Rrëfimi i ish-kapitenit të vaporit 12 mijë tonësh “Tirana”

1647
Sigal

Marveshja ushtarake me Vietnamin dhe Korenë dhe si e sollëm në Durrës ngarkesën sekrete me 750 ton pjesë avionësh. Si dhe pse i shkarkoi Beqir Balluku 17 kuadrot e zbulimit në mbledhjen që zgjati 8 ditë dhe 8 netë,dënimi i Teme Sejkos dhe si na pritën me Himnin Kombëtar në Gjermani

Rrëfimi për “Telegraf” i  Fore Kureta, ish-kapiteni i vaporit 12 mijë tonësh “Tirana”

 

Si i shkarkoi Beqir Balluku, 17 kuadrot  e zbulimit të ushtrisë në vitin 1956

-Mbledhja vazhdoi 8 ditë dhe 8 netë me radhë ku kryesori për dënim ishte Teme Sejko

Unë kam qenë përgjegjësi i rinisë në batalionin IV të brigadës VI Sulmuese.

-Sekretari i parë i qytetit Bregdetar vietnamez: Veprat e Enver Hoxhës i japim provim

 

Telegraf

Në det të qetë, apo me dallgë deri në 8 ballë, ai qëndronte atje, në kabinën e shturmanit, nga ku kish në dorë gjithçka. Për çdo rast shifra duhej të ishte në gatishmëri dhe nëse dikush nga ekuipazhi mbërthehej nga ndonjë virus akut, dhoma e ndihmës së shpejtë montuar në kiçin e anijes, ishte e barabartë me një spital në Tiranë, ku kish dhe repartin e kirurgjisë. Pjesa tjetër e lundrimit herë bëhej monoton e herë të trondiste nga ndryshimet e motit. Një defekt i mundshëm, dhe shumica e anëtarëve të ekuipazhit merrnin pjesë në eliminimin e saj. Veçohej mjeku, që bënte gati fashat dhe jodin për ndonjë plagosje të mundshme, dhe kuzhinieri që vazhdimisht ishte i zënë me përgatitjen e vakteve dhe bërjen e bukës në sobën e madhe pranë mencës.

Të lundroje me një anije tregtare për cilindo shqiptar, që qëndronte në tokë cilësohej si një ëndërr. Por kjo ëndërr nuk ishte vetëm për shqiptarët e izoluar që kërkonin të dinin më shumë nga “bota e përtejme”. Udhëtime të gjata, ankorime në porte të ndryshme të botës dhe padyshim, të parit e shumë vendeve ekzotike apo jo të tilla, nuk të jepet rasti t’i shohësh edhe nëse ke një llogari rrjedhëse me miliona dollarë në bankë. Ndërkohë, këtë mundësi e kishin marinarët e Flotës Tregtare, të cilët lundronin për llogari të shtetit, nga Kuba në Kinë, nga Aleksandria në Roterdam, Apo nga portet e Britanisë në ato të Libisë. Fore Kureta, një ish -kapiten anijesh për më shumë se 20 vjet, rrëfen për gazetën “Telegraf” se çfarë ndodhte në portet e huaja, në atë kohë kur pjesa tjetër e shqiptarëve shihnin vetëm kanalin e RTVSH-së, apo ndonjë stacion të huaj që mund t’i shpëtonte zhurmuesit për pak kohë:

Cili është Fore Kureta?

Unë u linda në Përmet, në 9 mars të vitit 1924, por pasi bëra pesë klasë shkollë shkova të punoja në Vlorë, në skelë. Më pas shkova në Kuçovë, për të punuar në puset e naftës. Atje, që në vitin 1942 u lidha me Lëvizjen. Në 5 maj të vitit 1943, pas një aksioni, shokët e Qarkorit më thanë se tanimë nuk mund të kthehesha në vendin e punës pasi isha zbuluar dhe duhet të dilja në mal. U inkuadrova në radhët e batalionit partizan “Naim Frashëri”, i cili më pas u bë pjesë në Brigadën e VI Sulmuese.

