HARRESA E SHTETIT PËR FAMILJET E DËSHMORËVE

1024
Nga Dr. GJERGJ VELO* 

Shteti ta trajtojë më me dinjitet Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve 
Pak ditë më parë, Kuvendi i 6-të i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut
Duke marrë shkas nga ky kuvend, që për organizatën e familjeve të dëshmorëve zhvillohet çdo 4 vjet, do të na duhet të bëjmë një ballafaqim me ato çfarë kemi realizuar, me synimin për t’i bërë akoma më mirë detyrat në të ardhmen; për ta çuar më tej këtë stafetë; ku brezat ndjekin njeri-tjetrin, për të përsosur drejtimin, evidentimin e ruajtjen të pastër të veprës së të rënëve, që me zemrat e tyre u bënë barrikadë e pakapërcyeshme për pushtuesit nazifashistë e bashkëpunëtorët e tyre. Dëshmorët e heronjtë tanë, me gjakun e tyre vulosën, fitoren historike të Çlirimit të Atdheut më 29 Nëntor 1944, duke ndjekur armikun me luftime deri edhe në tokat e ish-Jugosllavisë dhe më 9 Maj 1945, së bashku me Koalicionin e Madh anglo-amerikano-sovjetik i dhanë dërrmën bishës naziste gjermane, duke ngritur flamurin e fitores mbi Rajhstag. Lufta Nacional Çlirimtare, si dhe çdo luftë tjetër në historinë e popullit tonë, shpalosi me një forcë të madhe dëshirën e këtij populli vital, për liri e pavarësi kombëtare kundër pushtuesve të huaj të gjithfarë llojit. Gjithmonë atdhedashuria dhe urrejtja për pushtuesit, i kanë bërë bijtë e shqipes të braktisin ëndrrat e jetës, e të marrin armët pa dallim feje, krahine e ideje, për ta parë Shqipërinë të lirë, të zhvilluar e demokratike. Ne krenohemi për bijtë që dhanë jetën e tyre, për të vazhduar ne jetën si Komb, atë që po gëzojmë sot, si pjesëtarë të familjeve të tyre; të organizuar në Organizatën Kombëtare të familjeve të Dëshmorëve të LANÇ e Dëshmorëve të tjerë të Atdheut. Ne të gjithëve, na del detyrë ruajtja dhe mbrojtja e idealeve të dëshmorëve të Atdheut dhe e vlerave të LANÇ, si sfida jonë e palëkundur; si mision i shenjtë i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut. Organizata jonë, luan një rol aktiv në njohjen, transmetimin dhe konsolidimin e vlerave historike të të rënëve për liri, pavarësi e çlirimin nga pushtuesit, si dhe të mbrojtjes të reformave të mëdha, që nga 1945-a, e deri në 1990-n, shumica e tyre me rëndësi historike për kohën. Të gjitha këto aspekte, mes të tjerash u shpalosën edhe gjatë zhvillimit të analizave zgjedhore në shkallë vendi; me një bilanc të pasur arritjesh, si në drejtim të shtimit të numrit të anëtarëve dhe të degëve, ashtu dhe në aspektin cilësor në përmbajtje dhe në larminë e aktiviteteve, duke prekur të gjitha fushat që lidhen me jetën dhe veprën e dëshmorëve dhe familjet e tyre. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sollën në drejtim elementë të rinj aktivë e të përkushtuar; midis tyre edhe shumë shoqe, njerëz me kapacitet, që janë të aftë të përballen me tezat e pjella nga segmente armiqësore të mbjella brenda e jashtë kufijve, për të përçarë e turpëruar Shqipërinë e shqiptarët, për të njollosur e hedhur baltë mbi historinë e lavdishme të Kombit tonë. Kryesia e Përgjithshme e OKDA-së, ka qenë tërësisht e angazhuar në punën e saj. Problem kryesor ka pasur përmirësimin e ligjit nr. 8607 i Statusit të Dëshmorit të Atdheut. Ne, në prill të vitit 2014, pasi e kishim diskutuar projekt-ligjin e ri në të gjithë degët tona nëpërmjet revistës “Pavdekësia”, ja përcollëm Ministrisë së Mbrojtjes. Në korrik të vitit 2016, vetë ministria solli tek ne për konsultim këtë projekt-ligj “Për Statusin e Dëshmorit”, ku bëmë vërejtjet tona, sipas kërkesave të dala nga realiteti i kohës dhe ai u depozitua po në këtë ministri. Sipas dokumentacionit, këto dy drafte (i yni dhe i ministrisë) i kanë kaluar Këshillit të Ministrave për variantin zyrtar, për t’ia paraqitur Parlamentit. Sigurisht, shpresat tona ishin se miratimi do të bëhej më shpejt, por kjo ende s’ka ndodhur. Gjithsesi, përsëri ne shpresojmë se kjo Qeveri e ky Parlament më në fund do të na japi një ligj “Për Statusin e Dëshmorit” dhe organizata jonë do të jetë në një stad më dinjitoz, njëlloj si ato në vendet fqinje apo ato perëndimore. 

