Flet ish-oficeri i Xhenios, Ilirjan Dhima: Sekretet e tuneleve të uzinës së armëve në Poliçan dhe udhëzimet e KQ të PPSH

-Në vitin 1984, si ristrukturuam dy tunelet e uzinës së armëve në Poliçan

– Në këtë uzinë kishte disiplinë të lartë dhe kërkesa llogarie as miza nuk mund të futej aty

Sigal

– Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7.62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës offensive

-Ushtarët e xhenjos kur u thamë vdiq Enveri as treguan asnjë emocion

– Në qendrën e fortifikimit në fshatin Brezhdan afër Beratit ndërtuam dy tunele dhe dy depo për rezervat e shtetit dhe komanda në raste lufte

– Në vitin 1987 rifortifikuam tunelet e avinoëve në Rinas.

– Po në këtë vit në malin e Dajtit ndërtuam tunele për makinat “Benca” të udhëheqësve në raste lufte

– Punimet i ndiqnin Prokop Murra, Simon Stefani, Foto Çami, por punimet i ndiqte i pari.

 

Albert Z. ZHOLI

Kombinati Mekanik Poliçan ishte një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim. Kombinati ndodhet pranë qytetit të Poliçanit, në rrethin e Skraparit, 22 km në jug të qytetit të Beratit. Uzina e Prodhimit të Municioneve (sot Kombinati Mekanik Poliçan), u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të.Uzina filloi prodhimin e municioneve për herë të parë në vitin 1967. Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7.62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe difensive, minave kundërtank e kundërkëmbësorisë, predhave të mortajave 82 mm, kapsollave detonatore KD 8, fishekzjarreve 180 mm etj.Me kalimin e viteve, krahas prodhimit, vazhdoi në mënyrë të pandërprerë puna eksperimentuese për prodhimin e artikujve të tjerë të nevojshëm për ushtrinë. Në këtë proçes eksperimentimi u përfshinë dhjetra inxhinierë dhe specialistë të aftë nga i gjithë vëndi. Si rezultat i kësaj pune, në vitet 80–të u vunë në punë linjat e prodhimit të predhave 60, 107 dhe 120 mm, djegoreve 60 dhe 82 mm, fishekëve bazë 60 dhe 120 mm, fishekëve 12.7, 14.5 dhe 9 mm, etj. Rritja e nomeklaturës së prodhimeve, kapaciteteve prodhues dhe numrit të punonjësve, i cili arriti shifrën 3 200, ishin faktorët bazë që në vitin 1986 e shndëruan Uzinën në Kombinat të Prodhimeve Ushtarake.

-Është folur shumë për uzinën e armëve në Poliçan. Një uzinë moderrne që ka ngjallur shumë diskutime. Kur shkuat në Poliçan?

