-Në kohën e planizimit të Artit Ushtarak në Shqipëri kishte 1500 pika hapjeje për kohë lufte.
– Në vitin 1975, Veli Llakaj dhe disa oficerw u ngarkuam nga shoku Mehmet të përgatisnim Planin Operativo-Strategjik të Mbrojtjes
– Urdhrin e transmetoi Veli Llakaj Shef i Shtabit që kishte ardhur në atë detyrë rreth një vit më parë, nga ish detyra e Komandantit të Korpusit të Fierit.
– Mehmet Shehu që kur shtroi detyrën për hartimin e planit operativo-strategjik të mbrojtjes për kohë lufte, e kishte studiuar planizimin ekzistues dhe ne dridheshim.
– Gjithë plani i mbrojtjes, pa ato të korpuseve, ishin tetëmbëdhjetë faqe të daktilografuara dhe një hartë e shkollës 1:200.000.
Hysen Qendro-ish sekretari i Mehmet Shehut
Në vitin 1975 u ngarkua një grup kuadrosh të Drejtorisë së Organizim- Mobilizimit dhe Drejtorisë Operative, që në bashkëpunim me degët ushtarake të rretheve, të studionin dhe të paraqitnin gjendjen ekzistuese, të kontigjenteve, pikat e hapjes, largësinë e tyre, nevojën e hapjes së pikave të reja, dhe t’i jepeshin Mehmetit me shkrim të pasqyruara në një hartë topografike.
Pas dy ditësh, në një pasdite të orarit zyrtar, në zyrën e planizimit, erdhën drejtori operativ, Hajrulla Muhameti dhe drejtori i Organizim Mobilizim, Hito Goxhi. Ata u ulën në tavolinën e punës së daktilografistes dhe po shkëmbenin mendime lidhur me përhapjen e njësive të ushtrisë në pikat e hapjes dhe vendet ku ishin komandat e njësive të kohës së paqes të Brigadave dhe Korpuseve. Në atë kohë pikat e hapjes ishin të përhapura nëpër qendra ndërmarrjesh dhe kooperativash bujqësore.
Në tryezën ku ishin ulur kishin përpara një material rreth 50 faqe të daktilografuar. Më ftuan edhe mua për të më dhënë detyrën, të hidhja në një hartë të shkallës 1:200000, të gjitha pikat e hapjes dhe vendkomandat e batalioneve grupeve dhe të Brigadave, sipas materialit të shkruar. Në material ishin edhe pikat e hapjes të brigadave të reja që do krijoheshin sipas detyrës që kishte vënë Mehmet Shehu. Materiali së bashku me hartën e gjendjes së kompletimit dhe me propozimin për njësitë e reja, iu paraqit Mehmet Shehut, së bashku me propozimet, ndryshimet dhe përmirësimet, që duheshin bërë, të cilat ai i miratoi.
Në kohën e planizimit ne kishim 1500 pika hapjeje për kohë lufte.
Hartimi i AULP dhe përmirësimi që u bënë në strukturën e organizimit, kompletimit, dhe hapjes së kontigjentëve, ishte fillimi i punës përgatitore për hartimin e planit të mbrojtjes.
Një pasdite e muajit nëntor të vitit 1975, përpara se të mbyllej orari zyrtar i pasdites, sepse atëherë dy ditë në javë punohej dy orë pasdite, të hënën dhe të martën, ne kuadrot e Drejtorisë Operative ishim mbledhur në zyrën e drejtorisë që ishte në katin e tretë të Ministrisë së Mbrojtjes, në korpusin që ngrihet drejtë rrugës “Myslym Shyri”, ose përballë Gjykatës së Lartë. Në atë kat ishte edhe zyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, një zyrë e gjatë që kishte dy dyer, njëra hapej në koridorin e katit dhe dera tjetër ishte e brendshme, që komunikonte me zyrën e Drejtorit Operativ, aty prapa tavolinës së punës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, në krahun e djathtë të tij.
Në ato momente u hap kjo derë komunikimi dhe Shefi i Shtabit, siç e kishte zakon, përpara se të vinte ndonjë detyrë, bënte një pyetje që s’kërkonte përgjigje, kur thoshte:
– Hë more, çfarë po bëni?
Të gjithë u çuam në këmbë dhe po prisnim se ç’do të na thoshte.
