Niazi Nela: Si shpëtuam jetën e njerëze në përmbytjet e fillimitvitit 1971

488
Sigal

Dorëshkrimet e ish-pilotit të helikopterëve, Hetem Mehmeti: Si erdhën në vitin e largët 1957,  helikopterët e parë në vendin tonë,

1 janar 1971 lamë përgjysmë festën dhe në alarm për shpëtim njerëzish

Si shpëtuam jetën  e njerëzve, në Ultësirën Perëndimore, në përmbytjen e fillimvitit 1971

  Në Poro, kishin mbetur të izoluar 8 ushtarë të Shkollës së Aviacionit, rrinin mbi cisterna të ngrirë

– Në Kallam Kashisht shpëtuam 6 fëmijë dhe prindërit e tyre, ishin mbi çati

Albert Z. ZHOLI

 Një rrëfim i jetuar, me mbresa të pashlyera.  Kjo sipas dorëshkrimeve të pilotit të helikopterëve MI-4, Hetem Mehmeti, protagonist i një aksioni për shpëtimin e njerëzve, në Ultësirën Perëndimore, në përmbytjen e fillimvitit 1971.

Në vendin tonë, helikopteri është bërë simbol shprese dhe shpëtimi. Që prej vitit të largët 1957, kur erdhën, helikopterët e parë në vendin tonë, ekuipazhet,  që kanë bërë shfrytëzimin e tyre (pilotët, teknikët dhe specialistët), kanë kontribuar fuqimisht, jo vetëm për të rritur nivelin dhe aftësitë profesionale, të tyre, por dhe kanë shërbyer, fuqimisht, për shpëtimin e jetëve të rrezikuara, nga orteqet, nga izolimi, nga përmbytjet, etj. dhe pasurisë të tyre.

Njerëzit, jeta e të cilëve ishte në rrezik, kur dëgjonin zhurmën e helikopterit, edhe kur ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, ngrinin kokën e bërtisnin, nga gëzimi, ose pëshpëritnin, sipas rastit:” Erdhi, erdhi, po vjen ai, shpëtimtari”dhe përmblidhnin forcat, për të mposhtur të keqen që i kishte pllakosur. Rrëfimi që vijon është autentik, i marrë nga mbresat e pilotit të shquar të helikopterëve Mi-4, Hetem Mehmeti, i cili mori pjesë drejtpërdrejt në atë aksion shpëtimi.

-Si do t’i cilësoje helikopterët dhe kur e keni pasur situatën më të vështirë si pilot helikopteri?

…Së pari do të them se helikopteri sot është mjeti ajror më i përdorshëm dhe më i domosdoshëm në të gjithë veprimtarinë e jetës njerëzore. Ai përdoret për transport, shuarjen e zjarreve, transportin e të plagosurve, shpëtimin nga përmbytjet, rëniet në humnera, furnizimet me ushqime në kushtet e borës, transportin e të sëmurëve, etj… Trajtimi mjekësor i të lënduarve dhe të sëmurëve në paqe dhe luftë me mjete sanitare ajrore, përveç të gjitha mënyrave të tjera të shpëtimit, shpesh është alternativë e vetme dhe më e sigurta. Ende pa ngritur tavolinën e festës të Vitit të Ri 1971, detyra na thirri për të shpëtuar jetët në rrezik. Shirat e rrëmbyer e të dendur që ranë natën, duke u gdhirë 1 janari i vitit 1971, kishin shkaktuar përmbytje masive në Ultësirën Perëndimore të vendit tonë. Vërshimi, jashtë shtratit i lumenjve: Shkumbin, Seman dhe Vjosë, kishte mbuluar, nën ujë fushën e Myzeqesë. Kritike ishte gjendja në fshatrat e Myzeqesë të Fierit e të Vlorës. Jeta e mjaft qytetarëve, në veçanti e fëmijëve, rrezikohej, seriozisht. Duhej vepruar shpejt për shpëtimin e tyre. Efektivi i Regjimentit të Helikopterëve, e përjetoi intensivisht situatën e u gjend në ballë të aksionit shpëtues. 4 helikopterë MI-4, me ekuipazhe të plotë, u ngritën nga Heliodromi i Farkës e u ulën në stadiumin  “Apolonia“ të qytetit të Fierit. Prej aty, do të kryheshin detyrat e shpëtimit. Detyra ishte e vështirë dhe përgjegjësia për kryerjen e saj, e madhe. Për kryerjen e kësaj detyre u caktuan kuadrot më të përgatitur e me përvojë të Regjimentit. Në krye të tyre ishte komandanti i regjimentit, Lulo Musai  (Spahaj), themelues i asaj njësie. Në përbërje të ekipazheve ishin: Hetem Mehmeti; Stavri Prenda; Ndue Logu; Albert Shkurti; Gëzim Bajrami; Ramadan Taçi; Islam Azizi etj. U aktivizuan helikopterët 6-56; 6-63 etj.

