Kujtimet e Jaup Dabullës/ Të fshehtat e jetës në Bllok. Cili byroist flinte vetëm, e jo me gruan

2033
Sigal

 Stërvitja në Piramidën 43 në Strugarë që alarmoi Enverin, Mehmetin e Hysniun. Pse vajti Enveri në Qafë Thanë, ku u arratis Panajot Plaku

Kujtimet e Jaup Dabullës

  • Stërvitja në Piramidën 43 që alarmoi Enverin, Mehmetin, Hysnin, Kadru\iun dhe gjithë Byronë Politike
  • Në stërvitje duhej thënë fjala “Provë” e cila pa dashje nuk u tha nga centralistja dhe u përcoll: Në piramidën 43 të postës kufitare të Strugarës në Gjirokastër njësiti kufitar shqiptar është përplasur me armë me kufitarët grek
  • Kadri Hazbiu me këtë “gabim” e përcolli tekstin tek Hysni Kapua, se Mehmet Shehu ishte për gjueti në Bogovë të Skraparit.
  • Hysni Kapua e kishte çuar informacionin tek Enver Hoxha.
  • Enveri kur e kishte lexuar tekstin në moment kishte bërë këtë shënim . “Kadri! Ç’është kjo paçavure që më dërgove? Situata me Greqinë nuk është kështu”.

-Enver Hoxha i tërbuar në Qafë Thanë për të parë se si ishte arratisur Panajot Plaku

-Si qeshi Enveri kur Sulo Gradeci i tha që oficerio rojes kishte shkruar: Në shtëpinë afër vilës së Enverit një qen lehu 900 herë

– Enver Hoxha nuk bëri një herë gjumë të qetë, nuk u deh asnjëherë dhe nuk i hodhi syrin një femre asnjëherë

– Enver Hoxha i donte armët si të qenë piktura, mbante armë dhe në dhomën e gjumit, ku flinte i vetmuar dhe gabojnë kur thonë s’ka luftuar

– Paçka se kurrë nuk piu kafe me Enver Hoxhën, ai, tmerrohej po të dëgjonte një gjysëm fjale të keqe për Enver Hoxhën

-Tyrylyly-ja, e Enver Hoxhës ishte një brocckull e shpikur ndoshta nga Kadri Hazbiu pasi as që mendohej që Enveri të qe jashtë kontrollit

-Kadri Hazbiu kishte urdhëruar, që kjo “lajthitje” e Enver Hoxhës të mos përhapej, pop se Kadriu?

Nga qëmtimet kokërr më kokër e ndonjë që e la në ndonjë copë letër, Jaup Dabulla, dhe sidomos të atyre, që i molloisi mes shokësh, miqësh e në familje janë dhe mbresat e tij për harxhimet, që bënte vet Enver Hoxha dhe familja e tij. Për shkak të sëmundjes së diabetit Enver Hoxha nuk e “mbushi barkun me bukë” thoshte Jaup Dabulla. Në Drilon Enver Hoxha kishte kërkuar dhe një fetë bukë dhe mjeku nuk e kishte lejuar. Jaup Dabulla qe ndodhur me shërbim kur qe martuar djali i madh i Enver Hoxhës, Iliri. Ai nuk kishte parë në dasëm asnjë lloj bollëku dhe as gëzim të shfrenuar. Kur dasma kishte mbaruar Haki Toska në të dal, meqënse kishte muhabet me Jaupin, tek i jep dorën, pa i thënë natën e mirë, e pyet: “A u dhanë ndonjë gjë për të ngrënë se ti Jaup me shokët keni këtu gjithë natën?”.  Jemi me shërbim shoku Haki i qe përgjigjur Jaup Dabulla me ndrojtje. Haki Toska me të qeshur i kishte thënë: Jemi gjirokstrit ne. – Nuk ka: – “Ha Muço! Pi Muço!” Dhe i kishte treguar atë këngën që e këndonin në sofat e gjirokastrës: – /Vajta në Kardhiq/ /Bleva një ok fiq/ /I mata me ziq/ /Më dolën eksiq/.

 

          Jeta e Bllokut kishte shumë të fshehta.

