Komploti i Turqisë në Vlorë dhe dorëheqja e detyruar e Ismail Bej Vlorës

640

Nga Ergys Alushi
gazetar

Skënder Spahiu
Drejtor i muzeut historik, Vlorë

Cili ishte roli i Izet Pashës? Cilët ishin anëtarët e Gjykatës Ushtarake? Si u dënuan komplotistët. Pse u rikthye Ismail Qemali në Vlorë? Ardhja e Princ Vidit

Vijon nga numri i kaluar

Izet Pasha përgënjeshtroi lajmet për përfshirjen e tij në komplot

“Izet Pasha i ka çpallur korrespodentit të gazetës “Neue Freie Presse” në Stamboll, se mbi fjalët e përhapuna të proklamimit tij për pretedent i fronit Shqipëniës nuk dinë kurrë-një sendi. Ay asht gjithësisht dorëjashtë në këtë çashtje dhe e ka përgenjeshtruar zyrtarisht laimin mbi udhëtimin e tij. Asht e vërtet që ka kamjen në Shqipëniën e poshtme dhe miq e kushri në atë të verjut. Thotë q’edhe asht në korrespodencë miqësore…me Esad Pashën sidomos pas punerave trimëniët që bani në Shkodër por dhe s’ka kurrë një laknim politike që s’donë të bajnë tjatër per veç se të çlodhet duke visituar Evropën pas dhetë vjetëve punë.Ay vet ka kërkuar që të hiqet nga ministër i luftës duke mos dashur të kundërshtoj reformet që do të bahen në ushtëriën.”
Lajmet për përfshirjen e Izet Pashës në komplotin për t’u zgjedhur princ i Shqipërisë, u përgënjeshtrua ato ditë edhe nga ambasadori i Turqisë, Hilmi Pasha. Ai do të deklaronte për gazetën “Neue Freie Presse” se Turqia nuk interesohet më për Shqipërinë që me fillimin e luftës Ballkanike, duke ia lënë në dorë Evropës. Ai ka deklaruar se, nëse Izet Pasha kërkon të kryejë ndonjë detyrë në Shqipëri, sepse ai është shqiptar, ai nuk mund të jetë më turk. Në fund, ai ka shtuar, se largimi i Izet Pashës nga posti i ministrit të Luftës, nuk ka lidhje me ndonjë marrëveshje për çështjen shqipëtare.

Ismail Bej Vlora dorëzon Qeverinë te Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit

Në kushtet e krijuara në vend, në prag të ardhjes së Princ Vidit dhe largimit të grekëve nga Jugu i vendit, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme bashkë me Këshillin e ministrave, i dërgoi një deklaratë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ku ndër të tjera i shkruante: “…përpara këtyne trazimeve këshilli i ministervet nuk gjente tjatër sgjidhje e tjatër shpëtim përvec ja dërgimin e një komisari për të gjith Shqipëniën nga an’e Lartësiës së tij Princit de Vied, ja që Komisia e Kontrollit ta vinte në dorë qeverimin e Shqipëniës e të mundonej për bashkimin e prefatitjen e vendit për pritjen e Princit” Fuqitë e Mëdha vetëm pas dy javësh që nga deklarata e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhanë miratimin për qeverisjen e të gjithë vendit duke përfshirë dhe qeverisjen e Shqipërisë së Mesme e të Shkodrës, të cilat kishin qeverisur më vete. Përfaqësuesit e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në qytetin e Vlorës në datën 4 janar të vitit 1914 i drejtuan një thirrje popullit ku në kushtet e lajmeve të përhapura andej këtej se në administratën e KNK që merrte në dorëzim qeverinë do të kishte “përsëri fuqië shimca kundër pakicës…”sqarohej se këto shpifje ishin përhapur për qëllime të këqija e për të krijuar dyshime e pakënaqësi në popullatë ndaj Fuqive të Mëdha. Thirrja bënte me dije “…pse dëshir e Qeverriëvet të mëdha ësht që të krijojnë një Shtet autonom e më vehte, që të munt të rrojë e të përparojë, e sidomos që të jetë I themelosur mbi parimin e njësiës për të gjithë…’Thirrja deklaronte se në krye të shtetit të ri shqiptar Fuqitë e Mëdha kishin vendosur një Princ të zgjedhur prej tyre, i cili bashkë me KNK, mes të cilëve ishte dhe një delegate shqiptar, do të vendosnin për krijimin e një administrate të re që do t’i përgjigjej të gjithave nevojave të vendit “…duke mbajtur para sysh dëshirat e drejta të kombit shqipëtar”

Pas dorëzimit të qeverisë së përkohshmete Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, komisioni i xhandarmërisë në Vlorë, në datën 29 janar doli me një vendim për ndalimin e mbledhjeve politike të fshehta. Çdo njeri që ka për qëllim të zhvilloje një mbledhje duhet të lajmërojë dy ditë më parë në polici për ditën dhe qëllimin e mbledhjes. Policia do të jetë e pranishme në çdo mbledhje që do të bëhet. Shkelja e vendimeve do të ndëshkohej rreptësisht.

