Rrëfen Eli Duka, vajza e vetme e doktor Vasil Labovitit
Ja historia e rrallë që doktor Vasil Labovitin e bëri të njohur jo vetëm si mjek, por edhe si shpëtimtar të jetëve njerëzore, përtej bisturisë dhe dorës së tij të artë.
– Si doktor Vasili i çoi delegatët për në konferencën e Labinotit në mars të vitit 1943, të veshur si punonjës spitali,për t’ju shmangur kontrolleve të postëblloqeve gjermane.
– Pse Enveri e la në heshtje ngjarjen e bujshme që rrezikoi djegien e qytetit të Gjirokastrës dhe pushkatimin e 200 qytetarëve të saj.
Shtëpia e doktorit më të famshëm të jugut, Vasil Labovitit,që nga kalldrëmi poshtë, të duket se ajo puthet me qiellin.Porta e kësaj shtëpie tri – katëshe, shfaqet e befason ata që ngjiten për në Sheshin e Çerçizit dhe ata që zbresin për në lagjen “18 Shtatori”,vetëm pak metra larg sokakut të të marrëve.Vajza e vetme e doktor Vasilit, Eli Duka, na ftoi të ngjiteshim në katin e dytë. I thashë se doja të bëja një shkrim për të Atin e saj,doktorin që shpëtoi mijëra jetë njerëzish të sëmurë,por dhe për të na treguar historinë e pazakontë të vitit 1943,të shpëtimit prej tij të 200 vetëve nga pushkatimi prej gjermanëve.Ajo, nëna e mirë gjirokastrite,ish mësuese dhe shoqja e bangës të Ismail Kadaresë, e përqëndron bisedën tek i ati i saj,Vasili, se për atë donim edhe ne , që të na fliste për Gjitokastrën dhe për doktorin, ku kujtesa e asaj nëne rri përherë e zgjuar.Ajo,me zërin e saj të brëndshëm, me dashurinë dhe kujtimet për të Atin, na sjell ato vite më pranë.Na tregoi për dhomën e vogël në hyrje të shtëpisë, ku doktori priste e përcillte të sëmurët.Nënë Eli,nuk harron që të na përmëndë edhe replikat e familjes së saj me shkrimtarin Ismail Kadare mbi librin e tij “Darka e gabuar”.
Sa herë që këtu përmënden mjekët, që kanë punuar dhe u kanë shërbyer të sëmurëve ndër vite, më së shumti kujtohet Vasil Laboviti.Ai nuk ishte vetëm thjeshtë një mjek i zakonshëm, por edhe një drejtues që drejtoi për 20 vite rresht spitalin më të madh në jugun e Shqipërisë.Përtej punës së tij pasionante në profesionin e tij,ai kujdesej për të sëmurët si për veten e tij.Dhe për t’u shërbyer pacientëve,ai mundohej të qëndronte sa më afër atyre.Këtë ai e kërkonte tek vetja dhe gjer tek infermierja dhe punonjësja më e fundit e spitalit.Të gjithë mjekët që kanë shërbyer pranë këtij spitali,kujtojnë me nostalgji,mjekun Aleksandër Kalivopullin,Vasil Labovitin, Drago Vujosheviçin…Kujtojnë ata që para se të viheshin në tabelën e nderit,më parë kishin zënë vënd dhe kishin fituar besimin e atij që ishte vizituar dhe që kishte marrë shërbimin e këtyre mjekëve,qoftë edhe njëherë të vetme.
Le të kthehemi te njeri prej mjekëve më në zë,te Laboviti.Nëse ndonjeri kishte nevojë për Atë,do ta gjente fare lehtë,sepse ai kishte një adresë të vetme: Ose në klinikën e spitalit,ose në shtëpinë e tij në lagjen “Varrosh” , ku një dhomë 4 me 4 e kishte kthyer në klinikë për të sëmurët.Ajo ishte për doktorin një “klinikë” e thjeshtë,por e pa besueshme për askënd , se atje mund të kryheshin edhe operacione.Një klinikë e vogël,por me dashuri të madhe,për të gjithë ata që prekeshin nga ndonjë sëmundje apo që ishin dëmtuar në ndonjë aksident.E kush më mirë se dr.Laboviti do t’a bënte këtë punë!E kthente dhe i jipte jetë edhe atij që e kishte vdekjen fare pranë.Vështirë se gjen një mjek tjetër,që numëron aq operacione sa ai.Plotë 40 mijë, se jeta është e shtrenjtë! Ajo një herë jetohet.Doktor Vasili,u përball me sëmundjet më të thjeshta,dhe gjer me ato që u vihej në pykëpyetje jeta.U shërbente,i vizitonte,i operonte kur duhej dhe kthente përsëri buzëqeshjen e humbur.Dhe ja për të folur më gjatë për Atë,i morëm Elit,vajzës së tij këtë intervistë.