Keni pasur detyra drejtuese?

Unë kam qenë përgjegjësi i rinisë së kompanisë III në batalionin IV të brigadës VI Sulmuese. Në ditët e luftës, kam marrë edhe një plagë në këmbë, gjatë një përpjekje ku kundërshtarë kishim jo vetëm trupat gjermane, por edhe ato balliste.

Cila ishte situata juaj pas çlirimit?

Në të vërtetë, nga marshimet e gjata plaga në këmbën time u hap dhe unë u detyrova të shtrohesha në spital. Aty më zuri çlirimi. Ndërkohë Brigada e VI kishte kaluar kufirin shtetëror për të luftuar në Jugosllavi. Sapo u bëra mirë edhe unë kërkova t’i bashkohem brigadës dhe mora rrugën për në veri të vendim me qëllim daljen mbi kufirin verior. U ndala në Kukës, ku Sekretari i Parë i asaj kohe për rrethin ishte Dashnor Mamaqi, me të cilin kishim qenë në të njëjtën Brigadë. Ai më thotë se më kërkonin në Komitetin Qendror në Tiranë. U ktheva dhe u paraqita atje ku kishte qenë Pallati Mbretëror dhe që në atë kohë ishte vendosur Komiteti Qendror.

Çfarë ju komunikuan?

Më komunikuan se isha emëruar Sekretar Organizativ në Komitetin e Partisë së Kuçovës, meqenëse kisha punuar dhe isha njohës i zonës. Qëndrova në këtë pozicion deri në gusht 1947. Ishte koha kur në Kuçovë erdhi për kontroll një ekip nga Komiteti Qendror. Dy javë pasi ekipi u largua mua më erdhi transferimi.

Cila ishte detyra e re?

Këtë herë shkova me punë në Komitetin Qendror në Tiranë ku qëndrova deri në tetor të vitit 1948. Por më pas u emërova në Përmet. Në atë kohë për shkak të disa shkeljeve, me vendim të Byrosë Politike u shkarkuan  6-të vetë nga udhëheqja e Përmetit  dhe u emëruam në detyra 6-të rinj të cilët ishin: Bato Karafili, Musa Mane, Andon Andoni, Sotir Nikolla, Viti Goroshiani, dhe unë Fore Kureta. Qëndrova në Përmet deri në vitin 1951.

Dhe më pas shkuat…?

Në fakt shkova për studime në Shkollën e Partisë, dhe me ta përfunduar u riktheva në Komitetin Qendror. Por pa kaluar shumë kohë, me vendim të Byrosë Politike 3 veta nga KQ u emëruam në drejtorinë e Zbulimit Ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes. Qëndrova në detyrën e zv/drejtorit të drejtorisë së zbulimit deri në vitin 1956.

Pas kësaj do të merrnit një detyrë tjetër?

Çështja nuk ishte kaq e thjeshtë. Ne ishim 17 veta që u shkarkuam nga kjo drejtori ku unë isha zv/drejtor, por drejtor ishte Teme Sejko. Mbledhja e Organizatës Bazë në të cilën u shqyrtuar puna e drejtorisë tonë vazhdoi 8 ditë dhe 8 netë me radhë dhe konkludoi në pushimin e 17 kuadrove kryesorë. Më kujtohet se atëherë na thirri në zyrë ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku dhe na tha: “Do t’u komunikoj një urdhër që duhet ta zbatoni menjëherë dhe nuk duhet të bëni asnjë pyetje se nuk do të merrni përgjigje”.

Ju ishit të gjithë të ndëshkuar?

Jo. Qëllimi ishte tek goditja e Teme Sejkos. Atë e shkarkuan dhe e çuan me studime në Bashkimin Sovjetik. Ndërsa të gjithë të tjerët u rehabilituan brenda një periudhë të shkurtër.

Po me flotën tregtare si u lidhët?

