Sefer Pasha: Një ngjarje në kufi me piktorin Leonidha Bullgari, që mbante nga Sigurimi pseudonimin “Brandi”

622
Sigal

 

  • – Si u ngrit muzeu në postën kufitare të Shishtavecit. Po ngrinim një muze për historikun e kufirit në luftë me serbët.
  • – Shkak ishte bërë një shënim historik i Hysni Kapos, i cili e kishte marrë nusen e djalit nga Shishtaveci.
  • – Si ju bë kërkesë komandantit të Divizionit Arseni Strokës për të na sjellë piktorin Leonidha Bullgari.
  • – Piktori kishte “llapur” se donte që të arratisej në Serbi pastaj në Bullgari ku
  •  ishin të parët e tij.
  • – Qysh në ditën e parë e “provokova” Leonidha Bullgarin: e nxora në vijën e kufirit, aty ku ishte piramida 18.
  • -Urdhëri i Ministrisë së Bendshme: Piktori Kujtim Buza të mos afrohet tek Piramida 18.
  • – Për inagurim do të vinte vetë Ministri i Brendshëm Hekuran Isai

Piktori Leonidha Bullagari jeton në qytetin e Fierit. Është i punësuar në Bashki. Si piktor ka sukses. Leonidha ka hapur disa ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Në jetën e piktorit ka shumë ngjarje të bukura dhe tragjike (i vëllai i madh Viktor Bullgari gjithashtu piktor vdiq nga covidi). Kisha kohë që kisha menduar që të shkruaja një ese për piktorin Leonidha Bullgari, i cili zë një vend nderi ndër piktorët shqiptar. Leonidha Bullgari është dekoruar dhe nga Presidenti i Repubilkës. Dëshira ime për të shkruar një ese për piktorin Leonidha Bullgari qe shtytur mot pas moti. Kohët e fundit më nxiti një vizitë tek skiatorët e fshatit Shishtavec të Kukësit, ku kam qenë me punë shumë vite. Dhe bashkë me mua dhe piktori Leonidha Bullgari. Ngjarja që do të përshkruaj është e rrallë. Çdo artist do ta kishte zili fabulën që ka si personazh piktorin Leonidha Bullgarin. Në postën kufitare të Shishtavecit po ngrinim një muze për historikun e kufirit në luftë me serbët. Shkak ishte bërë një shënim historik i Hysni Kapos, i cili e kishte marrë nusen e djalit nga Shishtaveci. Kryetari i degës së brendshme Petrit Zeneli e zgjidhi “qesen” e financës që të paguheshin mirë ata që do të punonin për ngritjen e muzeut. Unë isha skenaristi dhe arkitekti. Por na duhej dhe një piktor. U gjet. Ky ishte Leonidha Bullgari, i cili kryente shërbimin ushtarak në Divizinon e Kukësit. Ju bë kërkesë komandantit të Divizionit Arseni Strokës. Dhe ai nuk e bëri fjalën dysh. Por shërbimi i zbulimit të Divizjonit na informon me një shkresë të posaçme se për ushtarin piktor Leonidha Bullagri po përgatitej një dosje. Ai kishte “llapur” midis shokëve se donte që të arratisej në Serbi. Pastaj do të shkonte në Bullgari. Në Bullgari ishin të parët e tij të cilët kishin ardhur në Shqipëri 200 vjet më parë. Bullgarët ishin vendosur në perëndim të qytetit të Fierit. Leonidha kishte dëgjuar nga të parët se fisi i tij që jetonte në Bullagri qenë të pasur. Në Sofje Leonidha do të vazhdonte akademinë për pikturë. Ëndërronte që të bëhej një piktor i madh. Këtë “sekret” të shprtit e kishte biseduar dhe më të vëllanë Viktorin gjithashtu piktor i talentuar.

E vura në djeni kryetarin e degës Petrit Zenelin se për ushtarin piktor Leonidha Bullgari po përgatitej një dosje nga shërbimi i kundërzbulimit të Divizionit.

Leonidha ishte në përpunim. Pritej arrestimi i tij.