Ndonjë prej tyre as vetes nuk duhet t’ja përshpërisje. Jaup Dabulla e dinte se Enver Hoxha nuk flinte me të shoqen, Nexhmijen. Tek dera e dhomës,  ku flinte fillikat Enver Hoxha bënte roje ushtaraku i Gardës, Skënder Alika (është gjallë). Gjithashtu fill i vetëm flinte dhe Mehmet Shehu. Por këtë detaj të cilin e dinin ushtarakët e Drejtorisë së Dytë nuk duhet ta merrte vesh askush. Regjimi i jetës së Enver Hoxhës qe i veçantë. Se ç’bënte me jetën e tij e dinte vetëm ai. Në një rast Jaup Dabulla u ndodh në Drilon të Pogradecit. Tek vila në një dhomë flinte Enver Hoxha, dhe po aty, në një krevat tjetër pushonte gjithashtu dhe Nexhmija. Çifti kishte rënë në gjumë. Por krevati i Nexhmijes papritur bën një kër – këre të lehtë. Enver Hoxhës i doli gjumi. Nexhmije Hoxha e ndjeu. U ngit në majë të këmbëve dhe e mbylli derën me shumë terezi. Fjeti me merak në një dhomë tjetër. Ishte koha kur Enver Hoxhës i qenë shfaqur problemet shëndetësore. Një jetë qëndrova pranë Enver Hoxhës thoshte shpesh Jaup Dabulla. Ai qe një i vetmuar i madh.

Në rrugët e Bllokut, Jaup Dabulla, kishte dëgjuar nga grupi i shoqërimit se Enver Hoxha kishte një vajtim të veçantë burri. Shoqëruesit nuk e kuptonin dot. Kur u dha një koncert në Pallatin e Kulturës, dhe këngëtari lab nga Kallarati këndoi këngën: – Ç’u këput një këmbë mali”, Enver Hoxha filloj të lotoj dhe me zë të ulët i mbante iso kallaratasit. Nexhmije Hoxha u shqetësua. Enver Hoxha e sqaroi vetë Nexhmijen. Edhe unë i tha ai ashtu si ai këngëtari kam mërmëritur duke qarë nëpër dhomë fillikat. Kjo e qarë me lehtësonte dhimbjet në shpirt dhe ndihesha më mirë. Në vitet e fundit Jaup Dabulla pinte kafe me Sulo Gradecin. “Ku është Enver Hoxha tjetër nëpër filma” i thoshte ai Sulo Gradecit. Janë qindra orë filma. Po kush i ka? Po kështu ka dhe mijëra foto. Më të mirat i ka ish fotoreporteri i gazetës, “Zëri i Popullit”, Niko Xhufka.

           Jaup Dabulla kishte shkuar për një hall personal tek sekretari i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi. Sekretari i Enver Hoxhës qe shumë i tronditur. Por dhe në të gjitha zyrat e Komitetit Qëndror sikur kishte rënë “bomba”. Qe bërë një stërvitje në Ministrinë e Brendshme për kohën dhe shpejtësinë e inforamcionit nga piramida deri tek Komandanti i Përgjithshëm. Informacioni fillonte qysh nga piramida 43 në postën kufitare të Strugarës në Gjirokastër e vazhdonte shkallë – shkallë deri tek Kadri Hazbiu, Hysni Kapua, Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha. Informacioni që do të transmetohej në stërvitje kishte këtë tekst: – “Në piramidën 43 të postës kufitare të Strugarës në Gjirokastër njësiti kufitar shqiptar është përplasur me armë me kufitarët grek dhe si pasojë është vrarë një kufitar shqiptar si dhe janë plagosur dy kufitar grek”. Oficeri që do ta niste informacionin do të thoshte patjetër fjalinë: – “Informacion provë!”. Dhe kështu filloj stërvitja që nga piramida. Në çdo shkallë oficerët ndërmjetës, që matnin kohën thoshin: – “PROVË”. Por kur informacioni vajti tek centralistja e Ministrisë së Brendshme ajo nuk e tha fjalinë: – “Informacion provë!”. Kadri Hazbiu me këtë “gabim” e përcolli tekstin tek Hysni Kapua, se Mehmet Shehu ishte për gjueti në Bogovë të Skraparit. Dhe Hysni Kapua e kishte çuar informacionin tek Enver Hoxha. Ai kur e kishte lexuar tekstin në moment kishte bërë këtë shënim . “Kadri! Ç’është kjo paçavure që më dërgove? Situata me Greqinë nuk është kështu”. Kaq qe mjaftuar dhe qe bërë kjameti. U shkarkua nga detyra gjenerali që drejtonte Drejtorinë e Kufirit, dhe u dënuan gjithashtu dhe shumë ushtarak të tjerë.

