Shpendi Topollaj: Si u varros i gjallë nga diktatura, Kol.Sulejman Vuçiterni

436
Sigal

KOLONELI KOSOVAR, SULEJMAN VUÇITERNI, ATDHETARI I DËNUAR

NGA DIKTATURA KOMUNISTE

Tentoi vetëvrasjen duke prerë gishtat e këmbës, por e varrosën të gjallë!

 

Emrin e Sulejman Vuçiternit, për herë të parë e kam ndeshur te “Libri i burgut” i profesor Arshi Pipës. Në shënimet shpjeguese për poemën e tij “Kanali”, në faqen 203, ai shkruan: “I burgosuri Sulejman Vuçiterni, i burgut të Tiranës, u padit për ikje. Qe vu me hapë një gropë, mandje si e trullosën me shkelma dhe dajakë, e hodhën n`atë gropë, tue e mbulue për së gjalli”. Pasi lexova këto radhë, kuptova se teksa përshkruante llahtaret e kampit të Vloçishtit, Arshiu ia kushtonte fundit të dhimbshëm të këtij burri të shquar të Kosovës dhe oficerit të talentuar, vargjet: “O lemeri që goja s`mund ta thotë! / Sa vetë u pushkatuen aty me t`kotë / a thue se deshtën me kalue përtej! / sa tjerë me shkelma ose me hunj u mbytën, / e ende për s`gjalli tek ajo gropë u zhytën / që hapën vetë e mbushën tjerë mandej!” Mesa duket, fitoret duheshin blatuar me gjak armiqsh, nga zbatuesi i zellshëm dhe kopjuesi i neveritshëm deri në karikaturë i krimeve monstruoze të Stalinit, Enver Hoxha i cili bëri me oficerët e kulturuar dhe atdhetarë, atë stratagjemë që bëri Stalini me mareshallin Tukaçevski dhe mijëra e mijëra drejtues të lartë të Ushtrisë së Kuqe. Duke prerë pa mëshirë kokat e gjeneralëve dhe oficerëve madhorë si të para, ashtu dhe të pas çlirimit, klika gjakatare e Enver Hoxhës, jo vetëm mbuloi veten me një turpërim të përjetshëm, por dhe i solli atdheut tonë, një dëm të pallogaritshëm dhe të pariparueshëm, pa harruar vrasjet tinzare të prapashpinës. Zyrtarisht, terrori komunist e mori pagëzimin e vet në famëkeqin “Gjyq special” të Tiranës, zhvilluar nga 1 marsi deri më 14 prill të vitit 1945, gjyq ku si për të këputur në mes spektrin e plotë të ylberit, përfshiu si të akuzuar si kriminelë, pa bërë as edhe një krim, një kolonel nga Kosova që aq shumë kish bërë si për vendlindjen, ashtu dhe për gjithë kombin tonë.

Askujt më shumë se atyre përbindëshave që drejtuan vendin tonë për gati gjysmë shekulli, nuk do t`i shkonte konkluzioni i mençur i Nolit të madh se: “Ai që e nis qeverimin me gjakderdhje dhe terrorizëm, është i shtrënguar fatalisht të vazhdojë ashtu siç e nisi, s`kthehet prapa më, hyn thellë e më thellë dhe është i dënuar të mbytet në pellgun e gjakut që ka krijuar vetë”. Cilido që do të bashkohej me mendimin hipokrit, se të kaluarën duhet t`ia lëmë historisë për ta gjykuar, do t`i bënte një shërbim shumë të keq Shqipërisë. Koha që ka fituar me meritë titullin e gjykatësit suprem, tregoi deri në lakuriqësi fytyrën e vërtetë të bandës drejtuese diktatoriale, prandaj askush më mirë se ne, nuk mund t`i vërë emrin që i takon. Ç`do përpjekje për ta shtyrë verdiktin, është fyerje për martirët e lirisë dhe demokracisë dhe fsheh qëllimisht synimin e mbrapshtë të minimizimit apo dhe të përligjjes së burgjeve, internimeve, varjeve, pushkatimeve e përbuzjeve morale që na u bënë, varfërisë dhe mizerjes ekonomike që pësuam dhe shitjes së interesave kombëtare në llogari të armiqve tanë historikë. Tek e fundit, pinjollët e atyre që janë përgjegjës për gjithësa ngjau në vendin tonë, apo shumë nga ata përgjegjës që janë gjallë, nuk janë aq të paditur sa të mos kenë dëgjuar një thënie të Saadiut se: “Nuk djeg fjala aq shumë / Kur në barin bije zjarr / Sa djeg ahu i njeriut / Që ja bënë jetën varr”. Prandaj kërkojnë me çdo kusht që t`u mbyllin gojën atyre që kanë ç`të tregojnë, e t`i detyrojnë të heshtin. Është për këtë që asnjëri prej tyre nuk gëzohet kur Bardhyl Vuçiterni shkruan për babanë e tij. Ndërsa ne që e mirëpresim monografinë e tij, e kuptojmë se ai, duke qenë as dy vjeç e gjysmë kur dënohej i ati, ka pasur vështirësi serioze në evidentimin e kësaj figure, sidomos për të paraqitur veprimtarinë e tij si ushtarak. I lindur në gjirin e një familje atdhetare dhe i edukuar me trimëritë e luftëtarëve legjendarë, veçanërisht të krahinës së tij, duke u bashkuar qysh 16 vjeç me “Lëvizjen kaçake kosovare” dhe duke marrë drejtimin e çetës së Verbovcës, pra duke iu besuar komandimi i 400 burrave trima kundër ushtrisë pushtuese serbe, Sulejman Vuçiterni, ende pa kryer kurrfarë shkolle ushtarake, e kishte fituar titullin oficer. Ishin një sërë faktorësh, por dhe shumë kualitete personale që po e çonin këtë djalë të ri drejt cilësimit si prijës ushtarak popullor.

