15 Tetori – Dita e Çlirimit të Vlorës. Ndikimi i heroizmit të Luftës Nacional – Çlirimtare (LANÇ) në Folklor, Letërsi, Art, dhe Kulturë

Albert HABAZAJ

Sot përulemi me nderim dhe respekt para kujtimit të atyre që çliruan Vlorën dhe Shqipërinë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Sigal

Ata që bënë luftën, që çliruan Vlorën e Shqipërinë pothuaj nuk i kemi midis nesh vetëm fizikisht, sepse disa u shndërruan qysh në ato vite të stuhishme yje të pashuar, të tjerët tashmë kanë ikur larg, janë ngjitur lart, kanë shkuar tek yjet.

Rrallë gjen ndonjë bredh të bardhë lirie në pleqëri të shkuar. Përveç librave të nivelit akademik për historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i kemi të gjalla në kujtesën tonë tregimet, rrëfimet e kujtimet e veteranëve si balada të fjalëve që flakërojnë ndër vitet e Luftës për Liri. Dhe veteranët e luftës për liri/ si ata lisat e moçëm rrëzohen/, të bekuarit tregojnë histori/ për yjet që çdo ditë na afrohen. Ata ikën, tani jemi ne, më të rinjtë, pasardhës të idealeve të tyre fisnikërisht të larta.

Është detyra jonë që ta vijojmë stafetën e edukimit atdhetar, që kronikën e ditëve të stuhishme, tregimet e tyre, ngjarjet e bëmat e tyre t’ua transmentojmë brezave, që nuk e njohin këtë histori heroike; është misioni ynë që t’i flasim kohës me zërin e tyre epik.

Vlorës sonë të dashur, për kontributin e dhënë në luftërat për liri dhe pavarësi, i është dhënë titulli Qytet Hero në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Vlora u bë një një nga vatrat më të rëndësishme të saj dhe dha kontribut të rëndësishëm në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë, të cilët hodhën në erë portin dhe ushtruan terror të egër masiv ndaj popullsisë civile, duke arrestuar e internuar në kampet e përqëndrimit dhjetëra banorë të Vlorës.

Aspekti historik i çlirimit

 

Vlora, qytet me traditë të gjatë patriotike, ishte një nga vatrat më të rëndësishme të rezistencës gjatë Luftës Antifashiste.

Më 15 tetor 1944, forcat partizane të Brigadës XII S, të formuar më 20 maj të po atij viti, luftuan me vendosmëri në Drashovicë, Topallti, Kaninë dhe brigjet e qytetit, duke detyruar forcat naziste të tërhiqeshin me shpejtësi përtej Vjosës.

Brigada XII S, me komandant Refat Barjamin dhe komisar politik Qemal Klosin, zhvilloi luftime të ashpra për çlirimin e qyteteve dhe zonave përreth: Dishnicë, Skrapar, Berat, Kurvelesh, Llogora, Tragjas, Radhimë, Drashovicë, Marvrovë, Kropsht dhe Topallti. Pas betejave të ashpra dhe me humbje të ndërsjella, më 15 tetor 1944, partizanët hynë në rrugët kryesore të qytetit, duke siguruar Çlirimin e Vlorës.

Pas disa ditësh, më 22 tetor, u çlirua edhe ishulli i Sazanit, kështjella shqiptare në mes të detit Jon.

Qyteti i Vlorës dha 1036 dëshmorë, ndër të cilët, 15 bija e bij nënash:

Donika Dule dhe Ago Gjomemo nga Tragjasi, Osman Hodaj nga Hadëraj, Llambro Sheti nga Vunoi, Hekuran Latifi e Petro Dauti nga Vlora, Sabri Bejaj nga Karbunari, Bekim Binaj e Dule Nelaj nga Mavrova, Zenel Gjoni nga Vërmiku, Spiro Shkurti nga Kërkova, Islam Jonuzi nga Kallarati, Elmaz Baraj nga Grabiani, Bino Ismaili nga Rexhepaj dhe Ahmet Xhelili nga Dukati ranë për çlirimin e Vlorës.

Ndwr 1036 dëshmorët e Vlorës, rënë gjatë LANÇ, janë dhe 16 Heronj të Popullit (sipas rendit alfabetik):1. Bajram Tushi, 2. Hajredin Bylyshi, 3. Hiqmet Buzi, 4. Hysen Çino, 5. Kastriot Muço, 6. Kozma Nushi, 7. Laze Nuro Feraj,  8. Llambro Andoni, 9. Maliq Muço, 10. Memo Meto, 11. Mumin Selami, 12. Perlat Rexhepi , 13. Qeriba Derri, 14. Shyqyri Alimerko, 15. Zaho Koka  dhe 16. Zonja Çurre.