-Si ishte situata për fluturim?

Kryerjen e detyrës e vështirësonte moti i keq; të ftohtit, era dhe shiu, i cili binte, pa pushim. Pengesat natyrore dhe ato artificiale, nuk lejonin qëndrimin në “ varje”, për një kohë të gjatë dhe dallgët e ujit kishin mbuluar çdo gjë. Njerëzit qëndronin mbi çatitë e shtëpive dhe prisnin shpëtimin, nga ajri, me sy nga qielli. Mjaft syresh ishin fëmijë dhe kjo e bënte më të vështirë operacionin e shpëtimit. Pilotët, në ato ditë të tensionuara nuk e ndjenë mpirjen e muskujve  dhe të gishtave të duarve, si rrjedhojë e qëndrimit të gjatë në “ varje”dhe sfiduan acarin e atyre ditëve. Teknikët, të kalitur, të shkathët, të zgjuar e me zemër të madhe, qëndronin e vepronin gjatë, tek dera e helikopterit, në erën e ftohtë, duke ngritur, me vinç, ose në thes, ata që u ndihmuan dhe duke ndihmuar të tjerë, të ngjiteshin në helikopter, nëpërmjet derës, ashtu të lagur e të kallkanosur dhe të traumatizuar.

-Si u zhvillua gjithë situata?

Më 1 janar 1971, akoma pa rënë të flija  më erdhi sinjali i alarmit. U vesha dhe erdha në repart. Aty gjeta shokë të tjerë si: Ndue Logu; Gëzim Bajrami, etj. Ata po bënin përgatitjen e helikopterëve dhe të pilotëve, për të shkuar në ndihmë të popullatës të zonave të përmbytura. Tekniku që menaxhonte helikopterin e gatshëm, nuk kishte mbërritur akoma në repart. Koha nuk priste. Detyra që na ftonte të ngriheshim në ajër ishte shumë e ngutshme. Helikopterin e gatshëm e mori Gëzim Bajrami, në atë kohë, në detyrën e inxhinierit të skuadriljes. Në ekuipazh isha me Komandantin e Regjimentit të helikopterëve, pilotin e klasit të parë – Lulo Musai ( Spahaj), Ndue Logun dhe Gëzim Bajramin. U ngritëm, të parët. Fillimisht, u ulëm në skuadriljen e transportit ( në aerodromin e Laprakës), mandej shkuam në Fier e u ulëm në stadiumin e qytetit. Ndërkohë në repart u përgatitën dhe tre helikopterë të tjerë, të cilët, gjithashtu u ulën në stadiumin e Fierit. Si ekuipazh i parë, sipas rregullit të përgjithshëm të fluturimeve, gjatë vajtjes në Fier, kontrolluam  zonat e përmbytura ( bëmë rikonicionin). Gjatë vrojtimit të itinerarit, në pularinë e Ferrasit, afër Frakullës, morëm tre vetë të rrezikuar, i çuam në stadiumin “ Apolonia” të Fierit.  Pas një konsulte të shkurtër dhe udhëzimeve që na dha komandanti i regjimentit, i cili udhëhiqte operacionin e shpëtimit, u ngritën, në ajër dhe tre ekuipazhe të tjerë. Nisi kështu, operacioni i shpëtimit. Në ekuipazh isha me shokun tim të shkollës e të punës, Albert Shkurti. Pilotë të tjerë ishin dhe Ramo Mejdiaj; Manush Kreshpa etj.

