KONFERENCA III TIRANËS, SI U KRYQËZUA ENVERI

199
Sigal

Leonard VEIZI

Konferenca e Tiranës, si u kryqëzua Enveri

ARKIVA / Si u zhvillua Konferenca III e Tiranës në 1956-n. Kritikat për “Bllokun” dhe mjerimin në popull. Ç’u tha për rehabilitimin e të goditurve

Ishte koha kur Nikita Hrushovi organizoi goditjen vendimtare ndaj figurës së Stalinit. Strategu, kufoma e të cilit qe balsamosur, tashmë nuk ishte më i tillë. Në mauzoleun gjigant mbeti vetëm Lenini. Në këtë mënyrë Kongresi XX i PKBS, do ndryshonte kursin e ashpër të bllokut lindor. Skema kishte rënë dhe ishin çliruar tabutë e ngritura deri në atë kohë. Kulti i individit nuk ekzistonte. Figura e Stalinit nuk ishte më në “majën e Olimpit”. Të gjitha defektet e tij të karakterit njerëzor dhe të drejtimit të shtetit të madh komunist, u vunë në shënjestër të kritikave nga më të ashprat. Kthesa kishte filluar…

Atmosfera

Në Tiranë, atmosfera e kongresit XX-të të PKBS ende nuk shfaqte ndonjë surprizë. Në rrethet e ngushta të intelektualëve dhe komunistëve moderatorë, informacioni filtronte në formën e një thashetheme entuziaste. Kulti i individit, ajo që deri dje konsiderohej si herezi po të prekej, tashmë mund të shkallmohej. Punimet e Konferencës së Tiranës kanë nisur me duartrokitje e ovacione, pasi kryeqyteti përbënte dhe peshën kryesore të organizatave të partisë dhe nga ajo konferencë do të dilnin shumë delegatë për në Kongresin III. Në slogan shkruhej: Konferenca e Partisë për qytetin e Tiranës për dhënie llogari e zgjedhje”. Fillimisht u lexua raporti prej 52 faqesh i përgatitur nga Byroja Provizore.

Pyetjet nga salla

Në seancën e dytë erdhën pyetjet nga salla. Një ortek i vërtetë. I paparë: Pse nuk është bërë analiza e Kongresit XX? A ka kult individi në Shqipëri? Duhen rehabilituar figurat e goditura? A e di partia mjerimin në popull? Ç’do të bëhet me familjaritetin në KQ. Po me pagat e diferencuara dhe komoditetet e tjera që ofron posti? Më të guximshmit për të marrë fjalën ishin ata që punonin në RTSH e Kinostudio. U ngritën të diskutonin drejtori i Kinostudio “Shqipëria e Re”, Nesti Zoto, gazetari i “Zërit të Popullit”, Adriatik Kanani, punonjës i aparatit të KQ, Vandush Vinçani. Ndërsa gazetari i Radio Tiranës, Vehip Demi, në këtë konferencë zëvendëson drejtorin e këtij institucioni, Petro Kito, që ndodhej me shërbim jashtë shtetit. “Ne duhet të pranojmë, – tha ai, – se akoma ka frikë, droje, për të shprehur mendimet, për të kritikuar lirisht. Komunistët e Radio Tiranës kritikojnë Komitetin e Partisë që nuk ka marrë masat e duhura që materialet e Kongresit XX të ishin punuar në organizatat e partisë dhe në masa. Duhej sqaruar me kujdes e durim çështja e kultit të personit që u ngrit në artikujt e “Pravdës”. Fill pas këtyre fjalëve, Vehip Demi, i duartrokitur nga e tërë salla, vazhdon: “Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjela dhe ministrin e Financave, Abdyl Këllezi, se nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e “Bllokut”. Në cilin kapitull të buxhetit futen ato? Ne duhet të pranojmë se masat jashtë bisedojnë shumë për çështjen e “Bllokut”.

E papritura

Pyetjet i ishin drejtuar të deleguarit të KQ për Konferencën e Tiranës, Beqir Ballukut. Por ai ishte mbërthyer keq në “kurthin” e papritur. Në të njëjtën kohë, Enver Hoxha kishte vendosur të kalonte fundjavën në Vlorë. Gjatë ditës së shtunë, kur dhe nisi debati në konferencë, Beqir Balluku është munduar t’i japë zgjidhje të papriturave që i dilnin njëherazi. Kur e pa që nuk ia dilte dot, informoi për gjithçka Enver Hoxhën. Edhe pse ajo çka ishte ndërmarrë në Kongresin XX, vetëm sa ishte shtruar për diskutim në Byronë Politike dhe jo më poshtë, dukej se, fryma liberale e saj ishte pushtuar një shtresë të gjerë të komunistëve shqiptarë. Në vendet e tjera lindore ajo ishte prezantuar më shumë.

