo vetëm në historiografinë shqiptare por edhe në atë ballkanase dhe më gjerë, 7 prilli 1939 ka zënë vend në histori dhe memorien e popullit nën frazeologjizmin “E Premtja e Zezë”, emërtim mjaft i gjetur artistikisht, i bashkangjitur jo vetëm se ishte e premte, por sidomos për ngarkesën emocionale që i shkaktoi popullit shqiptar pushtimi i huaj. Shqipëria e rropatur ndër shekuj u bë një ndër viktimat e para të lidhjes ushtarake famëkeqe fashisto-naziste, e cila kishte nisur të zbatonte planin për copëtimin dhe pushtimin hap pas hapi të vendeve të ndryshme në Evropë, Azi, Afrikë. Studimi i materialeve historike, literaturës bashkëkohore, analizave të zhvillimeve në fjalë, na bëjnë të pranojmë, se me kohë në kulisat politike dhe shtabet ushtarake të disa vendeve evropiane, përgatitej gllabërimi i territorit shqiptar prej fqinjëve të përtej detit. Të tilla qëndrime e sjellje ishin planëzuar e realizuar që prej dy-tre vjetësh të shkuar në Afrikë, në Kinën e largët, por edhe në rajone të tjera.

Zhvillimet pas 7 prillit 1939, jo vetëm në vendin tonë por edhe në Evropën Qëndrore e Lindore, na servirin dokumente që na imponojmë të konkludojmë se vendi ynë ishte pjesë përbërëse e planeve pushtuese të shteteve që kishin marrë përsipër, sikurse pohon Xhorxh Kastellan, “…të qepnin e të shqepnin territore” në pjesë të ndryshme të globit. Por në gamëm e këtyre zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare, “E Premtja e Zezë” shqiptare, ka qënë e paralajmëruar nga disa shqiptarë dhe të huaj të mirëinformuar për ato që po ndodhnin realisht por edhe për të tjerat, që do të pasonin në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë.

Siç jam shprehur që në titullin e shkrimit do të sjell për lexuesin disa artikulime nga personalitete të ndryshëm pa marrë përsipër t’i komentoj sepse gjykoj se nuk e kam luksin e duhur për këtë. Në librin “Ali Këlcyra, aristokrati kuqezi” të autorit Tanush Frashëri, referuar një gazetari danez më 21 gusht 1928 nën titullin “Italia vallë nuk ka për të ndërhyrë në Shqipëri”? jepet ndër të parët alarmi i rrezikut të pushtimit italian. Më 6 maj 1930 në gazetën “Ouevre” përpos të tjerash Këlcyra artikulohet shprehimisht: “… Moria e fashistëve italianë të pajisur me armatim e pjesëtarëve të njësive të posaçme fashiste që vendosen vazhdimisht në Shqipëri me pretekste të ndryshme, është një farë pushtimi i kamufluar…”. (fq. 160) Ndërkohë më 4 dhjetor 1931 në gazetën “La Repyblik” deklarohet se megalomania musoliniane e ka shpënë Duçen të citojë Makiavelin, se “… në politikë është më mirë të ta kenë frikën, se sa të të duan; duke dashur të ndjekë politikën e Romës së Lashtë ai e ka hedhur vështrimin nga Ballkani dhe i ka ndalur sytë mbi “tiranin e vogël shqiptar”, që e konsideron si një mbështetje prej nga ku të kërcejë për t’i zgjatur kthetrat në tërë Ballkanin”. (fq. 133) Mandej Ai duke e njohur mirë vendin i cili është gjithmonë i kërcënuar prej pushtimit fashist, këshillon që Lidhja e Kombeve duhet të ushtrojë më me forcë autoritetin e saj për të kontrolluar zhvillimet në tërësi. Ndërkohë, për të ardhur në vitin 1938 e sidomos në shkurt 1939, ai pohon qartazi se tashmë është krijuar një opinion i përgjithshëm se Italia do ta pushtojë ushtarakisht Shqipërinë, çka ngjau vetëm pas dy muajsh.