-Çfarë vutë re nga ajri në tokë?

Gjatë fluturimit për në Fier, pamë daljen nga shtrati të lumenjve: Shkumbin; Seman e Vjosë, të cilët kishin përmbytur mijëra hektarë tokë. Nën dallgët e ujit “ flinte” gjithçka. Në radhë të parë, rrezikohej jeta e njerëzve.  Gjatë asaj konsulte të shkurtër, në stadium, i vështroja shokët e mi, të menduar, seriozë, me një shqetësim që nuk e kisha vënë re, më parë. Shqetësimin e tyre e shkaktonte përgjegjësia e madhe që ndjenin për shpëtimin e jetëve në rrezik. Ata ishin të ngrysur, nën peshën e kësaj përgjegjësie dhe përkohësisht e kishin ndrydhur gëzimin e festës familjare të ndërrimit të viteve. Por, të gjithë ishin të gatshëm dhe optimistë që ta përballonin, me çdo sakrificë detyrën e ngarkuar.

-Ku ishte zona më e rrezikshme?

Gjatë rikonicionit që bëmë, së bashku me Komandant Lulon dhe me inxhinier  Gëzimin, kontrolluam Vjosën, në të dy brigjet dhe zonën rreth Urës së Mifolit. Në Kallam Kashisht, në çatinë e një shtëpie, vumë re 3 njerëz të plevitosur, të cilët u gjallëruan, kur panë helikopterin mbi kokat e tyre. Zbritëm më poshtë dhe dalluam se ishte një burrë dhe dy djem ( fëmijë). Ata kishin hequr tjegullat e çatisë dhe, mbi tavan, me mjete rrethanore, kishin ndezur një zjarr,“ të mekur”. Ujët kishte mbërritur rreth një pëllëmbë, poshtë nivelit të strehës së shtëpisë. Qëndruam, mbi ta, në “ varje”, në lartësinë rreth 3 m. Lëshuam kabllin e tokëzimit. Marrja e tyre, në helikopter, me anën e shkallëve ishte e pamundur. Ishin fëmijë dhe duart i kishin të ngrira. Momentalisht, vendosëm të përdornim mënyrën e marrjes me vinç, në thes. Me ata që ishin në çatinë e shtëpisë komunikonim, me shenja. Morëm në helikopter njërin nga fëmijët ; pastaj, të dytin. Ndërkohë, pamë të dilnin në çatinë e shtëpisë të tjerë fëmijë. Emocionet na u shtuan. Kishim të bënim me një familje të madhe, me shumë fëmijë. Pesha e përgjegjësisë që mbanim mbi supe u shtua. Fëmija i katërt ishte e seksit femër. Në duar mbante një bohçe me plaçka. Mes gjërave të saj, më tërhoqi vëmendjen një kukull, të cilën, siç duket, vajza e donte shumë e nuk e kishte braktisur. Ajo ishte e veshur me një fustan, të hollë, prej basme, i cili ishte i lagur, e i ngjitur, pas trupit. Hollë ishin të veshur dhe fëmijët e tjerë. Gjatë ngjitjes me vinç, bohçen me plaçka, vajzës ia mori era e sendet vetjake të saj ranë në ujë. Nuk mund ta ndihmoja, as unë; as shokët e mi të ekuipazhit. Fëmija i pestë ishte i moshës 2-3 vjeç. Emocionet po më shtoheshin; lodhja – gjithashtu. Na duhej të qëndronin në “ varje” të përpiktë, pa spostime, në asnjë anë.  Çdo pakujdesi, rrezikonte jetën e vocërrakëve. Fëmija i gjashtë, ishte i moshës jo më tepër se 1 vjeç. Ishte fëmijë djepi. U rrëqetha, i tëri; tensionimi dhe përqendrimi, arritën kulmin. Ndjesinë që provova në ato çaste, nuk mund të hidhet në letër. Vështroja atë latant, të mjeruar, tek e ngjitnim në thes dhe mendja, pa dashur më vajti tek fëmija im, i parë, i cili, në atë kohë ishte me moshë jo më tepër se 2 vjeç. Çfarë bënte ai, në ato çaste? Me siguri ishte në gjumë  e po shikonte ndonjë ëndërr, të bukur. Krahasoja vajzën time, në shtëpi të ngrohtë e të qetë me këtë vogëlush, të cilit, forcat e verbra të natyrës i kishin prishur ëndrrën dhe e kishin mbështjellë me ftohtësirën e asaj dite.