Sigurisht për ushtrinë shqiptare Uzina e Poliçanit ishte një mbretëri me vete jo vetëm specifike por edhe se siguronte për punësim një numër të madh banorësh të asaj zone. Para se të shkoja edhe unë kisha lloj lloj mendimesh për të. Nuk kisha asgjë të qartë vetëm se dija që ishte shumë i rëndësishëm për ushtrinë dhe ekonminë shqiptare. Në vitin 1984, më emërojnë përkohësisht në uzinën e armëve në Poliçan, ku shkova disa muaj për thellimin dhe ristrukturimin e dy tuneleve për uzinën e armëve në Poliçan. Në ato pak muaj, aty pashë një uzinë moderne dhe tepër të fortifikuar. Pozicioni gjeografik e bënte atë të padallueshëm dhe shumë të maskuar. Në këtë uzinë kishte disiplinë të lartë dhe kërkesa llogarie. As miza nuk mund të futej aty. Kombinati Mekanik i Poliçanit ose Uzina e Municioneve, siç u quajt fillimisht, zhvillonte aktivitetin e saj industrial pjesërisht në fushë hapur dhe pjesërisht në tunele (për arsye sigurie dhe sekreti). Kombinati përbëhej nga zonat “A”, “B”, “C”, “D”, “E” dhe “F”. Secila zonë kishte disa linja apo reparte prodhimi të ndryshme. Zona “D” ishte me magazina, ndërsa zonat “E” dhe “F” ishin poligone. Tunelet për një pjesë të Kombinatit u ndërtuan në vitet 1972-75 dhe në to u futën linjat e prodhimit dhe montimit të fishekëve dhe kapsollave 7.62 mm, 12.7 mm dhe 14.5 mm, e po ashtu edhe të disa aktiviteteve të tjera. Tunelet kryesisht u hapën poshtë rrugës nacionale Poliçan- Çorovodë, ndërsa godinat e tjera shtrihen edhe sot në luginën poshtë rrugës në distancë nga qyteti i Poliçanit. Ndërkohë në zonat “B” dhe “C” punohej me lëndë plasëse dhe kishte rrezikshmëri të lartë. Objektet ishin të vendosur në distancë sigurie nga njëri-tjetri. Në zonën “B” përfundoheshin predhat 60, 82, 107 dhe 120 mm të mortajave, ndërsa te zona “C”, aty ku ishte dhe lënda plasëse me ndjeshmëri më të lartë, prodhoheshin fishekët bazë të predhave (kallam i formuar me disa shtresa letre), ndezëset detonatorë dhe fishkët e gjuetisë (për pushkë gjahu çifte ose teke). Reparti mekanik kishte sasi të madhe makinerish metalprerëse ku numëroheshin rreth 25 torno, 17 retifika, 9 freza etj. Aty prodhoheshin stampa, shabllonë, puansonë dhe instrumente metalprerës. Prodhoheshin gjithashtu punto, xhunto meshkuj, matravida, kalizvarë, disqe prerës, si dhe shumë pajisje e vegla të tjera edhe për ekonominë civile. Aty ishte punësuar numri dërmues i forcës punëtore të të gjithë Poliçanit, madje punëtorë vinin dhe nga zonat përreth.Në vitin 1985-1986, pas dy vjetësh shkoj në Rep 5100 me qendër në Qytetin Stalin në Regjimentin e Fortifikimit, konkretisht në qendrën e fortifikimit në fshatin Brezhdan afër Beratit. Aty ndërtuam dy tunele dhe dy depo për rezervat e shtetit dhe komanda në raste lufte.

-Fortifikime me shumë diskutime sot. Por edhe ajo zonë konsiderohej e rëndësishme në rast lufte.  Po në këtë repart ke pasur situata të ëvshtira??

Në atë sistem çdo ndërtim fortifikimi kishte rëndësi të veçantë. Asgjë nuk bëhej pa plan dhe pa studiuar terrenin. Çdo gjë ishte në funksion të mbrojtjes. Një ditë lëvizja me këmbë nga Brezhdan për të shkuar në Berat. Ishte 11 prill 1985, dita kur vdiq Enver Hoxha. Nuk dija asgjë dhe ecja me këmbë për të gjetur ndonjë makinë. Një kalimtar ndalon pranë meje dhe më thotë i tronditur: “E more vesh, vdiq Enver Hoxha”. E pashë me dyshim. Kur shkoj në Repartin e Beratit pashë flamurin në gjysmë shtizë dhe të gjithë me kokë të ulur. Askush nuk fliste. As stërvitje nuk zhvillohej. Në gjithë repartin shikoje një gjendje të nderë. Sa u takova me eprorët më thanë të shkoja urgjent në repart, pasi kishim kaluar në gatishmëri numër një. Komisari më bëri me dije të kisha kujdes, sepse atë kohë në xhenio ishin ushtarët me biografi të keqe (kur e kujtoj sot qesh). Në fakt, ata ishin ushtarë më liberalë dhe nuk kishin gatishmëri. Rrallëherë kishim situatë të tilla. Pesë ditë fjeta në repart pa lëvizur. Ishte një situatë që nuk i vije emër. Por ushtarët nuk kishin atë ndjeshmëri dhe as që kalonin stres. Ata sikur e ndjenin se do të përmbysej sistemi pas këtij momenti.

