Eksluzive për Telegraf/ Pse Kadare artistikisht e shkroi si të detyruar ardhjen e specialistëve shqiptarë në Radio pas largimit të ushtrisë gjermane dhe marrjes së Radio Tiranës?
Albert Z. Zholi
Sulejman Basha

“Radio-Tirana – çerdhe komunistësh”.
Sipas librit të Skifter Këlliçit “Historia e Radio-Tiranës”:
“Pas kapitullimit të fashistëve italianë, vendin e tyre e zunë pushtuesit gjermanë. Pa kaluar një muaj nga ardhja e tyre, me anën e agjentëve dhe bashkëpunëtorëve, ata u vunë në dijeni se në Radio-Ti rana vepronte një celulë antifashiste. Në fakt ishte e vërtetë ekzistenca e tyre, por grupi e ruante sekretin e ilegalitetit. Në këtë grup rezistence bënin pjesë, midis tyre, Muharrem Pirdeni, Todo Bojdani, Nazim Batalli, Spiro Qirko, Hysen Pelinku, Kaliopi Nushi, Kaliopi Prifti, etj. Ngjarja e mëposhtme ka ndodhur pak kohë pas rrëmbimit të Radio-Korçës. Gjermanët, dyshonin se komunistët duhet të ishin edhe në Radio-Tirana, ndaj i morën në pyetje punonjësit një nga një. Sipas aktores së njohur Behije Çela, punonjëse në atë kohë në Radio-Tirana, oficeri gjerman i pyeti: “cilët janë organizatorët, cilët janë komunistët, kush e kishte marrë Radio-Korçën?!”.

Pseudonimi “Shigjeta”
Deri në 10 shtator, ai e kryente veprimtarinë ilegale nën një regjim rigoroz, por mbas rrëmbimit të Radio-Korçës, kujdesi duhet të ishte akoma më i madh. Nga ana tjetër, që nga ky moment, vihet re që Todos nuk i referohen më me emër por “tekniku ynë” ose “shoku i teknikës”. Ai gjatë kohës së luftës ka mbajtur pseudonimin “Shigjeta”.
Operacioni nazist në Vithkuq
(1 tetor, 1943)
Operacioni i befasishëm i batalionit gjerman.


Sipas rrëfimit për Telegraf, në 1 tetor 1943, komanda gjermane nisi në fshehtësi të madhe për në Vithkuq një batalion, i cili ishte i specializuar për luftime në terrene malore. Në Vithkuq kishte qëndruar vetëm një pjesë e vogël e partizanëve të Komandës së Vendit, pasi Vithkuqi konsiderohej zonë e lirë dhe nga ana tjetër nuk paraqitej ndonjë rrezik. Atë ditë Batalioni “Qamil Panariti” nuk ndodhej në Vithkuq. Në ndërtesën e Komandës së Vendit ishte vendosur edhe laboratori i ndërlidhjes, ku ndodheshin edhe Todo me shokët e tij, Thanas Mërtiri dhe Pandi Kërëku. Çfarë ndodhi në të gdhirë të datës 1 tetor 1943 në Vithkuq? Batalioni gjerman i la makinat disa kilometra larg Vithkuqit, në mënyrë që ardhja e tij të mos zbulohej nga zhurma e makinave. Batalioni gjerman, u afrua pa zhurmë në mënyrë që t’i kapte në befasi partizanët, që ndodheshin në Komandën e Vendit. Komanda e Vendit ishte aty ku tani është qendra shëndetësore, në majë të një kodre, me të cilën mund të komunikohej nëpërmjet një rruge si edhe nëpërmjet një monopati. Gjermanët, si duket, e kishin llogaritur me përpikmëri që të ndodheshin në majë të kodrës, ndërsa ishte duke u gdhirë. Partizani që bënte roje, për arsye që nuk dihet, i dalloi ushtarët gjermanë me shumë vonesë, kur ata ishin vetëm disa dhjetra metra larg, ndërsa po ngjiteshin nëpërmjet monopatit. Ai filloi të bërtasë, në mënyrë që shokët të zgjoheshin nga gjumi, ndërsa vrapoi drejt ndërtesës. Ushtarët gjermanë u afruan me shpejtësi dhe qëlluan me breshëri duke e lënë të vrarë ndërsa ai po ngjitej mbi shkallë. Shokët, të zgjuar nga thirrjet e rojës partizane, por dhe të tronditur nga breshëritë e armëve, u befasuan nga numri i madh i ushtarëve gjermanë, që po rrethonin objektin. Numri i ushtarëve gjermanë ishte i madh dhe nuk kishte shans për rezistencë. Vendimi ishte i shpejtë. Thanasi me Todon kaluan një korridor të ngushtë, që kalonte mespërmes objektit. Nga të dyja anët e korridorit kishte dyer, por kishte vetëm një mundësi të shpëtonin: të kapërcenin dritaren, që komunikonte me dhomën e pritjes së banorëve, e cila kishte një derë që komunikonte me oborrin mbrapa godinës. Pikërisht këtë derë kaluan Thanasi me Todon. Papritmas ata u gjendën në mes të dy grupeve gjermanësh, që ndodheshin përkundruall njëri-tjetrit në dy anët e ndryshme të godinës. Ata nuk mund të gjuanin me automatikë, pasi ndodheshin në rrezen e zjarrit të njëri-tjetrit. Ende nuk kishte gdhirë mirë. Ishin veçse disa caste, që mund të shfrytëzoheshin. Thanasi me Todon kalojnë me shpejtësi oborrin e ngushtë duke qëlluar me revole në drejtim të ushtarëve gjermanë dhe hidhen mbi avlli duke tentuar ta kapërcejnë atë sa më shpejt. Në këtë kohë, gjermanët mund të gjuanin, pasi Thanasi me Todon nuk ishin më në vijën e zjarrit ku gjermanët të rrezikonin të qëllonin njëri-tjetrin, ndaj breshëritë e automatikëve u drejtuan ndaj tyre. Thanasi mbetet i varur mbi avlli, i goditur nga një plumb vdekjeprurës. Todo kapërceu avllinë dhe u ndodh në një pjesë të thepisur të kodrës, e pakalueshme në kushte normale.
Ismail Kadare dhe filmi Radiostacioni.