Njëherësh ndër të parët mjaft i besueshëm është Fan Noli. Më 1931, pas një analize të hollësishme të zhvillimeve në Shqipëri, në rajon e më gjerë, ai gjen rastin të shprehet se Italia shpejt a vonë “do të marrë tapinë mbi Shqipërinë”, dhe pas kësaj Musolini “do t’i japë shkelmin A. Zogut, …, do t’i hajë kokën shpejt a vonë si një e një që bëjnë dy”. Por Ai, si një Kasandër e çon problemin më tej, duke parashikuar, atë që ndodhi realisht, se “Ahmeti me bejlerë do të rrëmbejë valçet dhe do të ikin natën, posa të mos kenë përkrahje të jashtme, se e dinë që populli nuk i do”. Pas F. Nolit, nga sa kam mundur të hulumtoj, është një tjetër shqiptar që e paralajmëron tragjedinë që e pret popullin shqiptar. Skënder Luarasi, i biri i Petro N. Luarasit, në këtë kohë një ndër vullnetarët shqiptarë i inkuadruar në Brigadat Internacionaliste në Spanjë, me dhimbje, do të pohonte në Radio Barcelona, për emisionin shqip: “Nuk ka në Shqipëri një qytetar me pesë pare mend në kokë, që të mos kuptojë se pas Abisinisë dhe Spanjës, do të jetë populli shqiptar viktima e tretë e lakmisë fashiste. Mjerë Shqipëria po të fitojnë gjeneralët fashistë luftën, që i kanë shpallur Republikës së Shqipërisë”. Për fat të keq kështu  rezultoi në të ardhmen fare të afërt. Po kaq realist mbetet edhe Faik Konica, njëri prej më brilantëve të korifenjve të letrave shqip. Në janar 1935 ai i drejtohet “Nju Jork Times” me një letër të titulluar: “Gafat e italianëve në marrëdhëniet me shqiptarët”. Për të qenë sa më të vërtetë po citojmë vetëm një paragraf nga kjo letër. “Unë nuk jam i verbër para defekteve të italianëve. Ata kanë bërë dhe unë kam frikë se vazhdojnë të bëjnë, shumë gabime trashanike në Shqipëri, më i madhi prej të cilëve është besimi i tyre se me shqiptarët mund të arrihet gjithçka duke u bërë presion dhe duke i kërcënuar”. Fatalisht ky gabim vijoi edhe në të pastajmen deri sa kërcënimi u shndërrua në një sulm të armatosur, por i paraprirë prej një fasade propagandistike, se gjoja Shqipëria nuk ishte objekt pushtimi,

E Premtja e Zezë” është parandjerë dhe paralajmëruar edhe nga disa personalitete jo të trevave shqiptare. Midis mjaft prej tyre është edhe një grua, e cila e ka dashur “Vendin e  Shqiponjave” dhe që është shprehur mjaft qartë për rrezikun e pushtimit ushtarak të Shqipërisë. Ajo ka qënë dhe mbetet një Grua e Madhe, prandaj duke bërë aqë shumë për Shqipërinë, ka fituar me meritë plotësisht të justifikuar epitetin rrezatues: “Mbretëresha e Maleve”. Jo vetëm si misionare e qeverisë angleze në shtetet fqinje në veriun tonë në Serbi, Mal të Zi e Bosnjë, por edhe si gazetare, duke e njohur mjaft mirë vendin tonë, në mos më shumë të paktën pas atij udhëtimi prej gati 4 muajsh në fillim të vitit 1904, do të ishte edhe një avokate këmbëngulëse dhe e argumentuar e “çështjes shqiptare” në tribunat evropiane e ndërkombëtare. Për problemin në fjalë, Editt Durham, luftëtare e palodhur për njohjen e Shqipërisë të pavarur dhe demokratike, me keqardhje e me dashamirësi, i shkruante Faik Konicës, me cilësinë e përfaqësuesit të Shtetit Shqiptar në Lidhjen e Kombeve të Bashkuara, edhe sa vijon: “Jam e shqetësuar për gjëndjen e Shqipërisë. Nuk më pëlqen borxhi i madh kundrejt Italisë. Italianëve nuk u duhet besuar, dhe nuk shoh se çfarë mund t’i pengojë ata që të mos rrëmbejnë një port si pagesë për këtë, në rast se e quajnë të përshtatëshme“. Përsëri mjerisht edhe ky dyshim u bë realitet. Një realitet i hidhur, por edhe i njohur dhe real.

