Vangjush Saro: Pse të përçarë ne shqiptarët?

185
Sigal

Është fakt që ne shqiptarët jemi të ndarë e të përçarë në shumë aspekte të së shkuarës: lufta, paqja, diktatura, tranzicioni, zhvillimi a prapambetja… Por le t’i lëmë përkohësisht ato sherre; tash, janë bërë ca më të rënda kundërshtitë tona në dinamikë, pra ato të ditës. Ne jemi të ndarë e të përçarë për gjëra tejet të rëndësishme, që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e qytetarëve, më tej edhe të brezave që po vijnë. Kur themi kështu, nuk se është fjala për të bërë sërish turmën dhe besimin e verbër; por në disa tema të rëndësishme, kudo në botë, qytetarët gjejnë njëri-tjetrin dhe administratat vendojnë vullnetin e tyre. E jo, ne s’dëgjojmë nga ai vesh. Na pëlqen të jemi të përçarë. Dhe kështu: popull i përçarë, qeveri në qar… Pra, me fitim, sepse sundon lehtësisht dhe pa u trazuar fare. Kalon nga njëri skandal në tjetrin, pa i hyrë gjemb në këmbë. Bën plane që të fitojnë oligarkët në kurriz të jetës e të normalitetit të qytetarëve të saj.

Se vriten, se vjedhin, se shtypen, këto panorama s’e trazojnë atë; qeveria është me qarin, me fitim domethënë. (Kështu ka qenë gjithnjë, në mos më keq; nuk dua të bëj dallime, dekada të tëra po ai refren.) Ne jemi të ndarë e të përçarë nga ta kapësh, bie fjala, sa i takon sigurisë e mirëqenies së qytetarëve, (që të mos shtyhemi gjer te pensionistët). Po të shohësh disa emisione e show në TV, beson se ky është një vend shumë i zhvilluar, shumë i përparuar, thyen çdo lloj tabuje dhe njerëzit e sërës ‘së lartë’ e bëjnë tualetin dhe vishen sipas modës më të fundit (edhe në u dukshin karnaval). Diametraliteti prodhohet falë degjenerimit të kuptimit të demokracisë, nga snobë e snobe, që janë në qiellin e shtatë. Koketat – me këtë fjalë nënkuptoj ata dhe ato që kanë pushtuar qeverinë, institucionet, televizionet, rrugët – kanë problem si të pasurohen e si të bien në sy; ata e hedhin tutje çdo vlerë të vërtetë. Ndërkohë, të tjerë, shumë të tjerë, përballen të shkretët me probleme të mbijetesës. E megjithatë, ka asi (patjetër nga ata afër apo të lidhur me pushtetin) që thonë se nuk është edhe fort keq, shtyhet. Shoqëria shqiptare s’ka qenë kurrë kaq e polarizuar në jetesë, në mendësi gjithashtu. Ne jemi të ndarë, bie fjala, për ndërtimet në Tiranë. Ka sërish edhe që i lëvdojnë ato, i ngrenë në qiell, siç ngrihen vetë kullat e frikshme e të zbrazura jetësh. Duket qartazi që ato ia kanë marrë frymën kryeqytetit, banorëve të tij; ato dhe të zotët e tyre kanë ngushtuar gjer në mjerim hapësirat për një jetë normale. Si mund të jetë ndryshe, kur nuk ka mbetur një pëllëmbë tokë e lirë betonesh! (“Një fëmijë tha: Ç’është bari?”  W. Whitman). Ne jemi të ndarë gjithaq në lidhje me ndërtimet e tjera, planet e ‘stërmëdha’ të qeverisë aktuale, bie fjala ato që po i turren Durrësit tremijëvjeçar, që e kanë katandisur për të qarë, se shkoi dhe në rimë. Flitet për heqjen e Portit, hapësirë ku pretendohet të bëhen kulla, etj. si në Dubai thonë (!) Por sikur të uleshim me këmbë në tokë për një çast? Kujt i kanë marrë lejë këta që thurrin ëndrra e përralla të tilla, në të cilat nuk merret vesh ku është zhvillimi dhe ku është mjerimi? Qytetarëve të Durrësit jo; se po t’i pyesësh ata, kanë të tjera halle, ndryshe nga oligarkia që mëton të pastrojë paratë. Në Durrës, bie fjala, uji vjen një herë në ditë… dhe, besoj, kjo u vë kapak të gjitha dënglave të pushtetarëve. Punët fillohen nga shërbimet elementare. Të hidhesh përpjetë për plane aso, do të thotë që po shkallon. Ne jemi të ndarë edhe përsa i takon trafikut në kryeqytet e në disa zona të afërta me të. Këtu, në orë të caktuara, zbret dreqi vetë, nuk ke nga mban fare. Ngrijnë e uturijnë në vend dhjetra makina e mjete të tjera, rrugët e ngushta mbushen me tym e, kur të jetë vapë, e dini vetë se gjer ku shkon mërzia e smogu. Mirëpo disa, prapë mendojnë që s’është ndonjë hall i madh, prapë shtyhet. Ne jemi të ndarë në çështjen e qëndrimit që duhet mbajtur ndaj pushtetit absolut e qeverisjes harbute. Më kujtohet, para disa javësh, vetë ambasadorja amerikane Y. Kim u shpreh pak a shumë që udhëheqësit (e Shqipërisë – V. S.) duhet të zgjedhin se kush e ka në dorë këtë vend, qytetarët apo kriminelët dhe se paratë e pista bëhen pallate e resorte turistike. E ndërkaq, çfarë përgjigje dha qeveria dhe cili është qëndrimi i qytetarëve ndaj kësaj panorame dramatike? (“Një popull i strehuar brenda zërit të tij…” Xh. Xhojs). Ne, gjithashtu, jemi të ndarë edhe sa u takon nderimeve dhe çdolloj ceremonie zyrtare. Ju kujtohet ajo rruga që njëherë i thanë 4 Shkurti, njëherë Ibrahim Rugova, dhe pastaj e ndanë më dysh? Tash një sërë rrugë e shkolla emërtohen sipas interesave të çastit dhe në bazë të njohjeve dhe përfshirjes (të të emërtuarve) në aksh grup politik a sektor të administratës. Nderimet bëhen për motive politike, për afera vetjake, për hir të fushatave zgjedhore, pa i përfillur fare institucionet përkatëse nga duhet të vijnë propozimet për këto nderime. Nderimet janë katandisur në çnderime, duke i përqeshur ato, duke e bërë atë vend një fshat të qeverisur nga fisi e partia. Ne jemi të ndarë e të përçarë, o Zot, por keq fare… Bravo qeveria, qeveritë, që e kanë kuptuar!