Nasho Bakalli: Vlera e tokave të shqiptarëve në Greqi në 1928, kalkulohej në 60 milionë franga ari dhe marrëveshja me Zogun

794
Sigal

 

Vlera e tokave të shqiptarëve në Greqi në vitin 1928kalkulohej deri në 60.000,000 franga ari

Gazeta “Shekulli i Ri” e vitit 1928, që botohej në Durrës ka botuar 23 shkrime dhe njoftime të shtypit shqiptar dhe të huaj me objekt pasuritë e shqiptarëve në Greqi si:

– Buxheti i Lidhjes të Kombeve për vitin 1928 ishte 27milion franga ari.

Durrës, 3 nëntor 1928/ Pasuritë e shqiptarëve në Greqi dhe marrëveshjet e Tiranës

– Sipas gazetave jugosllave – qeveria Greke propozoi që të njohë regjimin e ri Shqipëria duhet të hiqte dorë nga pretendimet e pasurive propozim të cilin qeveria shqiptare e pranoi.

Selanik, 30 nëntor 1928: Për herën e parë një fletore greke kujton Qeverinë me u çel shqiptarëve shkolla, dhe pranon se grekët gëzojnë të drejta.

Edhe sot, kur kanë kaluar 94 vite nga botimi i shkrimeve më sipërcituara, etj, situata politike e Shqipërisë me Greqinë, dhe anasjelltas, vazhdon të jetë e paqartë.

-Takimi i 23 majit 2022 nuk solli ndonjë efekt serioz për fatin e pasurive të Çamëve, dhe të drejta të tjera të mohuara Çamëve.

– Krerët e popullit shqiptar dhe ata të popullit grekë nuk na thonë nëse kërkesat e vjetëruara për çështjen Çame, Ligjin e Luftës, naftën dhe gazin në Detin Jon kanë apo nuk kanë ndryshuar,

Nasho Bakalli

Duke lexuar më kujdes faqet e gazetës “Shekulli i Ri” të vitit 1928, që botohej në Durrës dhe shpërndahej në tërë Shqipërinë, më tërhoqi vëmëndjen fakti se gjatë muajve tetor, nëntor, dhjetor të vitit 1928 ishin botuar 23 shkrime dhe njoftime të shtypit shqiptar dhe të huaj me objekt pasuritë e shqiptarëve në Greqi, dhe të drejtën e tyre për arsimim edhe në gjuhën shqipe. Për t’ua bërë më të lehtë njohjen e përmbajtjes të këtyre informacioneve ju ofroj të lexoni dy prej tyre, që më poshtë vijojnë.

  1. Pasuritë e shqiptarëve në Greqi dhe marrëveshjet e Tiranës

Durrës, 3 nëntor 1928   

Midis Ministrisë të Punëvet të Jashtme të Shqipërisë dhe Legatës Greke në Tiranë kanë filluar, para pak ditësh, bisedimet për rregullimin e çështjes të pasurive të shqiptarëve në Greqi.

Ȅshtë e afërme koha e bisedimeve, që u çelën në Lidhjen e Kombeve – me kërkesën e Qeverisë tonë – mbi pasuritë shqiptare në Greqi. Duhet me e përmend edhe sot, në mënyrë të gjatë, se me sa nxehtësi dhe përkujdesje qeveria shqiptare i kërkoi Lidhjes të Kombeve përkrahjen e interesave të nënshtetasve të saj, si dhe, detyrimin e qeverisë të Greqisë për me u marrë në marrëveshje direkte me Shqipërinë në bazë të verdiktit të Aeropagut të Gjenevës.

Me inagurimin e një politike të re plot sinqeritet dhe miqësi prej të famshmit politikan Kret kundrejt Shqipërisë, dhe me po atë vullnet e miqësi edhe nga ana e Qeverisë Mbretërore të Shtetit tonë jemi më shumë se të bindur se marrëveshjet, që janë duke vazhduar, në atmosferën e qetë të kryeqytetit të Shqipërisë, do kurorëzohen me një sukses të plotë dhe e drejta e shqiptarëve do të çmohet në një shkallë të logjikshme dhe të arësyeshme.