Urgjenca

I gjendur përpara këtij fakti të ri, Enver Hoxha ndërpret pushimet dhe në seancën e pasdites së të dielës, mbërrin me “ZIM”-in e tij, në Tiranë. Vetëm pakkush e dinte që ai do të merrte pjesë në konferencë. Për të tjerët kjo ishte një e papritur. Enver Hoxha nuk ishte i ftuar në punimet e Konferencës së Tiranës dhe s’kishte mandat të deleguari, por ai kishte statusin e Sekretarit të Parë, dhe pati fuqinë për të ndërhyrë në punimet e Konferencës. Ai e mori fjalën në konferencë me një fjalim të përgatitur me shpejtësi. Pranimi i gabimeve nga ana e Enver Hoxhës u bë me një sqarim të gjatë, në të cilin në fakt duket se ai nuk pranoi asgjë si gabim.

Artikulli

“Anëtarët e partisë të shprehin lirisht mendimet”

Më 14 prill, 1956 , në “Zërin e Popullit” u botua një artikull i gjatë i Enver Hoxhës me titull: “Marksizëm-Leninizmi mëson se populli është krijuesi i historisë.” Për më tepër në këtë artikull Enver Hoxha vë në dukje me forcë se: “E rëndësishme është që çdo anëtar partie të kuptojë, se në parti nuk mund të ketë frikë… Çdo anëtar partie të shprehë në Parti mendimin e të kritikojë me forcë të metat dhe ata që janë përgjegjës për këto të meta.”

Nga fjala e Enverit

Dënimi i Koçi Xoxes i faktuar

Duke iu përgjigjur pyetjeve të bëra në Konferencë, Enver Hoxha tha: “Koçi Xoxe dhe krimet e tij nuk i ka kurdisur Beria, por Koçi Xoxe dhe veprimtarinë fraksioniste në kokën e partisë. Ai e ka filluar që në vitin 1944, përpara çlirimit të Shqipërisë. Kur erdhën në Berat, njerëzit e fraksionit të tij goditën unitetin e partisë. Ata akuzuan vijën e partisë si sektare dhe se gjoja ne ishim treguar shumë të butë karshi kriminelëve të luftës. Pas çlirimit Koçi Xoxe dhe shoku Nako Spiro, që ishte pjesëtar i fraksionit, morën pozita në parti, u futën në parti njerëz të dobët politikisht, oportunistë dhe u dobësua uniteti i partisë dhe udhëheqja kolegjiale. Koçi Xoxe forcoi pozitat e tij, kurse Nako Spiros nuk i pëlqeu kjo situatë, se kishte plane të tjera. Kështu në gjirin e udhëheqjes filloi një luftë fraksioniste, karrieriste, antimarksiste në mes tyre, Pandi Kristos, Sejfulla Malëshovës. Por asnjërit nuk iu realizuan qëllimet e tyre të errëta. Qëndrimi konsekuent dhe lufta e partisë bëri që ky fraksion të çahet. Nako Spiro vrau veten duke i dhënë një dorë të madhe Koçi Xoxes. Kështu u zhvilluan punimet e Pleniumit VIII që i hapi rrugën terrorit dhe partia u vu nën vëzhgimin e sigurimit të shtetit. A i mbani mend ju dosjet që janë zbuluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, krime, torturat dhe presionet që u janë bërë njerëzve? Pikërisht këtyre proceseve do t’u futet thellë KQ. Kini durim se këto gjëra nuk bëhen aq shpejt. Prandaj dënimi i Koçi Xoxes është plotësisht i faktuar dhe i merituar”.

Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu

“Nuk jam dakord me Vendush Vinçanin, i cili kërkon të rishikohet çështja e Tuk Jakovës. KQ është treguar zemërgjerë me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Për Tukun nuk ishte hera e parë që bënte gabime. Tuku fliste gjoja për kultin e individit, për fotografitë e shokëve të udhëheqjes, por hallin e kishte vetëm për veten e tij. Vija e tij ishte pra revizionizmi i gjithë vijës së partisë si për shembull: Çështja e grupeve që u ngrit këtu. Çfarë të analizojë KQ, Manol Konomin? Ai shtatë herë ka kërkuar dorëheqjen nga detyra e rëndësishme e ministrit të Drejtësisë. Një njeri i tillë ka frikë nga përgjegjësia. Ose të marrim Abedin Shehun. Ai me shokë kanë dashur të godasin udhëheqjen, unitetin e partisë. Atëherë si të mbajë partia në KQ këta njerëz?!”

