Kujtimet e Arjan Beqarit: Urdhëri, të prodhohen 100 mijë kundragaze

469
Sigal

 

  • Kujtimet e ish-oficerit madhor Arjan Malo Beqari, kryeinxhinier i ofiçinës së radiolokacionit të M.K.A
  • -Urdhëri i Beqir Ballukut: Në çdo repart ushtarak të instalohet televizor
  • -Si kundërshtova Beqir Ballukun që mjetet radioteknike të mos futeshin në tunele pa masa ajrosjeje
  • -Si përgatitëm kundragazin e parë shqiptar për të përballuar situatat
  • -Urdhëri urgjent: Të prodhohen 100 mijë kundragaze në vit
  • -Lënda e parë vinte nga Suedia dhe Japonia

Gazeta Telegraf

Arjan Beqari mbetet një ndër oficerët më të përgatitur të ushtrisë shqiptare. Ai mbaroi me rezultate të shkëlyqyera studimet dhe ishte një ndër inxhinierët elektronik më në zë të Ushtrisë Shqiptare. Dhe pse ka ndërruar jetë ai ka lënë pas dorëshkrime dhe kujtime mjaft mbresëlënëse. Por prodhimi i kundragazit të parë shqiptar mbetet një histori e rrallë që ka pasur përgjegjësi dhe vështirësi. Në rast dështimi pasojat do ishin të mëdha….

Kur shkova tek ofiçina e radiolokacionit

Kur shkova tek ofiçina e radiolokacionit të M.K.A, drejtor i ofiçinës ishte Shero Brahimaj me të cilin njihesha. Gjithashtu njohje kisha edhe me kolegët ing. Ramazan Cani, Tajar Agolli, Reiz Sinani, Androkli Andrea, Sokrat Gjerasi, Leka Shllaku, Arqile Bitri, Vilhem Dauti e Jorgji Kona. Njohje kisha edhe me teknikët e talentuar oficerë Ligor Theodhori, Agim Mersini, Muhamet Burimi, Verzan Laze, Petrit Çeliku, Faik Buzali, Dhimiter Nako e Abaz Shkëmbi. Ishte koha kur duhet të zgjeroheshin e thelloheshin riparimet duke rritur dhe prodhimin e pjesëve të ndërrimit për aparaturat radiolokative. ishte hedhur ideja e krijimit të industrisë ushtarake, e cila do të organizonte ndarjen e riparimeve të mesme e kapitale nga ato të thjeshta, të cilat i liheshin ofiçinave të reparteve e njësive ushtarake. Më lart përmenda emrat e inxhinierëve dhe teknikëve ushtarakë që udhëhiqnin punën në riparimin dhe kolaudimin e teknikës luftarake të mjeteve radioteknike, por bashkë me ta punonin dhe shumë teknikë civilë me emër në profilin e tyre: Ilia Llanga, Andrea Llanga, Atili Gyza, Astrit Arxhiu, Filip Roca, Haluk Dibia, Robert Llapa, Pavlina Gjika, Sonja Rrembeci, Ateme Hila, Dvina Basha, Liri Haxhivogli, Vasil Syljati, Eleni Timko, Lida Shyti, Marjana Parapani, Lutfi Babameto, Klementina Llanga, Astrit Hasani, Rruhi Toro, Marku i ADZAKAS, Feti 40 Jeta ime dhe shokët Muka, Sitki Radoveshi, Xhavit Muda, Pano Qajrani, Nurtizan Salillari, Piro Cako,Shqipe Guzi etj.