-Sigurisht edhe në Tiranë ka pasur shumë fortifikime. Flitet për kryqytetin. Çfarë ndërtimesh mund të na përcjellësh që ka lënë gjurmë tek ju?

Tirana ishte fortifikuar deri në dhëmbë. Tirana nuk mund të pushtohej. Kam qenë në disa fortifikime në Tiranë. Isha gjithmonë në lëvizje. Në vitin 1987 emërohem në Regjimentin e Rinasit në kompaninë autonome të Dajtit. Në fillim bëmë disa punime special në tunelet e avionëve luftarakë Mig, që ishin strehuar aty dhe disa rregullime në fushën e aviacionit. Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avionë MiG-19. Avionët luftarakë MiG-19 ishin ‘shtylla’ e kësaj force për shkak të numrit të tyre të madh (mbi 70 avionë). Po në të njëjtin aeroport u dislokuan për një kohë të shkurtër avionët luftarakë të sapoardhur nga Kina; avionët luftarakë të tipit F-7A ‘Fishbed C’ të cilët ishin versioni kinez i avionit luftarak sovjetik MiG-21F-13 (modeli i parë i prodhuar në masë). Por pas pak kohe këta avionë (12 në numër) u transferuan në bazën ajrore më të re të Forcave Ajrore Shqiptare; ajo e Gjadrit, ndryshe e njohur edhe si Lezha-Zadrima. Avionët F-7A (MiG-21F-13) u grupuan në një skuadrilje. Tunelet aty ishin të maskuar dhe shumë të sigurt. Avionët luftarakë futeshin brenda dhe askush nuk mund t’i shihte. Pas disa muajsh kaluam në malin e Dajtit. Do ndërtonim tunele për makinat “Benca” të udhëheqësve në raste lufte. Ndërtuam dy tunele me gjatësi 38 metra me disa xhepa. Njëkohësisht edhe dy ofiçina moderne brenda tuneleve. Kishin pajisje shumë të mira. Aty vinin disa nga udhëheqësit e kohës Prokop Murra, Simon Stefani, Foto Çami, por punimet i ndiqte nga larg i pari Enveri.

Fortifikime dhe stërvitje. Çfarë kujton në këtë periudhë, veç punës për ndërtimet e tuneleve në Rinas dhe malin e Dajtit?

Kujtoj një stërvitje të madhe të zhvilluar në këtë vit (1987) në Kavajë. Ishte një stërvitje masive ku merrnin pjesë dhe shumë trupa të xhenios. Aty takova për herë të parë Alfred Moisiun. Ai takoi trupat xheniere duke na orientuar për stërvitjen. Ishte shumë praktik dhe komunikues. Foli shkurt dhe prerë dhe me shumë përgjegjësi. Në fund, na foli për rëndësinë e stërvitjes dhe ku duhet të përqendrohemi për të arritur rezultatet e duhura. Ai theksoi se udhëheqja i ka dhënë rëndësi kësaj stërvitje për vetë zhvillimet e fundit politike në vend dhe në Ballkan. Fjala e tij na mobilizoi më shumë. Vërtet me këto orientime ne u vlerësuam shumë mirë në stërvitje. Në Regjimentin e Rinasit qëndrova deri në vitin 1988 dhe pastaj u zhvendosa në batalionin e Shupalit, me detyrë Shef Shtabi Batalioni. Më pas në Repartin, Brigadën, 49-30 në Tiranë ku u emërova komandant batalioni në Rep. 34-48 në Uzinën “Traktori”, deri sa u largova nga ushtria. Në këtë repart zhvillonim stërvitje të ndryshme.

Kur dhe si filloi fortifikimi i mbrojtjes sonë?

