Shqiponja në flamur është nderi ynë dhe nuk duhet të jetë makthi i Serbëve

1676
Sigal

Gjeneral Dr. Agim LALA

Nuk desha të diskutoj për diçka sa te thjeshtë po aq edhe bajate. Me duket se në Ballkanin tonë ka njerëz, që meqë nuk dine çfarë të bëjnë, merren me “shpikje” ngatërresash dhe të paqena. Kështu është edhe puna e simbolit të Shqiponjës në Flamurin tonë Kombëtar. Çdo Komb, Flamurin Kombëtar e ka simbol dhe të shenjtë. Të njëjtën gjë është  edhe për fqinjin tanë Serb. Çdo njeri, që kur lind  dhe në çdo periudhë të jetës rritet me “dozën” e atdhedashurisë (jo vetëm Shqiptarët apo Serbët). Që në fëmijëri rritemi me dashuri, thurim ëndrra dhe krahasime për  engjëllin  tonë të shenjtë, siç është flamuri. Në flamur janë derdhur ëndrrat dhe miti i çdo Kombi. Në flamur është jeta, historia, rrënjët  dhe qëndresa e një kombi. Burimi i qëndresës, i  frymëzimit për vetëflijim, për beteja,… ai (flamuri), përdoret në luftëra, gëzime dhe hidhërime. Pra, shkurt është zemra e një kombi. Me të dhe për të bien dhe flijohen jo vetëm heronjtë e një kombi. Në fillim të çdo ngjarjeje  këndohet Himni dhe shpaloset Flamuri Kombëtar.  Aty e nderojnë të gjithë, vendas dhe mysafirë, duke marrë drejtqëndrim dhe heshtur para madhështisë së muzikës dhe shpalosjes së Flamurit! Është tërësisht kombëtare, që detyron çdo Komb ta nderojë pa kushte Kombin të cilit i këndohet Himni dhe i shpaloset Flamuri Kombëtar! Pra çdo Komb respekton flamurin e Tij, simbolin në të dhe atë të kombeve të tjerë. Edhe në luftëra (ushtritë e civilizuara), flamujt e kombeve ndërluftuese respektohen dhe nuk dhunohen! Ka disa që nuk i respektojnë, por… Nga këtu buron edhe respekti i çdo kombi për Flamurin e një Kombi tjetër. Ky respekt është mishëruar ne luftëra, duke mos e përbaltur dhe bërë “pis” flamurin e kundërshtarit tënd (pavarësisht  egërsisë dhe gjakut të derdhur nga të dy palët në mbrojtje të çmendurisë së shkakut të luftës). Ne Shqiptarët kështu e  mësuam nga të parët tanë. Dhe kjo rrjedh nga historia botërore e luftërave. Dhe për këtë, historia afron shembuj të shumtë ( të mos ndalemi)… Kombet, simbolin e flamurit e kanë gdhendur në mal, në gurë, e kanë stolisur në diamante,në punimet e ndryshme artizanale, e kanë krijuar artistikisht në peme, e kanë futur në koshere dhe e ka punuar e mbushur me mjaltë bleta,… pra shkurt, është simboli më i dashur dhe kthehet në  mitin e  një kombi!Por, a mundet që  simboli i një kombi të jetë  ofendim për një komb tjetër? Jo, kurrë! Çfarë ka për ofendim, kur ky simbol nuk ofendon askënd (ndryshe nuk do ta mbanim atë flamur dhe do ta ndërronim atë)!? Ai është simboli ynë por dhe simbol i qiellit. Gjatë  një beteje për Liri, që flamuri të mos binte në dorë të kundërshtarit, kur Ai(Flamuri) ishte larë me gjak, Shqiponja zbriti nga qielli dhe e rrëmbeu atë, duke mos e lënë të përbaltet e përdhoset nga kundërshtari. Që nga  ai çast, shqiponja dhe Flamuri u bënë një dhe nuk u ndanë më. Sepse në jetë të jetëve, Shqiptarët patëm aleatë vetëm qiellin e zymtë  dhe Shqiponjën. Perënditë që na mbrojtën nga babëzia dhe luftërat pa arsye e fqinjëve ndër shekuj. Luftërat, … dihen?! Por, edhe që këto luftëra, asnjëra prej tyre nuk është  nisur nga ne,… edhe  kjo dihet! Gjithmonë fituam dhe mbijetuam duke mbajtur lart këtë flamur, që  kur ne binim në fushë betejë, shqiponjat dhe perënditë (aleatët tanë) na qëndronin mbi kokë duke na dhënë zemër e jetë që të ngriheshim nga rrënojat dhe shpalosur në ajër këtë flamur! Për të mos u zgjatur dhe tjerrë këtë “kot histori”, i lutem intelektualëve  dhe popullit Serb, para se sa ky simbol të kthehet në makth për ata, që të tallet djali nga Arabia apo Senegali, fëmijët nga e gjithë bota ta kthejnë në HIT,  ju lutem hiqni dorë nga kjo histeri qarjesh dhe ankimesh , duke i trajtuar si politike, Shqiponjën e flamurit tonë Kombëtar. Simboli ynë është një zog i qiellit, i lashtë sa vetë Ilirët, simbol i një fqinji, sa i lashtë po aq bujar, sa i zgjuar po aq punëtor. Ju lutemi, mos u ofendoni nga Simboli ynë, ai nuk Ju ofendon Ju! Mos jini xheloz për Simbolin e fqinjit Tuaj. Mos u mundoni që me historinë  e viktimizimit nga viktima Juaj ( siç keni bërë deri më tani), të mbuloni barbaritë tuaja me shqiptarët . Po ta  trajtoni kështu, Ju do të keni shumë punë me djemtë dhe vajzat tona, që po shkëlqejnë në të gjithë botën. Ka shumë shkencëtar, mjekë, arkitektë, aktorë, këngëtarë, etj,  dhe së fundmi  shumë futbollistë. Mos u ofendoni me fqinjët tuaj Shqiptarë, sepse janë më të lashtë dhe  Ju jeni mysafirë. Ne nuk vuajmë nga Ju, as nga Flamuri Juaj, as nga këngët tuaja.