Ngritja dhe shkëlqimi i ofiçinës sipas kujtimeve të Arjan Beqarit

Në vitet 1968 – 1972 ofiçina e radiolokacionit në Tiranë ishte jo vetëm një bazë e riparimeve elektronike, por dhe një bazë e mendimit të përparuar teknik në sajë të teknikëve dhe inxhinierëve që përmenda më lart. Sigurisht ne këtë punë që është bërë në atë kohë kam edhe unë kontributin tim. Në ofiçinë si kryeinxhinier punova 4 vjet. Gjatë këtyre viteve u thelluan riparimet, u aftësua efektivi profesionalisht, u rritën ndjeshëm pjesët elektromekanike për të gjithë tipat e radiolokatorëve. Rritja e mendimit teknik dha ndihmesë dhe në ofiçinat e reparteve të MKA. Ekspozimi i pjesëve të ndërrimit që prodhonte ofiçina u paraqit dhe në ekspozitën e qytetit duke u vlerësuar shumë jo vetëm për sasinë e artikujve, por edhe për cilësinë e tyre. Mendimi teknik i ofiçinës për elektronikë ishte bashkëpunues me shumë ndërmarrje në Tiranë. Instrumentet matës si spektro-analizatori, aparati për gjetjen e këputjeve të kabllove mbi e nëntokë, oshilografët e ndryshëm dhe specialistët tanë ndihmuan në zgjidhjen e problemeve të tyre. Një sukses tjetër i punës teknike në ofiçinë ishte dhe montimi i televizorëve për repartet e ndryshme të ushtrisë sipas kërkesës së atëhershme të Ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku. Në këtë sektor punuan fillimisht teknikët Filip Koca, Haluk Dibra e Lida Shyti. Ishte marrë vendim nga Komiteti Qendror i PPSH, që, për efekt mbrojtjeje e gjithë teknika ushtarake do të kalonte nën tokë, në tunele. Problemet ishin diskutuar edhe në organizatat bazë të partisë. Kur u shtrua ky problem në organizatën e ofiçinës unë u solidarizova por cilësova: “Elektronika kërkon kushte specifike për t’u riparuar në tunele”. Mendimi im vajti lart te ministri i mbrojtjes së asaj kohe Beqir Balluku, i cili kërkoi që unë t’i paraqitesha. Paraprakisht me takuan sekretari i komitetit të partisë të ndërmarrjeve ushtarake Sejdin Avdia dhe zv. ministri i Mbrojtjes Mendu Backa, i cili më porositi që të jem i kujdesshëm kur të paraqitem te ministri dhe se kishte filluar puna në Tiranë për hapjen e tuneleve. Gjithashtu më tha se ambientet nëntokësore do të plotësonin të gjitha kushtet, projektet për to i kishte bërë vetë ai për të tre ofiçinat: radiolokacion, ndërlidhje, kimi. Ato bashkoheshin në një repart të vetëm. Të tre bashkë ju drejtuam zyrës së ministrit. Komisari dhe zv. ministri hynë bashkërisht në zyrën e ministrit. Unë hyra i fundit dhe u paraqita sipas rregullores. Ai më përshëndeti, por jo si muaj me parë kur erdhi e pa televizorin e parë që montuam në ofiçinë. Fillimisht ju drejtua Sejdinit duke i thënë:”Përse ne organizatat që udhëhiqni ka kuadro që nuk duan të zbatojnë vendimet e Komitetit Qendror? Komisar Sejdini nuk foli, por u ngrit në këmbë. Më pas m’u drejtua mua:”Ju sigurisht nuk pranoni që elektronika të futet në tunele, mbasi keni frikë se do lini Tiranën. Gjithmonë specialistët, për të justifikuar qëllimin e vërtetë, nxjerrin pretekse. Çfarë do më thuash?” Këto m’i tha me zë të lartë, duke bërë dhe lëvizje duarsh pak i nervozuar. -“Jo shoku ministër, jam ushtar i partisë, nuk jam kundër futjes së elektronikës në tunele, kudo që të jenë ata edhe ne Malin me Gropa, por kërkoj që tunelet të plotësojnë ato kushte që kërkon elektronika”. Ministri:”Cilat janë kushtet? Na i thuaj!” “Së pari: në ambientet e brendshme duhet të sigurohet temperaturë konstante sidomos në muajt e verës që të mos krijohet kondensim (pika uji për çdo 7 gradë celsius, ndryshim temperature brenda dhe jashtë tuneleve). Këto pika uji nëpërmjet ajrit të brendshëm janë prezent në ç’do element elektronik, i cili kur vihet nën rrymë digjet. Së dyti: duhet të sigurohet një hidroizolim i mirë. Së treti: Ministri menjëherë i drejtohet Mendu Backës:”Hë more shoku Mendu, pse nuk i plotësoni kërkesat ?!” “Po shoku ministër unë jam vetë udhëheqës dhe projektues i objektit, kam biseduar me Arjanin dhe do t’ia plotësojmë kërkesat”. “Ja more shoku kryeinxhinier kërkesat do të plotësohen, prapë do thuash që elektronika nuk duhet të futet në tunele?!” Këtu u mbyll biseda.

Ashtu si cilësova dhe më lart kishte 6 muaj që kishin filluar punimet.