Nënë.Eli, çfarë mund të na thuash për babin tënd , doktor Labovitin ,që sfidoi vdekjen e mijra të sëmurëve në jug të vendit?
Në kronikat e kohës u bë një zë i fuqishëm për mjekësinë shqiptare.Një personazh mjaft i përfolur.Mirë e thatë edhe ju,ai sfidoi vdekjen e qindra dhe mijëra njerëzve,që ndiheshin keq prej sëmundjeve dhe jeta e tyre ishte në fije të perit.Im At studjoi në Gjirokastër ,në Stamboll dhe në gjimnazin e Korfuzit.Studimet e larta për mjekësi i
vazhdoi në universitetin e Grasit , në Austri, atje ku studjuan edhe Eqerem Çabej, Lasgush Poradeci, ëHasan Ceka e Skënder Luarasi.Kur përfundoi studimet dhe u diplomua për mjekësi,e kërkuan që të jepte mësim në gjashtë universitete të botës,përfshi këtu edhe në atë të Nev Jork – ut.
Kur filloi punë për herë të parë dhe a ishte i kënaqur me shërbimin si mjek në vendin e tij?
Në vitin 1931 filloi punë si asistent i kirurgut Osman Jonuzit,në spitalin Shtetëror të Tiranës,i cili themeloi kirurgjinë shqiptare.Aty gjer në vitin 1935 ,përveç se ishte kirurg ,ishte dhe nëndrejtor i atij spitali.Mbreti Zog,me një dekret të veçantë ,e emëroi drejtor të Spitalit të Gjirokastrës.Gjer në vitin 1954.Themeloi kirurgjinë e këtij spitali dhe gjer në vitin 1973 ishte shef në repartin e kirurgjisë.Operoi jo pak,por siç thamë edhe më lartë,shumë,shumë fare.Në listën e të operuarve nga dora dhe bisturia e tim Eti, ishin regjistruar edhe emra të ushtarakëve italianë,grekë e gjermanë.
Babai juaj ishte i ftuar edhe në konferencën e Labinotit në mars të vitit 1943.a u vu në rrezik jeta e tij dhe e shokëve të tjerë?
Doktori e ktheu shtëpinë në një spital të vogël.Mori pjesë edhe në luftën Nacional – Çlirimtare.Në shtëpi strehoi dhe mjekoi Lato Brahon,i cili kishte marrë plagë të rëndë.Edhe të tjerë.Në mars të vitit 1943 ,në Labinot të Elbasanit ,do të zhvillohej konferenca.Atje do të shkonin edhe delegatët e Gjirokastrës.Në takime të mëparshme këta nuk ishin përfaqësuar.Për këtë gjë u kishte tërhequr vëmëndjen edhe Enveri.Në Labinot do të merrte pjesë edhe Bedri Spahiu me disa të tjerë.Bedriu e vonoi nisjen.Do shkonin në këmbë.Meqë ai e vonoi nisjen ,do të venin me ndonjë mjet transporti,se me këmbë nuk arrinin dot në kohë.Rruga ishte e mbushur plot me karabinierë.Im At,që u caktua edhe delegat,i paisi të gjithë me dokumenta,si të ishin punonjës të spitalit .I veshi edhe me bluzat e bardha si të infermiereve.Në barrelë të ambulancës shtrinë si të sëmurë Haxhi Muçon nga Dunavati.Delegatët u paisën edhe me armë .Rrugës për në Elbasan ,jeta e tyre u vu edhe në rrezik.Nëpër postëblloqe ,”i sëmuri”,Haxhiu ,rënkonte brenda ambulancës.Vajtën mirë e erdhën mirë.Këtë histori m’a ka treguar vet im At,të cilën e mbante thellë në kujtesën e tij.