Përkundrazi i këndojmë pa problem ato(imagjinojeni Ju, se çdo të ndodhte në Serbi, nëse do të dëgjohesh muzikë Shqiptare. Ne nuk kemi komplekse për futbollistët tuaj, përkundrazi, ato po jetojnë dhe respektohen në Shqipëri! Pyetini dhe do ju thonë!  Por…ju lutem mos e merrni Simbolin Flamurit tonë si ofendim dhe aq më keq  si politikë…që nesër ky simboli i ynë të mos shërbeje për një “sebep” të ndonjë lufte të re Ballkanike, nga ato që Ju i keni pasur zanat deri më dje!Mjaft me luftëra për gjëra të kota në rajonin e përgjakur! Mjaft me histori dhe qejf-mbetje, “përse më bëre gol apo përse feston me flamur”. Mjaft me teorinë e “qengjit dhe ujkut”. Ajo kohë ka ikur një herë e  për gjithmonë. Sot rolet kanë ndryshuar. Por nga ne, pavarësisht forcës tonë, sigurisë, sasisë së ndarë në pesë shtete,  kualiteteve dhe  mbështetjes ndërkombëtare, Shqiptarët kurrë nuk do “luajnë” me Ju. Ju  luajtët me fatet e Shqipërisë  gjithë kohën, por…era është në favorin tonë dhe Ju nuk ia dolët! Popujt e  Ballkanit, nuk harrojnë luftërat ballkanike të shkaktuara nga Ju. Harrojeni tani, përrallën e ujkut dhe qengjit me shqiptarët. Makthi i flamurit që u ngrit nga rrënojat dhe flakët e Kosovës,  që Ju i shkaktuat, Flamuri që u ngrit nga “pirgu” i martirëve të pafajshëm, që ashtu si Feniksi, rilindnin dhe rroknin Flamurin me Shkabën dy krenare dhe e valëvitnin në ajër. Kujdes nga  makthi i Flamurit që nuk u mbajt vetëm nga luftëtarët , por u mbajt nga plaku e fëmija, u mbajt nga nëna dhe fëmija i porsalindur! Ndaj…, Ju i thernit fëmijët dhe i nxirrnit me  bajonetë  barbarisht nga barku i nënave shqiptare. Ky veprim makabër i juaji (shpirtrat e fëmijëve të therur),  do ju ndjekë deri sa ju të kërkoni FALJE botërisht për krimet monstruoze që keni bërë ndaj shqiptarëve, në trojet e shqiptarëve. Pra, erdhët si pushtues! Bota e qytetëruar, akoma nuk do dhe nuk mundet të besojë plotësisht barbarinë dhe mizoritë tuaja (sepse nuk ka mëndje njerëzore që t’i besojë, se si një mendje e ftohtë të planëzojë krime kaq makabre). Ato krime do ju ndjekin dhe nuk do ju lënë, deri sa  përpara të gjithë botës, Ju të kërkoni FALJE botërisht! Mjaft u “viktimizuat” në sytë e botës, se Shqiptarët “me dy duar dhe një flamur”, po Ju shantazhojnë dhe po ju persekutojnë Juve. Pra, Ju nuk po i frikeni Shqiponjës së Flamurit, por makthit të  daljes në shesh para botës  të barbarizmave Tuaja me Shqiptarët! Bota ju njeh ndryshe dhe jeni ndryshe!  Makthi Juaj, shkoi deri atje sa djemtë shqiptar që bënë Shqiponjën, Ju i dinit të vrarë.  Vetë  thatë, që familjet e tyre i kishit burgosur, vrarë e syrgjynosur!  Kur i patë të dilnin para portës Tuaj, Ju kujtuat se ato do të frikësoheshin nga Ju! Por…mjaft me kaq!  Ne shqiptarët dimë të falim! Por kemi memorie të fortë! Ne nuk duhet dhe nuk do të harrojmë KURRË barbaritë tuaja! Ndryshe, ato do të ktheheshin përsëri! Populli Serb duhet të thotë fjalën e Tij për këtë situatë absurde! Politikanëve djallëzore, që flasin në emër të popullit dhe marrin vendime në emër të popullit, të nxitur nga politika e vjetër shoviniste, duhet  vënë fre. Të protestosh se u shfaq flamuri i një vendi, në një ngjarje ndërkombëtare (fusha e blertë ditën e ndeshjes  është  tokë e të dy palëve që zbresin në fushë  për tu ndeshur. Është ndërkombëtare. Pavarësisht që ngjarja bëhet në Rusi). Fusha është asnjanëse. Kjo edhe në mes të Beogradit qoftë! Kjo është marrëveshje e njohur ndërkombëtarisht ). Pra kjo  është sa e pa drejtë, me ligjet ndërkombëtare,  po aq mjerane në planin njerëzor! Ne duam fqinjësi,  paqe e qytetërim! Ju duhet ta nderoni Flamurin tonë, kudo e kurdo që Ai të shfaqet.  Ne e respektojmë Flamurin tuaj, ashtu siç do Flamur të çdo Kombi tjetër.