Në atë kohë isha i deleguar në Konferencën e Partisë së Tiranës të vitit 1956. Ajo vazhdoi disa ditë. Në fillim situata ishte shumë e ndezur, por me të ardhur Enver Hoxha nga Vlora, situata u vu nën kontroll dhe zërat kundër tij pushuan. Gjatë pushimit të një prej seancave, duke qenë se unë e kisha takuar disa herë, pasi gjatë punës në Komitetin Qendror në bënin pjesë në të njëjtën organizatë partie. E takoj dhe i them. “Shoku Enver, kam dëshirë të studioj jashtë shtetit”. Ai nuk më pyeti “si” e “qysh” por më tha: “Për çfarë do të studiosh?”. “Ku të ketë nevojë Partia e Atdheu”, ia ktheva unë. Pas meje edhe shoku im Pilo Tandini i bëri të njëjtën kërkesë. Enver Hoxha u largua nga grupi ynë që u mblodh në çast, se kishte rrezik që shumë të tjerë t’i përsëritnin të njëjtën kërkesë.

Dhe u realizua kërkesa juaj?

Nuk kaluan veçse pak muaj kur na thërret Prokop Mura në Komitetin Qendror, mua dhe Pilo Tandinin. Na thotë: “Me porosi të shokut Enver do të studioni për kapitenë vapori në Bullgari” Bashkë me ne erdhën edhe katër ushtarakë të tjerë nga Flota Detare dhe shkuam për studime në Varna të Bullgarisë, ku shkolla e marinës në atë vit që shkuam ne festonte 88 vjetorin e themelimit të saj.

Kur u diplomuat?

Grupi ynë shkollën e mbaroi në Bullgari, por provimin e fundit të diplomës e dhamë në Shqipëri. Në atë kohë marrëdhëniet tona me Kampin Socialist ishin përkeqësuar kështu që të gjithë studentët u kthyen. Provimin e dhamë në Pashaliman në prani të një ekipi prej 12 vjetësh në krye të të cilit ishte kundëradmiral Abdi Mati. Përveç kësaj deri në atë kohë, anijet e transportit shqiptar, kapitenët i kishin të huaj, bullgarë apo rusë. Me acarimin e marrëdhënieve edhe ata u largua. Kështu që ne u detyruam të merrnim shumë shpejt drejtimin e Flotës Tregtare, ndërkohë që të titulloheshe Oficer i Parë apo Kapiten duhet të bëjë disa vite lundrimi në det. Fillimisht unë u emërova si Oficer i Parë në anijen 5-mijë tonësh “Durrësi” dhe më pas si Kapiten i anijes 3.500 tonëshe “Skënderbeu”. Më vonë u emërova Kapiten i anijes 12.012 tonëshe “Tirana”