Nga qindra intervista me ish oficer të Gardës flitet edhe për një përshtypje të Jaup Dabullës kur Enver Hoxha po shkonte në një nga pleniumet e komitetit të partisë të rrethit të Pogradecit. Në Qafën e Thanës, Enver Hoxha, në një nga lokalet buzë xhades kishte thirrur komandantin e kufirit të Pogradecit. Ishte arratisur Panajot Plaku mbi doganën e Qafës së Thanës, ku ishte dhe posta e kufirit. Siç ka treguar Jaup Dabulla atë ditë Enver Hoxha ka qenë shumë nervoz. Se çfarë i tha Enver Hoxha komandantit të kufirit askush nuk e mori vesh. Me të ikur komandanti i kufirit Enver Hoxha u ul në një tavolinë me pamje nga mali i Thatë. Tek këmbët e Enver Hoxhës erdhi një zog gushkuq shumë i bukur. Zogu nuk kishte frikë dhe çukiste me sqep në majën e këpucës të Enver Hoxhës. Enver Hoxha i hodhi ca fara luledielli që ja dha Sulo Gradeci. Gushkuqi filloj te hajë duke kërcyer nga njëra këpucë në tjetrën. “Eh more gushkuq” kishte thënë kamarieri i lokalit. Po ta dije ti se kush po të ushqen do ta kishe ngritur në krah Malin e Thatë e dotë fluturoje nga gëzimi mbi liqen.

 

               Enver Hoxha qeshte shumë rrallë ka treguar mes miqësh, Jaup Dabulla.

 

Jeta e Enver Hoxhës i ngjante një cikloni e ka vazhduar më tutje rrëfimin ai. Por nuk mungonin as çastet e bukura. Tek vila, ku pushonte Enver Hoxha në Vlorë, Sulo Gradeci gjatë kontrollit të shërbimit në zyrën e oficerit të rojes lexon në proces – verbalin e dorëzimit të shërbimit dhe një shënim, që atij i kishte bërë përshtypje të madhe. Në proces – verbal ishte shkruar: – “Sonte duke filluar që nga ora 20 e deri sa u gdhi një qen, në të majtë të përroit që vjen nga Shashica, ka lehur 900 herë. Rrëzë Përroit të Shashicës është një shtëpi private. Oficeri që mer shërbimin në mbrëmje ta ndjek ketë informacion,  që po e evidentojmë në dorëzimin e shërbimit”.  Sulo Gradeci e kishte gjetur kohën dhe i kishte thënë Enver Hoxhës atë që e kishte lexuar në shënimet e shërbimit të oficerit, që ruante gardhin rrethues të vilës. Enver Hoxha kur e kishte dëgjuar kishte qeshur me të madhe. Po si ja numëroj qenit të lehurat deri në 900 herë kishte thënë ai me buzë në gaz.

              Ish kolegët tregojnë se Jaup Dabulla në jetë ka pasur tri pika të dobëta.

 

Ai e donte shmë Dunavatin ku lindi, Bllokun ku shërbue gjithë jetën, dhe rrugën “Myslim Shyri”, ku banoi me familjen. Në kafenetë e “Myslim Shyrit” Jaup Dabulla ka treguar shumë ndodhi.  Ato kanë mbetur të si buqeta trëndafilash nëpër tavolina. I blinte të gjitha albumet që botoheshin me foto të Enver Hoxhës. Pasi i shikonte albumet ai mbetej i pakënaqur. Ja kishte thënë Sulo Gradecit dhe Llambi Peçinit se duhej shtuar në organik një fotograf, që të mos i ndahej për asnjë çast Enver Hoxhës. Por nuk dihej se çdo të thoshte Enver Hoxha? Ai nuk lejonte teprime. Kjo punë i mbeti Sulo Gradecit. Gjithsesi Sulo Gradeci e kishte të pamundur. Jaup Dabulla nuk do ta harronte një moment nga pamjet, që i kishin mbetur në mendje kur ai shoqëronte në distancë Enver Hoxhën. Një mëngjes vjeshte, Enver Hoxha, doli nga shtëpia e pushimit në Ujin e Ftohtë në Vlorë,  dhe u ul mbi një shkëmb mbi vilën e Mehmet Shehut. Frynte era e Sazanit dhe flokët e Enver Hoxhës trazoheshin nga erërat që “grindeshin”. Oh çfarë pamje kishte thënë me vete Jaup Dabulla. Si nuk ka një fotograf! Momente të tilla kishte me qindra e me mijëra.