Si u bë i njohur përtej profesionit të tij, ai arriti të drejtojë për 20 vite rresht spitalin më të madh të Jugut?
Im At,erdhi i njohur ,që kur mbaroi studimet shkëlqyeshëm në universitetin në Austri.U bë i njohur që në auditorët e atij universiteti ,prandaj e kërkonin të jepte mësim edhe në universitete të tjera europiane.Që në fillimet e punës së tij si mjek ,arriti që të fitonte zemrën e çdo të sëmuri dhe ditë pas dite arriti që të operojë 40 mijë vet,duke e radhitur atë në mjekët më të famshëm të Shqipërisë.Dhe im At,do të mbetej në memorien e gjithë gjirokastritëve,jo vetëm si mjek ,që me bisturinë e tij do të shpëtonte prej vdekjes sa e sa njerëz ,por do të kujtohej edhe për ngjarjen e bujshme në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1943.Edhe pse kjo ngjarje e pazakontë ndodhi në ato ditë të luftës ,përsëri u hesht në ato vite dhe nuk përmëndej asgjëkundi.U desh që të vinte demokracia ,që kjo ngjarje të zbardhej plotësisht ,as t’i shtohej dhe as t’i hiqej asgjë.Historia mbetet histori.Kjo ishte ngjarja me gjermanët dhe roli i tim Eti në këtë ngjarje.Ai s’e bëri këtë për të fituar pikë dhe të merrte famë përpara bashkqytetarëve të tij ,por ishte njeri me dinjitet dhe ashtu siç kishte shpëtuar jetë me bisturi,ashtu donte të shpëtonte edhe jetët e dyqind burrave që gjermani i mori peng.
Po për atë minatorin e minierës së Memaliajt,që u aksidentua në punë ,u tha se jetën ia kam borxh doktor Labovitit. Si është e vërteta?
Ai ishte hedhur nga spondi i një makine dhe ishte aksidentuar rëndë.
Transportonin puntorët e minierës nëpër sektorët e nëntokës.Pa u ndalur mirë makina,minatori u hodh dhe për një moment e pa veten nën rrotat e makinës.Siç më thoshte im At,vëndi ishte i lagur dhe shpati i thepisur.Të gjithë bërtitën të trembur nga ajo situatë,që shokut të tyre po i vihej jeta në rrezik.Dhe për pak mund të ndodhte ngjarja fatale,ku gomat do të shkelnin mbi trupin e minatorit.Shpëtoi sakaq.Urime dëgjoheshin,urime pafund:” Tani që të mori në dorë dr.Vasili ,shpëtove.Ai s’të le që të vdesësh!”Janë me qindra e mijëra raste ,që lidhen me punën dhe sjelljen e tim Eti.Erdhi një burrë nga Lazarati.Ishte me hemoragji stomaku.I sëmuri kishte dhimbje të padurueshme.Nxirrte gjak nga goja.S’i pushonte gjaku.
Im At,pasi e pyeti se nga ishte,i sapoardhuri u përgjigj aty për aty:
– Nga Lazarati .
– Me s’e merresh?- e pyeti përsëri doktori.
– Çoban,a derëbardhë,me se do merrem!- ia ktheu lazaratasi.
Kur dr.Laboviti e mësoi se ky bari i kulloste delet nëpër fusha, mori një gotë ujë dhe në të shtoi një sasi kripe.
Tani pije !- i tha.
Dhe kur ai e piu atë,nxorri njëherësh 4 shushunja.U bë mirë! I shpëtoi operacionit,se doktori gati e kishte thikën.Ka shumë mjekë që ecin në gjurmët e atyre që ishin dhe mbetën legjendarë për mjekësinë ndër vite.Se ka dhe nga ata që për shërbimin më të vogël ,mjekët i shohin pacientët nga duart dhe nga xhepat .Dhe të sëmurët pastaj kritikojnë veten,që pse s’u kujdesën më shumë për veten e tyre e të mos kishin përfunduar tek ata mjek,që u është bërë mëndja lekë,duke e kthyer veten në lypsarë dhe të pa dinjitet e dashuri njerëzore.Kjo s’duhet përgjithësuar se ka edhe nga ata mjekë ,të cilët shërojnë me fjalë ,dhe për të tillët thua me plot gojën:” Ju lumtë!Janë edhe mjekë edhe njerëz!”