Pas një pauze, ai vazhdoi:
– Përgatituni mirë se do të fillojmë një detyrë shumë të rëndësishme, që na i ka ngarkuar shoku Mehmet. Do fillojmë të përgatisim Planin Operativo-Strategjik të mbrojtjes. Ju e dini se ai plan nuk do të përgatitet nga e gjithë Ministria, por kryesisht nga drejtoria juaj, që njihni të gjithë sferën e gjendjes në ushtri dhe problemet që kërkon përcaktimi i detyrave për kohë lufte.”
Veli Llakaj kishte ardhur në atë detyrë rreth një vit më parë, nga ish detyra e Komandantit të Korpusit të Fierit. Edhe ai nuk e dinte se si do të hartohej ai plan. Ai dinte planin e Korpusit, që e kishte hartuar më parë dhe e kishte miratuar në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe mendonte se do të ndiqej ajo metodë që ishte ndjekur më parë, kur komandat e Korpuseve e hartonin vetë planin operativ të mbrojtjes në zonën e vet, të ndihmuar edhe nga oficerët e drejtimit të Drejtorisë Operative, dhe e sillnin për ta miratuar te ministri. Shumica e këtyre planeve përbënte edhe planin e përgjithshëm të mbrojtjes për kohë lufte, duke i shtuar edhe planin e përdorimit të njësive të Rezervës së Komandës së Përgjithshme, që planizohej nga MMP.
Mehmet Shehu që kur shtroi detyrën për hartimin e planit operativo-strategjik të mbrojtjes për kohë lufte, e kishte studiuar planizimin ekzistues dhe mënyrën se si ishte hartuar nga komandat e kurpuseve e Grupimeve Operative dhe punën që kishte bërë ministria e Mbrojtjes.
Gjithë plani i mbrojtjes, pa ato të korpuseve, ishin tetëmbëdhjetë faqe të daktilografuara dhe një hartë e shkollës 1:200.000, ku ishin disa përqëndrime të Rezervave të Komandës së Përgjithshme, pa mënyrën e përdorimit të tyre. Këto dy dokumente nuk thoshin asgjë përpara asaj që kishte në mendje Mehmet Shehu për planin e ri të mbrojtjes.
Përpara se të fillonte hartimi i planit të mbrojtjes, ai kërkoi të njihte gjendjen ekzistuese të zbatimit të detyrave për kohë lufte nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe njësitë e repartet e ushtrisë. Të njihte Zonat e mbrojtjes së Korpuseve, gjendjen vendkomandave dhe PDO për kohë lufte. Në këtë çështje mbante parasysh se struktura e ushtrisë ishte shtuar e forcuar me kontigjente të forcave rezerviste, forcat vullnetare të vetëmbrojtjes popullore, të rinisë shkollore dhe studentore dhe njësitë sulmuese, për to donte të dinte shkallën e stërvitjes, që zhvillohej veçmas, për çdo kontigjent dhe mendonte për përcaktimin e detyrave që do të kryenin në kohë lufte.
Pas tri-ditësh, Mehmet Shehu, në krye të një ekipi të ngushtë, të përbërë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori Operativ, Drejtori i Drejtorisë së Zbulimit dhe komandanti i Korpusit ku shkonte në drejtimin përkatës, filloi punën për planizimin luftarak, sipas programit që kishte hartuar vet dhe sipas një rradhe të caktuar.
Ky grup filloi për njohjen (rikonicionin) në terren përgjatë gjithë kufirit tokësor dhe detar, duke dalë në pikat dominuese të tij, me qëllim që të njihej më konkretisht me detyrat ekzistuese dhe ndryshimet që duheshin bërë në ato drejtime. Për të përcaktuar çështjet që do të përfshi-heshin në planin luftarak, siç ishin: ripërcaktimi i drejtimeve të mundëshme nga do të pritej rreziku, kufijtë operativ të Korpuseve dhe brezat e Brigadave, rajonizimin dhe kompletimin e tyre.