Por për çudi Petrit Zeneli dha porosi që ushtari piktor të merret në postën kufitare të Shishtavecit për ngritjen e muzeut të historikut të kufirit. Është talent tha ai, por të mbahet në vëzhgim edhe kur ai do të shkojë për të urinuar. U veprua sipas porosive të Kryetarit të Degës. Në Shishtavec Leonidha Bullgarin e sistemuam për të fjetur në kapanonin e kufitarëve. Veprimet e tij i shikonin njësitet e shërbimit kur ndërroheshin për të shkuar në kufi. Qysh në ditën e parë e “provokova” Leonidha Bullgarin. E nxora në vijën e kufirit, aty ku ishte piramida 18. Fillova që t’i bëj “rikonicinonin”. I tregova fshatrat matanë vijës së kufirit, të cilët i kapte komuna e Prizrenit. Kur i flisja për fshatrat e Gorës të ndara në dy pjesë kisha vendosur dy njësite shërbimi në krah të piramidës 18. Nëse Leonidha Bullgari do tentonte që të kapërxente vijën e kufirit të hapej zjarr ndaj tij. E vështroja Leonidhën në çdo detaj. Por ai nuk qe shumë kureshtar. Nuk ua varte shumë “teneqenë” fshatrave matanë kufirit dhe postës serbe, që nuk ishte larg piramidës 18. Gjatë atyre dy orëve që qëndruam në vijën e kufirit Leonidha Bullgari më bëri një kërkesë. Ta nxirrja një herë tjetër kur ai të kishte me vete mjetet për të pikturuar. Donte të pikturonte piramidën18 dhe bjeshkën e malit të Sharrit. Ju përgjigja aty për aty se e kemi të ndaluar me rregullore që të pikturojmë piramidat dhe vijën e kufirit. Dhe i tregova se edhe piktorin dhe petagogun Kujtim Buza, i cili kishte prurë studenët e Akademisë së Arteve në Shishtavec ne nuk e kishim lejuar. Piktorit Kujtim Buza i kishte ndodhur një incident. Dhe ishte kjo arsyeja, që atë nuk e lejuan që të afrohej më në vijën e kufirit. Një vit më parë ai po zbriste me studentët që nga Guri i Mëngjesit në majën e malit të Kallabakut. Në afërsi të piramidës 18 mes për mes vijës së kufirit ishte një liqen natyral. Kur Kujtim Buza kalonte me studentët e kursit të pikturës prej liqenit të kaltër dilte një nepërkë pikalore dhe ngjitej mbi një trung të thatë. Kujtim Buza i qe afruar nepërkës së bukur. Por ajo nuk trembej. Studentët e Akademisë së Arteve që ishin të paisur me lejë nga Ministria e Brendshme e kishin fotografuar nepërkën e bukur me nishane. Ndonjë dhe e pati pikturuar. Ditë për ditë ndodhte e njëjta skenë. Por një mëngjes ndodhi e pabesueshmja. Në anë të liqenit, ngjitur me vijën e kufirit, ishte udha ku lëviznin njësitet e kufirit të ish Jugosllavisë. Për dreq atë mëngjes ballë për ballë me grupin e studentëve të Kujtim Buzës ndaluan dhe kufitarët jugosllavë. Dhe ata po e vështronin nepërkën që ngrohej në diell në majë të trungut. Njëri prej tyre u tha shokëve serbo – kroatisht se e bukur është nepërka, por është e verbër. Vet Kujtim Buza e përktheu. Këtë gjë ua tha dhe studentëve, të cilët u çuditën. Mesa duket njësiti kufitar jugosllav kishte kohë që e shikonte nepërkën në trungun brenda liqenit me ujë dëbore. Duket e kishin parë mirë që nepërka ishte e verbër. Prandaj dhe nuk trembej. Kujtim Buza si njeri korrekt, që ishte këtë ndodhi ia raporton komandantit të postës Gjelosh Ukcamës. Informacioni mbërriti në Ministrinë e Brendshme. Zevëndës ministri i brendshëm, që mbulonte armën e kufirit, kishte dhënë urdhër që as piktori i nderuar Kujtim Buza të mos afrohej në drejtim të piramidës 18. Këtë fakt ushtari piktor Leonidha Bullgari e mësoi më vonë. Shetitja në vijën e kufirit ishte pjesë e skenarit për të parë nëse Leonidha Bullgari kishte “lakra” në kokë për t’u arratisur në ish Jugosllavi e më tutje në Sofje të Bullgarisë, ku ishin ende të parët e tij. Ty i thashë Leonidhës të privilegjuam meqënëse do të punosh për ngritjen e muzeut të kufirit. Kur u kthyem në zyrën e postës kufitare të Shishtavecit i telefonova Petrit Zenelit. I thashë se nuk pashë ndonjë “shenjë” për arratisje. I shtova një detaj. Piktori m’u duk si i çorientuar. Sikur më fshinte një “dramë”. Mos lëshoni pe tha ai. Ajo “dramë” që ti ke pikasur lidhet më ëndrrën e tij për t’u arratisur. Në dosjen e përgatitur qysh në Fier lexova se që të gjithë bullgarët në Fier janë të pabesë. Nuk merren vesh. Të godasin aty ku nuk e pret.

