Prof. Dr. Xhevat LLOSHI / Përgatitja e Elbasanit për Pavarësinë

1124
Sigal

Dëshiroj ta nis fjalën me një pohim, i cili duket pak i papritur, por që është plotësisht i vërtetë: Pavarësia e një vendi nuk është çështje kombëtare, por është një çështje ndërkombëtare. Pavarësi do të thotë shkëputje, çlirim, largim nga një pushtim i huaj, nga një sundim i huaj, qoftë dhe nga një lidhje apo bashkim me një shtet tjetër.

Shpallja e Pavarësisë, rrjedhimisht, është një akt ndërkombëtar. Kështu e kishin kuptuar me të drejtë rilindësit tanë prej kohësh dhe më mirë se të gjithë e kishte kuptuar Ismail Qemali me bashkëpunëtorët e tij. Për këtë arsye i dhanë aq shumë rëndësi propagandimit të autoktonisë së shqiptarëve, lashtësisë së kulturës dhe gjuhës së tyre, historisë heroike të Skënderbeut e kështu më tej si një program i plotë idesh dhe veprimtarish. Krahas kësaj, ata përpunuan përfytyrimin për Shqipërinë e pavarur si njësi tokësore  dhe shtetërore, e cila do të kishte edhe qendrën e vet, edhe sistemin e qeverisjes, edhe drejtimet e mëtejshme të zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor e arsimor. Këto aspekte i kemi të përmbledhura në një sintezë të jashtëzakonshme, siç është manifesti i Rilindjes, domethënë vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”.

Duke i njohur nga një përvojë e gjatë këto zhvillime të mundshme, Porta e Lartë ishte përpjekur prej kohësh, që t’i pengonte qysh në zanafillë dhe me këtë shpjegohet përse trojet shqiptare ishin ndarë në katër vilajete, qëllimisht edhe të përziera nga pikëpamja e kombësive të përfshira. Për këtë shkak Elbasani bënte pjesë në një vilajet krejt të sajuar, me kryeqendër Manastirin. Sundimtarët osmanë e kuptonin qartë, se me vendosjen e tij gjeografike në qendër të trojeve shqiptare, me lidhje ekonomike e tregtare në të gjitha drejtimet, madje edhe me një të folme qendrore, për të cilën qarkullonte shprehja “Turçja e Stambollit dhe shqipja e Elbasanit”, i kishte të gjitha parakushtet për t’u bërë kryeqyteti i Shqipërisë së ardhshme të mëvetësishme. Shqiptarët dhe vetë elbasanasit, përkundrazi, jo vetëm e përfytyronin një perspektivë të tillë, por edhe ndërmorën një varg hapash, për të shkuar drejt vënies në jetë të kësaj mundësie. Me këtë vështrim besoj se gjithçka ka ndodhur dhe është kryer në dhjetëvjeçarët para ngritjes së flamurit mund të quhen përgatitja e Elbasanit për pavarësinë.

Elbasani kishte nisur të përgatitej për një të ardhme më të madhe që në shekullin XVII, kur nisi lulëzimin ekonomik dhe zgjerimin e tregtisë. Zejtarët jo vetëm u bënë të njohur si mjeshtra të një game të gjerë prodhimesh, por edhe organizuan esnafet, prej të cilave kemi statusin e tabakëve ndoshta më të vjetrin në shkallë ballkanike. Tregtarët mbulonin  një hapësirë jo vetëm nga Durrësi deri në Shkup, por edhe deri në Stamboll e Izmir. Ndërtimet me vlera arkitekturore e kanë mahnitur udhëtarin e njohur Evlija Çelebiun, i cili ndër të tjera më 1670-n e ka përmbledhur mrekullimin e vet me fjalët: “Sikundër qyteti i Antepit është nusja e Anadollit, ashtu edhe qyteti i Elbasanit është nusja e Shqipërisë në Rumeli”.

Rrjedhim i natyrshëm i këtij lulëzimi do të ishin edhe shfaqjet e jetës kulturore. Është e vërtetë se nën sundimi osman do të ishte e fortë vula e kulturës orientale dhe po ai Evlija Çelebiu është shprehur, se kronikanët “… këtë Elbasan e kanë quajtur  Shtëpia e Vjershëtorëve”. Por në të njëjtën kohë dëshmohen përpjekjet për të shkruar shqipen, madje me atë dokument që është quajtur Anonimi i Elbasanit, kemi më të vjetrin alfabet origjinal të shqipes. Për më tepër, kjo nuk ishte një shfaqje e rastit, që u shua shpejt, por përkundrazi, më pas kemi një traditë, për të cilën mjafton të përmendet emri i shquar i Dhaskal Todrit, që deshi të ngrinte të parën shtypshkronjë për të shtypur fjalën shqipe, ndërsa pati pasues edhe për alfabetin e tij përsëri origjinal. Kështu vijmë te Konstandin Kristoforidhi, i cili është bërë pothuaj sinonim i gjuhës shqipe dhe i vetë Elbasanit, sepse me këmbëngulje shtonte pas mbiemrit të vet: Konstandin Kristoforidhi Elbasanasi.