Askush jashtë kufijve Tuaj, nuk ka të drejtë të diktojë çfarë ka si simbol në  Flamurin Tuaj (nëse simboli nuk bie ndesh me  ligjet ndërkombëtare). Në gjirin e Kombit Serb ka intelektualë të shquar, ka të ndershëm dhe qytetarë të botës së re!  Atyre u drejtohem sot për reagim dhe dhënien fund të kësaj “histerie”! Shqiponja është simboli i një kombi që Ju e gjetët dhe Ju mirëpriti. Por, që Ju e vratë dhe e masakruat mjaft herë! Mjaft më me protesta idiote! Turp për Ju, Turp për FIFA-n që ju dëgjoi dhe mori atë vendim qesharak! Turp edhe për institucionet përgjegjëse në Tiranë dhe Prishtinë, që nuk reaguan, kur Serbët u  ankuan për shfaqjen e Simbolit të Flamurit tonë. Aq më keq, që Shqiptarët apo kushdo mik i Shqipërisë, dënohet përse nderon Flamurin Shqiptar, dënohen  përse e shfaqin atë…! Të heshtësh  dhe të mos mbrosh Flamurin dhe Simbolin e Kombit tënd, është mjaft e rëndë!  Jo mbrojtje  në  Fb, por në instancat përgjegjëse ndërkombëtare. Populli Shqiptar ju kujton fjalën e urte: “Miu po kalojë një herë nën mustaqe dhe nuk ndëshkohet, e bën rrugë”. Që të mos bëhet rrugë… të nderuar përgjegjës të institucioneve të Kombit tonë! Reagoni sipas ligjeve ndërkombëtare!Kjo ngjarje nuk duhet lënë  të përsëritet më! Nga këtu duhet kërkuar e nisur reagimi!Shqiponja do të fluturojë në Flamurë, kudo, në çdo podium dhe  për aq sa do të shfaqet edhe vetëm një Shqiptar  nëpër botë!