Klemend Aliko: Monumenti që i mungon Aviacionit Ushtarak shqiptar

1667
Sigal

Më 11 maj 1962, me dekret të Kuvendit Popullor u ngrit Shkolla e Aviacionit me komandant Babaçe Faikun, pilot i Klasit të I-rë

 MONUMENTI QË I MUNGON AVIACIONIT LUFTARAK SHQIPTAR

Shkolla ushtarake e viteve të monizmit në Shqipëri përgatiste ushtarakë që ishin krenarë për faktin që ishin pasues të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare

Klement Aliko

Ish-komandant i Aviacionit Luftarak Shqiptar (1989-1992)

Shqiptarët në formimin e tyre patriotik, janë edukuar nga familjet me admirimin për ushtarakët, si “trashëgimtarë” të linjës direkte të luftëtarëve kombëtarë. Figura e ushtarakut ishte e nderuar në të gjitha shtresat e popullsisë, pasi në një vend të vogël si Shqipëria, koncepti për mbrojtjen, për luftëtarët e tij ishte pjesë e konceptit të mbijetesës, pjesë e ndërgjegjes kombëtare. Figura e ushtarakut në përgjithësi kishte respektin dhe vlerësimin kolektiv të popullit tonë. Profesioni i oficerit dhe detyra e ushtarakut ishin te nderuara në Shqipëri. Në Ushtri ishin heronjtë e luftës, ata që gëzonin simpati në masën e gjerë të njerëzve, aty ishin pjesa më madhe e njerëzve që kishin merituar titullin “Hero i Popullit”. Ishte e vështirë të mendohej një shtresë tjetër e popullsisë që kishte aq shumë njohje, edukim, devotshmëri, gatishmëri, shpirt sakrifice, interes profesional e moral për interesat kombëtare sa ushtarakët. Për të studiuar për oficer në përgjithësi shkonin fëmijë të ish-ushtarakëve ose nga shtresa të varfëra të popullsisë, pas një përzgjedhjeje biografike. Shumë nga oficerët e rinj, kalonin me vite në pika hapje, në bateri, në gadishmëri e në të njëjtat vënde e fshatra së bashku me dy të tretat e popullsisë të asaj kohe.

Roli i shkollave ushtarake

Shkollat ushtarake synojnë të përgatisin kuadro të aftë ushtarakisht, fizikisht dhe të devotshëm për të shërbyer ku t’iu kërkohet. Shkolla ushtarake e viteve të monizmit në Shqipëri përgatiste ushtarakë që ishin krenarë për faktin që ishin pasues të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, të përkushtuar për detyrën që kryenin, këmbëngulës për realizmin e detyrave dhe stërvitjes, me ndjenja të forta atdhedashurie, të pa korruptuar. Ushtarakët e përgatitur në vitet e monizmit kishin në përgjithësi një formim kryesisht profesional që ishin në gjendje, me të kryer shkollën ushtarake të merrnin në dorëzim togën e ushtarëve e ta drejtonin atë në luftë, të merrnin baterinë, avionin, anijen e të luftonin me to.  Me 11 maj 1962, me dekret të Kuvendit Popullor u ngrit Shkolla e Aviacionit me komandant Babaçe Faikun, pilot i Klasit të I-rë. Ajo kryente ciklin e plotë të përgatitjes së oficerëve, ajo realizonte përgatitjen ushtarake, teorike, praktike si dhe fluturimin. Pedagogët që jepnin mësim aty kishin studiuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ishin oficerë e civilë të përgatitur e të përkushtuar, që nuk shikonin më shumë  distancën me studentët, se sa afrimin e respektin me kolegun e të nesërmes. Fusha më moderne e shkencës së aplikuar sikurse ishte aviacioni luftarak në ato vite duhej mësuar, duhej zotëruar, duhej shfrytëzuar e duhej mundur, e gjithë kjo përbënte detyrën e mësimdhënies së trupës së pedagogëve dhe instruktorëve të kësaj shkolle. Koha tregoi se kjo trupë ja arriti më së miri qëllimit për të cilën ishte krijuar. Një shkollë e shquar kudo në botë është e tillë kur ajo arrin të jetë jo thjesht një institucion që pranon individë në bangot e saj për të mësuar diçka, por kur ajo është një qëndër që frymëzon ide, i jep frymë njerëzve dhe veprave të tyre. Shkolla jonë e Aviacionit ishte e tillë, ajo gjeneronte dashurinë për armën e aviacionit. Aty këmbëngulej të bashkoheshin vlera të mëdha profesionale e morale, të dilnin pilotë e teknikë të aftë profesionalisht e njerëz të devotshëm për punën, që të kuptonin se puna në aviacion ishte shumë kolektive, se në themelin e punës në këtë armë ishte kujdesi i lartë dhe sinqeriteti, pasi aty nuk mund të kishte vënd gënjështra, e cila mund të shkaktojë edhe pasoja tragjike.

