Ja si ua shiti Zogu serbëve Shën Naumin dhe Vermoshin

3399
Sigal

Studiuesi ushtarak, Bardhyl Hazizaj rrëfen të vërtetën e pazareve të mbretit Zog me Serbët

Pardje, më 17 nëntor ka ndodhur një paradoks shqiptar: në vend që të përkujtohej dita e madhe e çlirimit të kryeqytetit nga pushtuesit nazifashistë, gjithë vemendja u përqëndrua në varrimin e eshtrave të Ahmet Zogut, të vetëshpallurit “Mbret të shqiptarëve”. Çuditërisht, me një organizim të përsosur nga pushteti në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë është punuar dhe folur aq shumë për figurën e Zogut, duke lënë në hije gjithë figurat e tjera të historisë, madje dhe Ismail Qemalin. Ky ishte një akt i turpshëm në këtë 100-vjetor. Sepse, sado që ta zbukurojnë pushtetarët e sotëm, figura e Ahmet Zogut mban vulën e tradhtisë kombëtare. Ai shiti Flamurin, shiti atdheun dhe tradhtoi popullin shqiptar në ditën më të zezë, ditën e pushtimit fashist. Për këtë është folur e flitet shumë nga historianët seriozë, politikanë dhe intelektualë me dinjitet. Unë do të sjell këtu fakte të pakontestueshme të tradhtisë së Ahmet Zogut, marrëveshjen e tij antikombëtare me kryeministrin serb Pashiç, shitjen e Vermoshit dhe të Shën Naumit e të tjera… Prandaj butaforia e ceremonisë së varrimit të eshtrave të Ahmet Zogut, dekorimi i tij me Urdhrin e Flamurit Kombëtar do të përmbëjnë një njollë të zezë në këtë prag 100-vjetor. Sepse damkën e tradhtisë së tij nuk kanë për ta shlyer as shekujt.

“Kush shikon vetëm prapa i plastë syri!Ai që nuk sheh prapa i plaçin të dy sytë!”

Në historinë kineze, thuhet se” kinezët e lashtësisë ishin të mendimit se çfarëdo që të bëjnë njerëzit e zakonshëm në tokë, hyjnitë në qiell i vëzhgojnë me vëmendje. Prandaj, për të kaluar një det të gjerë, duhet medoemos të mbulosh sytë e qiellit. Po a mbulohen sytë e qiellit? Historia ka treguar se si për interesa të ngushta personale, për të marrë apo mbajtur pushtetin janë cenuar interesat kombëtare deri atje sa edhe të jepen si plaçkë pjesë të territorit të vendit. Përpjekje të tilla janë bërë edhe sot me marrëveshjet nënshtruese me vendet fqinjë, sidomos marrëveshja detare me Greqinë. A thua se nuk është mësuar fare nga historia jonë e kaluar e hidhur. Por le të kthehemi te tema që duam të trajtojmë në këtë rast, te marrëveshja e Zogut me serbët në vitin 1925. Ja si shkruajnë të huajt për këtë marrëveshje.

Beogradi, strehë e Zogut pas rrëzimit në vitin 1924

Pakti i Romës, i janarit të vitit 1924, ua imponoi Romës e Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mos përzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellët mbi ngjarjet në Shqipëri. Ndërkaq, kjo nuk qe pengesë që qeveria italiane, në qershor të vitit 1924, ta ndihmonte kryengritjen e Fan Nolit kundër Ahmet Zogut e as qeveria jonë, në dhjetor po të atij viti, t’ia bënte të mundshme Ahmet Zogut, që, nga territori ynë, të futet në Shqipëri për ta marrë pushtetin. As Roma, as Beogradi, nuk mundën t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të vet shqiptarë, që kërkonin ndihmë për ta mbajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe që premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin më të parë e ndërronin orientimin. Kur në shtator të vitit 1923, Zogu u rrëzua me ndihmën e liberalëve dhe nacionalistëve, të udhëhequr nga peshkopi ortodoks Fan Noli, ai me dhëndrin e vet Ceno beun Kryeziun (Crnoglaviqin) dhe afro 500 përkrahës erdhën në Jugosllavi. Disa muaj Zogu jetoi në Beograd, në hotelin “Bristol”. Në fund të vitit të mëpasshëm, me ndihmën e Beogradit arriti që me fisin dhe përkrahësit e vet të bëjë përmbysjen në Shqipëri. Pasi e ka rimarrë pushtetin Zogu, një numër i kundërshtarëve të tij u arratisën në Beograd. Në mesin e tyre ishte edhe prifti katolik dhe shkrimtari Lazër Shanto, i cili e shkroi në vitin 1925 tregimin “Fëmijët shqiptarë në lulishte të hueja…” (është botuar më 1928). Në këtë tregim përshkruhen dy familje shqiptare, të cilat një ditë të bukur pranverore shëtisnin me fëmijët e tyre në Kalemegdan dhe bisedonin lidhur me jetën e tyre në Evropë. Duke e qarë fatin e fëmijëve të vet, njëri prej tyre thotë: “I mjeri fëmí! Ka pá gjith at botë e nuk njeh enè vendin e vet. Rrinte në kafe Moskva të Belgradit në prêhën të general Vešoviçit, e nuk mund të rrije në prêhën të gjyshit e të gjyshes së vet.” (Gjenerali Radomir Veshoviq ishte dikur ministër i Malit të Zi dhe ithtar i mbretit Nikolla, të cilin mbreti Aleksandër e amnistoi)”