Tani që po ju shkruaj këtë ngjarje mbresëlënëse, djali latant që atë ditë u shpëtua nga ujët, duke u ngjitur në helikopter, me vinç, në thes, duhet të jetë rreth 47-vjeç. Emrin nuk ia mësova dot, se koha nuk priste, prandaj po e quaj thjeshtë: “ Ai latanti”, por që në kujtesën time, ato çaste tepër emocionante  kanë shkaktuar një tronditje të madhe e gjurmët e saj i ndjej në vazhdimësi. Pastaj doli në çatinë e shkatërruar, nëna e fëmijëve. Ishte një grua, e bëshme nga trupi dhe e veshur keq.  E ngjitëm dhe atë, me vinç. Peshën dhe gabaritet e zmadhuara të saj, i ndjeu më tepër Gëzim Bajrami, i cili, menaxhonte vinçin, por dhe unë e Lulua që ishim në drejtim, u lodhëm shumë. Qëndruam në “ varje”, plot 50 minuta. Gishtat e dorës nuk i ndjenim fare; nga të ftohtit dhe mbajtja takuar e mashës së këndgazit. Babai i fëmijëve nuk pranoi të linte shtëpinë e të ngjitej në helikopter. Me shenja, duke u përkulur përpara, ai na falënderoi e na dëftonte, me dorë, udhën, nga të shkonim. Ne këmbëngulëm, e ai “u dorëzua”. E morëm dhe atë në helikopter. Pyetëm nëse kishin hipur në helikopter  të gjithë pjesëtarët e familjes dhe mbasi u siguruam, e transportuam atë familje fatkeqe, në stadiumin e Fierit. Sapo mbërritëm, në stadium, ia behën, pushtetarët vendas, të cilët na falënderuan dhe u kujdesën që të shpëtuarit të çoheshin në spital.

-Po të nesërmen?

Të nesërmen, më 2 janar 1971, së bashku me Lulo Musain ( Spahaj) dhe me Gëzim Bajramin, fluturuam në drejtim të Vlorës. Përmbytja e madhe kishte përfshirë edhe Myzeqenë e Vlorës. Në Poro, kishin mbetur të izoluar 8 ushtarë të Shkollës së Aviacionit. Më parë u ulëm në Vlorë, ku morëm në bord komisarin e Shkollës së Aviacionit- Babaçe Faiku. U ngritëm nga Vlora e shkuam në Poro. Ushtarët i gjetëm sipër cisternave të karburantit; atje e kishin kaluar natën. Ata kishin ngrirë nga të ftohtit e nuk mund të komunikonin.  I morëm në helikopter, me vinç. Babaçja u bë ndihmës i Gëzimit, për shfrytëzimin e vinçit. I çuam ushtarët në Vlorë e u bashkuam me shokët tanë, në Fier. Mbasdite, krenarë se e kishim kryer me sukses detyrën; u kthyem në heliodromin e Farkës. Fluturimi për shpëtimin e familjes me shumë fëmijë, në Kallam-Kashisht ka qenë fluturimi me ngarkesën më të madhe emocionale dhe më i tensionuari, në jetën time, si fluturues. Sapo isha bërë baba. Pas kësaj ndodhie, familja ime u shtua dhe me tre fëmijë të tjerë”.

(Piloti i helikopterëve MI-4, Hetem Mehmeti, me vonë u emërua Komandant i Regjimentit të Helikopterëve).