Familjet e dëshmorëve dhe përkujdesja e shtetit 
Është e dhimbshme kur dëgjon në konferenca zgjedhore, si në Bilisht tregimin tronditës të Haxhi Gjozës, vëlla dëshmori, që rrëfen se si vëllai i tij, partizan i plagosur në luftë, kapet në spitalin partizan nga ballistët dhe e djegin të gjallë. Nëna e plagosur në luftë; gjithë familja bazë lufte; dhe tani në moshën 80 vjeçare ai është i varfër dhe nga shteti që ai i ka dhënë votën, ndjehet i shpërfillur, ndërkohë që ata që i dogjën vëllain, dhe i plagosën nënën, shpërblehen nga shteti. Dhe kjo ndodh, sepse këtë familje dëshmori, nuk ka një ligj që ai të ndihmohet nga shteti(!). Ky rast, natyrisht nuk është i vetmi, dhe ne gjithnjë kemi pasur impenjimin për t’i evidentuar dhe ndjekur. Ndërkohë, fokusi i punës tonë ka qenë i përqendruar tek Komisioni Qendror për Statusin e Dëshmorit të Atdheut, pranë Ministrisë së Mbrojtjes, i cili rezulton se ka funksionuar rregullisht, duke marrë vendimet përkatëse për shpalljen ose njohjen e Statusit të Dëshmorit. Por kemi edhe kritika, sepse vendimet e këtij komisioni, nuk janë sjellë në Kryesinë e Përgjithshme për regjistrimin e tyre në librat përkatës, si dhe ka munguar tradita e dorëzimit me ceremoni, siç përcakton ligji, për simbolet që përfitojnë familjet e dëshmorëve. Por, duhet thënë se kthesa ka filluar. Nisur nga shembulli i fundit, për 16 dëshmorët e Anës së Malit, Kryesia e Përgjithshme me Ministrinë e Mbrojtjes, organizoi një ceremoni shembullore me pjesëmarrjen e të gjithë popullit të zonës, e deputetëve, të prefekturës, dhe të njësisë vendore. Ky është shembulli se si mund të punohet, e që duhet ndjekur për të ardhmen, pa anashkaluar këtu falënderimin e veçantë për aktivistin dhe dashamirësin e OKDA-së, z. Ruzhdi Poda. Në tërësinë e punës tonë, konstatohet se detyrat e planifikuara në programin e punës janë realizuar. Detyra e ngarkuar nga Kuvendi i 5-të për hartimin e albumit të dëshmorëve është një punë në proces. Degët Fier, Berat, Tepelenë, Lushnje, Tropojë, Kuç, Vranisht, Krujë, Shkodër, Mirditë, Skrapar, kanë botuar libra me fotografi e “si-vi” të dëshmorëve të rretheve të tyre. Kërkohet të shpejtohet puna edhe nga degët e tjera, me qëllim që pastaj të mund të botohet albumi i madh kombëtar i Dëshmorëve të Atdheut. Domosdoshmëri është edhe ngritja e një instituti të posaçëm, që të ketë për objekt botimin e Enciklopedisë për Dëshmorët e Atdheut. Siç dihet, pas viteve ’90-të forcat e djathta, të cilat erdhën në pushtet, ndërmorën veprimtari të gjerë shkatërruese ndaj varrezave të dëshmorëve e simboleve, duke vepruar kështu me një egërsi primitive kundër vlerave të LANÇ e idealeve të dëshmorëve. Sot, për hir të së vërtetës, kemi një tjetër situatë, një tjetër atmosferë. Së fundmi, u njohëm me urdhrin e dhënë nga ministria e Mbrojtjes, sipas porosisë së Kryeministrit Edi Rama, për restaurimin e të gjitha varrezave të dëshmorëve në të gjitha bashkitë e vendit. Paraprakisht, e përshëndesim këtë punë të mirë me vlera qytetare, sepse shohim aty kahen pozitive të sjelljes ndaj