Hetimet rreth komplotit

Për të hetuar komplotin dhe përfshirjen në komplot të njerëzve të kapur e të dyshuar, në Vlorë formohet një gjykatë ushtarake, e kryesuar nga holandezi, majori Thomson. Në përbërje të gjykatës u caktuan si anëtarë Mazhar Bej Nepravishta, Fejzi Ruli, Taip Libohova kapedan Kasëm Gjirokastra, togeri Xhavit Leskoviku, pyetës Kristo Floqi, prokuror Qerim Gjirokastra, dhe sekretar i gjykatës u caktua Kostë Çekrezi. Në kuadër të masave të marra nga holandezët, një hotel austriak që po ndërtohej në zonën e skelës ata e morën për ta përdorur për të vendosur aty ushtarët që do të ruanin skelën për aq kohë sa do të zgjaste shtetrrethimi. Që në fillimet e hetimeve, pyetësi i gjykatës, pyeti mbi punën e komplotit Lef Nosin, ministrin e postave, Pandeli Cale, ministër të punëve botore, Ministrin e financave dhe Myfit Bej Libohovën, delegatët shqiptarë në KNK. Në ditën e parë të gjyqit të zhvilluar kundër komplotistëve ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e Shteteve të Mëdha në KNK si Krajevski, delegat i Francës dhe Lamb, delegat i Anglisë që ishte dhe kryetar i KNK-së. Ditën e dytë të gjyqit ishin Petroviç, delegat i Austro-Hungarisë dhe Petrajef, delegat i Rusisë. Nga raportimet e para në gjykatë u mësua se turqit për të realizuar komplotin e sjelljes së një princi turk në Shqipëri ishin të lidhur me marrëveshje me Shkodrën e Durrësin. Si rezultat e hetimeve u kërkua dhe mbyllja e gazetës “Sedai milet” me botues Zia Pashën, pasi ishin të lidhura keq me komplotin.

Më datën 15 janar në Vlorë do të formohet e para Gjykatë Penale që do të gjykonte krime si vrasje, vjedhje etj. Gjykata kishte për kryetar Kristo Floqin, anëtar Tefik Mborja, Emin Kokalari e Mustafa Bilishti. Prokuror u caktua Sulejman Bogdo.

Arrestimet

Një nga arrestimet më të bujshme për kohën ishte ai i doktorit Ali Mihali, i cili dyshohej prej policisë se ishte i implikuar në komplot. Ditën e arrestimit të doktorit u arrestuan në Vlorë edhe pesë kosovarë si të dyshuar në trazirat që do të sillte komploti. Doktori i vetëm i qytetit që gëzonte një emër të mirë në Vlorë dhe që kishte kontribuar për hapjen e spitalit të parë pranë godinës së qeverisë në Skelë, iu bashkua të arrestuarve të tjerë që mbaheshin në dhomat e vogla të shkollës fillore të qytetit si; Beqir Gerbeneja, Çerçiz Topulli, Halit Topullit e të tjerëve që arrestoheshin dita ditës. Pas katër ditësh, doktor Mihali u lirua, pasi u provua se nuk ishte i përfshirë në komplot. E vetmja gjë që e lidhte me komplotin ishte gjetja e emrit të tij në një bllok të Beqir Grebenesë, por ai nuk e njihte fare krye/komplotistin. Nga burgu u lirua dhe Çerçiz Topulli me dy vëllezërit e tij, pasi u provua se nuk kishin lidhje me komplotin.
Një ndër të arrestuarit ishte dhe një agjent turk, nip i Beqir Gerbenesë, i cili hyri në skelë me emër të rremë, por u ndalua disa ditë më vonë në një kafene të qytetit, bashkë me një gjellëbërës që e kishte dyqanin pranë katundarisë së qytetit (bashkisë), me emrin Tajar.
Skela mbahej e rrethuar dhe ndalohej hyrja në të e personave që nuk udhëtonin si dhe çdo anije që afrohej në skelë, policia shkonte dhe ushtronte kontrolle të imtësishme.