Shkolla e Aviacionit dhe rëndësia parësore

Shkolla jonë e Aviacionit rëndësi parësore i jepte aftësimit të studentëve për profesionin, fluturimin dhe përgatitjen e mirëmbajtjen e avionëve për fluturim, por rëndësi aty kishte edhe përgatitja fizike dhe sporti me shumëllojshmërinë e degëve, kishte kujdes të veçantë për librin, për letërsinë në përgjithësi si dhe bëheshin përpjekje që oficerët e të nesërmes të kishin njohje për artin, muzikën e teatrin. Shkolla e Aviacionit përgatiti për rreth 1200 kuadro, pilotë, teknikë e specialistë, të cilët kontribuan në vite për Aviacionin Luftarak. Asnjëherë nuk kam patur mëdyshje për rolin e madh e të jashtëzakonshëm të pedagogëve e instruktorëve të kësaj shkolle. Ata i pritën me respekt e dashuri, me mirësjellje e këmbëngulje të gjithë ata që kaluan në “shtrungën” e provimeve, mësimeve, kurseve e pse jo edhe skualifikimeve, por asnjë i larguar apo i skualifikuar, asnjë kursant e student që u bë pilot apo teknik, ndërkohë që i afrohej asaj teknike me ndrojtje e frikë, nuk ndjeu të tallej apo te përbuzej për padijen apo frikën e treguar kur hodhi haspat e parë në këtë shkollë. Pedagogët e instruktorët e kësaj shkolle na mësuan, ata na panë se si u transformuam, se ecëm përpara në profesion e në jetë, në karrierën ushtarake por gjithënjë ditën të jenë njerzit që luajtën rolin e shokut, të edukatorit, të prindit e të barabartit. Shkolla e Aviacionit injektoi idenë e bashkëpunimit në një punë a detyrë ku arritjet nuk sigurohen nga një individ gjeni, por kur gjeni është një kolektiv në të cilin të gjithë janë individë gjeni që bashkëpunojnë. Shkolla e Aviacionit dha idenë e qëndresës, të kurajos, guximit e forcës për të përballuar edhe vështirësitë më të mëdha. Nuk shpjegohet dot ndryshe se si njerëzit që mbaruan këtë shkollë arritën të përballonin me aq qëndrushmëri ditët e shumta e stresuese të gadishmërisë, që mundën të realizojnë fluturimet natën apo në kondita të vështira meteorologjike, sikurse po kështu si mund të ruhej e mirëmbahej kjo teknikë moderne dhe e vështirë fluturuese pa këto cilësi.  Shkolla e Aviacionit ishte pjesë e asaj përgatitjeje për luftën që s’dihej se kur mund të niste, ajo përgatiti më së miri ata djem e burra që shërbyen në aviacion, ata që e nisën karrierën në moshën e rinise, njezet-njëzetë e dy vjeç dhe dolën në pension, apo edhe ata që nuk arritën ta mbyllnin karrierën, për shkak të erërave të ndryshme që frynë mbi vendin tonë.