Jaup Dabulla u thoshte vartësve, që ata duhet të ishin jo vetëm oficer të zot, por dhe ekonomist të mirë. Vetë Jaup Dabulla përgatitej sa herë që udhëheqësit shkonin në rrethe me shërbim. Duhet të dinte gjithçka. Sa ishte relaizuar plani i mishit, i qumështit, i grurit dhe i misrit. Kishte qëlluar që udhëheqës të veçantë t’i pysenin shoqëruesit për ndonjë tregues. Kur Mehmet Shehu e kishte pyetur krejt rastësisht një drejtues kryesor të shërbimeve të Gardës për një problem ekonomik, oficeri kishte ngrirë dhe e kishte vështruar kryeministrin i hutuar e i bërë baltë muri. Dhe Kryeministri, Mehmet Shehu, me ironi e kishte krahasuar hutimin e oficerit me fatin e lepurit të egër. Qëllon kishte thënë kryeministri, që lepujve të veçantë, u del brenda në vesh një gjendër sa një kokërr gështenje, dhe lepurit i bllokohet dëgjimi. Shurdhohet. Po të doli përpara ky lepur që vështron kot së koti si guak, ai, është shurdhuar nga “gjendra”. Lepuj të tillë të shurdhuar nuk duhet t’i vrasësh me armë zjarri. Është gjynah dhe krim. Lepuri shurdh nuk dëgjon as të lehurin e zagarit. Ata i kap dhe me dorë.

Jaup Dabulla e ka thënë në shumë vende, që kur shërbente pranë Enver Hoxhës, se “shokët” e Enver Hoxhës jetonin mirë. Bënin dhe zullume. Si gjirokastrit Jaup Dabullës i vinte inat, që, ai, Enver Hoxha nuk u gëzua kurrë. Edhe nipërit dhe mbesat ja hiqnin nga prehëri se “kishte punë”. Enver Hoxha nuk bëri një herë gjumë të qetë. Të ishte dehur një herë e ndonjë femre t’i hidhte sytë. Në shpirtin e tij gurgullonte vrer rrëkeja e keqe. Enver Hoxha donte ta bënte “lule Shqipërinë”. E për ta realizuar këtë, ai, s’qe as i lirë, as i lumtur e as familjar. Mbillte lule, por nuk e linin gjëmbat. U fik një çikë e nga një çikë.

Nga kujtimet e Jaup Dabullës të mbledhura lule më lule, gur më gur e nëpër burrat me spaleta, ngeca në një pikë.

 

Jaup Dabulla kishte hedhur poshtë atë që e thoshin lart e poshtë, dhe në shërbimet e Gardës se “Enver Hoxha nuk kishte qëlluar kurrë me armë. As në luftë”. Jaup Dabulla thoshte se Enver Hoxha i donte armët si të qenë piktura. Mbante armë dhe në dhomën e gjumit, ku flinte i vetmuar. Disa nga kolegët e Jaup Dabullës thonë, që të mos e përfshij në libër këtë detaj. Pyeta Skënder Alikën, mikun e Jaup Dabullës, që është gjallë (93 vjeç). Zoti, Alika, si ironik që është më tha: – “Shkruaj ç’të duash. Të gjithë kanë vdekur”. Unë u ndjeva keq dhe aty për aty i thash se nuk mund të botoja një “kujtim të pashkruar”, nëse ai nuk është i vërtetë. Kjo do të ishte vetëvrasje. Skënder Alika e mblodhi veten dhe tha me solemnitet: – “Enver Hoxha i bënte të gjitha. Vetëm me femra nuk merrej. Një jetë kam shërbyer edhe tek dhoma e gjumit, ku flinte komandanti. Po. Enver Hoxha e mbante koburen nën jastëk. Nuk ja shkisje dot. Ta maste lulen e ballit dhe pa marrë vijë shënimi.