Çështja e pasurive të shqiptarëve në Greqi ka një rëndësi të posaçme jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por me bisedimet aktuale në Tiranë ato po marrin edhe një ngjyrë politike – jo më pak interesante se sa e ajo ekonomike. Vlera e tokave të shqiptarëve në Greqi kalkulohet përafërsisht deri në 60.000,000 franga ari ( buxheti i Lidhjes të Kombeve për vitin 1928 ishte 27milion franga ari. Shënim i autorit) sipas informacioneve të marra nga burime të sigurta, shumë kjo që ka një rëndësi jo të vogël duke marrë parasysh gjëndjen ekonomike dhe financiare të Shqipërisë. Kjo është rëndësia kryesore, nga pikëpamja ekonomike, që prezanton çështja e pasurisë të shqiptarëve në Greqi. Pastaj, sa u takon arësyeve politike, që përmbajnë bisedimet e Tiranës ato duhen gjetur në fushatën oportuniste të gazetave Jugosllave, dhe sidomos te fletorja “Politika”, të cilat me rastin e njohjes të regjimit Monarkik shqiptar nga ana e Greqisë më parë se shtetet e tjerë, përveç Italisë, pretendonin dhe insistonin në pikëpamjen se njohja e Greqisë i  kushtoi shtetit shqiptar 60.000,000 franga ari, aq sa edhe përfaqëson vlera e pasurive shqiptare në Greqi. Po sipas gazetave jugosllave – qeveria Greke propozoi që për me njoftë rregjimin e ri Shqipëria të hiqte dorë nga pretendimet e pasurive, propozim të cilin qeveria shqiptare e pranoi.

Bisedimet aktuale me Greqinë, në Tiranë, përgënjeshtrojnë në mënyrë indirekte, të qetë, dhe të prerë shpifjet e shtypit jugosllav. Po përsëritim edhe një herë shpresën tonë se nën atmosferën e qetë të Kryeqytetit, të drejtat e shqiptarëve do të gjejnë mbrojtjen dhe përkrahjen, që meritojnë.

  1. Për herë të parë një fletore greke kujton Qeverinë me u çel shqiptarëve shkolla, edhe pranon se Grekët gëzojnë të drejta.

Selanik, 30 nëntor 1928

Fletorja greke “Fox”, që del në Selanik boton një korespondencë mbi gjëndjen e Shqipnis dhe kryesisht mbi relacionet Shqiptaro-Greke, dhe në mënyrë të veçantë mbi detyrat e Greqisë kundrejt Shqipnisë si shpërblim të shërbimeve që Shqipëria i ka sjellë elementit grekofon. Ȅshtë e para herë që botohen në fletoret greke artikuj për Shqipnin me të tillë frymë, prandaj e konsiderojmë të arsyeshme me ju transmetue disa pjesë nga kjo korespondencë që gazetës greke i dërgohet nga një redaktor shëtitës i saj në Shqipëri. Korespondenti i gazetës të Selanikut “To Fox” – duke komentuar disa korespondenca, që zoti Kraniotakis, dërgues i fletores greke  “Eleniki” në Shqipëri, kishte botuar disa ditë më parë  në fletoren e vet – se:

‘Informacinet e zotit Kraniotakis se funksionimi i shkollave greke në Shqipëri në këtë vit janë problematike, nuk janë të vërteta. Përkundrazi jemi në pozitë të dimë se këto shkolla këtë vit do të funksionojnë tepër rregullisht. Bile në disa nga këto personeli përbëhet nga mësues grekofonë, përveç njërit nga këto që e emëron Shteti shqiptar për me dhënë mësim në gjuhën zyrtare. Masandaj, në një kohë të shkurtë do të ngrefet edhe një internat në  qarkun Gjirokastër për çunat e vobektë grekofonë në të cilën drejtor do të jetë një grekofon, por edhe gjuha greke do të mësohet me shpenzime të Shtetit. Ky lakmim i Shtetit shqiptar për mos me shmang nga drita e arsimit çunat e vobekët të grekofonëve të Shqipërisë difton çiltazi kujdesin e mirë kundrejt grekofonëve. Duke marrë këto parasysh, a’ nuk kujton qeveria greke se erdhi më në fund koha me zbatue edhe kjo po atë politikë kundrejt Shqiptarofolësve të Çamërisë, të cilët nuk kanë asnjë Institut Arsimor ?’