Dëshmorët, të cilët janë krenaria dhe nderi i kësaj arme

Mjaft prej tyre na lanë kujtimin e tyre si dëshmorë, të cilët janë krenaria dhe nderi i kësaj arme, simboli i mënyrës se si i duhet shërbyer shtetit e atdheut, me një përkushtim që nuk merr parasysh as sakrificat sublime. Jovan Kacorri, Stilian Vani Tanku, Islam Mani, Bego Isa Hoxha, Dhimitër Robo, Veiz Kovaçi, Vasil Noni, Shpëtim Sula, Armando Gjoka, Sabri Toçi, Luto Sadikaj, Haki Skuqi, Jorgji Fane, Enver Haka, Pandeli Zhupa, Tafil Agai, Veledin Resuli, Eduart Kostëdhima, Fluturim Molla, Idriz Hoxha, Jani Tarifa, Vangjel Çondi, Demush Heba, Qemal Koni e Floran Deliaj janë djem e burra që mbaruan shkollën tonë të Aviacionit që janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”

I mendova për një çast instruktorët, pedagogët, drejtuesit e mi apo të periudhës kur studiova e drejtova unë, i kujtova edhe vuajtjet e tyre në fushën e Pishë Poros, por kujtova se nuk ishin të tillë vetëm ata, ishin shumë, të gjithë ata që kontribuan në shkollë si instruktorë, pedagogë e teknikë, që patën merita e kaluan vite e vite në Pishë Poro, që kaluan vuajtje në emër të punës, në emër të nderit dhe moralit të ushtarakut të aviacionit tonë.

Babaçe Faiku, Koço Andoni, Sali Dibra, Kostandin Sadiku, Foto Lako, Flamur Micko, Hajrullah Jubani,  Misir Bani, Naun Todo, Hamit Ulqinaku, Nehar Jazexhiu, Admir Flaga, Servet Tusha, Tajar Ramaduci, Thoma Ngreci, Viktor Konomi, Petrika Manastirli, Muamer Alite, Drini Shtylla, Gjergji Spaho, Qazim Krasniqi, Rifat Vrenezi, Apollon Baçe, Adil Sinora, Nikollë Dudi, Servet Murati, Sotir Kano, Yzedin Koçi, Kiço Mëhilli, Petraq Truja, Thanas Petro, Vladimir Lalaj, Jaho Nazaj, etj., etj.,  janë vetëm disa nga emrat e shquar si drejtues e mësimdhënës apo instruktorë në këtë shkollë.

Shkolla e Aviacionit më kujton fjalët e një mikut tim sipas të cilit, Shkolla Ushtarake Shqiptare  nguliste në shpirt patriotizmin e Pashko Vasës, optimizmin e Sami Frashërit, idealet e pastra të luftëtarëve të lirisë, edukonte njërëz modernë me mendje të hapur, me shpirt idealist kalorsiak dhe me trup të çeliktë.” Shumë nga ata që mbaruan Shkollën e Aviacionit ndjehen krenarë që u përgatitën aty si duhet, për të punuar në këtë armë të shquar të vendit tonë, në Aviacionin Luftarak, aty ku së bashku kaluam vitet më të bukura të jetës, aty ku kemi nxjerrë në pah pjesët më të mira të personalitetit tonë, ku kemi dhënë maksimumin, për ti shërbyer me nder e dinjitet vendit, popullit dhe kombit. Shkolla e Aviacionit Shqiptar që në hapat e parë është ndeshur me vështirësi të shumta të cilat janë përballuar me sakrifica e përpjekje të mëdha. Ende pa u krijuar kjo shkollë, ndërkoë që tentohej të krijohej një model i së ardhmes së saj, ra në krye te detyrës kursanti Jovan Kacorri. Ranë gjithashtu gjatë stërvitjeve për kualifikim të mëtejshëm edhe piloti-instruktor Kaso Petoshati e shefi i Shtabit të shkollës Shyqyri Balla, po të njëjtin fat pati edhe Islam Mani, një oficer prej tre vitesh që synonte të bëhej pilot. Por është për t’u shënuar se që nga dita zyrtare e themelimit të Shkollës së Aviacionit,  nga 11 maji i largët i vitit 1962, në këtë shkollë nuk ra në krye të detyrës asnjë njeri njeri me uniformën e kursantit apo të studentit, gjatë procesit mësimor. Ky është një tregues i rrallë edhe për shkolla më të mëdha e më me eksperiencë se ajo e jona. Edhe për këtë tregues unë mendoj se trupa e instruktorëve e pedagogëve të kësaj shkolle është në një farë mënyre Monumenti që i mungon Aviacionit Luftarak Shqiptar.