Në vitin 1972, Todon e merr në telefon Mihal Ciko, shok i Todos dhe punonjës i Radio-Tiranës qysh para çlirimit të vendit. Ai i kërkoi Todos që të bënin një takim. Në fakt, takimin e kishte kërkuar shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare, i cili ishte duke shkruajtur një roman mbi ngjarjet në ditët e çlirimit të Tiranës dhe në veçanti mbi ato të Radio-Tiranës. Si duket Ismaili ishte informuar nga Mihali apo punonjës të tjerë të Radio-Tiranës, që Todo ishte partizani që kishte marrë Radio-Tiranën në dorëzim dhe i dinte ngjarjet më mirë se kushdo tjetër. Todo pranon me kënaqësi që të takohet dhe i fton në shtëpinë e tij.
Takimi u bë në shtëpinë e Todos. Mihali dhe Ismaili ndejtën disa ore duke biseduar. Prezente në takim ka qenë Tefta, e shoqja e Todos. Todo ia tregoi Ismailit me detaje të vërtetën e atyre ditëve.
Natyrisht, në libër apo film ngjarjet tregohen artistikisht të kombinuara me abstraksionin dhe trillimin dhe nuk ka përse t’i përmbahet përpikmërisht historisë së vërtetë. Por, në mungesë të librave dhe filmave historikë, këto ngjarje, në kujtesën e njerëzve mbeten si të vërteta.
Në rastin konkret, në mungesë të historikut të Radio-Tiranës, ka një përceptim të gabuar, një deformim të ngjarjeve reale të treguara në libër dhe në film rezultojnë të jenë larg së vërtetës. Pikërisht për këtë arsye, në çdo rast, duhet që historia të tregohet realisht dhe me fakte.

Disa ditë mbas botimit të librit artistik, në shtëpinë e Todos erdhën shumë shokë e shoqe, ish punonjës të Radio-Tiranës. Shumë nga ata, ndërsa ishin rreth moshës 70-vjeçare, ishin të indinjuar, të mërzitur e të përçmuar, e gjenin veten të tjetërsuar në libër. Në libër shtrëm- broheshin historitë e atyre njerëzve, të atij nëntori të Radio-Tiranës: ngrihej në piedestal figura e Enver Hoxhës dhe viheshin në lojë zonjat me peliçe, punonjësit që merreshin nga shtëpia brutalisht por, edhe partizanët e pagdhendur, të cilëve u ra në dorë Radio-Tirana. Todo i qetësonte duke arsyetuar që nuk mund t’i kërkohej llogari një shkrimtari, pasi ai kishte krijuar një vepër artistike duke abstraguar nga ngjarjet e vërteta. U tregonte shokëve dhe shoqeve që ia kishte treguar shkrimtarit ngjarjet ashtu si ishin në të vërtetë, por edhe atë vetë, Todon, shkrimtari e kishte ndarë në 2 personazhe. Rezulton që figura e Todos është ndarë artistikisht në atë të komisarit të ditur dhe autoritar, që organizon punën në Radio- Tirana, dhe nga ana tjetër në atë të partizanit të paditur, që rrëmbeu mikrofonin dhe foli për herë të parë. Për më tepër, çdo kontestim do konsiderohej përpjekje për të ulur rolin e Enver Hoxhës.
Për fat të keq, edhe sikur të ishin shkruajtur artikuj, influenca e librit dhe më pas e filmit që u bazua në këtë libër, do të prevalonte. Gjithsesi, më poshtë, do të tregojmë disa episode të veçanta të cilat tregojnë të vërtetën e atyre ditëve të mbështetur në fakte.