Muaji korrik siç dihet ka temperatura të larta dhe si pasojë e ndryshimit maksimal të temperaturave jashtë dhe brenda tuneleve krijohet kondensimi, pra lagështia e ajrit brenda tuneleve është e madhe dhe për pasojë edhe mbi çdo bllok e element elektronik. Jo vetëm ajri por të gjithë sipërfaqet e brendshme të tuneleve kishin lagështirë të madhe, mbasi nuk ishin tharë (duhej të mos ishte futur teknika brenda tuneleve edhe për disa muaj). Cilat qenë pasojat? Kur aparaturat, blloqet elektronike kontrolloheshin edhe në tension, ato nxirrnin tym. Gjendjen alarmante e mori vesh ministria. Erdhën në uzinë Petrit Dume, Hito Çako dhe Halim Ramohito. Të gjithëve u dhashë një përgjigje:”Koha në vazhdim do të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë në muajt më të nxehtë të vitit që të zvogëlojmë lagështirën e ajrit gjatë verës”. Halim Ramohito më tha:”Dolën parashikimet e tua. Zgjidhjet që do të bëni për të vazhduar riparimin e teknikes në tunele do t’ju nderojë më shumë”. Muajt kalonin dhe ne mësonim e përcaktonim se cilat aparatura duhet të riparohen jashtë tuneleve për të cilat duhet të ndërtohen ndërtesa shtesë. Uzina në tre vitet e para pas bashkimit mori zhvillim të madh mbasi u rrit shumë baza mekaniko-elektrike dhe mendimi teknik si rezultat i të cilave u prodhuan pjesë, nyje dhe agregate të gatshëm për kiminë, ndërlidhjen dhe radiolokacionin. Në uzinë punën teknike e udhëhiqte byroja teknike me inxhinierë që dinin të projektonin dhe zbatonin si: Luan Veshi, Fatmir Këlliçi, Skënder Gega, Gëzimi, Mira Baboci dhe shefi i tyre, shoku im ing. Sofokli Çako. Pranë tyre sipas nevojës ishin dhe ing. Jorgji Kona, Astrit Arxhiu e Vladimir Pashai. Po pranë uzinës punonin grupet shkencore të MMP për kiminë, ndërlidhjen dhe radiolokacionin ing. Viron Kola, Mikel Dushniku, Janko Konomi, Maksim Kapo, Valter Mele, Johan Furxhi, Besnik Kapo, Androki Andrea. Vend të veçantë zuri prodhimi i pjesëve të ndërrimit dhe i nyjeve e agregateve për kiminë dhe ndërlidhjen siç ishin, granatat tymuese e lotuese, kundragazi, aparatet telefonike, centralet K-10 e K-40 dhe së fundi edhe radiot ushtarake për repartet e ndërlidhjes. Sektori i kimisë udhëhiqej nga ing. Stavri Kazanxhi, i cili dha një ndihmesë të madhe si në prodhimin e granatave tymuese e lotuese ashtu edhe në organizimin e linjave për prodhimin e kundragazit gjitharmësh, për të cilin kishin vite që punonin grupet shkencore.

Detyra e vështirë e prodhimit të kundragazeve

Pranë uzinës, në përbërje të saj u ngrit fabrika e prodhimit të qymyrit aktiv e katalitik, rezultat i një pune të gjatë të inxhinierëve kimistë, Viron Kola, Mikel Dushniku, Janko Konomi, Maksim Kapo. Duke qenë se pjesët e gomës të kundragazit prodhoheshin në uzinën e plastikë-gomës Durrës dhe ishte vënë në linjë prodhimi i qymyrit aktiv-katalitik, MMP shtronte një detyrë të madhe para uzinës sonë; kërkonte që për çdo vit uzina të prodhonte 100.000 (njëqindmijë) kundragaze. Kjo ishte një detyrë e madhe dhe me shumë përgjegjësi për dy shefat e reparteve Islam Zaçe dhe Konstandin Daçi, të cilët për këtë prodhim kaq të madh duhet të perfeksiononin linjat e prodhimit të pjesëve mekanike dhe linjën e montimit komplet të kundragazit në sektorin e kimisë. Fillimisht, në sektorin e kimisë u montuan disa copë kundragaze, të cilët u provuan në çadër për aftësinë e tyre për të absorbuar LHL dhe dolën me sukses. Në prova ishte prezent edhe zv. ministri i Mbrojtjes Llambi Gegeprifti. Por provat e kundragazeve, për të provuar absorbimin e tymrave toksikë që hidhen në frontet luftarake nga predhat e ndryshme të artilerisë ose aviacionit, nuk u kryen. Mendohej se letra e azbestit që vinte nga Suedia, e montuar në kutinë e kundragazit, e kryente këtë detyrë. Pra në linjën e montimit të kutisë së kundragazit për mungesë të nefelometrit, që pritej të vinte nga Japonia, nuk kryhej kontrolli për aftësinë e letrës, e cila gjatë montimit në çdo kuti edhe mund të dëmtohej (mjafton që në letër të krijohej edhe një vrimë e vogël). Plani i ardhur nga drejtoria e industrisë ushtarake kërkonte fillimisht që për 6 mujorin e parë të prodhoheshin 30.000 (tridhjetë mijë) kundragaze.