Në fillim të shekullit XX pati një përleshje të vërtetë të disa fuqive të huaja për të shtënë në dorë dorëshkrimin e Fjalorit të gjuhës shqipe të Kristoforidhit. Atdhetarët elbasanas jo vetëm u mblodhën  si një trup  rreth kësaj trashëgimie, por edhe organizuan një veprimtari të shumanshme në interes të lëvizjes kombëtare. Befas Elbasani doli në qendër të interesimit të disa qeverive të huaja nëpërmjet konsujve nga qytetet e tjera të Shqipërisë dhe të agjentëve të tjerë. Çështja e Fjalorit të Kristoforidhit dhe e vendosjes së një alfabeti të vetëm për shqipen i tejkaluan caqet e lëmit gjuhësor dhe mishëronin një hap të bashkimit kombëtar drejt pavarësisë.

Kongresi i Alfabetit u bë në Manastir për shkakun se ishte qendër vilajeti dhe, për pasojë, aty ishin jo vetëm autoritetet qendrore osmane, por edhe konsullatat e huaja, që jo vetëm u interesuan nga afër për këtë ngjarje, domethënien e së cilës për kombin shqiptar në rrugën e ndërtimit të shtetit të vet e merrnin vesh fare mirë, por dhe më pas janë përpjekur të vënë në pah edhe mëtimet e tyre për zhvillimin e këtij Kongresi. Ndërkaq ishin afruar retë e luftërave ballkanike dhe tatëpjeta e Perandorisë Osmane nuk ishte më një sëmundje e fshehtë. Si pasojë statusi i Manastirit do të ndryshonte së shpejti dhe sllavët do të vinin dorë mbi të përfundimisht. Atdhetarët, që i ndiqnin me sy hapët zhvillimet ndërkombëtare në Ballkan, kishin vendosur që vijimin e punës do ta bënin me një kongres tjetër pikërisht në Elbasan. Në qendër të programit këtë radhë do të vihej ngritja e sistemit arsimor shqiptar. Shkolla Normale do të bëhej vatra rrezatuese e arsimit shqip. Nuk e teproj duke thënë, se për afër dyzet vjet Elbasani ka qenë kryeqendra e arsimit shqiptar, dhe duke vështruan anën gjuhësore, do të shtoja se me arsimtarët e përgatitur në Elbasan, një variant gjuhësor ka funksionuar edhe në trevat e Kosovës, ku përcaktoi zhvillimet e mëpastajme pas përfundimit të Luftës II Botërore. Është meritë e Elbasanit që edhe pas përcaktimit të padrejtë të kufirit lindor të Shqipërisë, ai e kapërceu këtë cungim dhe i mbajti të pashkëputura lidhjet e bashkësisë shqiptare me trevat e mbetura nën sundimin e pushtuesve të rinj pasosmanë.

Rolin e Elbasanit në ato vite kritike nuk e nxjerrim në pah ne sot për t’iu përgjigjur një patriotizmi lokal, të kuptueshëm në rastet jubilare solemne, sepse e kemi edhe të dokumentuar plotësisht. Për këtë po përmend vetëm dy dëshmi. Gazetari anglez i njohur mirë në fillimin e shekullit të kaluar, Charles H. Ëoods, duke përmendur Kongresin e Elbasanit në një artikull të 8 shtatorit 1910 në “Ëestminster Gazette”, e ka thënë si gjë të pranuar, që Elbasani është ndoshta “qyteti më i rëndësishëm në Shqipëri”. Kryetari dhe sekretari i Misionit të Seksionit Amerikan në Turqinë Europiane ndër të tjera i kanë shkruar përfaqësuesit të Shoqërisë Biblike më 25 prill 1911, se “Udhëheqësit shqiptarë kanë punuar me zell për të njësuar gjuhën dhe janë marrë vesh për një alfabet kombëtar. Kuptohet që ata tashmë janë marrë vesh që dialekti i Elbasanit do të jetë standardi kombëtar.”