Fortifikimi i mbrojtjes sonë filloi pas një studimi dhe përnjohjeje të hollësishme të terrenit, nga kuadrot më të larta ushtarake, në bashkëpunim me komandat e njësive, sipas një plani të veçantë. Objektet fortifikuese u vendosën sipas koncepteve taktike, operative dhe strategjike të Artit tonë Ushtarak dhe drejtimeve përkatëse të mbrojtjes. I ndërtuar në atë periudhë, fortifikimi e kreu funksionin e vet duke u treguar kundërshtarëve se ky vend kishte zot; se në rast sulmi ndaj tij armiqtë do të përballeshin me një mbrojtje që nuk mund të kalohej kollaj. Edhe ata e dinin, e merrnin parasysh, dhe i bënin mirë llogaritë, sidomos fqinjët tanë. Ndokush nuk është në një mendje me këtë që them, por ky ishte një realitet që nuk e zhbëri koha. Ishte organizimi ushtarak i përsosur, përgatitja e vijueshme ushtarake e të gjitha strukturave dhe kontigjenteve, fortifikimi i rajoneve dhe brezave tonë të mbrojtjes si dhe gatishmëria e lartë luftarake, të cilat synonin që mbrojtja e vendit të ishte e sigurt dhe e paprekshme. Fortifikimi i vendit për kohë lufte, i shërben mbrojtjes së forcave dhe mjeteve, veçanërisht gjatë përpunimit që armiku mësymës do t’i bëjë dispozitivit të mbrojtësit, që nga vija e parë e në thellësi, duke e goditur me aviacion, artileri dhe raketa, për ta paaftësuar e mbajtur nën goditje të pandërprerë kundërshtarin për një kohë të gjatë, siç vepruan forcat e NATO-s kundër objekteve të forcave serbe në luftën e Kosovës.

Fortifikimi i ndërtuar në vendin tonë përballon në një masë të madhe jo vetëm goditjen e kundërshtarit me armët konvecionale, por edhe nga armët e dëmtimit  në masë. Objektet fortifikuese ishin të shumëllojshme. Siç ishin edhe llojet e armëve e të shërbimeve, për të siguruar mbrojtjen vetjake dhe të përbashkët të luftëtarëve dhe të popullatës së paaftë për luftë.

Sot Kombinati Mekanik Poliçan

Aktualisht, në Kombinatin Mekanik Poliçan janë të instaluara 12 linja kryesore për prodhimin e artikujve të lartpërmendur. Cikli i punës është i mbyllur duke realizuar në Kombinat prodhimet ushtarake, instrumentat dhe veglat e punës, deri në amballazhimin e prodhimit të gatshëm. Linjat e prodhimit janë të përbëra nga makineri speciale, të destinuara për prodhimin e municioneve. Vetëm 5 deri 10 % e kapaciteteve prodhuese kanë karakter universal dhe mund të përdoren për prodhime civile.Mbas vitit 1992, si rrjedhojë e ristrukturimit të Ushtrisë dhe mungesës së fondeve, porositë për ushtrinë në Kombinatin Mekanik Poliçan u ulën në mënyrë drastike, duke sjellë si pasojë reduktimin e fuqisë puntore nga 3 200 në 1 700. Gjatë viteve 1994 – 1997, prodhimi u ndërpre plotësisht.

Nga korriku 2006 e deri tani ndërmarja funksionon me pavarësi financiare nga shteti. Aktiviteti kryesor aktual është demilitarizimi i municioneve te tepërta të F.A. Sasia e municioneve te asgjesuara në Kombinat që prej vitit 2001 e deri tani, është rreth 26 000 ton (municione të shtimjeve të topave 57 mm, 76 mm, 85 mm, 100 mm, bomba aviacioni 100 kg, 150 kg., 250 kg, predha mortaje 107 mm dhe 82 mm). Aktualisht po demilitarizohen municione mortaje 82 mm prodhim importi (rus, kinez), granatat e dores dhe fishekë 7.62 mm. Ndërmmarja filloi edhe prodhimin e teknikës bujqësore në sasi të vogla.