Flet Spiro Jovani, ushtarak i skafit të udhëheqjes: “Ju tregoj ditët e pushimeve me presidentët”!

41
Sigal

Si u gjend marinasi në skafin, që ishte në shërbim të udhëheqjes së shtetit, takimet dhe bisedat me Enver Hoxhën, Sulo Gradecin dhe Mehmet Shehun. Ja si i kalonin ditët e pushimeve nga blloku në Durrës e deri në Karaburun!

“50 vite më parë, kur zbritëm në Pashaliman, bazë e rëndësishme e nëndetseve, në hapësirën e bazës nuk shikoje këmbë civili, pale femre. Gjithçka të impononte parullën “top sekret”. Kur hymë në postbllokun e bazës së Pashalimanit, mendoheshim e flisnim me njëri-tjetrin: “A do të dalim të gjallë pas 4 vjetësh që këtu?”

Nga Kozma Gjini

Jeta ushtarake, në moshën më të bukur rinore, i dha shansin, fatin dhe kënaqësinë që të ndiente veten me një trup të fortë fizikisht, më të kalitur se kurrë, të njihej e të punonte pranë dhe në shërbim të personaliteteve të larta të vendit. Pasi kreu shkollën e instruksionit, në Pashaliman të Vlorës, (baza ku akustoheshin nëndetëset tona), nëntor të vitit 1966, e më pas, në1967, do të transferohej në Bazën Ushtarake Detare të Durrësit. Edukata dhe disiplina ushtarake e mësoi të dëgjonte më shumë, e të fliste më pak, të bëhej njësh me rregullat ushtarake, pa u mërzitur nga urdhërat dhe udhëzimet edhe pse i duhej të flinte me këpucë në këmbë, sepse armiku “na kishte në grykë të pushkës…” Kishte shkuar për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pas mbarimit të viteve të detyrës ushtarake në dragaminën e Durrësit, për qëndrim korrekt dhe disiplinë e përvetësim të shkëlqyer të artit të marinës detare, më 1969, komanda e repartit vendosi ta mbante kuadër në marinën detare. Ndërkohë, kishte marrë vlerësimin e parë në jetë, dekorohet me medaljen “YLLI I KUQ”. Gjatë punës ka qënë ngarkuar me detyra sa të rëndësishme dhe të vështira, pranë vilave të pushimeve të Enver Hoxhës e që, pas shndërrimeve demokratike, këto mjedise pushimi iu vunë në shërbim të udhëheqësve të rinj të vendit. Z.Spiro Jovani, oficer në pension, me banim në qytetin e Durrësit, flet për herë të parë në median e shkruar dhe ekskluzivisht për lexuesit e gazetës “Telegraf”.

-Z. Spiro, le t’i njohim pak lexuesit e gazetës sonë me një cv të shkurtër rreth staturës suaj civile dhe ushtarake…vendlindja dhe rinia juaj, para dhe pas thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak.

-Jam i datëlindjes 1947. Linda në fshatin Shakuj, të ish-rrethit të Lushnjës. Arsimin bazë e mora në vendlindje. Kam punuar fillimisht në sektorin e bujqësisë, deri sa mbusha moshën 18 vjeç, e më pas, u nisa të kryeja shërbimin ushtarak.Vij nga një familje e madhe me 5 vëllezër dhe 4 motra. Jeta ime pësoi ndryshime gjatë dhe pas veshjes së rrobës ushtarake. Mbase ka qënë struktura fizike e imja (marinarët i zgjidhnin si trupa), një ndër arsyet që u përzgjodha për të kryer detyrën ushtarake në marinë, FLD.

-Ku e keni kryer detyrën ushtarake, në ç’repart dhe qytet?

-U mobilizova për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak më 25 nëntor 1966. Na qethën zero flokët dhe na rrasën në një kamion ushtarak mbuluar me mushama jeshile dhe na shkarkuan në bazën ushtarake të Pashalimanit, Orikum, Vlorë. Shkolla e instruksionit, nga ku pas 3-7 muajsh, pasi të merrnim një profesion që do të na shërbente në anijet mbi e nënujore, apo armatimet e tyre, do të na shpërndanin nëpër reparte të ndryshme të vendit. 50 vite më parë, kur zbritëm në Pashaliman, bazë e rëndësishme e nëndetseve, në hapësirën e bazës nuk shikoje këmbë civili, pale femre. Gjithçka të impononte parullën “top sekret”. Kur hymë në postbllokun e bazës së Pashalimanit, mendoheshim e flisnim me njëri-tjetrin: “A do të dalim të gjallë pas 4 vjetësh që këtu?”.

