Nesip Kaçi: Vrasja e Negovanit dhe simboli Bajo Topulli

765
Sigal

Si u vra me urdhër të Patriarkanës e të qeverisë greke, prifti ortodoks  shqiptar, Papa Kristo Negovani

Bajo Topulli – udhëheqësi dhe simboli i shqiptarizmës

Dhespoti i Korçës, Foti, u vra se mallkonte në kishë gjithë ata shqiptarë, që guxonin të lexonin, shkruanin, studionin apo luteshin në gjuhën shqipe

– Shahin Kolonja, drejtor i gazetës  “Drita” në nëntor 1906, në këtë gazetë botoi një artikull të Bajo Topullit me titull  “E vërteta”

(Sipas librit “Bajo e Çerçizi” shkruar nga nipi i tyre, Bajo Topulli i ri)

Nesip Kaçi

gazetar dhe diplomat

   Unë kam pasur dëshirë dhe pak a shumë kam punuar për të marrë pjesë në shërbime ndaj mëmëdheut. Kur bandat greke, andartët, këta përfaqësues të shovinizmit të zi antishqiptar,  me urdhër të Patriarkanës e të qeverisë greke, vranë në mënyrë barbare të bekuarin dhe të mirin prift ortodoks  shqiptar, Papa Kristo Negovanin, atëhere ndodhesha në Selanik, punoja profesor matematike (trigonometrie) dhe nëndrejtor i gjimnazit idadije. Si gjithë patriotëve të vërtetë, ashtu dhe mua, ky i tmerruar lajm i zi ma mbushi zemrën me hidhërim. Pritëm disa kohë, që qeveria të merrte hakun e të mirit, prift Papa Kristo. Për fat të keq qeveria nuk i ndoqi dhe nuk i kapi kriminelët por i la të lirë ata, të lëviznin lirshëm për të trembur e për të turpëruar kombin shqiptar. Si e vranë barbarisht Papa Kriston dhe vëllain e tij dhe shqipëtarë të tjerë të Negovanit, andartët zunë të kërcënonin të gjithë shqiptarët patriotë, që punojnë për kombin e gjuhën e tyre. Kur më dërguan në Manastir, atje dëgjova që e ngordhura qeveri, kish burgosur dy shqiptarë nga Negovani, sepse kishin dhënë një ndihmë të pakët për jetimët e Papa Kristos. Kjo e kapërceu kufirin e durimit për çdo mëmëdhetar të urtë. Disa mëmëdhetarë të ndershëm themeluan një lidhje për të marrë gjakun e të mirit prift ortodoks  patriot shqiptar, Papa Kristo, shërbëtor i kombit. Edhe unë pata nderin të jem brenda në këtë lidhje, shok dhe kryetar. Lashë punën e qeverisë, ika nga Manastiri dhe fillova punë, bashkë me shokët e mi sipas programit të Komitetit, duke bërë propagandë me libra e me të tjera në shumë vende të Shqipërisë me të gjithë mëmëdhetarët e ndershëm. Është me vend të themi këtu të vërtetën për vrasjen e Fotit, dhespotit të Korçës. Gjaku i Papa Kristos duhej të merrej për nder e për fitim të gjithë kombit. Një çetë prej trembëdhjetë vetash, muhamedanë e të krishterë shqiptarë, kish urdhër nga kryekomiteti për të marrë gjakun e Papa Kristos te dhespoti i Korçës, Foti, i cili, le që kishte haber dhe gisht në vrasjen e Papa Kristos, por e kishte kapërcyer kufirin kundër shqipes. Përse e vranë Papa Kriston? Për të vetmen arsye, se ai, prift ortodoks shqiptar, e donte Shqipërinë dhe shtypte libra kishtare në gjuhën shqipe, në gjuhën e nënës, meshat në kishë i mbante në gjuhën shqip. Për këto e vranë të mirin prift Papa Kristo.