Nuk kishim shumë ditë që kishim filluar nga puna për ngritjen e muzeut të kufirit në Shishtavec. Duheshin së paku nja dy muaj kohë. Për inagurim do të vinte vetë Ministri i Brendshëm Hekuran Isaj. Piktori Leonidha Bullgari po përgatiste disa portrete malësorësh që kishin ruajtur kufirin pas çlirimit të vendit. Fillimisht posta kufitare qe ngritur në një stan bjeshkëtarësh. Leonidha për të bërë portretet e malësorëve, që nuk jetonin kishte zgjedhur si model një bjeshkëtar. E njihja. Quhej Mëno Haxhiu. E kishim dhe komandant të çetës vullnetare të fshatit Shishtavec. Nëpër takime përdorej si thënie e mënçur ajo që bjeshkëtari i kishte thënë Hysni Kapos. Ai vinte shpesh në këtë fshat turistik. Bjeshkëtari i kishte thënë Hysni Kapos. Unë djalin e kam kufitar. Nëse djali im vritet në piramidë unë do dal ta pres tek porta. Dhe do t’i pyes shokët e tij që do kenë mbi supe arkivolin. Ndaloni! Uleni në tokë arkivolin. Do ta shoh se ku e ka marrë plumbi djalin tim. Po qe se plumbi nuk e ka marrë në lule të ballit arkivolin e djalit tim mos e fusni brenda shtëpisë time. Dërgojeni në varreza.

Kur piktori Leonidha Bullgari ishte në kulmin e punës për ngritjen e muzeut më thërret kryetari i degës Petrit Zeneli. Ai ma thotë shkurt se bashkë me Leonidha Bullgarin do të shkosh në Fier. Kemi rregulluar një makinë të koperativës, e cila do të çojë në Pojan patate Shishtaveci. Ti më tha shefi do të pish një kafe me prindërit e Leonidhës në mëhallën ku ata banojnë në perëndim të qytetit të Fierit. Arsyeja pse ti shkon tek familja e Leonidha Bullgarit është se do të blesh një pikturë tek i vëllai, Viktor Bullgari. Piktura të jetë me motive nga qyteti i Apollonisë. Do ta vendosim në muzeun e kufirit. Nëse Viktori nuk ka ndonjë pikturë me fabulë nga qyteti i Apollonisë porosite, që ai të pikturojë një të tillë. Lëri Viktorit dhe lekët që i kemi tërhequr në financë. Leonidha merret me portretet dhe Viktori nuk ka pse të dyshojë për ndonjë “grackë”. Petrit Zeneli ma tha troç. Do t’i përgjojmë të dy vëllezërit e të shohim çdo na mbetet në “sitë”. Të dy vëllezërit e kanë rastin më të mirë për t’u arratisur. Unë veprova ashtu siç më tha eprori im. Leonidha qe i gëzuar se do të takonte njerëzit e familjes dhe do të qëndronte disa ditë me lejë. Në dhomën ku pikturonte Viktor Bullgari u takuan të dy vëllezërit. Se çfarë biseduan ata unë kurrë nuk e mora vesh. Sektori operativ i degës së brendshme të Fierit i kishte marrë masat e përgjimit në fshehësi. Nuk e di se çfarë broçkullitën të dy vëllezërit për çështjen e arratisjes nga Shishtaveci. Rasti ishte i shkëlqyer.

E njihja Leonidha Bullgarin që kur ai erdhi nga Fieri për të kryer ushtrinë në Divizjonin e Kukësit. Bëja shumë punë të mira me të. Sulejman Bushati si Sekretar i Parë e çmonte talentin e Leonidha Bullgarit. I pata thënë me humor se Leonidha është ’’Rembrandi’’ i Kukësit. Dhe Sula kaq deshi. Më merrte në telefon dhe më pyeste “Si e ke Brandin?” Dhe Leonidhës në qytet dhe në Divizion i thërrisnin vetëm “Brandi”. Kur Leonidha u miratua dhe vajti në Shishtavec si oficerët, kufitarët dhe goranët e dinin se ai emrin e kishte ’’Brandi’’. Kundërzbulimi dhe Sigurimi i Shtetit në Shishtavec i vunë si roje instruktorin e qenit të kufirit Elez Totën. Elezi e ndiqte ’’Brandin’’ dhe kur ai shkonte në tualetin e kufitarëve, që ishte në natyrë pas ca mështeknave. Një ditë ’’Brandi’’ po punonte për stendat e muzeut në vatrën e kulturës. Efektivi i kufitarëve po kryente veprimet sipas programit. Mirëpo instruktorit të qenit të kufirit i doli gjak nga hundët. Nuk i ndalonte. I duhej të shkonte dhe të mjekohej në spitalin e Shishtavecit. Por ishte në hall. Kishte frikë se mos arratisej ’’Brandi’’. Elezi që të sigurohej se mos i ndodhte ndonjë marrëzi qenin e kufirit e la në oborrin e postës kufitare. Qenit të kufirit nuk i afrohej askush. Ai të bënte copa. Kufitarët u trembën kur panë qenin e zgjidhur në mes të oborrit. Menjehërë mbyllën dyert dhe dritaret. Kurse “Brandi” i tmerruar hipi me shkallë në taracën e postës kufitare.