ARKIVA / Si ndryshoi kursi i Konferencës. Pse u shty fjalimi i Sekretarit të Parë

Hoxha lë pushimet, fillon luftën me kundërshtarët

Enver Hoxha nuk ishte i ftuar në punimet e Konferencës së Tiranës dhe s’kishte mandat të deleguari, por ai kishte statusin e Sekretarit të Parë, dhe pati fuqinë për të ndërhyrë në punimet e konferencës. Në pjesën e mëposhtme, janë botuar në ligjëratë të drejtë, pjesë nga diskutimi prej 25 faqesh i ish -sekretarit të Parë të KP-së, i PPSH-së Enver Hoxha…

Në fillim të fjalës

“Dëgjova ca se ësht si e elektrizuar është konferenca. Janë bërë kritika ndaj udhëheqjes dhe kjo nuk është keq. Tek ne ka shumë anë të mira, po ka dhe anë të dobëta që do të përpiqemi t’i eliminojmë. Sigurisht është më mirë që çka kemi të rrokullisen këtu brenda partisë se sa jashtë saj. Çështjet e partisë kurrë nuk bëhen çështje rruge. Në parti çdo njeri ka të drejtë të bëjë pyetje. Në partinë tonë duhet të ketë demokraci të plotë. Por nuk ekskludohet të ketë njerëz që bëjnë kritika jo në frymë partie. Ka të tjerë që kanë bërë faje gjatë rrugës së partisë. Ata tani mendojnë se “u bë deti kos” dhe të gjitha fajet, o burra të lahen, të fshihen. Mesa kam kuptuar unë, sidomos dje, Konferenca nuk ka marrë atë drejtim të vërtetë që duhet të merrte. Në qoftë se janë të vërteta të thënat, se ka varfëri në popull, më duket se është e drejtë që problemi të rrihet dhe të jepen mendime se si të zhduket varfëria. Partia duhet të marrë masat dhe një, dy apo tre njerëz. Por sidoqoftë është keq që disa çështje u ngritën këtu. Këtu u ngrit çështja e kultit të individit me të gjitha aspektet e saj për sa i përket personit të Josif Stalinit, masat që janë marrë në BS, në demokracitë popullore dhe në vendin tonë. Kjo çështje e ka preokupuar dhe vazhdon ta preokupojë partinë tonë. Por këtu u shtrua pyetja se përse nuk u shtrua në partinë tonë kjo çështje? E ka parë KQ në dritën e Kongresit XX? Këto pyetje janë të drejta. Po ua shpjegoj më gjerë… Ka pasur kult individi tek ne apo jo? Ka pasur dhe do të ketë jo sot dhe mot, por për shumë kohë. Kjo rrjedh nga mbeturinat mikroborgjeze që ekzistojnë në ndërgjegjen e njerëzve, kjo do të thotë që njeriu të bëhet megaloman, mendjemadh, arrogant, mos peshojë zërin e masës, të të pëlqejë mendja, të mendosh se ajo që bëre ti është më e mira. Shfaqe të kultit të individit tek ne kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë. Tani çështja është sa e ka bërë KQ një analizë të thellë në dritën e Kongresit të XX të PKBS, në lidhje me kultin e individit dhe mbi të gjitha sa ka ngjarë në vendin tonë? KQ nuk e ka bërë një gjë të tillë, por këtu duhet të ruhemi nga shabllonizmi. Çdo të thotë kjo? Byroja Politike ka biseduar e analizuar dhe i ka hedhur një sy veprimtarisë së vet në dritën e Kongresit të XX të PKBS dhe ka arritur në konkluzionin që të gjitha masat administrative ose edukative që KQ ka marrë karshi të gjithë atyre që kanë punuar kundër partisë dhe kanë devijuar nga vija e saj, kanë qenë të drejta. Në parim të gjitha vendimet që janë marrë për Tuk Jakovën, Abedin Shehun etj., kanë qenë të drejta. Po le ta analizojmë pak këtu çështjen se mundet që disa njerëzve t’u ketë mbetur në merak se si është puna e Koçi Xoxes. Tani u krijua një situatë e tillë që KQ i yni nuk e vuri në dijeni partinë për çështjen e kultit të individit. Partia gjermane i lëshoi bateritë, kështu bëri dhe partia poloneze e disa të tjera. Bënë mirë ato ose jo pse të gjykojmë ne partitë e tjera. Po ne bëmë mirë që pritëm sa të dilte artikulli i gazetës “Pravda”. Por pasi doli artikulli i “Pravdës” pse nuk dolëm të sqaronim partinë? Këtu ne bëmë gabim. Ka gabim shoku Vendush Vinçani, ai ka plotësisht të drejtë në parim që në KQ të mos ketë anëtarë burrë e grua. Në KQ nuk duhet të lejohet as gjëja më e vogël dhe të krijohet një familjaritet. Por tani duhet të themi dhe këtë, që këto shoqe që kanë ardhur në KQ nuk kanë ardhur për ne ose për sytë e tyre të bukura, por se e kanë merituar, se ata kanë luftuar dhe punuar. Prandaj dhe i ka zgjedhur Kongresi. Në Kongres le të vendoset. Nuk është e drejtë që t’i heqim tani. Le të marrim çështjen e automobilave. Kritika në parim është e drejtë, nuk është mirë që të mbahen kaq automobila. Edhe mua ma ka qejfi të shëtis në këmbë, por nuk më lejon partia. Ka rregulla këtu që duhen respektuar. Por ka të tjerë që edhe në stadium shkojnë me automobilat e qumështit (salla duartroket). Ç’do ta gjejë shoqen time Nexhmie të vejë në këmbë nga shtëpia në zyrë. Përkundrazi mirë do t’i bëjë që të hollohet pak. Po oficeri nga pas ç’i duhet? Po unë jam i sigurt se, ju nuk jeni kundra që unë të mos kem roje. Këtu u ngrit pyetja, e di udhëheqja gjendjen e mjerueshme të popullit? Vënia e çështjes në këtë mënyrë nuk është e drejtë. E para se udhëheqja e di më mirë se ata që pyesin. Por për sa i përket gjendjes së popullit, nuk është ashtu e mjerueshme si thonë ata njerëz. Ata gabohen rëndë. Por sigurisht nuk mund të themi që gjendja është e lulëzuar. Po t’i thuash kështu atëherë sërish je gabim. Përsa i përket fshatarësisë duhet pasur parasysh që shumica e popullit tonë përbëhet nga fshatarësia. Të thuash se ajo është në gjendje të mjerueshme do të thotë të sjellësh këtu parullat e “Radio Londrës” dhe të “Zërit të Amerikës”. Kështu është situata shokë. Nuk është e shkëlqyer, por as e zezë nuk është. Tani për çështjen e funksionarëve. Mundet që edhe të kemi gabuar, mundet atyre t’u japim edhe më shumë, mundet që edhe ne vetë të marrim më shumë. Për këtë gjë ne do të marrim masa. Domethënë duhet të ruhet parimi. Sa punë do të bësh, aq dhe do të marrësh. Ty të ka caktuar partia të marrësh 5.000 lekë në muaj, mua 30 mijë. Në rast se ty të bie triska A mua B. Ekzagjerimet duhen luftuar”.