Është e vërtetë, ashtu siç është pohuar vazhdimisht, se ngritja e flamurit në Elbasan më 25 nëntor, përpara gjithë qyteteve të tjera, lidhej me rrezikun e drejtpërdrejtë të pushtimit serb, domethënë për t’i vënë ushtritë e huaja përpara faktit se do të shkelnin në territoret e një shteti të pavarur. Ndërkaq, po ta shtjellojmë më tej, kjo do të thotë se ngritja e flamurit në Elbasan nënkuptonte se tashmë kishte një shtet shqiptar, pjesë e të cilit ishte edhe ky qytet. Rrjedhimisht, ky akt simbolizonte diçka shumë më të gjerë sesa caqet e një krahine. Flamuri do të ngrihej në disa qytete të Shqipërisë përpara dhe krahas Vlorës, sipas porosisë së vetë Ismail Qemalit që kjo edhe për Elbasanin nuk ishte një rastësi, e dëshmon figura e burrit të shtetit, Aqif Pashë Biçakçiut, i cili e ndërmori këtë hap, duke qenë bashkëpunëtori nga më të ngushtët i Ismail Qemalit dhe që e vazhdoi veprimtarinë në këtë vazhdë deri në fund të jetës. Do të më lejohet të shtoj edhe diçka tjetër. Besoj se ky akt nuk ishte i palidhur me idenë e caktimit të Elbasanit më pas si kryeqytet i Shqipërisë.

Përse shpallja e pavarësisë ishte menduar nga I. Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij që të bëhej në Durrës ose në Vlorë? Natyrisht, kjo u përcaktua nga një varg faktorësh të rëndësishëm. Por nuk përjashtohet edhe një arsye tjetër me peshë. Shpallja e pavarësisë, si akt ndërkombëtar, duhej t’u drejtohej fuqive të huaja, t’u bëhej atyre i pranishëm. Kjo mund të ndodhte vetëm në ato qytete të Shqipërisë, ku kishte përfaqësues të këtyre fuqive. Po të marrim vetëm Austro-Hungarinë, ajo kishte përfaqësues të saj diplomatikë në Shkodër, Durrës, Manastir, Vlorë, Janinë dhe Shkup. Në konfiguracionin e atëhershëm gjeopolitik përjashtoheshin si qendrat e mundshme të ngritjes së flamurit për gjithë Shqipërinë katër qytete: Shkupi, Janina, Manastiri dhe Shkodra. Mbeteshin vetëm Durrësi e Vlora, ku akti madhor i shqiptarëve do të konstatohej nga konsujt e huaj, pavarësisht se disa prej tyre do të përpiqeshin ta shpërfillnin, ashtu siç bënë përfaqësuesit e atyre shteteve edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Prej këndej kuptohet përse atdhetarët shqiptarë përfundimisht zgjodhën Vlorën, ku Ismail Qemali kishte edhe sigurinë më të madhe për ta shpalosur flamurin përpara fuqive ndërkombëtare dhe për ta mbrojtur shtetin e ri shqiptar. Ndërkaq, kjo nuk do të thoshte se vetvetiu qyteti i flamurit do të bëhej edhe kryeqyteti i vendit. Siç e kanë dëshmuar zhvillimet e mëtejshme, sidomos Lufta e Vlorës, kryeqyteti i Shqipërisë në bregdet do të ishte një objektiv shumë i lehtë për t’u pushtuar nga lakmitarët e tokave shqiptare në një kohë kur shteti i ri shqiptar nuk mund të kishte një mbrojtje detare të fuqishme.  Ideja gjithmonë ka qenë për një qytet afërsisht në qendër të vendit, madje kjo edhe për arsye ekonomike e kulturore. Për pasojë, ngritja e flamurit në Elbasan kishte edhe një përbërëse të lidhur me të ardhmen. Ajo do të ishte një argument plotësues për të ardhmen, se Elbasani e meritonte të zgjidhej për kryeqytet: ai ishte i pari që lartësoi flamurin e pavarësisë.

Njëkohësisht me këtë kemi shpjeguar, përse në nëntorin e vitit 1912 nuk ishte oportune krijimi i qeverisë së parë shqiptare në Elbasan, në një qytet pa konsullata të huaja, nën kërcënimin e një pushtimi, që do të zëvendësonte pushtimin e mëparshëm shumëshekullor. Gjithsesi, pavarësisht prej këtyre rrethanave, ngritja e flamurit të pavarësisë mbetet një moment krenarie historike për Elbasanin. Ky nuk qe një akt i veçuar dhe as i rastit. Elbasani ishte i përgatitur për këtë ngjarje madhore dhe, ndonëse kjo nuk është fusha ime e studimeve, me këtë rast do të shprehja dëshirën që edhe për atë flamur real, për atë cohë kuq e zi historianët të na zbulonin e të na e përshkruanin historinë ashtu si për flamurin e Marigo Pozios në Vlorë, madje bashkë me të gjitha hollësitë e tjera, të cilat vetvetiu zënë vend të pashlyeshëm në kujtesën tonë kombëtare.