Kërcënimi i Enverit: “Gati për luftë me Greqinë, po preku kufirin!”

1354
Sigal

ARKIV/ Gusht 1946. Konferenca e Paqes në Paris, diskuton kërkesën greke për kufirin me Shqipërinë

Më 30 gusht 1946, mbledhja plenare e Konferencës së Paqes në Paris diskutoi propozimin e delegacionit grek, për një rishikim të kufijve të Ballkanit. Më 16 shtator 1946 Gjeneralkolonel Enver Hoxha largohej nga Parisi. Në aeroport, para largimit ai bëri një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës vendosi kursin përfundimtar të delegacionit shqiptar, por dhe për të shmangur çdo diskutim tjetër rreth rishikimit të kufijve. Teksti i deklaratës, i botuar në disa të përditshme evropiane dhe më pas në gazetën “Bashkimi”

Fjala e Enverit

“Populli im, i cili u hodh i pari në luftën kundër fashizmit dhe luftoi deri në fund, kishte besim të madh, kur më dërgoi mua në Konferencën e Paqes, për një drejtësi më të mirë. Populli shqiptar, me ndërmjetësinë time nuk ka kërkuar veçse drejtësi, për të cilën kanë rënë bijtë dhe bijat e tij heroikë, ai nuk ka kërkuar veçse frytin e sakrificave të tij të mëdha. Kjo drejtësi na u mohua. Pas kaq sakrificash të bëra nga populli ynë, pas kaq provash të shkëlqyera heroizmi e vetëmohimi, pas kaq gjaku të derdhur nga i gjithë njerëzimi, ka njerëz që mohojnë paturpësisht përpjekjet tona vigane, që e quajnë luftën tonë një “mit”, që duan të na venë në anën e agresorit fashist italian dhe që kërkojnë nga vendi ynë toka, që nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë të tyret. Por, populli im nuk çuditet që ka edhe sot njerëz të tillë, vetëm i vjen keq kur sheh që përfaqësuesit e disa vendeve aleate, të cilët e dinë mirë Luftën tonë heroike, dinë sakrificat tona të mëdha dhe që vetë ata i kanë mburrur, përkrahin haptas ose nën maskë qeveritarët e Athinës, turbullues të paqes në Ballkan dhe në botë. Historia do të jetë gjykatëse e kësaj padrejtësie të madhe që i bëhet Shqipërisë, por kjo e fundit do të qëndrojë me kryet lart, pasi ajo, në kohën e rrezikut, e ka përmbushur deri në fund detyrën e saj kundrejt njerëzimit. Popujt e qytetëruar dhe demokratë e kuptojnë patjetër këtë padrejtësi që i bëhet vendit tim të vogël, i cili meriton nderime dhe të drejta të plota. Kur populli shqiptar luftonte trimërisht kundër fashizmit, të tjerët i hidhnin lule, por kur erdhi koha që ai të kërkonte vendin e tij kaq shumë të merituar në OKB ose në Konferencën e Paqes, i hodhën gurë. Populli im nuk do të mund ta kuptojë kurrë këtë logjikë, pasi ajo nuk është e ndershme. Por, në gjithë këtë çështje një gjë është e qartë: Të drejtat e popujve të vegjël shpeshherë merren nëpër këmbë. Për këtë gjë, populli im është i bindur plotësisht, ashtu siç është i bindur dhe është mirënjohës, nga ana tjetër, kundrejt miqësisë së madhe dhe të sinqertë që tregohej ndaj tij në çdo çast, kur çështja jonë strehohej nga shumë delegacione të vendeve aleate dhe miq, qoftë në Konferencën e Parisit ose në OKB. Por populli shqiptar, i cili nuk dekurajohet kurrë edhe në çastet më kritike të ekzistencës së tij, do ta vazhdojë rrugën e përparimit dhe do t’i shkrijë të gjitha forcat e tij modeste për përforcimin e paqes. Populli im, që punon në paqe dhe në rregull për rindërtimin e vatrave të veta, nuk trembet nga fashistët grekë që kurdisin komplote kundër tij. Ne jemi paqedashës, por ne nuk jemi nga ata që lejojmë të na marrin nëpër këmbë. Ne dimë t’i mbrojmë të drejtat tona, lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin tonë tokësor. Shekuj me radhë, populli shqiptar ka luftuar për të fituar këto të drejta të shenjta dhe ai është gati edhe sot të fillojë përsëri luftën e tij, në qoftë se aventurierët fashistë do të guxojnë t’ia prekin. Monarko-fashistët grekë, që prej çlirimit të vendit tim, nuk bëjnë gjë tjetër veçse provokojnë në kufirin tonë të Jugut; pothuajse çdo ditë kryen sulme të armatosura kundër rojave tona të kufirit, kundër popullit tonë punëtor e paqedashës, kundër limaneve dhe bregdetit tonë. Fashistët grekë nuk mund të durojnë, që në kufirin e tyre të Veriut të ekzistojë një demokraci e fortë dhe e shëndoshë siç është kjo e jona. Ata bëjnë çmos për të turbulluar paqen në Ballkan, ata shkojnë deri atje sa të kërkojnë dhe Shqipërinë e Jugut pse, thonë ata, ajo “është një tokë greke”. Konferenca e Parisit votoi në favor të kërkesës greke, e cila synon diskutimin e kufirit të Shqipërisë së Jugut. Unë deklaroj solemnisht se: as Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e vendit tonë, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë të huaj. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë. Që të mund të marrë një pëllëmbë tokë të vendit tonë, reaksioni grek duhet të verë në lëvizje të tjerë mekanizma përveç votës së Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijtë e tij dhe toka e tij. Nga ana tjetër protestoj për vendimin e marrë në seancë plenare të Konferencës së Parisit. Populli shqiptar nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre, që e kanë dëmtuar aq tepër dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund. Ne e kemi bërë detyrën tonë ashtu siç e kanë bërë dhe të mëdhenjtë. Dëshmorët tanë dhe sakrificat tona janë për ne, po aq të shenjtë sa janë dhe dëshmorët dhe sakrificat e të mëdhenjve; të drejtat tona janë po aq të shenjta, sa janë dhe ato të atyre. Mirëpo, Konferenca e Parisit, siç duket nuk i mori parasysh këto gjëra. Duke u larguar nga Parisi, dua të falënderoj në emër të popullit tonë, të gjithë përfaqësuesit e atyre vendeve që e mbrojtën kauzën e drejtë por të merituar të popullit shqiptar. Ne urojmë me gjithë zemër, nga ana tjetër, që ti jepet fund kësaj fushate të padrejtë e të shpifur fund e krye kundër vendit tonë, që ka luftuar me kaq trimëri kundër fashizmit dhe që do t’i shkrijë të gjitha forcat e tij për të forcuar paqen e drejtë dhe të gjatë”.

EPILOGU

Në seancën plenare të datës 26 shtator doli se, delegacioni grek e kish tërhequr kërkesën e tij për një komision të rishikimit të kufijve. Një pjesë e mirë e delegacionit të Athinës u rikthye në atdhe e u zëvendësua nga të tjerë persona, që deri në fund të konferencës diskutuan veç çështjen e dëmshpërblimeve të Luftës, pa risjellë në podium dyshimin, nëse Shqipëria kish qenë apo jo, pjesë e aleancës kundër Boshtit.

Përgatiti për botim Leonard Veizi