luftës dhe dëshmorëve. Kjo, krejt ndryshe nga rastet, kur pushteti vendor dhe disa pseudo-historianë, me vendime e mendime të paargumentuara kanë bërë e bëjnë patriotë figura bashkëpunëtorësh me pushtuesit nazifashistë dhe vrasës të patriotëve dhe të popullit tonë. Kështu, dihet mirë nga i gjithë opinion ynë, se në krye të bulevardit kryesor qëndron busti i Ahmet Zogut, i cili e la Shqipërinë pa komandantin e përgjithshëm, e la të ç’organizuar atë pak ushtri shqiptare që ekzistonte atëherë. E ndërkohë, ai ishte vrasësi i patriotëve Bajram Curri, Hasan Prishtina, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, e shumë e shumë të tjerëve. Ai grabiti thesarin e shtetit shqiptar; dhe në emigracion organizoi tërë të arratisurit që kishin bashkëpunuar me pushtuesit, për të rrëzuar pushtetin popullor, si një sistem që vetë populli shqiptar e kish zgjedhur, sipas Kushtetutës së kohës. Por “çudirat” e pas ’90-s vazhdojnë: Kështu, ka ndodhur që gati fshehurazi nga opinion publik, janë shpallur martirë të demokracisë e janë dekoruar kriminelë e terroristë të hedhur nga ajri në vitet e pas çlirimit si diversantë, kriminelë që kanë vrarë popullin e thjeshtë. Po ashtu, janë hequr emrat e dëshmorëve e heronjve nga disa rrugë, shkolla e institucione, duke ngritur buste të tradhëtrit Halil Alia apo Preng Cali, Muharrem Bajraktari, Osman Kazazi, Lef Nosi, Medi Frashëri, e kallëpi i tyre. Zëri ynë kërkohet të ushtojë më fort kundër këtyre akteve e veprimeve antishqiptare ndaj strukturave lokale e qendrore për t’i riparë vendimet e marra që cenojnë rëndë moralin e ndërgjegjen e familjeve të dëshmorëve, të veteranëve e invalidëve të LANÇ, heqjen e këtyre figurave kriminale që kanë lyer duart me gjak, të denoncuar në gjyqin e Hagës për krimet e kryera në bashkëpunim me pushtuesit gjatë luftës antifashiste nacional-çlirimtare dhe t’ju rikthehen emrat e dëshmorëve e heronjve dhe figurave të tjera të nderuara, rrugëve, shkollave e institucioneve, të hequra, si dhe të ngritjes në Tiranë të përmendores së dëshmorëve që ranë për çlirimin e kryeqytetit e rrethinave; emrat e tyre të shkruhen me germa të arta. Përmendore kushtuar dëshmorëve duhet të ngrihen në të gjitha qendrat e qyteteve të vendit, me emrat e atyre që ranë në Luftën për çlirim. Gjendja e varrezave të dëshmorëve në Tiranë e Pezë e shumë qytete të tjera është jo e mirë, pa përmendur si dëshpëruese ato të Tropojës. Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, ka ardhur koha që këto vlera monumentale të evidentohen dhe të merren në administrim e mbrojtje nga strukturat përkatëse shtetërore, ashtu siç janë monumentet e tjera që mbrohen nga shteti. Përgëzojmë përkujdesjen dhe vlerësimin e treguar për restaurimin e varrezave të dëshmorëve bashkitë Gjirokastër, Himarë, Sarandë, Pogradec, këshillin e qarkut Elbasan, Krujë, Vlorë, Fier, Berat, Lushnje, etj. Nuk mund të rrimë pa përmendur dhe ish-prefektin e Shkodrës z. Paulin Radovani që me kompetencat që i dha ligji, pak kohë më parë realizoi rikthimin e 5 Heronjve të Vigut, bëri