Përfundim

Edhe sot, kur kanë kaluar 94 vite nga botimi i shkrimeve më sipër cituara, etj., situata politike e Shqipërisë me Greqinë, dhe anasjelltas, vazhdon të jetë e paqartë. E vërteta është se ka përpjekje të paprera për mirëmbajtjen e saj, dhe se këto përpjekje gjejnë shfaqjen e tyre më të gjallë në takimet, që bëhen kohë pas kohe midis ministrit të jashtëm, dhe, kryeministrit të Greqisë me kryeministrin e Shqipërisë. Më i fundit takim ishte ai i para pak ditëve, 23 maj 2022, kur N. Dendias, ministër i jashtëm i Greqisë, bisedoi në Tiranë me kryeministrin e vendit tonë. Por, megjithë pompën, që i shoqëroi takimet zyrtare, dhe me gjithë shpresat që u varën te ato takime nuk duket që të kenë patur ndonjë efekt serioz për fatin e pasurive të Çamëve, dhe të drejta të tjera të mohuara Çamëve. Nuk e di se çfarë numëri ka vizita më lart përmendur në serinë e vizitave të dështuara midis udhëheqësve të Shqipërisë dhe të Greqisë nga 28 Nëntori i vitit 1912 deri në maj të vitit 2022; sikurse nuk e di se sa pak apo shumë nuk mundi vizita më e fundit e Dendias të sjellë frutat e shumëpritura për Palën tonë. Nuk kam si ta di, sepse krerët e popullit shqiptar dhe ata të popullit grekë nuk na thonë nëse konditat e vjetëruara për çështjen Çame, Ligjin e Luftës, naftën dhe gazin në Detin Jon… kanë apo nuk kanë ndryshuar, dhe, nëse situata e pritme e të dy shteteve do të jetë dëshpëruese apo besimndjellëse. Nga ana tjetër di fort mirë se problemet, që lihen pazgjidhje për një kohë të gjatë, 94 vite, ka shumë mundësi që të kthehen në kriza; se jeta shtetërore e Shqipërisë dhe Greqisë po ndërron krejt dhe përditë prej shkakut të luftës në Ukrahinë; se sanksionet afatgjata për naftën dhe gazin Rus kanë vënë në pikëpyetje shumë projekte, për të mos thënë se kanë përmbysur shumë projekte, të miratuara ato jo vetëm në parim. Sot në Shqipëri dhe në Greqi është i mbyllur zëri politik i udhëheqësve shtetërorë, i medias, dhe ai i opinionit publik. Paçka se mbretëria e politikanëve ka vetëm një kohë dhe një vend, ndërkohë që interesat e opinionit publik janë të gjithanëshme dhe të përjetëshme.

 

Dekreti mbretëror i Greqisë

 

Më 7 prill 1939 Italia fashiste pushton Shqipërinë. Një ditë më parë mbreti Zog largohet nga Shqipëria. Pak kohë më vonë pas pushtimit, pushtuesi italian do të formonte një qeveri kuislinge. Dhe, një vit më vonë, pra më 1940, Konti Ciano, përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej ministrit të jashtëm të Greqisë Z.Metaksa. Ultimatumi i ngjante atij, që kishte përgatitur dhe ia kishte paraqitur mbretit, Zogu i I, të Shqipërisë, ku përmblidhej “ose pushtimi, ose Lufta”. Në këtë ultimatum, Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin italian të disa bazave strategjike. Ambasadori italian në Greqi Z. Grazzi, që ia paraqiti ultimatumin në orët e vona të mesnatës Z.Metaksa nuk qe në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së Metaksasë se për ç’baza strategjike bëhej fjalë. I nervozuar nga kjo heshtje, Metaksai, iu përgjigj me një “Oqi” “Jo “ ultimatumit. Më 28 tetor 1940 –tetë divizione të përbërë nga 140000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Në këtë sulm, Duçja donte t’i jepte një “mësim” të mirë Hitlerit, mbase shumë pushtime të tijë, (Hitlerit) ai i merrte vesh nga radiot dhe nga gazetat Edhe Duçja tashmë dëshironte që Hitleri pushtimin e Greqisë nga Italia ta merrte vesh nga gazetat. Ai kishte besim tek kjo fitore, mbase informacionet për ushtrinë greke, ku numri i saj nuk i kalonte të 30. 000 vetët, nuk ishte i saktë, ashtu sikundër nuk kishte informacion të saktë për armatimin, përgatitjen dhe moralin e ushtrisë greke. Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë Konstandin nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940 sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve pasuri armike”. Njëkohësisht të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë. Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjestare e këtij agresioni. Për këtë dekret u morën për bazë, ekzistenca e qeverisë kuislinge shqiptare, dhe se në këtë luftë Italia kishte organizuar dy batalione mercenarësh shqiptarë, të rreshtuar bri armatave italiane, por të cilat dezertuan nga fronti përpara se të fillonte lufta. Duke u bazuar në këto fakte absurde, Greqia monarkiste e konsideroi Shqipërinë “ shtet armik” dhe shpalli ndaj saj “ gjendjen e luftës”. Por këto “ fakte” absurde bien vetiu sepse;

1- Shqipëria në atë kohë nuk ishte një vend i lirë dhe sovran ku të ushtronte në mënyrë të pavarur vullnetin e saj politik.

2- Shqipëria nuk gëzonte zotësinë juridike dhe aftësitë politike për të deklaruar lëvizjet e saj të pavarura në hartën politike të Evropës.

3- Shqipëria nuk gëzonte me të vërtetë autoritetin e vërtetë dhe të plotë vetëveprues si një subjekt aktiv i së Drejtësë Ndërkombëtare.

Dhe ajo që vlen për t’u theksuar me forcë është se Dekteti Mbretëror kërcënonte se “Do të konsideronte tradhëti Kombëtare aktin e çdo qeverie greke që do të ndërrmerrte hapin e vendosjes të marrëdhënieve diplomatike me shtetin armik Shqipërinë.”