Sadik Bejko/ Të vërtetat e mëdha thuheshin në burgje

806
1.Një kulm i rezistencës antikomuniste
Bedri Blloshmi, pasi na solli libra mbi persekutimin e familjarëve të tij nga koha e komunizmit, mbas librit me fakte e dokumente arkivore për Revoltën e Qaf-Barit, vijon në këtë vazhdë me librin e tij më të ri “Revolta e Spaçit 21-23 maj 1973”. Libri sjell dokumentet arkivore të kohës mbi këtë ngjarje. Revolta e të burgosurve politikë të kampit të Spaçit, maj 1973, mund të cilësohet si pikë kulmore e rezistencës antikomuniste të shoqërisë shqiptare. Ky rebelim ndodhi brenda rrethit të telave me gjemba. Të burgosurit politikë, të dënuarit me punë të detyruar në minierën e Spaçit, për gati tri ditë provojnë shijen e rebelimit qoftë dhe duke e paguar me kokë, apo me ndëshkime të tjera që synonin vdekjen e tyre të ngadaltë, por të sigurt në qelitë a në minierat e vdekjes të asaj kohe. Kjo pasuri arkivore me dokumente origjinale me gjithë vitet në bodrume me lagështi, me gjithë ndërrimin e sistemit dhe anarkinë e ndërrimeve politike ka arritur që me pak dëmtime të jetë e ruajtur, të jetë ende e depozituar. Në këtë libër faksimilet dhe fotokopjet e dokumenteve origjinale vijnë edhe të zbardhura për t’u vënë në duart e lexuesit dhe të historianit. Në mbi 700 faqe renditen dokumentet arkivore të ndëshkimit të autorëve të rebelimit të Spaçit në maj 1973, dokumente të policisë, të gjyqësorit dhe të strukturave partiake. Krahas këtyre dokumenteve, autori ka sjellë dhe dëshmitë e Luan Burimit, të Bedri Çokut dhe të Gëzim Çelës, tre nga të rrebeluarit e kampit të Spaçit, tre nga të mbijetuarit e ndëshkimeve shembullore për shkak të këtij rebelimi. Këto dëshmi të të mbijetuarve e pasurojnë librin. Prapë mund të thuash se për rebelimin e Spaçit 1973 dokumentet arkivore thonë më shumë sesa pohimet e dëshmitarëve ende të gjallë. 

2.Spaç 1973 – Komunizmi është i falimentuar
Në faqen 41 të librit, në relacionin e Haxhi Goros dhe të Shahin Skurajt, respektivisht, të komandantit e të komisarit të Repartit, të kampit të Spaçit, shkruhet se të rrebeluarit thërrisnin: Ja vdekje, ja liri! Populli është me ne dhe kundër jush…Ju do të vini këtu se u është ngushtuar rrethi…. Do t’iu djegim si Stalinin… Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi… Rroftë Evropa e Bashkuar…! Këto janë klithma që të burgosurit e Spaçit i kanë artikuluar 17 vjet përpara se komunizmi të rrëzohej në gjithë Evropën Lindore, në Rusi e në Shqipëri. Janë thënë nga shoqëria shqiptare. 
Për më tepër lexoni gazetën Telegraf
Sigal