“Mehmetin e kemi shoqëruar në kohën që gjuante për derra të egër në gadishullin e Karaburunit. Kam patur rastin ta çoja Mehmetin në Raguzë iu ngjit malit të Karaburunit, sepse ai gjuante për derra të egër.”

-Dhe si shkoi më tej jeta juaj ushtarake?

-Fatmirësisht, kur ne ishim në fund të vitit të parë të ushtrisë, erdhi urdhëri nga Ministria e Mbrojtjes (atëhere ministër i mbrojtjes ishte Beqir Balluku), se detyra ushtarake në marinën detare bëhej 3 vjet. Pasi ndenja në shkollën e instruksionit 7 muaj, u ndamë nëpër pikat ushtarake të bregdetit, nga Buna, në Sarandë. Mua (më 1967) më ra fati të kryeja shërbimin në Bazën detare të Durrësit, në anijen e fld, “Dragamina e vogël”. Emrin e kishte marrë kështu, sepse anija si detyrë luftarake kishte mbrojtjen e vendit nëpërmjet armës së minahedhësve brenda, nën det, e kalkuluar që të ishte në thellësinë e ujit që, kur të prekte fundin e anijes armike, thyhej galixhani dhe mina disa tonëshe plaste e hidhte në erë anijen armike.

-Tashmë, rrjedha e jetës suaj mori një kah pozitiv që nuk e kishit menduar ndonjëherë, apo jo?

E vërtetë. As që më kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se do të bëhesha ushtarak e aq më tepër që të isha i besuar i komandës e do të përzgjidhesha për të qënë afër njerëzve të“mëdhenj”, afër udhëheqjes dhe në shërbim të tyre. Punova me ndjenjë përgjegjësie dhe në përfundim të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në fund të 1969, komanda e repartit vendosi të më mbajë në punë si kuadër aktiv në një nga anijet e FLD.

-Atëherë futemi në pjesën më interesante. Si u gjendët ju në skafin në shërbim të udhëheqjes së shtetit? Ju rekomandoi dikush apo ndonjë mik në këtë shërbim?

-Si në çdo sektor, veçanërisht në repartet e gardës dhe sektorëve të tjerë, anekse të shërbimit ndaj udhëheqjes, personat e shërbimit, ushatarakët, zgjidheshin jo thjesht nga testi inteligjencës, por edhe i shtatlartësisë. Fatmirësisht unë i plotësoja të dyja këto kushte dhe ishin të tjerët që më përzgjodhën, kurse unë nuk kisha asnjë mik e s’ kam droje ta them, 50 vjet më parë, nuk kisha qënë asnjëherë në qytetin e Durrësit e jo të kisha mik.

-Nga u gjend…nga erdhi ky skaf që do të vihej në shërbim të udhëheqjes?Ua ka ndryshuar jetën rroba ushtarake?

Në të vërtetë skafi ishte blerë që në vitin 1980 nga shteti, për lëvizjen e udhëheqjes së vendit në ujërat tona, por rrinte stok në kodrat e Rrushbullit, në rezervat e shtetit. Skafi u vu në funksion më 15 korrik 1993…E inauguroi Berisha, të cilin më 17 korrik e çuam për pushime në Vlorë. Më 1997 filluan rrëmujat, protestat për lekët e humbura nëpër firmat. Skafi përdorej për turizmin…transportin e personaliteteve shtetërore.

Cilët persona e përbënin ekuipazhin e skafit?

-Prej 3 vetash përbëhej ekuipazhi. Komandant i skafit ishte tropojani Gëzim Madani. Zv/komandant Spiro Jovani dhe motorist ishte mirditori Preng Nikolla. Kishim shkuarje më së miri me njëri-tjetrin.

-Në bllokun e pushimeve të Durrësit vinte edhe Enver Hoxha. Keni ndonjë episod me të? A ruani ndonjë fotografi?

-Fatkeqësisht nuk na jepnin neve të vegjëlve fotografi. Në dhjetëvjeçarin 1975-85 na dërgonin me detyrë si të përzgjedhur nga komanda…atje  ku pushonte Enver Hoxha e të tjerët. Por e shikonim nga largësia. Në këtë kohë, kryesisht ne komunikonim me Sulo Gradecin, i cili ishte komandant i grupit të shoqërimit të Enver Hoxhës. Me Sulon kisha mjaft takime pune e shërbimi. Kurse Mehmet Shehu ka udhëtuar me skaf. Mehmetin e kemi shoqëruar në kohën që gjuante për derra të egër në gadishullin e Karaburunit. Kam patur rastin ta çoja Mehmetin në Raguzë e iu ngjit malit të Karaburunit, sepse ai gjuante për derra të egër. Kam patur takime edhe me kuadro që u ngritën në detyra të ndryshme, mes tyre ushtarakët: Vasil Petro, Dhori Jorgji, Astrit Mezini dhe Llambi Cili.