Punonjësit e Radio-Tiranës nuk u morën me forcë nga shtëpitë e tyre.
Siç e kemi treguar më përpara, punonjësit e Radio-Tiranës ishin patriotë dhe liridashës. Disa prej tyre u paraqitën vetë menjëherë, porsa morën vesh që Radio-Tirana ishte çliruar, ndërsa të tjerët mbërritën menjëherë, porsa u çlirua Tirana. Todo, ka dërguar shokë e shoqe në familjet e disa punonjësve për t’u interesuar për shëndetin dhe për t’i lajmëruar që të vinin në Radio, por kurrsesi nuk ka ndodhur që të çonte grup të armatosur për t’i marrë me zor. Për të ardhur keq! Shumë intelektualë, gra e burra, 30 vite më vonë, ishin të zhgënjyer nga trajtimi që i bëhej sikur i kishin marrë me dhunë për të punuar në Radio-Tirana.
Radio-Tirana rifilloi transmetimet si radio serioze.
Siç është përmëndur më përpara, shumë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm interesoheshin dhe telefononin shpesh në Radio- Tirana. Ata flisnin drejtpërsëdrejti me Todon. Fillimisht ishin të interesuar se kur do të rregullohej radiostacioni dhe kur do të fillonte transmetimet Radio-Tirana. Pra, interesimi për Radion ishte i madh në ato ditë nëntori. Në një libër shkruhet sikur Enver Hoxha ka marrë në telefon për të tërhequr vëmendjen se Radio Tirana po keqpërdorej si qendër zëri. Që Enver Hoxha merrte shpesh në telefon kjo është e vërtetë, por që ai të ketë marrë në telefon se po keqpërdorej Radio-Tirana, kjo s’është aspak e vërtetë.
Një gjë të tillë nuk e mbante mend asnjë punonjës!
Duhet të kemi parasysh se, Enverit i bënin rëndom lajkatime në libra e filma artistikë, por ky fenomen u bë më i theksuar në vitet 1970-1980. Në rastin konkret, padrejtësisht autori ngrinte figurën e Enver Hoxhës duke denigruar padrejtësisht ish-punonjësit që, në fakt ishin të njëjtët profesionistë, që kishin punuar prej shumë vitesh në Radio-Tirana.

Si është e vërteta, a është përdorur Radio-Tirana papërgjegjshmërisht!?
Ishin ditët e para pas çlirimit! Familjet ishin në ankth… Shumë partizanë donin të lajmëronin familjet e tyre që ishin gjallë pas luftimeve të ashpra të muajve tetor dhe nëntor.
Todo, në dakortësi me drejtuesit e emisioneve, përdorën me zgjuarësi emisionin “Muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve”, i cili ishte transmetuar edhe para çlirimit. Gjatë këtij emisioni partizanët përshëndetnin familjet e tyre me këngë. Në kushtet e mungesës së funksionimit të postës dhe të linjave telefonike, kjo ishte mënyra më e mirë dhe e zgjuar për të lajmëruar indirekt familjet e tyre se ishin gjallë dhe gëzonin shëndet të mirë.
Nga ana tjetër, ishte mëse normale që në një vend të porsa- çliruar, partizanët të lajmëronin familjet duke mos shkelur asnjë normë dhe etikë komunikimi publik me radio. Për më tepër, ky emision u transmetua me të njëjtën strukturë për një kohë të gjatë pas çlirimit:
ishte transmetuar edhe para çlirimit. Gjatë këtij emisioni partizanët përshëndetnin familjet e tyre me këngë. Në kushtet e mungesës së funksionimit të postës dhe të linjave telefonike, kjo ishte mënyra më e mirë dhe e zgjuar për të lajmëruar indirekt familjet e tyre se ishin gjallë dhe gëzonin shëndet të mirë.
Nga ana tjetër, ishte mëse normale që në një vend të porsa- çliruar, partizanët të lajmëronin familjet duke mos shkelur asnjë normë dhe etikë komunikimi publik me radio. Për më tepër, ky emision u transmetua me të njëjtën strukturë për një kohë të gjatë pas çlirimit.
Flet “Nderi Kombit”, Bujar Asqeriu
Si më zgjodhi Rikard Larja për filmin “Radiostacioni”