Historia e Shqipërisë, e për pasojë e Kosovës dhe e Çamërisë, është e mbushur me të tillë personalitete që dashuria për atdhe dhe talenti e intuita e shkëlqyer, i ngriti në nivelin e akademistëve dhe gjeneralëve të shquar. Pa u shtrirë më tej, pra vetëm duke u kufizuar në Drenicë, kështjellën e pamposhtur të shqiptarizmit, mund të themi se djemtë si Sulejman Vuçiterni e të tjerë më pas, jo vetëm mund të krenoheshin me heroizmat e kapedanëve të njohur si Adem Delia, Azem e Shote Galica, Shaban Polluzha, Ajet Gërguri, Mehmet Gradica, Rexhep Gjeli etj., por dhe e dinin se në ç`rrugë duhet ecur për të realizuar idealet e shenjta të një Shqipërie të lirë e të pavarur etnike. Me të drejtë autori i kësaj monografie thekson se Sulejmani “s`kish pse të ish ndryshe, veçse të rritej e brumosej me ndjenja atdhetare, në odat e burrave të kësaj dere, ku nuk bisedohej për gjë tjetër, veç për shqiptarizëm”. Aq emër fitoi Sulejmani në luftë me armikun, sa në vitin 1919 xhandarmëria serbe vjen në Verbovc për ta arrestuar ose likujduar atë.

Ai me një guxim të pashoq çau rrethin dhe shpëtoi. Në tërbim e sipër serbët i djegin kullën për të tretën herë dhe groposin të gjallë vëllanë e tij Isufin. Dinjitoz në dhimbje, siç dinë të jenë vetëm kosovarët, ai vazhdon pa kthim rrugën e nisur, deri sa në moshën 24 vjeçare, i drejtuar nga patriotët e ndritur Hasan Prishtina e Bajram Curri, merr pjesë në nënshkrimin e akt – peticionit, ku kërkohej me këmbëngulje bashkimi i të gjitha trojeve tona. Shovinistë serbë, këtë nuk do t`ia harronin kurrë dhe në mungesë e dënojnë me vdekje. Në këto kushte, ai pasi kreu normalen e Elbasanit, preferon shkollën ushtarake në Tiranë. E ka një domethënie kjo zgjedhje, për atë që kish luftuar gjatë me armë në dorë dhe që shpirtin e mendjen, si dhe të afërmit i kishte në Kosovën e shtrenjtë. Jo për të bërë karrierë, por për t`i shërbyer më denjësisht atdheut, Sulejman Vuçiterni vazhdon studimet e mëtejshme në Akademinë Ushtarake të Torinos dhe thellon specializimin në Grac e Vjenë të Austrisë. Kudo që shkon, ai lë përshtypje të pashlyera. Edhe në këtë pikë, ai vlerësonte se nderonte atdheun. Po të ndjekësh gjeografinë e transferimeve të oficerit Sulejman Vuçiterni, do të bindesh se për të, qenë të shenjta Betimi, Flamuri dhe Detyra, ashtu siç qenë të tilla për të gjithë oficerët, që ishin shkolluar jashtë, nëpër akademitë më të dëgjuara të Evropës. Ata kurrë nuk e shkuan ndërmend të qëndroni në vende të huaja. Ëndrra e tyre qe ushtria shqiptare, ndaj i kushtuan asaj tërë dijet e tyre dhe pranuan pa u ndierë gjithë privacionet që ai stad zhvillimi kushtëzonte.