Vendimet e gjyqit

Beqir Grebeneja u dënua me vdekje. 15 të tjerë u dënuan me 15 vjet burg. 5 vetë u dënuan me nga 5 vite burg. 8 të tjerë u dënuan me 3 vjet burg. Shumica e të dënuarve ishin nga Grebeneja, Janina, Korça, e Elbasani, por edhe nga Kaljari i Italisë. Numri i madh i të dënuarve që qëndronin në burgun e Vlorës, por edhe të burgosur të tjerë për vepra të ndryshme e detyruan KNK që t’i kërkonte prefekturës së Vlorës caktimin e ambienteve të tjera për t’i përdorur për burg. Shkak i kësaj kërkese ishte fakti që burgu i vogël ishte me dhoma të vogla, gati të shkatërruara dhe me rrezik të lartë sëmundjesh për shkak të papastërtisë që mbizotëronte në ambientet e brendshme të tyre. U propozua që deri në gjetjen e ambienteve të tjera, të burgosurit që kishin marrë dënimin të dërgoheshin në burgun e Beratit apo dhe në ndonjë qytet tjetër. Ndërkohë KNK, u vendos me zyrat e veta në disa dhoma të shtëpisë së vëllezërve Sharra, që ishte ndër godinat më të mira në qytet. Në datën 7 shkurt, KNK do të njoftonte dhënien fund të gjendjes së shtetrrethimit në Vlorë, duke deklaruar se nuk do të ketë më kontrolle nëpër anijet e huaja apo dhe ndalime të tjera të punëve e jetës së përditshme të popullatës.

Rikthimi në Vlorë i Ismail bej Vlorës Qershor – Gusht 1914

Kryetari i “dorëhequr” i qeverisë, do të largohej nga Vlora në fundin e janarit 1914, për të shkuar me banim në Nicë të Francës, në një gjendje të rëndë shpirtërore por edhe financiare. Fuqitë e Mëdha kishin vendosur të sillnin në Shqipëri një Princ të huaj për të drejtuar vendin. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nuk do të pranonte që Ismail bej Vlora të ishte në listën e njerëzve që do t’i uronin mirëseardhjen Princ Vidit. Në vend të tij do të zgjidhej Jusuf Abaz Kanina.
Ismail Bej Vlora nuk i kishte humbur lidhjet me Vlorën, parinë e saj, por edhe informimin për situatën në vend. Edhe pse kishte vetëm pak ditë që ishte larguar nga Vlora, shumë njerëz në Vlorë dhe jashtë saj, filluan të kërkonin kthimin e tij në Vlorë me qëllim vendosjen përsëri në krye të fateve të vendit. Në fund të marsit 1914, një delegacion nga Vlora, shkoi në Nicë dhe ia kërkoi seriozisht Ismail Bej Vlorës, rikthimin në Vlorë. Por kishte edhe njerëz që nuk e donin kthimin e tij në Shqipëri dhe një nga këta ishte armiku i tij kryesor, Esat Pashë Toptani. Më detyrën e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e Durrësit, të krijuar pas ardhjes së Princ Vidit, Esat Pashë Toptani u deklarua kundër ardhjes në Vlorë të Ismail bej Vlorës, duke e urdhëruar prefektin e Vlorës, që të arrestonte Ismail Bej Vlorën sapo ai të zbriste në skelë të Vlorës. Urdhri për arrestimin e njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, shkaktoi pakënaqësi të madhe në Vlorë, duke shqetësuar edhe konsullatat, që në atë kohë vepronin në qytet. Një arrestim i mundshëm i Ismail bej Vlorës do të ishte shkak për deri një reagim të mundshëm me armë të vlonjatëve, të cilët kishin filluar të organizoheshin për të siguruar dhe mbrojtur ardhjen e tij në Vlorë. Esat Pashë Toptani ishte përsëri njeriu më i padëshiruar për vlonjatët. Në fund të muajit maj të vitit 1914, Ismail bej Vlora erdhi në Vlorë me një anije që lundronte në linjën Brindisi-Vlorë e anasjelltas. Në port kishin dalë për ta pritur shumë njerëz, ku dukej qartë mbështetja dhe shpresa që kishin tek rikthimi në Vlorë i njeriut që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Por ndoshta edhe sepse në Shqipëri gjendja ishte shumë kaotike, me kryengritjen e rebelëve të Shqipërisë së Mesme nga njëra anë dhe sulmet e ushtrisë greke në jug të Shqipërisë, duke shkaktuar shpërnguljen e qindra e qindra njerëzve nga shtëpitë e tyre e boshatisur fshatrat.