Zogu “mban fjalën” deri në fund

Dihet nga historia se Mehdi Frashëri ka qenë i ngarkuari dhe përfaqësuesi shqiptar në Komisionin e Vendosjes së Kufijve i Lidhjes së Kombeve nga viti 1922 deri në vitin 1939 të rënies së qeverisë së Zogut. Ai ka firmosur në shumë dokumente të kohës, por ajo që s’dihej, ishin kujtimet e tij të ruajtura nga një i afërmi i tij dhe të zbuluara në vitin 2005. Në këto kujtime ai sqaron me detaje problemin shumë të përfolur të Shën Naumit dhe të Vermoshit. Në këto kujtime del këmbëngulja e Zogut për të “mbajtur fjalën”, d.m.th, për të zbatuar marrëveshjen që kishte firmosur në vitin 1925. Për Shën Naumin Mehdiu thotë se është vendosur nga Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve që në vitin 1915 që Shën Naumi u takonte jugosllavëve, por jugosllavëve fatkeqësisht u kishte humbur dokumenti i nënshkruar(!).Një kopje tjetër do ta kishte Komisioni i Madh. Një alibi banale e përfaqësuesit tonë për të justifikuar marrëveshjen që kishte bërë Zogu me Pashiçin në vitin 1945, pasi marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë letra bakalli dhe bëhen në një kopje. Së dyti, Mehdi beu ngre si arsye që meqë Shën Naumi na paska qenë shenjtor sllav dhe serbët janë fanatikë ortodoks, më mirë t’ia lëmë Serbisë që të mos na hapë telashe më vonë. Fakti që Shën Naumi ishte sllav, nuk do të thotë që toka ku është ngritur manastiri është sllave dhe Mehdi beu as që e përmend këtë fakt. Mehdi beu këtu nuk argumenton se kjo tokë është serbe dhe ata morën tokën e tyre, por thjesht nxjerr arsye për të justifikuar veprimin e dënueshëm që ai dhe mbreti ynë bënë. Shkëmbimi i Shën Naumit nuk është gjë tjetër veçse shkëmbim të tokave shqiptare. Ne i dhamë Shën Naumin, tokën tonë dhe morëm tokat tona që ata më parë na i kishin rrëmbyer!…

Po si ishte e vërteta?…

Kur mbaroi Lufta e Parë e Botërore, Komisioni i Kufijve filloi veprimet e veta dhe ky komision vendosi që Shën-Naumi t’i mbetej Shqipërisë. Pavarësisht se Shën Naumi ishte shenjt sllav, ai kishte vepruar edhe në vise të tjera të Shqipërisë dhe s’kishte logjikë se kudo ku ai kishte vepruar, ishte tokë sllave. Ndaj dhe Gjykata e Haqës pas ankesës serbe, vendosi që Shën-Naumi duhej t’i jepej Shqipërisë. Serbët kërkuan që Shqipëria ta shkëmbente me një vend tjetër Shën Naumin. Në bazë të këtyre konsideratave Qeveria Shqiptare më ngarkoi Mehdi Frashërin për shkëmbimin.

Hosanara të një regjimi të mbaruar

Siç shihet qartë me këtë marrëveshje Shqipëria humbet pavarësinë e saj dhe kthehet në një provincë jugosllave. Kjo marrëveshje u komentua edhe nga shtypi i huaj e sidomos nga ai i vendeve fqinje. Edhe sot pas 100- vjetësh përsëri nga e njëjta “magji” po vuajmë ne. Klasa politike në pushtet, nuk e do Republikën por kërkon kthim prapa në Monarki, një regjim te perënduar, prandaj i thurin hosanara familjes mbretërore.”Edhe ne stërnipërit e Skënderbeut, do t’i themi bishës huaj, se ky vend i Kastriotit është i yni, s’e kërkoj prej jush e as prej zotit”‘.

(vijon nesër)