restaurimin e varrezave të dëshmorëve, restaurimin dhe vendosjen e statujës së “Partizanit” në varrezat e dëshmorëve prej 15 vjetësh i humbur e i harruar. Kurse bashkitë Tropojë, Pukë, Kukës, Korçë, Mat, Tepelenë e Konispol, Fushë Krujë, përballë kërkesave të vazhdueshme verbale e zyrtare, as që iu shkon në mendje të kryejnë investime për ruajtjen e mirëmbajtjen e këtyre objekteve të rëndësishme. Në vëmendjen tonë, mbetet mundësia e organizimit të familjeve të dëshmorëve të emigruar në vendet kufitare; gjer në ShBA e Kanada, kontaktet me ta për qasjen e tyre në strukturat e organizatës, duke bashkëpunuar edhe me Ministrinë e Diasporës. 

Misioni Ynë: Mbrojtja e idealeve të dëshmorëve 
Rruga që të çon drejt propagandimit të ideve, idealeve dhe objektivave të organizatës sonë, janë të shumta e të ndryshme. Vendosja e emrave të dëshmorëve, heronjve dhe patriotëve në rrugët, shkollat dhe objekte të tjera, është një formë e propagandës tonë për t’i kujtuar popullit, brezave të rinj se kush qenë ata që u sakrifikuan, që luftuan dhe dhanë jetën e tyre për t’i sjellë lirinë popullit dhe Atdheut. Krahas këtyre përpjekjeve, ne duhet të shtojmë rezistencën dhe revoltën tonë për të mos lejuar që në rrugët, sheshet e qytetet tona të përjetësohen emrat e tradhtarëve dhe mercenarëve që bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë duke vrarë djemtë e vajzat tona që luftuan për liri, dhe duke djegur fshatra e qytete. Një bashkëpunim më i ngushtë me administratën vendore do të jepte rezultate më të mira edhe për ngritjen dhe restaurimin e lapidarëve, ngritjen e busteve dhe të monumenteve për dëshmorët dhe heronjtë e LANÇ. Në këtë drejtim, jo të gjitha degët e organizatës tonë kanë punuar me këmbëngulje e përkushtim. Sigurisht, këtu ndikon shumë edhe fakti, se cila forcë politike drejton pushtetin lokal. Një formë tjetër e propagandës për figurat e pavdekshme të heronjve e dëshmorëve është krijimi i këndeve me portretet e dëshmorëve të zonës në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme. Kjo jep mundësi që në moshë fare të re, ata të familjarizohen me emrat, familjet dhe heroizmin e dëshmorëve të lagjes apo të fshatit të tyre. Përkujtimi dhe kremtimi i datave të ndryshme, si; për ngjarje historike, vend-betejash të veçanta të partizanëve me fashistët dhe nazistët, data të rënies së dëshmorëve, etj, janë forma shumë efikase për të mbajtur gjallë kujtimin për luftën heroike të partizanëve e popullit tonë kundër pushtuesit të huaj e tradhtarëve të vendit. Në këtë drejtim, organizatat tona në qendër e në bazë kanë bërë një punë mjaft të mirë. Në mjaft bashki janë organizuar kremtime përvjetorësh me nivel, si; në Tiranë, Fier, Durrës, Mirditë, Vlorë, Tropojë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Korçë, Ersekë, Elbasan, Mallakastër, etj. Veçanërisht me shumë sukses këto aktivitete u zhvilluan në kuadrin e kremtimeve të 70 Vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Shtylla tjetër shumë e rëndësishme e propagandës tone është revista “Pavdekësia”.

