Ftesa e Zogut për kundërshtarin politik

Si u vendosën marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Greqi dhe cili ishte diplomati i parë në tokën helene 
Athina pranon kërkesën e qeverisë shqiptare. Flamuri kuq e zi valëvitet në kryeqytetin e Greqisë
Dhjetë vjet pasi Shqipëria kishte fituar pavarësinë, ishin intensifikuar bisedimet për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Greqinë fqinje. Nga të dyja anët e kufirit ishin shpeshtuar telegramet ku kërkoheshin hapjet e konsullatave përkatëse dhe emërimi i drejtuesve të parë diplomatikë. Në krye të qeverisë shqiptare të asaj kohe ishte Ahmet Zogu, ndërsa ministër i Punëve të Jashtme Pandeli Vangjeli. Në datën 3 shkurt 1923, Ministria e Punëve të Jashtme Shqiptare njofton homologen e Greqisë për akreditimin në Athinë të Mit’hat Frashërit si të dërguar me mision special të qeverisë shqiptare. Mit’hat Frashëri në atë kohë sapo kishte lënë postin e ministrit fuqiplotë në Uashington dhe ishte në pritje të një emërimi të ri diplomatik, kur në dorën e tij mbërrin një telegram i ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme ku thuhej: “Kam nderin t’ju lajmoj se Këshilli Ministruer, me vendimin e tij Nr. 8, më 9 janar 1923 përfundoi dërgimin e Zotni suaj n’Athinë me mision special me qëllim që të hapni marrëdhëniet diplomatike midis Shqipënisë dhe Greqisë”. Pak ditë më vonë Mit’hat Frashëri i përgjigjet pozitivisht propozimit të ardhur nga kabineti i kundërshtarit të tij politik, Ahmet Zogut. Por duket se mbreti i ri i ardhshëm i shqiptarëve kishte vlerësuar tek Mit’hat Frashëri jo vetëm shpirtin rebel e kundërshtues, por inteligjencën dhe interesin e lartë në mbrojtje të kombit. Në një telegram të nisur nga ai më 13 shkurt 1923 thuhet: “Kam nderin të ju them, se me gëzim të madh e pranoj Misionin që më ngarkoni për në Athinë, duke ju falënderuar për besimin që më rrëfeni dhe duke ju siguruar, se vullneti s’më ka për të munguar në mbarim të kësaj detyre”. Pasi është njohur me këtë fakt, ministri i Jashtëm grek Aleksandër shprehet se qeveria e Greqisë ishte e gatshme të pranonte kërkesën e qeverisë shqiptare. “Unë jam i bindur që vendosja e marrëdhënieve diplomatike krijon një periudhë të re bashkëpunimi të ngushtë dhe të leverdishëm në interes të Shqipërisë dhe Greqisë”, thuhet në telegramin e ministrit Aleksandër. Më 27 shkurt të vitit 1923, Mit’hat Frashëri dorëzoi letrat kredenciale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë pranë ministrit të asaj kohe, Aleksandër. Sipas shtypit të kohës, data 3 mars 1923 mbahet mend si dita e parë kur flamuri shqiptar u valëvit në kryeqytetin e Greqisë, Athinë. Ky ishte flamuri që ishte vendosur në makinën e diplomatit Mit’hat Frashëri, i cili bëri disa vizita në disa institucione qendrore të qeverisë greke dhe në ambasadat e tjera të huaja të akredituara në Athinë. 
Përndjekja 
Athina: Të gjithë ortodoksit janë grekë
Një relacion i nisur nga Athina për qeverinë e Tiranës, sqaron hollësisht mbi problemet që haste popullsia shqiptare në territorin shtetëror grek. Ministri Fuqiplotë në Athinë i kryeministrit Ahmet Zogu në atë kohë, Mit’hat Frashëri, shkruante se “elementi shqiptar në Greqi ndahej në: element ortodoks dhe mysliman”. Për ortodoksit Greqia kishte tendencë të plotë që t’i cilësonte ata si grekë, meqenëse, sipas mentalitetit helen, një ortodoks nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një grek. Mit’hat Frashëri relaton se shqiptarë myslimanë gjendeshin në Janinë, Konicë e Voshtinë. Ndërsa si popullsi kompakte e dytë, ishte në Prefekturën e Follorinës dhe Kosturit me 37 katunde dhe 2 qytete dhe me afërsisht 35 mijë njerëz. Por kishte edhe popullsi shqiptare të shpërndarë në shumë qytete si: Selanik, Karaferi, Vodena, Niusta, Katerinë, Allasojë, e Kavallë. Sipas përllogaritjeve, në atë kohë duhet të ishin gati 100 mijë shqiptarë në të gjithë këtë shtrirje. Mit’hat Frashëri relaton për qeverinë e Tiranës se, që të nesërmen e Luftës Ballkanike politika helenike u shfaq hapur për të përndjekur dhe përzënë elementët myslimanë shqiptarë nga Epiri dhe Maqedonia. Sipas tij, realizimi i kësaj politike të mbrapshtë, filloi me anë të çetave të hajdutëve si dhe sjelljeve të ashpra të autoriteteve civile e ushtarake greke. Mit’hat Frashëri shkruante se, kjo politikë mori një ngjyrë të re dhe fare militante, pas vitit 1920.
NOA