Në një nga ditët e zakonshme kur piktori Leonidha Bullgari qe miqësuar me komandën e postës dhe me efektivin e kufirit ndodhi dhe çudia. Instruktori i qenit të kufirit Elez Tota po bënte stërvitje me qenin në poligonin ngjitur me fushën e sportit. Guzhinieri që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit jep kushtrimin. Piktori Leonidha Bullagri nuk ndodhej në vatrën e kulturës, të cilën e kishte kthyer në studjo për të mbaruar stendat për muzeun e kufirit. Bile guzhinieri tha se kishte parë gjurmë në dritaren nga mbas godinës së postës së kufirit, ku dukej piramida 18 dhe një pjesë e shpatit të malit të Kallabakut. Ai nuk e diskutonte. Leonidha Bullgari ishte nisur për t’u arratisur. Bashkëpunëtori i Sigurimit informoi menjeherë dhe punëtorin operativ, i cili u ndodh në postën kufitare fqinj të Borjes. Komandanti i postës kufitare Gjelosh Ukcama me t’u informuar qëllon me kallashnikov. Një breshëri automatiku ishte sinjali për efektivin e kufirit se po kalohet kufiri shtetëror.

I pari niset me qenin e kufirit instruktori Elez Tota. E pashë kur po fluturonte. Ai e kishte detyrë që të siguronte Leonidha Bullgarin. Kjo ishte detyra e tij kryesore. U trondita. Elez Tota thërriste “Vraponi se është arratisur “Brandi!”. “Vraponi bre se na bëri gropën Brandi!”. Elezi u bë erë me qenin dhe qëllonte herë pas here me breshëri kallashnikovi. Edhe unë nisa të bëj të njëjtën gjë. Nuk i ndahesha Elez Totës. Qeni i kufirit herë pas herë e kthente kokën nga unë. Bobo ç’më gjeti i thashë vetes. Më piu e zeza. Do të shkoj në burg. Unë u bëra shkak që e mora nga Divizioni i Kukësit piktorin Leonidha Bullgarin. Ja vara ujkut mëlçitë në qafë.

Instruktori i qenit të kufirit Elez Tota mbërriti i pari tek piramida 18. Sa më pa mua filloi të dridhej. Atij i qe ngarkuar detyra që të vëzhgonte çdo lëvizje të Leonidha Bullgarit. Nëse piktori qe arratisur atë e priste gjyqi. Unë nuk i fola. Isha në dramë për vete. I hodha sytë nga vija e kufirit. Kufitarët e pozicionuar në të dy krahët e piramidës 17 dhe 18 ngjanin si pyll me lisa. Komandanti i postës kufitare Gjelosh Ukcama kishte ngritur gjithashtu në kushtrim çetën vullnetare të fshatit Shishtavec. Vështrova nga bjeshka. Malësorët vraponin me kosa dhe karabina në krah. Edhe ata vikasnin me të njëjtën shprehje “Është arratisur Brandi!”. Heu burrë i dheut! Na koriti Shishtavecin. Nuk kemi pasur asnjë arratisje. Unë kisha besim tek bjeshkëtarët. Ata ngjarja me “Brandin” i gjeti të gëzuar. Nuk donin që t’u prishej humori. Ato ditë kishte rënë shi dhe patatja që kishte shkuar në bishtin e shatit do të bëhej sa Guri i Mëngjesit. Atë ditë që ra shiu i madh në arat me patate djemtë e rinj dhe të tre brigadjerët u xhveshën lakuriq. Ashtu siç i kishte bërë nëna rrinin me sytë nga qielli. Le të binte shiu me gjyma. Ishte një rit pagan i vjetër sa bota. Ky rit pagan bëhej vetëm në Shishtavec, ku vlera e ditës së punës ngrihej vetëm nëse realizohej plani i patateve. Me patatet e Shishtavecit furnizoheshin disa qytete të vendit.