Jaup Dabulla në shërbimet e tij të gjata pranë Enver Hoxhës nuk i vinte inat që, “mbeti pas derës”.

 

Gjithë jetën qe “truri” i sigurimit të jetës së Enver Hoxhës dhe i byroistëve. Enver Hoxha mbeti për të perëndia e Malit të Gjerë. Paçka se kurrë nuk piu kafe me Enver Hoxhën, ai, tmerrohej po të dëgjonte një gjysëm fjale të keqe për Enver Hoxhën. Për dreq fjalët e gojëve të liga nuk mungonin. Askush në shërbimet e Drejtorisë së Dytë nuk e mori vesh se nga doli një “sekret”, se, “Enver Hoxha kishte filluar të lajthiste”. Ai (Enver Hoxha) një mëngjes i qenkej afruar tek veshi rojes së gardës dhe ja kishte bërë me zë të lart “TYRYLYLYYYYYYYY”. Tyrylylyn, Enver Hoxha, na e ka paska shoqëruar dhe me gjeste. Kjo “broçkull” fluturoi nëpër vendrojet e Gardës, deri në Vlorë e Pogradec. Vesh më vesh thuhej se Kadri Hazbiu kishte urdhëruar, që kjo “lajthitje” e Enver Hoxhës të mos përhapej. Këdo e priste burgu dhe plumbi. Jaup Dabulla e vuajti shumë ketë thashethem. Por si gjirokastrit që ishte, ai, donte të takohej me “djallin”, i cili në fëmininë e tij fshihej në Këcullë të qytetit të Gjirokastrës. Jaup Dabulla u caktua me shërbim në Tropojë gjatë vizitës së Enver Hoxhës. Dhe si asnjëherë tjetër ju afrua Enver Hoxhës, “gju më gju”, tek udhëheqësi bisedonte me malësorët. Dabullën e mundonte ajo “TYRYLYYJA”. Dhe ato ditë në Tropojë dunavatasi erdhi në vete. Enver Hoxha qe aq i kthjellët sa perënditë në majën e Shkelzenit. Jaup Dabulla ka rrëfyar vite më vonë se nga gëzimi, ai, për herë të parë qe dehur me raki.

Në zyrën e tij në Drejtorinë e Dytë (ngjitur me vilën e Haxi Lleshit) Jaup Dabulla priti dhe “poetin” Kiço Spiri. Jaupi kishte dëgjuar nga dunavatasit se Kiço Spiri ishte “marrok”. Dunavatasit të bënin të marrë edhe kur ishe i sakt, le pastaj për Kiço Spirin, që me të vërtetë i kishte ca dërrasa mangët. Jaup Dabulla që priste edhe Mellanin (pijanecin e Gjirokastrës) e gjeti kohën për të pritur “marrokun”. Kiço Spiri ia tha hallin dhe Jaup Dabulla ja zgjidhi në çast me një të rënë të telefonit. Kur Kiço Spiri u ngrit në këmbë dhe e mori për qafe, Jaup Dabulla e qortoi. Mos na turpëro i tha ai Kiço Spirit. Ç’është ajo vjersha për Kiço Ngjelën? Dhe gjithashtu i numëroi dhe ca krijme të tjera me “kleçka”. Se mos na përgojosh shokun Enver. Kiço Spiri siç qe i ngitur në këmbë e kishte kundërshtuar. Unë, i kishte thënë Kiço Spiri, nuk përdor as laps dhe as letër. Nuk shkruaj fare me dorë. Thur ndonjë gjëz kur zëmërohem me të vërtetën. Poezinë për Kiçon (Ngjelën) nuk e kam bërë unë. Mbaj mend që kam kolisur nja dy vargje. Ata që nuk e donin Kiçon e bën qimen tra. As atë vjershën për sekretaren e bukur të komitetit dhe as shumë të tjera. Të tjerët (brenda komiteteve) m’i kanë ngjeshur mua. Hë se mban Kiço Spiri. Më kanë burgosur kot së koti ata të degës dhe më kanë zhdëpur në dru. Unë një fjalë thashë për Kiço Ngjelën, që nuk më priti dhe ata të “komiteteve” e kthyen në “bombë”. Enver Hoxhës nuk i vjen asnjë e keqe nga Kiço Spiri. Unë ruaj dhitë në Zagorie dhe e di se ku më pikon çatia. “Budaraqja”(e liga) është tek ata, të cilët janë në “sofrën e Enver Hoxhës.