“Takimi më mbresëlënës, por edhe më me peshë, më me jehonë,që ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesë, ka qënë ardhja dhe përgjegjësia e marrjes në skaf nga ana jonë e ish-Presidentit të Amerikës, Xhorxh Bush, i cili erdhi nëVlorë. Kjo ndodhi në gusht 1996”

-Në vitet para e pas shndërrimeve demokratike ku keni shërbyer?

-Në vitin 1989 më ngarkuan me detyrën e komandantit të repartit të Përgatitjes e Ruajtjes së Armatimit të Rëndë Detar, një detyrë e vështirë nga rëndësia dhe pozicioni që kishte, sepse ishte edhe koha e vështirë e shndërrimeve demokratike dhe e rënies së firmave rentiere. Në këtë kohë u transferova në Gardën e Republikës dhe konkretisht në Grupin e Shoqërimit të Presidentit të Republikës, me një detyrë të rëndësishme, shërbimi, në Jahtin (Skafin) e Presidentit. Në këtë vit, President i Republikës ishte Sali Berisha.

Kishit rast ta takonit Berishën?

-Takimet me të kanë qënë të pakta, rastësore, në kalim. Kryesisht kemi bërë muhabete familjare.

-Cilin do të konsideronit si takimin më të rëndësishëm nga takimet me të mëdhenjtë?

-Për mua, takimi më mbresëlënës, por edhe më me peshë, më me jehonë, që ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesë, ka qënë ardhja dhe përgjegjësia e marrjes në skaf nga ana jonë e ish-Presidentit të Amerikës, Xhorxh Bush, i cili erdhi në Vlorë. Kjo ndodhi në gusht 1996. Ishte veshur thjeshtë dhe foli me ne mjaft ngrohtë.

-Me presidentin Rexhep Mejdani dhe Fatos Nanon a keni ndonjë kujtim?

-Kur kryeministër erdhi Fatos Nano, president ishte Rexhep Mejdani. Me të dy këta kemi bërë udhëtime detare. Kalonim mirë me njëri-tjetrin. Me Mejdanin, kryesisht bënim muhabete sporti. Mejdani ishte edhe notar i mirë. Kurse me Fatos Nanon takimet ishin më të shpeshta, më të çlirta dhe më popullore. Shfaqte zgjuarsi dhe kishte zakon që për gjërat që na pyeste, i verifikonte vet. Ndonjëherë na provokonte për njohjen e gjeografisë së vendit. Të gjithë bregdetin e brodhi me skaf dhe e pa vet me sy. “Kakomenë”e shkeli vet. Kur vajtëm me skaf në bregdet, ai zbriti dhe e pa tokën aty dhe doli se kishte në plan të investonte ashtu siç ia ndryshoi faqen Kakomesë… e bëri fshat turistik.

Qeshte natyrshëm si të ishim njerëz të njohur. Nano kishte dhe shumë    miqësi me shokë të huaj dhe shpesh takohej me ta. Nano ishte kureshtar i madh dhe donte t’i provonte drejtimin, përdorimin e mjeteve si: skafin, makinën, madje dhe avionin. Nanon e çuam edhe në ishullin e Korfuzit disa herë. Shkonte për bisedime. E morëm nga Korfuzi dhe e çuam në Butrint, sepse dha koncert ansambli rus .Rrinte e rrinte dhe na pyeste neve të skafit: “Kur do ikim nesër çuna?” “Në çdo kohë që të doni ju, ne jemi në dispozicionin tuaj,- i thoshim ne”. Kur president u zgjodh Rexhep Mejdani dhe Fatos Nano kryeministër, komandant i Gardës u emërua Arben Çuko. Në këtë kohë më kishin vënë në listë për të më hequr nga skafi. Kur mora takim me të në zyrë, ai më tha që të mos bëhesha merak se, sa të ishte ai në detyrë, do të isha edhe unë.

Fatos Nano me ne ishte më i komunikueshëm. Shumë takime kemi bërë me Nanon. Ishte gjë e zgjuar, i shkathët që dinte dhe gjërat e hollësishme të vendit. Gjithë bregdetin e pa vetë me sy. Në tavolinë krijonte një ambjent gazmor.

Vijon

Nesër  do të lexoni

Ja kujtimet me Ish- Presidentin Ibrahim Rugova dhe Alfred Moisiun.

Takimet me ish kryeministrin Meta dhe Prof. Servet Pëllumbin

Bisedat dhe si i kalonin pushimet