Në ullishtat e Vlorës po grumbulloheshin gjithnjë e më shumë banorë të fshatrave të jugut, të larguar nga banimet e tyre për shkak të terrorit të ushtrisë greke, duke gjetur “strehë” në ullishtat përreth qytetit. Në datat 1 dhe 11 korrik, Ismail bej Vlora do të takohet dy herë me Princ Vidin, por pa rezultat për zgjidhjen e problemeve të mëdha që po kalonte Shqipëria. Në këto kushte, kur në ullishtat e Vlorës, numri i të shpërngulurve kishte arritur në mijëra e rritej nga dita në ditë, Ismail bej Vlora dhe njerëz të tjerë nga paria e Vlorës si Osman Haxhiu, Abas Mezini, Ibrahim Abdullahu, Qazim Kokoshi, Ali Asllani, Hamza Isai, Elmaz Xhaferi dhe të tjerë, vendosën që të thërrisnin në Vlorë, Kuvendin e Përgjithshëm, me delegatë nga zona të Shqipërisë së Jugut. Në datën 15 korrik dhe 16 korrik, Kuvendi, i mbledhur në sallën e bashkisë së qytetit, vendosi të krijojë Komitetin e Shpëtimit Publik me kryetar Ismail bej Vlora. Komiteti do të kujdesej për krijimin e një ushtrie që do të luftonte me grekët, në mbrojtje të fshatrave e banorëve, për grumbullimin e ushqimeve e veshmbathjeve për të shpërngulurit në ullishtat e Vlorës dhe sesnsibilizimin e mbarë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për situatën në Vlorë e në Jug të vendit. Në dokumentet e kohës rezulton se, Ismail bej Vlora, ka shkuar vetë në kodrat e Kaninës dhe Babicës për të parë nga afër gjendjen e shqiptarëve të shpërngulur, të cilët jetonin në kushte të vështira, të pa veshur dhe në kushtet e një urie të tejskajshme. Në ditët e para të gushtit 1914, pasi do të priste edhe Princ Vidin në Vlorë, midis datës 4 dhe 5 gusht, Ismail bej Vlora do të largohej nga Vlora, për të mos u kthyer më, ndoshta në pamundësi për të ndryshuar gjë dhe i zhgënjyer me të gjithë. Në dyert e Vlorës, do të mbërrinin rebelët e Haxhi Qamilit.

Ardhja në Vlorë e Princ Vidit

Princ Vidi, i shoqëruar nga një grup ministrash, si Aqif Pashë Elbasani, me një jaht mbretëror, mbërriti në Skelë të Vlorës, të dielën e datës 2 gusht 1914, rreth orës 11 të paradites.

Në librin e tij “Histori e Shqipërisë së Re”, viti 1923, Sali Hallkokondi shkruan “Shumë oratorë të famshëm mbajtën fjalë dhe mbasi e vizituanë Ismail Qemali, oficerët, hollandezët dhe autoritetet shkuanë me radhë përfaqësonjësit e visevet të shkeluna dhe më në fund disa zonja nga shoqërria “Shpresa Kombëtare” duk’e i paraqitur Mbretëreshës një buqetë lule të bukura.”

Atë ditë, tregojnë bashkëkohësit, ka qenë një ditë me një vapë përvëluese dhe me shumë pluhur.
Protokolli i planifikuar për pritjen e Princ Vidit u prish, sepse në Skelë u dynd i gjithë populli i Vlorës, fakt i cili i bëri shumë përshtypje Princit dhe Princeshës Sofi. Por habia më e madhe e Princ Vidit, ishte kur karrocës me të cilin ai do të dërgohej deri në qytet, iu hoqën kuajt dhe në vend të tyre u vendosën njerëz, të cilët e tërhoqën karrocën gjatë gjithë rrugës nga Skela deri aty ku është sot Sheshi i Flamurit. Princ Vidi erdhi për të njohur situatën në të cilën ndodheshin rreth 5 mijë shqiptarë të Shqipërisë së Jugut, të shpërngulur forcërisht nga fshatrat e tyre nga gjenocidi grek i atij viti. Ai kërkoi menjëherë të shkonte në ullishtat e Vlorës, ku ishte strehuar popullata, shumica gra e fëmijë, të cilët jetonin në kushte të vështira jetese e në mjerim të plotë.
Ai dhuroi dhe një shumë modeste të hollash, 1000 napolona flori, por në të vërtetë, jo aq sa pritej, ndërkohë që bashkëshortja e tij dhuroi 150 napolona flori tek shoqëria “Shpresa Kombëtare” në ndihmë të të shpërngulurve shqiptarë. Takimin e dytë pasdite, Princ Vidi e zhvilloi në Selamllëk, aty ku ishte ngritur flamuri, me parinë e Vlorës. Pa u errësuar mirë, rreth orës 19, Princi u largua nga Vlora, po me jahtin me të cilin kishte ardhur.

Pas ikjes së Princ Vidit, në Vlorë do të hyjnë forcat rebele të Haxhi Qamilit, që ulën flamurin kombëtar në godinat kryesore dhe ngritën flamurin turk. Natën midis 24 e 25 dhjetorit të vitit 1914, në Vlorë do të hyjnë ushtarët Italian, gjë që do të shënojë dhe pushtimin e parë të Vlorës nga Italia.