Sipas rregullave m.q.s kundragazi ishte një prodhim i ri dhe me sasi të madhe unë mora mendimin e këshillit teknik të uzinës. Për të mos e zgjatur, çdo gjë ishte gati, linjat e prodhimit e të montimit funksiononin, por specialistët ngulën këmbë që montimi i kutisë së kundragazit nuk mund të quhet i përfunduar pa u kontrolluar filtri i azbestit, mbasi mungonte nefelometri që pritej të vinte nga Japonia. Në përshtatje me këtë mendim të këshillit teknik relatova me shkrim drejtorinë e industrisë ushtarake, zv. ministrin përkatës dhe për dijeni ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe Kadri Hazbiu: “Nuk jam dakord me sasinë, linja sapo është vënë në prodhim, mungon eksperienca dhe aparati nefelometër që është vendimtar në përcaktimin e aftësive dhe shokët mbrojtëse të kundragazit. Mendoj që në plan të vihen fillimisht 5.000 (pesë mijë) copë si prodhim fillestar eksperimental”. Më thirri Niko Shuli, drejtor i industrisë ushtarake në atë kohë. Megjithëse nuk e njihte ushtrinë ai më tha që unë nuk kisha të drejtë të refuzoja planin. I thashë:”E kam firmosur planin, por kam bërë vërejtje; dështimet mund t’ju rëndojnë edhe juve”. Kur erdhi nefelometri ishin prodhuar gjithsej 12.000 (dymbëdhjetë mijë) copë kundragaze dhe nga kontrolli që u bë 7.000 (shtatë mijë) copë nuk plotësonin kushtin teknik (kishte dëmtim letra e azbestit).

Ky ishte një skarcitet i madh, mbasi një kundragaz kishte një vlerë prej 100 (njëqint) dollarësh. Alarm i madh në uzinë, alarm i madh në MMP. Më mori në telefon vetë ministri i mbrojtjes: Hë more Arjan e paske katranosur fare! Ç’është ky skarcitet, ti je për gjyq, kanë ardhur hetuesit aty?!” – Po shoku ministër kanë ardhur, por unë nuk kam faj, kam relatuar tek ju me shkrim kur mora planin duke bërë vërejtjet përkatëse -i përgjigjem unë. – Si? Kujt i je drejtuar? E ke me shkrim? – më pyeti ministri. – Po, shoku ministër! -i përgjigjem përsëri unë. – Nisu me gjithë shkresën, të pres në zyrë! – më thotë ai. Sa e lexoi shkresën, u ngrit në këmbë duke fërkuar flokët, si e kishte zakon. – Ti Arjan qenke “dobiç”! Babanë e ke patur burrë të urtë,- ndërhyn ai. – Pse shoku ministër, unë shkresën e bëra pasi polemizova me drejtorin e industrisë ushtarake, i cili nëpërmjet zv/ ministrit përkatës duhej t’ju njoftonte juve. Menjëherë u ngrit në këmbë dhe duke vazhduar bisedën më pyeti: -Si do ja bëjmë kundragazeve, që nuk plotësojnë kushtet teknike? – Shoku ministër, ata e kanë marrë rrugën e shitjes, kam biseduar me shokët e naftës dhe ata do të vijnë t’i marrin mbasi për naftëtarët këta kundragaze i plotësojnë kërkesat. Qymyri katalitik që absorbon LHL, absorbon dhe lëngjet e dëmshme të naftës kur naftëtarët punojnë!- përgjigjem unë. Ministri edhe njëherë e kuptoi që unë nuk kisha faj dhe ç’ishte më kryesore ai u bind që gjithë ai prodhim skarco nuk shkoi dëm. U ndamë duke më dhënë të fala për babanë, të cilin e kishte patur shok lufte dhe pune. Kam përmendur dhe më lart që reparti i prodhimit të kundragazit (sektori mekanik) dhe reparti i montimit përbënte 80% të prodhimit të përgjithshëm të uzinës, prandaj vëmendja jonë ka qenë e veçantë për këtë sektor. Jo vetëm kuadrot e sektorit të kimisë dhanë një kontribut të madh në prodhimin e kundragazit e granatave tymuese e lotuese, por dhe shumë punonjës të talentuar të këtij sektori si: Dhori Nikolla, Kristaq Koroveshi, Dhosi Gramo, Pëllumb Shyti, Demokrat Vusho, Liza Gerveni, Pranvera Panariti, Drita Bega, Mjaftoni Voda, Donika Tushe, Eglantina Manaj, Mimoza,Ëngjëllushe Ruvina, Agim lzeti, Remzie Mata, Shpresa Peti e shumë të tjerë që nuk jua mbaj mënd emrat, por që për punën e mirë që kanë bërë janë fiksuar në memorien time

.