Hysen TABAKU*/ Hasan Xhelo, partizani dhe komandanti trim në batalionin e Vërçë-Sulovës

1446
Sigal

Hasan Ali Xhelo u lind më 03.08.1915 në fshatin Nartë të rrethit Gramsh, në  një familje patriotike dhe atdhetare. Me formimin e batalionit Vërçë-Sulovë, më 18 gusht 1943, ai inkuadrohet në ‘të dhe caktohet komandant kompanie. Pushtimin fashist të vendit, si gjithë populli shqiptar, Hasan Xhelua e priti me indinjatë të thellë. Në vjeshtën e vitit 1941, kur Hasan Xhelua po kthehej nga Gramshi, për në shtëpinë e tij në Nartë, në vendin e quajtur përroi i Çekrezit, shpëtoi nga përdhunimi i ushtarëve italianë një nuse e fisit Qeti nga fshati Strorë i rrethit Gramsh, e cila po kthehej me të kunatin nga prindërit e saj. Italianët, pasi kishin lidhur kunatin, i vërsulen nuses, Hasani, me një të shtënë vret njërin prej tyre, kurse tjetri largohet me vrap në pyll. Në pamundësi për të kapur Hasanin, italianët i djegin shtëpinë. Mbas disa muajsh, me anë të spiunëve e kapin dhe e burgosin në burgun e Beratit. Nga fundi i vitit 1942, një njësit i çetës së Jançës i përbërë nga Cene, Rreme dhe Yzeir Tabaku, të ndihmuar nga juristi beratas, i quajtur Safet Gjinokastra, mik i Tabakasve, si dhe tregtari Kol Mbreshtani, me origjinë nga fshati Shemitër, të cilët me ane të futjes për takim të Rreme Tabakut, futen brenda ambienteve të burgut litar dhe organizuan arratisjen të Hasanit dhe Xhemalit. Ata, do të internoheshin së shpejti në Itali. Atë natë u morën masat dhe u organizua arratisja e Hasanit, Xhemal Tabakut dhe dy-tre antifashistëve të tjerë, por i fundit, një i dënuar nga Skrapari, mbeti i vrarë mbasi u diktua nga rojet italiane të burgut, kur po zbriste me litar. Mbas daljes nga burgu Hasan Xhelo lidhet me çetën e Skraparit të Mestan Ujanikut dhe Riza Kodhelit. Gjatë pranverës dhe verës të vitit 1943 ai bashkë me çetën e Jançës u bën pritë 5-6 herë forcave balliste të komanduara nga Abaz Ermenji, F. Gurrozezi dhe Lake Turku. Me formimin e batalionit Vërçë-Sulovë, më 18 gusht 1943, ai inkuadrohet në të dhe caktohet komandant kompanie. Me ndihmën e fshatarëve të tij, ai ndërton shtëpinë dhe e kthen atë në një bazë të sigurt, për të gjitha shtabet e forcave partizane të Qarkut të Beratit, Korçës, Elbasanit, si dhe të Brigadës së Parë dhe të VII  Sulmuese. Në operacionin e Dimrit, duke luftuar kundër forcave gjermane e balliste në fshatrat e Skraparit, Hasani plagoset në shpatull. Në fillim të pranverës së vitit 1944, Hasani ngarkohet me detyrën e Komandantit të vendit në Sulovën e Sipërme, me qendër në ish -Komunën Tunjë. Në operacionin e Qershorit forcat balliste, të komanduara nga Xhaf Bali, djegin përsëri shtëpinë e Hasan Xhelos dhe arrestojnë dy vëllezërit e tij, Saliun dhe Hysniun. Hysni Xhelo, i cili ishte invalid (çalonte shumë) e larguan deri 500 metra, e rrahin dhe e lënë pa ndjenja në rrugë, kurse Sali Xhelon e marrin me vete për ta pushkatuar në Tomorricë. Gjatë rrugës atë e qëllonin, e torturonin. Xhaf Bali, ky ballist katil, i thoshte me cinizëm: “Ku e do plumbin o Sali Xhelo, para apo mbrapa? Ai shfrytëzoi një moment shpërqendrimi të tyre dhe në moment u hodh në rrëpirë e u fut në pyll. Ata e qëlluan dhe mundën vetëm ta plagosin. Pas disa orësh Saliun e gjen kunati i tij, Ramo Dragoti dhe e çon në shtëpi. Por, pas disa muajsh Saliu vdes nga plagët e pashërueshme të shkaktuara nga dyfeku i Xhaf Balit. Kurse Hasani gjatë operacionit armik të Qershorit në Qafën e Kashtës, plagoset për të dytën herë nga një copë predhe murtaje. Mbas çlirimit të vendit Hasani inkuadrohet me forcat e ndjekjes me gradën e togerit. Në vitin 1951, gjatë ndjekjes së bandës së Halil Hoxhës, Hasan Xhelo plagoset keqas në kofshë. Ka ndodhur në Proboshtin të fshatit Jançë të Gramshit, aty ku ngeli i vrarë dhe komandanti i postës Tunjë, aspiranti nga Mallakastra. Mbas lirimit nga organet e punëve të brendshme në vitin 1959 shkon familjarisht në fermën e Thumanës në Krujë dhe në vitin 1961 Hasn Xhelua u nda nga jeta. Ai ishte një trim i rrallë, patriot i flakët, dhe shumë i zgjuar, dhuratë që ia kish falur natyra. Ishte burrëror Hasni, nuk e njihte frikën dhe, ca më pak, nuk dinte të kthehej mbrapsht. Megjithëse i pashkollë, ai ishte bilbil nga goja. Atë nuk e mposhti as burgu fashist, as tre plagët e marra gjatë luftës, një prej të cilave e mori gjatë asgjësimit të bandave të diversantëve nga të cilat ngeli invalid. Madje përballoi po me kaq burrëri edhe vrasjen e vëllait nga ballistët.  Për figurën dhe veprimtarinë patriotike të Hasanit dhe familjes së tij, deri tani nuk ka shkruar njeri. Kurse për ata që bashkëpunuan e i shërbyen pushtuesve dhe të huajve mbas çlirimit, duke ardhur si agjentë e terroristë, për të vrarë e shkatërruar, përjetësohen, duke u vënë emrat e tyre rrugëve të qyteteve, apo duke u shpallur edhe “Qytetar Nderi”!  Veteranë, historianë dhe intelektualë e Gramshit duhet të shkruajnë, të publikojnë vlerat patriotike dhe kontributet që ka dhënë populli dhe patriotët e Gramshit në luftën për pavarësi e çlirim kombëtar. Është ky popull që ka lënë gjurmë të ndritura në historinë kombëtare, që ka bërë histori si mbarë populli shqiptar, duke e shkruar atë me gjak, me sakrifica, duke e mbrojtur me tytën e pushkës.

*Veteran i luftës Nacional Çlirimtare