Po rrija i menduar përballë piramidës 18. Dolën nëpër pozicione dhe kufitarët jugosllav. Kështu ndodhte kur ata dëgjonin krisma në kufirin me Shqipërinë. Nuk vonoi dhe erdhi komandanti i postës Gjeleosh Ukcama. Qe bërë qull në djersë. Ç’ka ndonjë gjë të re e pyeta andej nga posta e kufirit. ’’Brandi’’ është arratisur tha ai i nervozuar. Na mori në qafë. Ka marrë me vete vetëm portretin e Mëno Haxhiut. Leonidha e donte shumë atë portret. Edhe çeta vullnetare e Shishtavecit i zuri pozicionet e shërbimit. Erdhi dhe Mëno Haxhiu. Ai ishte komandanti i çetës vullnetare. Mënua kishte pamje kreshniku. Prandaj e kishte zgjedhur për të pozuar piktori Leonidha Bullgari. Portreti i Mënos, që do të vendosej në muze me pushkë në krah qe një kryevepër. Si na e bëri Leonidha këtë proçkë tha Mëno Haxhiu i llahtarisur. Nuk u arratis vetëm piktori, por dhe ti bashkë me të i tha komandanti i postës. Ç’thua i tha Mënua i lebetititur. Unë tek jam në këmbë. Dhe Gjelosh Ukcama që ishte nga Lekbibasi i tha se piktori Leonidha Bullgari kishte marrë me vete dhe portretin ku ti Mëno ke një javë që po pozon. U bëre me ‘’’cen’’ i tha komandanti i postës. Portreti yt tani o Mëno është varur në zyrën e UDB – së.

Pas një ore mbaroi kontrolli anës Brezit të Butë. Kështu quhej një rryp toke paralelisht me vijën e kufirit. Ngjante me një mëndafsh ngjyrë kremi. Brezi i Butë punohej çdo ditë. Ai formonte një cipë të vogël si ajo e vezës. Mbi të fiksoheshin dhe putrat e këmbëve të zogut. Instruktori i qenit të kufirit që bëri kontrollin tha me zë triumfatori se kufiri nuk është kaluar. Nuk ka gjurmë. ’’Brandi’’ vetëm në ka fluturuar,- tha ai. Komandanti i postës Gjelosh Ukcama e qortoi. Piktori Leonidha Bullgari ndofta ka kaluar në shpatin e malit të Kallabakut: këmbëngulte Gjeloshi. Në atë drejtim Brezi i Butë kalon nëpër shkëmbinj. Por Elez Tota e kundërshtoi. E llogarita kohën tha ai. Që nga posta e kufirit tek piramida 18 largësia është 500 metra. Ndërsa deri tek Guri i Mëngjesit në shpat të malit janë dy kilometra. ’’Brandit’’ nuk i delte koha. ’’Brandi’’ nuk është arratisur tha ai vendosmërisht dhe e përqafoi qenin e kufirit. Edhe qeni e puthi në faqe.

Nuk vonoi dhe ndodhi e pabesueshmja. Mua më kërkuan në radio. Kapteri që ishte me shërbim më informoi se Leonidha Bullgari është në postë. Nuk e zgjata. E përplsa radion mbi një shkëmb. Pas disa çastesh që nga piramida 18 vumë re Leonidha Bullgarin që po vinte me vrap nëpër bjeshkë. Ishte bërë ujë në djersë. Ç’është kjo që ndodhi tha ai me të dyja duart në kokë. Si do të arratsem unë. Ku do ta lë babanë dhe nënën që i kam të sëmurë. Ç’më gjeti ereeeeeeeee! Bashkëtingëlloren ’’e’’ e zgjati dhe i dha theksin karakteristik të myzeqarit. Po ku ishe i thashë. Në magazinën e patateve u përgjigj ai duke u dridhur Po zgjidhja ca patate për t’i përcjellë në Fier. Do t’i priste vëllai Viktori tek stacioni i autobuzëve. Ai tha dhe ca fjali të tjera, por unë nuk po e dëgjoja mirë. Krisi kallashnikovi piramidë më piramidë. Ishin krisma gëzimi. Kështu ndodhte kur në kufi kapeshin shkelësa të kufirit. Posta kufitare nuk u turpërua prej ’’Brandit’’. Leonidha Bullgari ishte shëndoshë e mirë. Ishte dështim i Sigurimit të Shtetit. Ndodhte dhe kështu.

Edhe pas kaq vjetësh kur Leonidha më merr në telefon nga qyteti i Fierit nuk thotë ‘’’Jam Leonidha Bullgari’’, por ‘’’Jam Brandi ereeeeeeeeeeeeeee’’!