Çeta e “të trembëdhjetëve” u nis për të vajtur në anë të Kosturit, e kur shkonte nga Devolli, në udhë mori vesh nga një fshatar që dhespoti i Korçës, Foti, kish për të vajtur në Bradvicë, fshat shqiptar, nja tri orë larg nga Korça. Me vrap çeta mori udhën e Bradvicës, dhe meqënëse dhespoti s’ish në Bradvicë, zuri një vend afër këtij katundi, ca më lart është shkëmbi që quhet Guri i Capit. Si zunë  vendin, të trembëdhjetët, pas një sahat e gjysëm, më 9 të vjeshtës së parë, ditën e shtunë, në orën 11 para dite allaturka, u duk dhespoti me disa njerëz, përpara kishte një xhandar (zaptije), një bekçi i Bradvicës dhe disa fshatarë, pas kishte një prift e shumë katundarë. Për të mos vrarë ndonjë prej atyre që ishin bashkë me dhespotin, kapedani i çetës, zgjodhi një djalë midis “të trembëdhjetëve”, i cili dinte të shtinte me nishan më mirë se shokët e tjerë dhe e vuri që t’i binte vetëm dhespotit, e në mos e godiste dot, atëherë t’i binin edhe të tjerët. Por me të parin plumb, i cili brenda kishte dinamit, u godit liksht dhespoti dhe ra pa shpirt nga kali. Kështu pra, u la gjaku i të mirit Papa Kristo. Për të frikësuar të gjithë ata që ishin me dhespotin, që të hapnin udhë, shokët e tjerë zbrazën në erë nja tridhjet- dyzet dufeqe. Të gjithë ikën e muarën dushkun. Një mushkë u godit me një plumb e ra. Tjetër dëm s’u bë. Dua të them që të mos harrohet e vërteta. Fotin nuk e vranë as dhrahmitë e grekërve, as shtytjet e bullgarëve, as të hollat e vllehëve, ato janë gjepura, të rreme, janë të fabrikuara nëpër redaksitë e lëpushkave të Athinës. Foti ishte një fanariot hipokrit, mashtrues e gënjeshtar. Ky prift bënte thirrje nga katedra e mitropolisë për persekutimin e gjuhës shqipe, duke kërcënuar se do të çkishëronte gjithë ata që do të dërgonin vajzat në shkollën shqipe të vashave të Korçës. Mitropoliti, dhespot Foti, mallkonte në kishë gjithë ata shqiptarë, që guxonin të lexonin, shkruanin, studionin apo luteshin në gjuhën shqipe. Grekët vranë në Selanik një vit më parë, shqiptarin Spiro Kosturi, vetëm se ai e donte Shqipërinë, atdheun e tij. Foti me ca njerëz pa dinjitet shqiptar e pa sedër shqiptare, janë vegëla qorre të Silogut të Athinës, por korçarët  janë shqiptarë të vërtetë dhe nuk duan t’ia dinë, por  e mbrojnë shqiptarinë. Vula e dhespot Fotit të Korçës ka këto shënime (iniciale) : “ Dhimogjerondia e Komunitetit grek ortodoks të Korçës “. Pra, binduni zotërinj se ku ka mbritur poshtërsia. Masakrat e Negovanit dhe mallkimet për të mirin prift  Papa Kristo, kanë ardhur nga ai, që fshihet nën rrobën e “Ëngjëllit” me emërin Dhespot Foti. Ky është Foti dhe këta janë dhespotierët të ardhur nga Fanari, që të mbulojnë idetë e “grekërisë së madhe”. Shqiptarët, e sidomos, ata ortodoksë, duhet të kuptojnë se agjentët e Patriarkanës, me hapjen e “skolive greke” kanë qëllime të këqia, për të luftuar gjuhën shqipe me të gjitha forcat, por ne jemi shqiptarë me mend e dinjitet dhe nuk lejojmë që ata të na vrasin e çfarosin e ne të rimë duarkryq. Me vrasjen e dhespot Fotit, ne i dhamë një mësim të mirë politikave antishqiptare të megaloidesë greke. Vrasja e dhespot Fotit bëri bujë të madhe brenda dhe jashtë viseve shqiptare e greke.