Konferenca e Tiranës pas Kongresit XX

Në fondin Nr 2 dosja I ½ Komiteti i Partisë për Qytetin e Tiranës, ndodhen dosjet në të cilën janë rezervuar të gjitha materialet që kanë të bëjnë me një nga pikat e tensionit më të lartë në radhët e udhëheqjes komuniste në Shqipëri. Ka qenë pikërisht Konferenca III e Partisë së Qytetit të Tiranës, ajo që ka ndezur gjakrat dhe ka nxjerrë problematikat e mëdha që kishin pushtuar drejtimin 15-vjeçar të shtetit nga Partia e Punës. Konferenca u zhvillua mbas kongresit XX të PKBS dhe në prag të Kongresit III të PPSH-së. Në presidiumin e punës ishin: Beqir Balluku si i deleguari i KQ, Andon Deçka, Dashnor Mamaqi, Deko Rusi, Fiqrete Shehu. Sekretaria përbëhej nga: Ajet Samarxhiu, Andon Andoni, Nuhi Gërxhalliu, Thoma Duro, Vasil Miçi. Kishte një presidium nderi ku në mënyrë simbolike ishin nderuar: KQ i PKBS dhe KQ i PPSH. Kjo Konferencë ishte planifikuar që të mbante punimet e saj mes datave 14-19 prill 1956. Fillimisht është mbajtur Raporti i Byrosë Provizore që është lexuar nga Sekretare e parë e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqrete Shehu. Në përgjithësi raporti ka përshkrua punë e partisë, arritjet dhe problemet e hasura, vërejtje në parim dhe me emra konkretë. Por deri këtu asnjë gjë nuk krijonte kontradiktë. Ajo do të fillonte më pas. Pikërisht atëherë kur një lumë pyetjesh iu drejtuan për përgjigje të deleguarit të KQ-së, Beqir Ballukut.

(vijon nesër)