Fillimisht, Sulejmani emërohet instruktor në Shkollën Ushtarake Mbretërore në Tiranë, e më pas, duke mbajtur gradën nënkolonel, caktohet komandant i saj. Në gjyqin farsë që u zhvillua kundër tij dhe ku u vu re edhe njëherë ajo thënia e Stefan Cvajgut te “Maria Antuaneta” se “shpeshherë dhuna ka frikë nga viktima e vet më tepër nga ç`ka frikë viktima ndaj dhunës”, ndër dëshmitarët e tjerë që folën në favor të tij, vlen të përmendet ajo e Hajri Jegenit, i cili deklaroi: “E kam njohur që kur ishim në Shkollën Mbretërore Ushtarake. Ky na ka inspiruar për vepra patriotike, duke na dhënë këshilla atdhetare…” dhe ajo e Fehmi Poshit, i cili tha: “…e njoh si njeri të ndershëm e të rregullt, sepse dhe unë kam qenë oficer deri në kohën e fundit”. Në Shkollën Ushtarake Mbretërore, komandant Suejmani mbahet mend nga të gjithë për punën plot pasion në përgatitjen e kuadrove të rinj të ushtrisë, të aftë profesionalisht dhe të gatshëm për t`i shërbyer atdheut me çdo sakrificë. Me kalimin e viteve, oficerin e nderuar Sulejman Vuçiterni e shohim të drejtojë shërbimin e prapavijës në reparte ushtarake të Korçës, Shkodrës, Beratit, Kavajës etj, deri në ditën e pushtimit fashist më 1939 – ën, datë pas së cilës ai jep dorëheqjen vullnetarisht nga ushtria dhe vendoset në Mitrovicë, ku emërohet komandant I mbrojtjes së kufirit verior me Malin e Zi, Serbinë e Bullgarinë.

Njëkohësisht ka dhe një “vëllazërim” që kalon çdo kufi aleance, në mes komunistëve shqiptarë e atyre jugosllavë, si rezultat i dallavereve dhe hileve të PKJ dhe nënshtrimit para saj të PKSH me rastësorin Enver Hoxha në krye. Kjo e detyron Sulejman Vuçiternin me shokë të rezistojnë me sukses para sulmeve të forcave çetnike e komuniste në Kaloshin, Mal të Zi, Novi Pazar etj. Por lufta e këtij intelektuali të mirëfilltë shtrihet edhe në një drejtim tjetër; ai së bashku me burra të tjerë të njohur, propagandon në popull se e “ardhmja e Shqipërisë është e sigurtë dhe e begatë vetëm duke u orientuar nga perëndimi”. Dhe si për ironi të fatit, ky ushtarak me aftësi e ndërgjegje të lartë, për të cilin doktor Elmaz Leci në librin “Kush i vrau? Përse i dënuan?!” shkruan: “Sulejman Vuçiterni dha një kontribut të shquar për organizimin e ushtrisë shqiptare”, pra  pikërisht ky luftëtar e udhëheqës luftëtarësh që çështjen kombëtare e veçanërisht Kosovën, i kishte në zemër si rrallëkush, gjykohet e dënohet te kinemaja po me emrin “Kosova”, si kriminel lufte dhe armik i çështjes kombëtare kosovare, vetëm pse titistët nuk harronin ç`kish bërë ai për atdheun e vet, siç dhe u kish mbetur merak që këtë të dënuar me vdekje, nuk kishin arritur ta pushkatonin. Te kinema “Kosova” u dënua me 30 vite burg, ai që deri pak muaj më parë, për tre vjet rresht, kishte drejtuar me kompetencë dhe energji të pashoqe, ruajtjen e kufijve të Kosovës nga serbo – malazezët e urryer. I ndjeri profesor Danish Bebeziqi i ka bërë një analizë të hollësishme kësaj figure, por mendoj se për të dalë të gjitha vlerat e tij në fushën ushtarake dhe për t`u shpalosur me të gjithë përmasat e duhura kontributi i tij në këtë fushë, duhet mbajtur parasysh ajo që thoshte burri i mençur antikomunist Kostaq Xoxa dhe Vejsel Kulla që puna në këtë drejtim duhet të vazhdojë pasi: “Do të ishte… e pafalshme që të mos njohim sot, (kaq vjet) pas rënies së diktaturës se cilët e vunë kokën në Altarin e Kombit. Shoqëria e pasdiktaturës nuk i lan dot detyrimet e saj vetëm në dhënien e medaljes “Martir i Demokracisë”, pa një motivacion të detajuar”. Natyrisht, që një punë e tillë i përket të ardhmes. Ajo që s`ka nevojë të presë gjatë është bindja se ëndrra që Drenica dhe e gjithë Kosova që vazhdojnë të nxjerrin trima si Adem Jashari me shokë, ashtu sikurse fitoi pavarësinë, do të fitojë përfundimisht edhe bashkimin me atdheun amë. Sa për fjalët e zgjedhura letrare të avokatit të guximshëm Spiro Stringa që këshilloi: “Zotërinj të trupit gjykues! Gjykoni me ndërgjegje të pastër këta të pafajshëm, sepse hija e tyre do t`u ndjekë si Makbethi i Shekspirit”, do të shtoja se edhe gjenia e Shekspirit nuk mund ta parashikonte se do të vinin në botë ca karaktere të dobëta e pa kurrfarë ndërgjegje kombëtare e njerëzore, prej të cilëve s`mund të presësh që t`i mundojë as hija e Makbethit dhe as ajo e burrave dinjitozë si kolonel Sulejman Vuçiterni me shokë.