Janë edhe disa personalitete të tjera me emër të mirë në fushën e politikës, të medias por edhe atë shtetare. Midis tyre po veçoj zonjën Margaret Macmillan, e mbesa e kryeministrit të Anglisë gjatë viteve të Luftës I Botërore. Në librin madhor “Paris 1919, gjashtë muaj që ndryshuan botën”, ajo jep me vërtetësi dhe argumente bindëse dramën se si u luajtën fatet e popujve në skenën e madhe botërore gjatë Konferencës së Paqes në Paris në analizë të përfundimit të konfliktit gjakosës të përbotshëm. Në libër Shqipëria gjen pasqyrim të gjerë dhe real, aqë sa edhe historiografia shqiptare nuk na i ka ofruar ndonjëherë. Me keqardhje, duke gjykuar antishqiptarizmin e egër të disa Fuqive të Mëdha në qëndrimet që mbanin dhe vendimet që merrnin në kurriz të Shqipërisë, ajo shprehet se Shqipëria, e ardhur pak para Luftës I Botërore e krijuar nga katër rajone të perandorisë Otomane, ndodhet e mjerë, me shumë armiq të fuqishëm dhe me shumë pak miq. Gjendej në mjerim ekonomik, pa industri e tregëti të zhvilluar, pa hekurudha dhe vetëm me 200 milje rrugë të shtruar. Shqiptarët, edhe pse banorë autoktonë ilirë të Ballkanit, në fakt ishin shtyrë nga pushtimi në jugë e në perëndim prej sllavëve në zonat më të mjerueshme e më të pakapërcyeshme. Pas një analize të gjerë dhe konkrete arrin në përfundimin jo shumë të këndshëm por real, se Shqipëria ishte e dobët dhe qeveria e saj e pasukseshme. Njëherësh na sjell në vëmëndje edhe vlerësimin dhe qëndrimin burrëror proshqiptar të presidentit amerikan të kohës Willson, i cili shprehet se shqiptarët ishin të tmerruar nga një mandat italin, që kishte marrë një numur të madh peticionesh, prandaj “Mbase duhet të kishin pavarësinë e tyre”. Megjithatë në konferencë u muarën vendime të rëndësishme për botën, që ashtu sikurse çuan në ekuilibre të qëndrueshme në një pjesë të saj, po ashtu i prishi ato në pjesë të tjera. Fatkeqësisht për Shqipërinë këto vendime ishin në linjën e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, pra që cënonin tërësinë territoriale. Pra, realiteti që evidenton zonja Margaret më sipër, do të bënte që Shqipëria të ndodhej e pafuqishme për të përballuar me sukses sulmin ushtarak që do të pasonte pas pak vitesh.

Ndërkohë, që po pregatitej dhe thuajse u bë krejt i qartë pushtimi i vendit, populli i thjeshtë dhe intelektualët patriotë shqiptarë, e parandjenë rrezikun disa ditë përpara zbarkimit. Në disa qytete u organizuan demonstrime, në të cilat u dalluan veçanërisht masa e të rinjve shqiptarë. Pak ditë para pushtimit rinia shkollore e kryeqytetit, por bashkë me ata edhe atdhetarë të tjerë, organizuan manifestime të gjera e të fuqishme, deri edhe përpara ndërtesave të qeverisë. Por duhet pranuar e pohuar se, për shkak të gjëndjes aktuale të qeverisjes së kohës, por edhe të burimeve njerëzore e materiale të kufizuara, vendi ynë u gjend i papërgatitur dhe jo plotësisht i gatshëm të përballonte me sukses sulmin ushtarak të jashtëm prej një fuqie ushtarake të konsiderueshme, e cila kishte marrë përsipër të kryente agresion edhe në disa vende të tjera të rajonit ballkanik dhe evropian. Ushtria Shqiptare ishte e vogël në numër, e shkërmoqur në pikpamje organizimi, e paarmatosur me armatim e municion bashkëkohor por edhe në sasinë e domosdoshme, por edhe fatkeqësisht dhe fatalisht e komanduar jo me profesionalizmin e duhur, prandaj edhe joefektive. Në dispozicion të komandës për mbrojtjen e Durrësit ishte një batalion xhandarmërie, një batalion i rojes së kufirit, komanda e garnizonit dhe toga e marinës, një baterie artilerie 75/27, ashtu sikurse priteshin të vinin edhe 600 kreshnikë nga Kruja e Kavaja. Vendi ishte i pafuqishëm në pikpamje ekonomike për të mbështetur veprimet luftuese.  Drejtimi e komandimi i luftëtarëve shqiptarë vuajti edhe nga paaftësia e Shtetit për të marrë në dorë gjendjen e krijuar, (le të sjellim në vëmendjen e lexuesit se disa nga drejtuesit e lartë ushtarakë u treguan ose jo atdhetarë, ose jo të sakrificës. Dokumente të kohës na bëjnë me dije se mungonte harmonia midis drejtuesve kryesorë, si ministri i brendshëm, Musa Juka; komandanti i mbrojtjes kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi; komandanti i xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku; e disa të tjerë, në vend që të harmonizonin veprimet dhe qëndrimet, spiunonin njëri-tjetrin . Njëherësh, gjeneral Zef Serreqi, për mjaft kohë shef i adjutanturës së mbretit Zog dhe në këtë kohë i dërguar i jashtëzakonshëm në Itali, kishte dhënë dorëheqje të pakthyeshme. Një veprim të tillë e bëri edhe komandanti i mbrojtjes kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi, i cili pas ndërhyrjeve apo ndërmjetësimeve të fuqishme u pendua dhe u kthye në detyrë; mjaft të tjerë (përfshi edhe prefekti i Durrësit) kishin braktisur detyrën, ashtu sikurse një shpurë e tërë ushtarakësh të lartë iu bashkangjitën karvanit të mbretit Zog për të emigruar nga vendi, e mjaft të tjera si këto.