Për një tablo  më të gjerë të kësaj ngjarjeje, po rendisim disa nga kronikat e shkrimet e shumta të asaj kohe rreth ngjarjes së vrasjes së dhespot Fotit. Gazeta “Drita” e Sofjes nr. 83 e datës 31.8 1906, shkruan: “Zoti dhespot i Korçës është fanatik i tërbuar i greqishtes… atij të ziu i duket se s’ka më i madh se kombi grek, s’ka më i fortë se kombi grek, s’ka më të drejtë se kisha greke, s’ka më të mirë se gjuha greke…gjuhët e tjera janë barbare, janë të liga, përveç kishës greke të tjerat janë gënjeshtra. Foti është grekoman. Kur merr para nga të Llasos (pasanikë grekë që financojnë kishën greke dhe bandat), i dërgon në ndihmë të andartëve ose i jep ryshfet për qëllimet greke. Jovan Kosturi deshi të martonte të birin. Duhej leja e dhespotit, i cili i bënte naze duke i thënë: „Ju nuk punoni për Greqinë e greqishten“. Jovani iu përgjigj: „Ne jemi shqiptarë ortodoksë, dhespot efendi, s’kemi ardhur këtu për politikë, duam leje për martesë, sipas rregullave“. Dhespot Foti i tha: „Ti nuk punon për Greqinë, ti dashke të quhesh shqiptar, të pëlqen gjuha shqipe“, e në fund i tha: „Të bësh be e të na thuash se do heqësh dorë nga shqipja, se do punosh me mish e me shpirt për grekërinë.“ Por zoti Jovan Kosturi e kundërshtoi dhespot Fotin, e vuri përpara, e shau rëndë, nuk i la gjë pa thënë dhe për pak sa nuk i dha ca grushte të fortë. Puna vajti te patriku, i cili dha urdhër me shkrim, që kurorë mos vihesh. Zoti Jovan Kosturi ia vuri kurorën djalit në Bukuresht. Ja cili ishte Foti.

Po në gazetën “Drita“ të Sofjes, më 1 të vjeshtës së dytë shkruhet: “Foti mallkonte Shqipërinë, shante shqiptarët, u binte në qafë vëllezërve të mjerë, kudo që shkonte, shtëpi më shtëpi u thoshte: Ata që duan shqipen, ata që nuk punojnë për greqishten, do t’i vrasim, do t’i vdesim, do t’i shuajmë me shtëpi e fëmijë! Nuk ka gjuhë tjetër veç greqishtes, nuk ka komb tjetër veç grekut“. Në këtë gazetë në fund shkruhej se  “Fotin e vranë për të marrë hakun e Papa Kristo Negovanit“.

Në kryeartikullin e gazetës “Kombi “ të Bostonit, me autor Fan Nolin, shkruhet: “ Ju që me fatin e Shqipërisë udhëtoni e lëvizni mal më mal, krah për krah me rrezikun mund t’iu quajnë për njerëz të marrë dhe të krisur, po kush ua var torbën… Ai lab i kulluar, (është fjala për Bajo Topullin), të cilin nuk e zinte gjumi po të mos merrte hak… dhe në vrafshi dhe ndonjë dhespot a ndonjë hoxhë dhe Perëndia të mos ua ndjejë këtë faj, mos kini frikë, se jua ndjej dhe ua fal unë!, Ali Baba Qyteza“.(Pseudonimi i Fan Nolit). Gazeta “Kombi“ e datës 6 nëntor 1906, shkruan: “Neve na e do puna të jemi mbrojtës të të drejtave tona“.  Po kjo gazetë më 1 janar 1907, në numrin 21, shkruan: “Kur u vra Foti, në Korçë, këmbanat u çanë së brituri, duke qarë e lebetitur dhe mbajtën fjalime njerëz me rëndësi, si profesorë, kryepriftërinj dhe mallkuan shqiptarizmin. Ndërsa për Spiro Kosturin asgjë në Korçë. (Por edhe për Papa Kriston kambanat heshtën dhe populli shqiptar tha: Papa Kristonë e vranë, Dhe s’ra për të një kambanë. Po pse nuk ra asnjë kambanë për Papa Kriston? Se nuk i lejonte Foti, patriarkana, qeveria greke.N.K.)