Në këtë çështje kërkonte të saktësonte e përmirësonte rajonizimin e Brigadave dhe Korpuseve, që të ishte sa më afër detyrave të mbrojtjes. Mehmet Shehu kishte aftësi të veçanta në njohjen e terrenit, për ta vlerësuar në pikëpamje ushtarake, duke përcaktuar drejtimet e mundshme të armikut, nxënësinë e forcave, lejushmërinë e kalimit të mjeteve, si të vendoseshin në formacion luftimi, ku të përqëndroheshin forcat dhe mjetet kryesore, ku të jepeshin ku-ndërsulmet dhe kundërgoditjet etj. Në terren, në prani të Komandantit të Korpusit që vepronte në atë zonë mbrojtje, u bënë edhe korrigjimet dhe plotësimet e nevojshme të detyrave luftarake.
Atje në terren u njoh me hollësi me të dhënat e nevojshme për Planin Operativo-Strategjik të mbrojtjes, ai mori dijeni të hollësishme për disa çështje që lidheshin me përllogaritjet statistikore të mundësive të forcave tona siç ishin: shkurtimi i kohës së kompletimit dhe hapjes së Korpuseve dhe i Grupimeve operative, në detyrat luftarake, përmasat e zonave dhe brezat e mbrojtjes të Brigadave, zonat e parashikuara të hedhjes së DA nga armiku dhe cilat ishin forcat e caktuara për asgjësimin e tij, forcat e gatshme, gjendja e tyre dhe rajonet e përqëndrimit, si dhe gjendja e njësive të Rezervës së Komandës së Përgjithshme, përqëndrimi dhe ideja e planit të përdorimit të tyre, vendkomandat dhe venddrejtimet për kohë lufte, vëllimi i zjarrit të armëve që krijohej përpara vijës së mbrojtjes dhe sasia e plumbave për një metër katror sipërfaqe, ngarkesa e pajisjeve që mbart ushtari në luftimin mbrojtës dhe në atë mësymës, gjendja e FVVP, përhapja në të gjithë territorin, organizimi dhe detyrat e tyre.
Në zonat e mbrojtjes të Korpuseve nuk pati ndryshime, nga Shëngjini deri në derdhjen e Shkumbinit, mbrohej Korpusi i 4 MBD kështu, Korpusi i 7 i Burrelit shtrihej nga Qafa e Thanës deri në Kalanë e Dodës, prej Kalasë së Dodës, deri në Vermosh shtrihej Korpusi i 5 i Pukës, nga Vermoshi deri në Shëngjin, shtrihej Korpusi 9 i Shkodrës, nga derdhja e Shkumbinit deri në Himarë shtrihej Korpusi 1 i Fierit, nga Himara e deri në Leskovik, shtrihej Korpusi 2 i Gjirokastrës, dhe prej andej e deri në Qafë Thanë mbrohej Korpusi 3 i Korçës, ndërsa Grupi i 6 dhe i 8 ishin përqendruar përkatësisht në Tiranë dhe Elbasan. Pra, hapësirat e zonave të caktuara që kishin Korpusin si gjerësi dhe thellësi mbetën po ato, ndërsa në brezat e mbrojtjes të Brigadave u bënë përmirësime e ndryshime sepse u krijuan Brigada të reja gjithëarmëshe dhe tankiste.
Grupi i përnjohës, nën drejtimin e Mehmet Shehut, doli edhe në disa pika të mesit të vendit, në thellësitë e këtyre zonave për të parë dhe mbështetur më mirë shpinën e njëra-tjetrës. Atje ku mbeteshin hapësira malore u cilësuan zona strategjike, që mbuloheshin nga RKP dhe forca të njësive sulmuese. Në të gjitha pikat, ku dilte grupi i rikonicionit, Mehmet Shehu kërkonte nga komandanti i Korpusit përkatës dhe Drejtori i Zbulimit, të raportonin gjendjen e forcave ushtarake të shtetit fqinj, numrin e njësive, organizimin e tyre, ku ishin përqëndruar, mundësitë dhe rrugët e afrimit drejtë kufirit tonë dhe drejtimet e mundshme të mësymjes së tyre.
Në terren shihej konkretisht edhe vendosja e forcave tona sipas rëndësisë së drejtimeve dhe mbaheshin shënime, për t’u patur parasysh në hartimin e planit të ri. Studim i veçantë u bë, në atë përnjohje edhe për parashikimin dhe përcaktimin e vijave të hapjes për dhënien e kundërgoditjeve dhe kundërmësymjeve, në rajonet ku armiku, për arsye të raportit të forcave në favor të tij, do të mund të pykëzohej në mbrojtjen tonë. Atje u përcaktuan edhe pikat e hapjes sipas rajonizimit të ri që kishin propozuar Drejtoria e Organizimit- Mobilizimit dhe ajo Operative, dhe mbi atë studim, filloi të bëhej kompletimi dhe hapja e forcave.