MEHDI FRASHËRI DËSHMON SE SI KA ZBATUAR POROSITË E ZOGUT PËR T’UA DHËNË SERBËVE SHËN NAUMIN DHE VERMOSHIN

Për Shën Naumin inë nuk pashë posibilitete që Shën-Naumi të shkëmbehej me vende shqiptare, pse nga katundi Lin i Shqipërisë vazhdojshin katunde sllavo-bullgare. Me të tilla katunde me popullsi eterogjene, Shqipnia jo vetëm nuk forcohej, por përkundrazi dobësohej. Atëherë unë Mehdi Frashëri vendosa që Shën-Naumi t’i mbesë, me një periferi shumë të ngushtë Serbisë, por kufini në vend që të vazhdonte që nga kodra e Zagoriçanit gjer te Qafa e Plloçit, ku ndodheshin dy versante: versanti i Maliqit dhe Liqeni i Ohrit, vija e kufinit të hidhej ke Mali i Thatë, e të përfshinte katundin shqiptaro-orthodoks Pëshkupat. Ky katund po t’i mbetej Serbisë, me kohë do të sllavizohe, m’anë tjetër gjithë Lugina e Cerovës, ku katundet shqiptare kishin tokat e tyre i mbeteshin Shqipërisë, përveç këtyre i mbeteshin, dhe një pjesë e madhe e kullotave verore Shqipërisë. Po të peshohet Shën-Naumi me këto avantaxhe që thamë më sipër, ky solucjon ishte më i favorshëm për Shqipninë. T’arratisunit politik nga injoranca e çështjes o qëllimisht, Shën-Naumin e përshkruajshin si një pikë strategjike me rëndësi, kurse invazioni sllav nuk shhkonte nga Shën-Naumi, gjithmonë kishte vazhduar Qafën e Thanës.

MARRËVESHJA FAMËKEQE ZOG-PASHIÇ

19 nëntor 1925

Italianët e shtinë në dorë marrëveshjen duke e marrë nga dy burime të ndryshme. Më 19 nëntor 1925 përfaqësuesi italian në Beograd, gjenerali Bodrero me telegram sekret Nr. 5881/1136 njofton përmbledhtas marrëveshjen midis Zogut dhe Pashiqit në gusht 1924 (shih AQSH Fond 251 viti 1924 dosje Nr. 105 Dok 1-3).

Marrëveshja midis Zogut dhe Pashiçit në gusht 1924 është një marrëveshje e paligjshme, sepse Zogu nuk përfaqësonte në atë kohë asgjë, veç vetvetes. Ashtu si dajua i tij Esad Pashë Toptani, por Esat Toptani më 17 shtator 1914 kishte nënshkruar në Beograd në emër të Shqipërisë e të popullit shqiptar një marrëveshje në thelb e njëanshme pa qenë i autorizuar as formalisht për këtë. Edhe Ahmet Zogu me 1924 nënshkroi marrëveshjen pa qenë i autorizuar, njësoj si Esati.

Dokumenti

*Shqipëria angazhohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.

*Kryetar i shtetit shqiptar duhet të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë e Karagjorgjeviçëve.

*Qeveria Jugosllave me të gjitha mjetet diplomatike e ushtarake do ta njohë Zogun kryetar të shtetit përsa të jetë gjallë dhe menjëherë i lidh të ardhura vjetore

*Te shkrihet Ministria Shqiptare e Luftës dhe Shqipëria nuk do të ketë ushtri kombëtare.

*Shqipëria do të ketë një xhandarmeri aq të fortë sa të shtypë çdo lëvizje ose revoltë të ngritur kundra Zogut dhe regjimit të tij

*Xhandarmëria do të drejtohet edhe nga oficerë rusë e ish-ushtrisë së gjeneralit Vrangel, që tani ndodhet në Jugosllavi. Kjo xhandarmëri do të pajiset me armë e financohet nga qeveria jugosllave.

*Në xhandarmëri do të shërbejnë edhe oficerë jugosllavë e të tjerë që qeveria jugosllave do t’i pranojë në interes të të dy vendeve.

*Të stabilizohet një bashkim doganor midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë

*Përfaqësuesi i Jugosllavisë jashtë shtetit do të përfaqësojë edhe interesat e Shqipërisë, prishen konsullatat dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë jashtë shtetit.

*Qeveria shqiptare duhet të deklarojë në Konferencën e Ambasadorëve në Paris që heq dore nga çdo premtim i saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumin dhe Lokalitetin e Vermoshit e të Kelmendit që mbeten në territoret e Jugosllavisë.

*Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarkana e Konstandinopojës dhe do të bashkohet me hierarkinë ortodokse të Beogradit, kështu edhe Myftia Myslimane Shqiptare do të varet nga Jugosllavia.

*Qeveria shqiptare mbahet larg nga politika e ngushtë kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo të detyrohet të mos pranojë as tokën e saj kosovare dhe elementë e tjerë që njihen ose dyshohen për ndjenjat e tyre anti-jugosllave.

*Në qoftë se Jugosllavia do të futet në luftë kundër Bullgarisë e Greqisë, ajo gëzon të drejtën të rekrutojë ushtarë në Shqipëri dhe të formojë një ushtri prej 25 mijë vetësh me qëllim për t’i përdorur në frontin grek ose bullgar.

*Në rast lufte me Italinë Shqipëria do të mbante qëndrim neutral dhe do të favorizonte Jugosllavinë. Në raste të luftës Itali Greqi kundrejt Shqipërisë, ushtria jugosllave do të ketë të drejtën të okupojë tokën e saj nga invadimi eventual italiano- grek

*Qeveria shqiptare nuk mundet t’i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin e preventivin e  Jugosllavisë.

*Traktati është sekrete dhe nuk mundet të shtypet as të zbulohet pa pëlqimin e të dy palëve. (AQSH fond.251.viti 1924.dosja 105,dok 2-5 shih edhe Pastoreli vepra f.222).