Shahin Kolonja, drejtor i gazetës  “Drita” në nëntor 1906, në këtë gazetë botoi një artikull të Bajo Topullit me titull  “E vërteta”, ku ndriçohet opinioni publik, brenda dhe jashtë vendit për shkaqet që e shtynë Komitetin e shqiptarëve, të ngarkonte çetën e Bajo Topullit, për të vrarë dhespotin antishqiptar.

Gazeta “Drita” e Sofjes më 1 shtator 1906 boton këtë shtojcë të redaksisë: “ Këto që thotë në gazetën tonë kapedan Bajua janë të vërteta. Papa Kriston e vrau shpirtziu Karavangjeli ?, Foti ? apo ai që është në Manastir, Joaqimi ? Papa Kriston, të mirin prift, e vranë këta të tre. Shpirtziu Foti i kishte kapërcyer kufijtë, donte të pinte edhe tjetër gjak shqiptari. Nga ky shkak Komiteti Shqiptar dha karar (vendim) që të vritej Foti, që të lahej gjaku i të mirit prift Papa Kristo-Negovanit. Sikur të mos merrej gjaku i Papa Kristos, do kish mbetur një turp, një çnderim për gjithë kombin shqiptar. Greku po na pin gjakun. Një e nga një po i vret të gjithë ata që duan shqipen,… e tani në u gënjefshin prapë, atëhere për një do vrasim dhjetë. Lavdi Zotit. Tani që u bëmë me komita e kryekomita të fuqishëm, të mënçur, jo nga grekët e zgjebosur, por nga askush nuk na trembet syri. Kur kemi kryekomita si kapedan Bajo Topulli nga Gjirokastra e si levendin Riza Velçishtin, do të tundim pallët jo vetëm në Turqi, por edhe brenda në Greqi. Francezi thotë : “Qui vivra, verrá “, „Kush do rrojë, do shikojë“.

Përkundër jehonës së gjerë pozitive dhe mbështetjes së plotë e të menjëhershme që pati ky aksion i çetës nga popullsia shqiptare e nga gjithë rrethet patriotike, brenda dhe jashtë vendit, e pa pritur dhe e çuditshme, ishte heshtja e plotë dhe e gjatë e gazetës „Albania“. E sikur kjo të ishte pak, rreth një vit më vonë “Albania“ e theu dhe e shpjegoi “heshtjen“ përmes shkrimit me titull “Bajo Topulli dhe politika e assassinatëve“, që shqip përkthehet: „Bajo Topulli dhe politika e vrasjeve, krimeve“, shkruar nga Faik Konica: “ …Fjalët  Bajo Topulli janë emër i një shqiptari, i cili i fshehur me gjithë shokë e me ndihmën e tyre, vrau një plak të paarmatosur…si të ish një armik grek…- shkruan F. Konica nga Brukseli dhe vazhdon – Disa shqiptarë u çuditën se “Albania“ s’bën fjalë për kalorësin tonë. Shkaku i heshtjes sime qe ky: unë jam një shqiptar aq i ftohtë dhe aq i humbur dhe një njeri me ndjenja aq të poshtra, sa që nuk kam qënë i zoti të kuptoj madhërinë e Bajo Topullit…Tani shpejt u hap fjala se Bajo Topulli dolli jashtë dhe u gëzova se do të na jepte rast të na rrëfente mendimet e tija, punët që kërkon të bëjë dhe qëllimet. Prita më kot. Ay qëndroi dy muaj në Amerikë, u poq me qindra shqiptarë dhe u kthye në Shqipëri pa hapur gojën, apo të na dërgonte ndonjë mesazh…se ç’punëra do të bëjë, nuk thotë. Kujtoj se Bajo Topulli, sikur të ishte pjekur (takuar) me mua, do t’i kisha treguar mendimet e mija dhe do të më thoshte: “Grekët e bullgarët i luftojnë armiqtë e tyre, i luftojnë me dinakëri e pabesi, pse ne shqiptarët të mos i luftojmë kështu armiqtë tanë? Dhe në i luftofshim, pse të mos përdorim çfardo armë?…Lajthitja e shqiptarit është se besojnë se grekët dhe bullgarët gjetën miq në botën e qytetëruar nga shkaku i luftës për të mbrojtur kombësinë e vet. Jo! Ata nuk gjetën simpatirat nga gjaksirat që bënë, por kur këto i bën dhe shqiptari, do ju njohin si një racë që do të vrasë. Rehen, pra, ata shqiptarë që besojnë se do të na përparojnë punët në zënçim udhën e bullgarëve dhe të grekëve… Vihet re si shkëmb i vetëm në mes të detit ndodhet një komb i vogël, kombi shqiptar, i cili ka mbajtur disa nga më të mira vetija…besën, të mbrapsurit nga dinakëria etj…Ne vemi dhe imitojmë bullgarët dhe grekërit…“