Bernd J. Fisher, studjues amerikan, profesor i historisë, autor i dhjetra artikujve analitikë e shkencorë mbi Shqipërinë dhe historinë e saj, sidomos në gjysmën e parë të shekullit XX; studjues i mirëfilltë i problematikës shqiptare midis dy Luftrave të Përbotëshme, pas një analize të shumëfishtë politiko-ekonomike e ushtarake, për “Të Premten e Zezë” në Shqipëri, shprehet edhe sa vijon: ”Konti Çiano, ish ministër i jashtëm i Italisë dhe dhëndërr i Musolinit, pohon: Ose në bashkëpunim me Jugosllavinë dhe copëtimi i Shqipërisë, ose pa ata (jugosllavët, S.R) dhe pushtimi i Shqipërisë ”. Pra, në çdo situatë e rrethanë: sulm ushtarak ndaj territorit shqiptar, çka do të thotë: domosdoshmërisht pushtim i Shqipërisë.

Nga fundi i marsit 1939, Qeveria Italiane formuloi një “Ultimatum” për Qeverinë e Tiranës, përmes të cilit vihej në ankand pavarësia dhe tërësia territoriale e vendit. Konti Çiano paralajmëroi më 31 mars A. Zogun se, në se nuk do të pranonte kërkesat italiane, atëhere në të gjithë Shqipërinë do të shpërthenin trazirat, të cilat do të pasoheshin nga zbarkimi i trupave të armatosura italiane. Mjetet diplomatike në rajon e më gjerë, si dhe mobilizimi i popullsisë në vend, rezultoi jo me efektivitet për të garantuar tërësinë territoriale dhe lirinë e vendit dhe popullit shqiptar. Edhe Lidhja e Kombeve u tregua e pafuqishme dhe pa autoritet për të ndalur kasaphanën botërore që do të pasonte. “Në orën 5.30 minuta të mëngjezit të 7 prillit, Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Saranda u sulmuan prej 40 deri 50 mijë trupash të mbështetura prej 400 aeroplanësh dhe 12 anije lufte”, shprehet profesori i nderuar dhe i informuar saktësisht.

Mbrojtësit e qytetit të Durrësit, ndonëse të pakët në numur dhe duke patur vetëm 5 gjerdanë me fishekë, mundën të zmbrapsin valën e parë të sulmit italian. Por në orën 9. 00 qëndresa në qytetet Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin, kishte marrë fund. Një pohim nga kancelaritë italiane vë në dukje edhe sa vijon: Konti Çiano, i shoqëruar nga Filipo Anfuzo, vëzhgonte me avion zhvillimin e luftimeve. Por në këtë situatë, duke parë zhvillimin e veprimeve luftarake, jashtë etikës dhe protokollit italian, Anfuzoi detyrohet të përsëritë disa herë: “…në rast se shqiptarët do të dispononin një brigadë zjarri të pajisur mirë, ata mund të na kishin hedhur në Adriatik…”. Një pohim jo i këndëshëm për të dy palët ndërluftuese.

Për gjëndjen e Shqipërisë në këtë kohë, për situatën e përgjithëshme dhe për gjëndjen e forcave të armatosura në veçanti, hedh dritë Bernd J. Fisher, i cituar me respekt më sipër. Ai pohon prerazi dhe qartë, se në operacionin e 7 prillit, forcat ushtarake shqiptare luajtën një rol relativisht të vogël. Ai pohon gjithashtu se, malësorët ishin të çarmatosur nga pushteti qëndror, dhe se “… mungesat e mëdha me armë zjarri, municione dhe organizim, do ta sakatonin shumë shpejt aftësinë e qëndresës shqiptare”.