Pas përmbysjes së socializmit, një nga ish ministrat komunist, hapi në rrugën “Myslym Shyri” një kafene. Vetë ish ministri shërbente. Jaup Dabulla sa futej në kafene i thoshte: – “Një kafe me pak shoku ministër!”.  Kështu e porosiste e gjithë klientela. “Kafe e raki shoku ministër!” Me ministrin kafexhi, Jaup Dabulla, qëndronte gjatë. Tregonin kujtimet nga poshtë, lart (Jaupi), dhe nga lart poshtë (ministri).

-Më thuaj sot ndonjë gjë të bukur? – i thoshte kafexhiu.

-Po, ja shoku ministër, – i përgjigjej Jaup Dabulla.  – Një nga oficerët e shërbimit gjatë natës në shtëpinë e Enver Hoxhës, mer një libër nga biblioteka. E mori për dreq se i vinte gjumë. Oficeri pasi e shfletoi librin për të larguar gjumin e vendosi përsëri në raft. Por siç qe i përgjumur nuk e puthisi librin në të njëjtin pozicion në raftin e bibliotekës. Pas një dy ditësh Enver Hoxha i thotë Sulos (Gradecit) se ishte lëvizur një libër në bibliotekë.

Frikërat e Jaup Dabullës në shërbimet e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të udhëheqjes qenë të pranishme në çdo sekondë të jetës. Pikërisht për këtë dunavatasi i mbajti sytë hapur. Vetëm një herë u nxitua. Fjalët e liga delnin nga Blloku si dhelpërat nga pylli. As armët nuk i bllokonin dot. Mori dhenë fjala se një nga gratë e udhëheqjes e lante shoferi në vaskën e saj në banesë me shampo franceze, e më keq thuhej se ajo lahej me qumësht, kur në Tiranë zihej rradha për qumësht qysh në tre të natës. Jaup Dabullës i erdhi shumë inat. Por “krimi” qe i pamundur të vërtetohej. Dunavatasi e bisedoi çështjen me Llambi Peçinin, që ai e vlerësonte. Është e pabesueshme e kundërshtonte  Llambi Peçini. Burri i saj është një kont. “Ka femra që e duan atë “pipin” në gojë” i kthehet me të qeshur dunavatasi. Më në fund u gjet “kleçka” dhe shoferi i “krimit” u largua nga puna. Jaup Dabulla e priti hakmarrjen me gjak të ngrirë. Por për fat kjo nuk ndodhi. “Nepërka pikalore” nuk veproi ndaj tij.

 

Përgatiti për botim Albert Zholi

 

Nesër do lexoni:

-Si i dredhoi Beqir Ballikur, ditën kur do arrestohej : Më ëkkron urghent Kadri Hazbiu

-Për shkak të sëmundjes së diabetit Enver Hoxha nuk e “mbushi barkun me bukë” në Drilon Enver Hoxha kishte kërkuar dhe një fetë bukë dhe mjeku nuk e kishte lejuar.

-Kur qe martuar djali i madh i Enver Hoxhës, Iliri nuk kishte parë në dasëm asnjë lloj bollëku dhe as gëzim të shfrenuar

-Në gusht të vitit 1968, roja e Gardës në taracën e Komitetit Qëndror shkrepi pa dashje mitralozin e rëndë “Gulinov”.

Krismat u dëgjuan në të gjithë Tiranën, Hysni Kapo u ngjit në taracën e Komitetit Qëndror.

– Pamja ishte prej morti por situatën e qetësoi Hysni Kapo “për fat nuk kemi viktima”