Nuk kam shkruar këtu : 1. Abaz Shehun (lindur në Bënçë – rënë në Gjorm, ish – komandant i Br. V S Heroinë e  Popullit;  2. Ali Demin (lindur në Filat   Çamëri – rënë në Vlorë) dhe 3. Dervish Hekalin (lindur në Mallakastër – rënë në Kuç, ish – zv/ komandant i Br V S), sepse i kanw pwrkatwsisht Tepelena, Çamwria dhe Mallakastra, pa nw kuptim e gjerw i ka dhe Vlora dhe gjithw Shqipwria.

Po ashtu nuk kam shënuar emrin e Heroit të Popullit Halim Xhelo Tërbaçi (1894-1937, sepse është para LANÇ)

Ndikimi në folklor, letërsi dhe art

Heroizmi i Luftës Nacionalçlirimtare, dhe veçanërisht çlirimi i Vlorës, ka gjetur një pasqyrim të fuqishëm në artin dhe kulturën shqiptare.

  • Folklori dhe këngët popullore: Këngët e rezistencës dhe baladat partizane ruajnë gjallë kujtimin e betejave, sakrificës dhe trimërisë. Vargjet për “4 Heronjtë e Topanasë” përshkruajnë luftën e rinisë vlonjate me grusht revole dhe granatë, duke kthyer shtëpitë dhe rrugët e qytetit në simbol të trimërisë dhe mbrojtjes së lirisë:

“Pa derdhet çelik mbi djemtë,

Përdoret murtajë e tank.

S’jepen heronjt’ e Shqiprisë,

Mbi armiqtë marrin hak…”

  • Letërsia: Poezitë e Fatos Arapit, sidomos ato të ciklit “Në varrezat e

dëshmorëve në Vlorë”, kushtuar dëshmorëve Teli Ndini, Shyqyri Alimerko, Lefter Sallata, Piro Palla, Fiqiri Muka, Jani Mone, Fadil Dauti, Hysen Çino e Dadan Dajlani apo poema “Drashovica” pasqyrojnë betejat, dhimbjen, por edhe shpresën dhe gëzimin e lirisë. Në vargun e Drashovicës:

“Nga era e gjakut tërbohet armiku,

Porsi dem i egër në një kasaphanë.

Çfarë? Popujt e vegjël?

Popujt janë Liri,

Janë Stuhi Lirie,

Dhe liritë kanë gjak – një oqean”.

  • Muzika dhe valle tradicionale: Këngët partizane u shndërruan në himne të

lirisë dhe u integruan në repertorin e valleve popullore, duke kombinuar ritmet e detit, kodrave dhe maleve me ritmin heroik të luftës.

  • Teatri dhe baleti: Ngjarjet e Luftës për liri u përcollën edhe nëpërmjet dramatizimeve skenike dhe baletit, ku heroizmi i partizanëve dhe sakrifica e tyre merrnin forma vizuale dhe emocionale të prekshme për spektatorët, duke i bërë brezat e rinj të ndjejnë lidhjen me të kaluarën.
  • Artet vizuale: Piktorë dhe skulptorë të Vlorës dhe Shqipërisë i kanë kushtuar vepra të shumta çlirimit të qytetit dhe figurave heroike. Lapidarët dhe memorialet, si ato të 15 dëshmorëve të Vlorës, kujtojnë sakrificën dhe frymëzojnë vizualisht shikuesit.

***

Ky kombinim i historisë dhe artit ruan gjallë kujtesën për idealet e lirisë dhe trimërisë, duke e kthyer Çlirimin e Vlorës jo vetëm në një ngjarje historike, por edhe në një trashëgimi kulturore dhe artistike të paharrueshme. Vargjet, këngët dhe figurat artistike që i dedikohen luftës na ndihmojnë të kuptojmë se liria dhe trimëria nuk janë thjesht fakte historike, por pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe frymëzuese për të ardhmen.

15 Tetori është më shumë se një datë; është një kujtesë e gjallë, një dritë që udhëzon qytetarët dhe brezat e rinj për të njohur historinë, për të nderuar të kaluarën dhe për të vijuar përpjekjet për një shoqëri të lirë dhe të drejtë.