Lato Braho ishte nga Erindi.Kishte studjuar për jurist në universitetin e Sorbonës në Paris.E çuan të afërmit në spital, me plumb në kokë.Doktor Vasili ia hoqi plumbin me operacion dhe e shpëtoi Lato Brahon.Tek puna e tij nuk ishte vetëm heroikja ,por edhe dashuria për profesionin e mjekut,edhe meraku që të sëmurin t’a sillte përsëri në jetë.Nuk mbaron këtu historia për Lato Brahon.Atë të plagosur e kanë çuar nga Erindi në spital,hipur mbi një kalë.Kaluan Urën e Lumit dhe çanë postbllokun fashist.Ashtu nxorrën edhe komunisten Liri Gero nga Fieri,mbi karrocën e përshtatur për dasmë.
Si arriti dr.Vasili, që të shmangte një tragjedi në mes të Gjirokastrës?
Këtë histori tani e dinë të gjithë.Është treguar me qindra herë edhe nga unë,ashtu siç më tregonte im At,pa shtuar asgjë.Për atë ngjarje nuk ka më të pavërteta.Do ishte kthyer Gjirokastra jonë, në një kasapanë, në një Borovë,por doktor Vasili ndryshoi historinë dhe i dha një tjetër kuptim jetës në Gjirokastër.Me zgjuarsinë e tij,me shkathtësinë e tij,bëri atë,që të shpëtonin 200 burra nga një vdekje e sigurtë,nga plumbat e gjermanëve në atë ditë shtatori.Ka patur edhe kundërshtime nëpër vite,për numrin e atyre që mori peng gjermani,për t’i vrarë dhe për t’ju kërkuar lamtumirën e fundit.Veç një gjë e vetme mbeti e pa ndryshuar ,që ata i shpëtoi doktori dhe njëkohësisht dhe drejtor spitali,doktor Laboviti.Doktor Vasil Labovitin,ajo ngjarje e bëri më të famshëm ,në historinë e atyre viteve që binin ende erë barut.
Ndjehej i kënaqur doktori për punën që bënte si mjeku nr.një, në Shqipërinë e Jugut?
Po sish,shumë i kënaqur! Ai jetonte me tensionin e punës përherë.Njeri sy e mbyllte për gjumë,dhe syrin tjetër e linte hapur për punë.Priste të sëmurët nga momenti në moment,se mos trokisnin në derë.Edhe vizitonte edhe operonte.Ishte kirurg,por ishte specializuar edhe për gjinokollog.Kishte bërë mijëra operime,por të dyja këto s’i ndante prej njera – tjetrës.S’la njeri pa e risjellë të shëndosh në jetën e përditshme.Për tim Et,kanë shkruar gazetat ndër vite.Kanë folur edhe në televizionin e asaj kohe për të.Është bërë edhe një film dokumentar.Kishte edhe ulje – ngritje në punën e tij.Kishte mungesë të sallave të operimit,si dhe mjete për operime,por shërbimi i doktorit ndaj të sëmurëve mbeti i njëjtë.
Çfarë kujton nga ai prag tragjedie, nga pushkatimi i 200 burrave , djegia e Gjirokastrës dhe anullimi i urdhërit të komandës gjermane?