Pasi i dënon dhe etiketon rëndë si këtë veprim ashtu edhe Bajo Topullin dhe shokët e tij, pasi i këshillon shqiptarët, që shtypeshin nga turku e vriteshin nga greku, që të rrinin urtë e t’i kërkonin lirinë e të drejtat e tyre me ‘‘besë“ e vityte, dhe jo me kryengritje e luftë, Faik Konica, po në të njëjtin shkrim, gjithnjë sipas stilit e huqeve të tij, bëhet kontradiktor: e zbut gjuhën, i njeh dhe i çmon meritat e Bajos, e quan patriot të zjarrtë e të mënçëm, por pa haruar ta këshillojë që në punët atdhetare të mos ndjeki më “mënyrën greko-bullgare“, por rrugën e “urtësisë“, “të virtyteve“. Ja vijimi i artikullit të tij: “…Por s’dua t’i lë këndonjësit në besim se unë jam një kundërshtar i verbër i Bajo Topullit. Një besim i tillë do jetë shumë i lajthitur (i gabuar) Më parë dua të them se Bajo Topullin nuk e njoh. Nuk kam shkak as ta dua, as të mos e dua. Në gjykofsha nga fytyra e tij, të cilën e pashë në një gazetë, më duket si një burrë i shquar dhe i drejtë. Pastaj, ca miq nga ata që i nderoj (bëhet fjalë për Nolin-B.T.) më tepër, më folnë për Bajo Topullin me lëvdata të veçanta. Disa miq nga Amerika nuk më shkrojtën ç’ide kanë për kryengritësit.-Zoti Bajo m’u duk si një patriot i zjarrtë dhe i mënçëm. Propagandë, pos atyre që kam mësuar prej dy ditësh, ka bërë në mjaft fshatra….Po edhe punët e rrepta ndofta nuk janë pa të mirën e tyre.

Në një vend ku i huaji ka të gjitha të drejtat dhe vendësi, shqiptari , s’ka asnjë të drejtë, palla e Bajo Topullit duket se u xhvesh jo për të prurë kërkime të paarsyeshme, por për t’i vënë kufi teprimit të të tjerëve. Bajo Topulli gjer më sot e përdori forcën në mënyrë greko-bullgare. Në  qoftëse do jo vetëm t’ju shtjerë datën armiqve dhe t’u presë sulmin, po edhe t’i shtojë nderin kombit, duhet rreptësisht e nevojshme të mbarojë pas mënyrës shqiptare.

Reagimi i patriotëve shqiptarë ndaj shkrimit, gjykimit dhe këshillave të Faik Konicës ishte i fortë dhe i prerë. Gazeta “Kombi” e Bostonit e vitit 1908, nën titullin “Bajo Topulli dhe çështja kombëtare”, shkruan: “E përkohëshmja “Albania”në Londër në nr 8, 1907, në faqen 159, kritikon z. Bajo Topulli për vrasjen e Mitropolitit të Korçës, Fotit, duke e matur me masa Engleska e Françeska. Artikulli I “Albanias” është i gjatë, por ne do të bëjmë gjykimet tona…Ai shkruan: ”Bajo Topulli dhe politika e assassinatëve” …këto e të tjera “Albania” i shkruan me një farë qesëndie, aq sa ata grekët vetë nuk i botuan me atë frymë. Po ne shqiptarëve, që na dhëmb shpirti për Atdheun, si mund t’i durojmë lodrat e firaunta…duke qënë kështu, s’themi dot që na pëlqejnë mendimet e “Albanias”.