Pas përnjohjes që u krye në terren, përveç shënimeve që u mbajtën, kur erdhi grupi në MMP, ai vuri detyra që të hidheshin në një material të shkruar dhe në një hartë topografike konkluzionet për t’i patur parasysh në hartimin e planit të ri operativo-strategjik të mbrojtjes.
Përsa i përket mënyrës së si do të bëhej planizimi, tash Mehmeti e kishte përcaktuar se nuk do të ndiqej metoda e mëparshme, sepse ajo metodë nuk i përgjigjej realitetit që ndodh në një luftë të vërtet, ku detyrat luftarake vijnë nga lartë-poshtë. Kjo do të thotë që Komanda dhe Shtabi i Përgjithshëm, që kanë një njohje të plotë të situatave dhe të çështjeve, që kanë edhe idenë e përgjithshme të organizimit të mbrojtjes strategjike, e kanë për detyrë t’u vënë detyra komandave të Korpuseve dhe njësive të RKP, ndërsa komandat e Korpuseve kanë për detyrë që t’u ngarkojnë detyra komandave vartëse, siç janë komandat e Brigadave dhe të Regjimenteve, kështu veprohet deri poshtë.
Në këtë mënyrë ndiqej edhe parimi dialektik i zbërthimit dhe i zbatimit të detyrave nga e përgjithshmja tek e pjesëshmja ose e veçanta, nga detyrat e mëdha te ato më të voglat, sipas hallkave të organizimit ushtarak.
Në këtë çështje Mehmet Shehu argumentonte se ky është rregulli që duhet të zbatohet sot për planizimin e mbrojtjes dhe kështu do të veprohet edhe neser në kohë lufte. Kjo çështje u kuptua dhe u zbatua nga të gjitha hallkat e ushtrisë për planizimin për kohë lufte. Megjithatë ne ende nuk e imagjinonim se ç’punë e madhe hapej nga kjo metodë planizimi për Shtabin e Përgjithshëm, veçanërisht për Drejtorinë Operative që kishte për funksion hartimin e planeve të luftës, ajo hapte një metodë të re dhe punë më të madhe për të.
Planizimi luftarak për mbrojtjen Operativo-strategjike pozicionale aktive, nuk ishte një çështje imagjinare dhe përfytyrimi subjektiv, por një punë studiuese konkrete, që kishte të njohura dhe të panjohura, që duheshin studiuar e llogaritur me hollësi. Të gjitha të dhënat duhej të kalonin në një laborator të hollësishëm. Ato që do të planifikoheshin jo vetëm duheshin argumentuar dhe mbështetur në konceptet dhe parimet e Artit tonë Ushtarak, por duhej të merrnin parasysh numrin e forcave dhe mjeteve, shkallën e përgatitjes së trupave, rëndësinë e drejtimeve nga vinin më shumë rreziqet, shfrytëzimin në maksimum të armatimit, të rendimentit të zjarrit të armëve, të terrenit dhe njohjen e armikut të mundëshm etj, të cilat çojnë në planifikimin sa më afër me atë që do të ndodhte në realitet. Për këto të dhëna duheshin bërë matjet e mundësive të forcave të gjalla dhe armëve të zjarrit në lloje të ndryshme të luftimit dhe operacionit.
Për këtë qëllim, Mehmet Shehu që në periudhën përgatitore të hartimit të planit bënte sondazhe për të matur nivelin e njohurive të kuadrove, sidomos ndaj zëvëndësve të tij, drejtorëve të drejtorive dhe komandave të njësive të mëdha të ushtrisë tonë.
Në atë periudhë, kuadrot që ballafaqoheshin me problemet e planizimit luftarak, me idetë dhe kërkesat që shtronte Mehmet Shehu, kalonin një test jo të lehtë profesional me ide teorike e metodike të reja, të cilat i vlejtën rritjes së nivelit të kuadrove për drejtimin dhe komandimin më mirë të njësive dhe reparteve ushtarake që drejtonin.