Ajo është tribuna jonë, zëri ynë, pasqyra jonë. Gjatë këtij 4 vjeçari, revista “Pavdekësia” ka pasur një rritje të dukshme cilësore e sasiore. Nga 24 faqe që dilte më parë, ajo tani del me 40 faqe; u rrit gjithashtu edhe tirazhi i saj. Kjo revistë krijoi mundësinë që në faqet e saj të botohen më shumë artikuj problematikë për çështje të mëdha parimore, lidhur me Luftën Nacional-çlirimtare; mbi kolaboracionistët dhe tradhtinë e tyre; shkrime të mbështetura mbi dokumente e fakte historike janë botuar gjithashtu në këtë revistë. “Oksigjeni” i jetëgjatësisë së revistës janë shkrimet tuaja për dëshmorët, për betejat legjendare të partizanëve heroikë. Pra, domosdoshmëria e vazhdueshmërisë së revistës është e padiskutueshme. Për këtë besojmë jemi të gjithë dakord. Por burimi i vetëm financiar për të vazhduar botimi, janë të ardhurat nga abonimet dhe shitja e saj. Z. Barjam Avdiaj nga Tropoja sponsorizoi numrin 95 të revistës “Pavdekësia”. Prandaj, shokë e vëllezër të idealeve e detyrave që kemi marrë përsipër, hajde të mobilizojmë forcat tona. Disa nga drejtuesit e organizatave apo shokë të tjerë (aty ku rezultatet janë më të dobëta) ngrenë pretendimin se anëtarët e organizatës, pensionistët nuk kanë lekë, kanë vështirësi ekonomike, etj. Që pensionistët kanë vështirësi ekonomike, kjo dihet dhe është e vërtetë. Po le të ballafaqojmë disa fakte. Disa rrethe si; Fieri, Pogradeci, Patosi, Ballshi, Saranda, Skrapari, Lushnja, Erseka, Librazhdi, Himara, Tropoja kanë abonime të kënaqshme dhe të ardhurat nga revista e kuotat, i dorëzojnë në arkën e organizatës rregullisht. Ndërkohë që Tirana me mbi 2000 familje dëshmorësh, me 24 qendra administrative, merr 112 revista, Gjirokastra 20, Dibra 10, Mati 5, Delvina 10, Durrësi 20, Mirdita 15, Malësia e Madhe 10, Shkodra 20, Tepelena 20. Mos vallë Fieri është rrethi më i madh se Durrësi, Korça, Shkodra, Elbasani, Tirana, etj? Apo mos vallë pensionistët dhe anëtarët e organizatës së Fierit, Tropojës, Skraparit, Lezhës, Ballshit, Ersekës, Patosit, etj, janë më të pasur se ato të rretheve të mëdha? Kjo nuk ka mundësi. Shpjegimi i vetëm i prapambetjes së shumë rretheve është puna e pamjaftueshme e kryetarëve të kryesive me anëtarët e organizatës së tyre. Pra, kryesorja është mos gjetja e rrugëve të duhura për të arritur në mendjet e zemrat e anëtarëve të thjeshtë, si dhe mos shfrytëzimi i revistës, si tribunë e ideve të organizatës dhe propagandimi i saj. Rrugët për të arritur tek mendjet dhe zemrat e njerëzve janë të shumta e të larmishme. Për disa nga ato që folëm më lart, mbi të gjitha është dashuria për njerëzit, ngrohtësia në qëndrimet ndaj tyre, përkushtimi për kryerjen e detyrave që kemi marrë përsipër dhe lufta ndaj plogështisë, indiferentizmit. Kur të na kaplojnë plogështia, vështirësitë, sëmundjet, le të kujtojmë ata që derdhën gjakun për Atdheun, popullin dhe t’i themi vetes që marrja përsipër për të kryer detyrat e organizatës është amaneti i tyre, prandaj grumbullo forcat dhe ashtu si ata, si partizanët, ec përpara!

*Kryetar i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut 

Vijon…
Sigal