Rikard Ljarja më propozoi që të luaja në filmin e tij të ardhshëm të titulluar “Radiostacioni” sipas romanit të Ismail Kadaresë ‘’Nëntori i një qyteti”. Në rrëfimin për Telegraf shprehet: Unë isha akoma student dhe ndërkohë kisha filluar dhe filmin e parë me Anagnostin “Në shtëpinë tonë” dhe akoma nuk e kisha mbaruar. Rikardi vjen dhe më shikon në një provim dhe më thotë mua se do të vish dhe do të luash tek filmi me partizanë. Unë atëherë isha një djalë relativisht i dobët dhe Rikardin e shikoja me shumë respekt dhe mirënjohje për rolet, që kishte luajtur dhe kisha besim absolut në filmin që ai do të realizonte. Sa u njoha me skenarin ai më jep rolin e Sherif Gorenit e mitralierit të skuadrës partizane, e cila sulmon për të marrë radiostacionin e Tiranës. Vetë Rikardi ishte komandanti jonë dhe unë do them disa impresione shumë të veçanta në realizimin e këtij filmi. Gati 70% e xhirimeve ne i kemi bërë natën dhe për mua që isha student akoma përbënte një vështirësi, sepse të nesërmen duhet të shkoja edhe në shkollë. Mbaj mend se mund të kisha rënë 10 kg në peshë. Më iku oreksi meqë qëndronim gjithë natën mes baruteve, në mes tymërave që lëshoheshin në mes të luftës. Por ngarkesa e madhe ishte mitrolozi që unë duhej të luaja me të dhe duhet të gjuaja me të ishte rreth 25 kg. Ishte nga ata mitrolozët gjerman dhe me gunë duhej të vrapoja me mitroloz dhe duhej të ulesha, të ngrihesha dhe të vrapoja. Ishte një zbor ushtarak i atyre viteve në shkallët më superiore. Por ajo që kam përfituar më shumë nga realizimi i këtij filmi ishte mënyra se si i drejtonte Rikardi neve e fshimë fare praninë e kameras sikur nuk po xhironin, ne na dukej sikur po bënim një betejë të vërtetë reale, dhe nuk e kishim mendjen se ku ishte kamera. Nga ana profesionale ky film më ka ndihmuar shumë për të hequr sygjestionin dhe magjinë që të krijon prania e kameras. Futeshim në sheshin e xhirimit dhe vepronim sipas detyrave që na përcaktonte Rikardi me lehtësinë më të madhe, me dëshirën më të madhe, edhe pse lodhja ishte shumë e madhe. Ishte një lodhje tejet mundësive dhe kapaciteteve që të mos harrojmë se edhe ushqimet që përdornim ne atëherë, lodhja e kalonte atyre ushqimeve dhe vitaminave që merrnim nga ushqimi, por emocioni shumë i madh që ishim në shesh të xhirimit që po realizonim një ide të madhe që të merrnim radiostacionin, i cili do të komunikonte jo vetëm me Tiranën, por edhe me të gjithë popullin shqiptar dhe do transmetonte nga lajmet më të thjeshta dhe deri tek gjërat më të rëndësishme. Kjo na optimizonte punën tonë në atë kohë që ne e quanim shumë të rëndësishme që ky radiostacion do ta merrnim ne dhe që ruhej me forca të mëdhaja gjermane dhe marrja e Radistacionit përbënte një gjë shumë të rëndësishme për të dhënë mesazhin e madh se çfarë roli të madh ka media në shoqërinë njerëzore. Media është një pushtet i fuqishëm ndoshta atëherë neve nuk e preceptonim si tani, por e vërteta kjo është. Media është pushtet, dhe lum ai vend që e ka median të lire, që respekton median, mesazhet e tyre janë mesazhe lirie, mesazhe shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë sot sidomos për politikën shqiptare që nuk e respekton.
-Nesër do lexoni:
-Todo Bojdani i armatosur, drekë në restorantin “Dodona” në një tavolinë me oficerin gjerman.
– Si u cilësua “Radio-Tirana – çerdhe komunistësh” .
-1 tetor, 1943 si filloi Operacioni i befasishëm i batalionit gjerman në Vithkuq.
-Enver Hoxha radiogram urgjent partizanëve në Jug: Anglezët të shikojnë punën e tyre.
-Në datën 30 tetor 1944, Shtabi i i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare urdhëron Shtabin e Korparmatës të fillojë përgatitjet për çlirimin e Tiranës.



