Doktori sapo kishte dalë nga operimi i asaj dite,në lagjen Hazmurat,se aty ishte spitali në ato vite.Mori rrugën për në Qafën e Pazarit.Atje i panë sytë shumë gjermanë.Në një lokal hynë ata që patrullonin ,morën qytetarët që ndodheshin aty për momentin dhe i çuan para bashkisë.Nuk i lanë që të flisnin.Tek sheshi i Çerçizit kishin bërë gati mitralozët.Im at,i dëgjoi se çfarë thoshnin ata në gjuhën e tyre,për të pushkatuar pengjet që kishin mbajtur dhe djegien e qytetit.Doktori,në një çast dalloi një punonjës të spitalit ,që e kishte në punë .Ai ishte një djalë 14 – vjeçar nga Dunavati.Komandanti gjerman urdhëroi që nëse s’gjëndeshin kufomat e gjermanëve të vrarë në pritë,do të vrasim të gjithë ata që kemi marrë pengje.Te prita,te Ura e Nanzës, në hyrje të qytetit,ishin plagosur dy ushtarë gjermanë.Atë pritë e organizuan ,një ushtarë nga Vlora ,i cili e kishte dorën të prerë dhe një tjetër nga Gjirokastra.Ushtarët gjermanë,siç ishin ashtu të plagosur, disa banorë të lagjes , i çuan menjëherë për t’i mjekuar në spital.Aty i priti im At.U foli gjermanisht.U prezantua,që ishte mjek dhe drejtor njiherazi.I mjekoi dhe i mbajti në spital.Lajmëruan shokët e tyre gjermanë ,të cilët erdhën menjëherë me një triçikël.Që nga ai moment , të gjithë qytetarët që i mbanin për t’i pushkatuar,i lanë të lirë.Vetëm doktorin e mbajtën.Na erdhi ky lajm i keq për atë dhe u bëmë merak!Nisëm të qanim.Edhe unë edhe mamaja.Unë isha vetëm 7 – vjeçe.
Kur e pyetën tim At,se a mjekonte guerrilas,ai u ishte përgjigjur:” Në spital mjekoj të sëmurë e të plagosur,pa i ditur se çfarë janë.Mjekoj edhe juve.Unë jam doktor dhe njëherë e kam bërë betimin e Hipokratit para profesorëve të mi gjermanë dhe austriakë.Im At kishte patur edhe një shok në universitet nga gjermania.Ai erdhi nga Janina dhe në spital kërkoi doktorin.Im At,doli për t’a takuar,atë studentin e dikurshëm ,shokun e tij të universitetit në Gracia të Austrisë.
Guerrilasit që bënë pritën tek Ura e Nanzës,dhe që plagosën dy ushtarët gjermanë,kishin ikur,ndërsa gjermanët menduan se shokët e tyre të plagosur kishin vdekur.Ata ecën nëpër qytet ,por njëkohësisht lajmëruan me radio autokolonën gjermane ,që vinte nga Kakavija.Erdhën ata nga Kordhoca dhe nisën që të arrestonin qytetarët gjirokastritë.Im At,doktor Vasili,që ishte edhe ai me të arrestuarit e tjerë,dëgjoi që komandanti gjerman i thotë vartësit të tij,që të mbante 200 vetë të arrestuar.Për dy ushtarë të vrarë do pushkatoheshin të dyqintët.Ndërkohë,im At,takoi gjermanët.Ushtarit që i ruante,i tha që t’i jepte një cigare,dhe ai e pyeti se cili ishte ai,që fliste edhe gjermanisht.
– Jam drejtor i spitalit!Kam mbaruar shkollën në Austri,në universitetin e Gras- it.Po kërkoni dy gjermanët që u plagosën ,ata janë në spital,të shtruar tek unë.Thuaj komandantit se ne s’kemi lidhje me ata që i goditën”.
Gjermanët dërguan dy ushtarë në spital.Atje ndodhej Kanan Zanua.Atje panë se shokët e tyre të plagosur ,u kishin shërbyer siç duhej.Vajtën në Qafën e Pazarit dhe takuan komandantin e tyre.Pasi ai mësoi të vërtetën,urdhëroi ,që të gjithë të arrestuarit të liheshin të lirë,përveç doktorit.
Po pastaj ,si vajti fati i doktor Labovitit?
Edhe atë e liruan.E shoqëruan gjer në shtëpi se gjatë rrugës kishte postblloqe të shumta gjermane.Kur trokiti im At në derë,u qetësuam.E ndërpremë të qarin.Kjo ishte historia.Gjatë kohës që qëndruan gjermanët në Gjirokastër ,ushtarët e plagosur ,venin herë pas here në spital për t’u mjekuar.Një rast ata kishin pyetur:” Doktor,çfarë janë gjithë këta të plagosur këtu?Në luftë me kë,apo me ne?”
– Jo,jo ,- u përgjigj doktori.Me njeri – tjetrin.