Është edhe një autor tjetër që hedh dritë në zhvillimet e kësaj periudhe. Xhorxh Kastellani, autori i librit “Histori e Ballkanit”, pedagog për Historinë e Ballkanit në një universitet të Parisit, shprehet edhe sa më poshtë: “… Musolini i filloi veprimet luftarake të Konfliktit të Dytë Botëror me pushtimin e vendit më të vogël në Ballkan, Shqipërisë, “Të Premten e Shenjtë”të vitit 1939, por përballë politikës së italianizimit, shqiptarët manifestuan shpejt pakënaqësinë e tyre”. Kështu, edhe pse i ndodhur në rrethana të disfavorëshme, populli i thjeshtë u ngrit nën “komandën e ndërgjegjes kombëtare e atdhetare”. Në mbarë Shqipërinë, mjaft shqiptarë u drejtuan drejt brigjeve të Adriatikut e Jonit. Në Durrës, atdhetarët e vërtetë drejtuan armët mbrojtëse kundër pushtuesve. Kapteri atdhetar, Mujo Ulqinaku, jo vetëm që drejtoi me aftësi por edhe luftoi si trim i rrallë. Mujua, vërtet vinte nga një familje detari të varfër në Ulqin, por gjakun e derdhi për liri e vatan në Durrës. Hamit Vishko, biri i Gumenicës së Vlorës, kur po ndodhte gjëma kombëtare, erdhi në Vlorë me kushtrimin: “Kush e do Atdheun, të vijë në Vlorë, se po del Italia”!. Mitro Dhimërtika ishte nga Nivica, bashkë me shokë shkoi në breg të detit duke lënë pas amanetin: “Mua mos më qani; unë bëra detyrën si atdhetar…”.  Hamit Dollani, nga fshati Jance i Gramshit, udhëtoi drejt Durrësit, ku e thërriste nderi i Atdheut, për të mbetur dëshmor në krah të shokut të tij të vjetër, Mujo Ulqinakut….

Pastaj vijuan dëshmorët e tjerë, të cilët janë kaqë shumë për një “copë” vend dhe një “grusht” popull si ky i yni. 28.000 (shifër turpërisht e diskutuar nga një pjesë e politikës shqiptare) mbetën çdo pëllëmbë të Atdheut tonë, për të transmetuar apelin: ky vend dhe ky popull ka mbijetuar në sajë të dëshirës, vullnetit dhe sakrificave të shumta për të qënë i lirë. Menjëherë u organizua një qëndresë e fuqishme, edhe pse fillimisht thuajse spontane pas atij çorganizimi shtetëror dhe mungese fuqie njerëzore e materiale për t’u përballur me sukses me pushtuesit. Është fakt i njohur historik, që kreu i Shtetit Shqiptar, Ahmet Zogu, në këtë moment krize të pashpresë, në mëngjezin e kësaj dite u largua nga vendi i tij. Këtë ndodhi disa nga personalitetet e huaja, të cituara edhe më sipër, e analizojnë dhe interpretojnë gati në unison në përmbajtje, por në forma të ndryshme në aparencë. Editt Durham, shprehet se mbreti Zog i Shqipërisë “… ua mbathi me të shtënën e parë dhe i la atdhetarët shqiptarë të luftonin të vetëm kundër forcave me epërsi dërrmuese”. Xh. Kastellan, nënvizon edhe sa vijon: “… Zogu ishte larguar përmes maleve me dëborë…”.

Por gjithësesi, edhe nga disa të huaj është pohuar prerazi e qartë se, populli shqiptar i ndodhur përballë rrezikut të shpërbërjes, zgjodhi alternativën e qëndresës së armatosur si mjeti më i efektëshëm për t’ju kundërvënë së keqes. Vatrat e qëndresës dhe heroizmi i lartë kundër pushtuesve, në fillim e deri në ditën e çlirimit më 29 nëntor  1944, u shndërruan në legjendë. Nga dita e parë e pushtimit e deri në çlirimin e plotë nga pushtuesit e huaj, kudo ku e deshte interesi i mbrojtjes së Atdheut, u derdh gjaku i shtrenjtë i shqiptarit.

 

Safet N. Ramolli

4 prill 2020