Marrëveshja ushtarake me Korenë që u zbatua në Vietnamin e Veriut

 Ngarkesa sekrete, “Durrësi” me 750 ton pjesë avionësh

 Fore Kureta thotë se flota shqiptare ishte tepër korrekte dhe për këtë kishte fituar besimin në të gjitha portet ku ankoroheshin anijet me flamurin kuqezi. Gjatë rrëfimit të tij për “Telegraf” ai tregon një nga historitë që i ka bërë më shumë përshtypje gjatë udhëtimeve të tij 20 -vjeçare nëpër detet dhe oqeanet e botës. Kjo është vizita e vetme që një anije tregtare shqiptare është ankoruar në një nga portet e Vietnamit: “Anija jonë “Durrësi”, ishte ankoruar në portin “Kanton” të Kinës i cili ndodhej në kufi me Hong Kongun. Shkarkuam shpejt, për tri ditë mallrat tona, pijë alkoolike, bitum e rrënjë ulliri. Por për ngarkesën kinezët po na vononin shumë. Në atë kohë marr një telefon nga ambasadori ynë në Pekin, Reiz Malile, i cili më thotë se duhej të tërhiqja nga një port i Vietnamit të Veriut 750 ton pajisje ushtarake, të cilat ishin pjesë të avionëve reaktivë. Meqenëse marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik ishin prishur, ishte siguruar një marrëveshje me Korenë për këto pjesë që u duheshin avionëve në Shqipëri. Koreanët i kishin depozituar pjesët në Vietnam dhe atje duhet të shkonim për t’i tërhequr. Sapo iu afruam Portit, na erdhi një motoskaf ushtarak dhe në kuvertën tonë u ngjitën tre ushtarakë, një kolonel dhe dy togerë. Koloneli shumë i lumtur na uroi mirëseardhjen. Në shenjë nderimi na dhanë dhe nga një paketë cigaresh. Kjo ishte anija e parë shqiptare dhe anija e parë me ato përmasa që futej në atë port. Meqenëse ishin pranë brezit të luftës ku përballeshin Vietnami i Jugut me amerikanët, koloneli na propozoi që anija të armatosej me një mitroloz. Por unë i thashë se këto masa i kishim marrë vetë. Kur u ankoruam në Port erdhën menjëherë përfaqësues të Komitetit të Partisë të qytetit si dhe përfaqësues të ambasadës koreane në Vietnamin e Veriut. Këta të fundit kishin marrë si dhuratë disa shishe me një pije të veçantë që e quanin “Pija e jetës”. Në port kishte shumë flamuj dhe një banderolë ku shkruhej në shqip “Mirëseerdhët vëllezër shqiptarë”. Përfaqësuesit e Komitetit të Partisë na thanë “Kjo është anija më e madhe që ka hyrë në portin tonë. Populli ka dëshirë ta shohë nga afër. A mund ta vizitojnë? Për katër ditë e netë nuk pushoi karvani i njerëzve që vizitonin anijen “Durrësi”. Ne kishim një ekuipazh prej 43 vetash. Me përjashtim të personelit që kishte dezhurnin në anije, pjesa tjetër ishte e ftuar gjithmonë nga ndonjë ndërmarrje, të cilët shtronin darka për nderin tonë. Vetë porti, shkroi një darkë shumë të madhe”

Në portin vietnamez

Sekretari i parë: Veprat e Enver Hoxhës i japim provim

Duke rrëfyer për vizitën e jashtëzakonshme të “Durrësit” në portin vietnamez, Fore Kureta thotë: “Ne qëndruam 10 ditë në këtë port derisa u bë ngarkimi i plotë të 750 tonëve mjete ushtarake mes të cilëve dhe një motor 12 tonësh avioni reaktiv. Gjatë kësaj kohe, 25 veta prej ekuipazhit na çuan në një plazh, ku pushonin udhëheqësit vietnamez. Aty takuam Sekretarin e Parë të Qytetit, i cili erdhi e na takoi menjëherë dhe bëri autokritikë para nesh se nuk kishte pasur dot mundësi të vinte në na takonte në anije. Në fakt ai edhe në ato çast ndodhej në një mbledhje në një nga kabinat prej dërrase të atij plazhi. Pastaj ai tha fjalët me të mira për shqiptarët dhe për Enver Hoxhën. “Veprat e Enver Hoxhës në i studiojmë dhe i japim në provim”, na tha ai. Para se të largoheshim ata na bënë gjithsej 32 dhurata mes të cilëve një korale shumë të madhe ku brenda ishte vendosur një fotografi e Enver Hoxhës e cila ndriçohej nga disa llamba. Këtë dhuratë sapo mbërritëm në Shqipëri ia dërguam Enver Hoxhës”.

( Dhënë për Telegraf  më 12.05.2009 )

 

Befasia, si dëgjuam në portin e Gjermanisë Perëndimore altopolantët me  himnin shqiptar

Autoritetet portuale gjermane: Na jepni një flamurin tuaj kombëtar për ta ngritur

-Si sillnim pantallona xhins, bluza me lule, çimçakëza dhe sapunë “Lux”

– Anijet shqiptare hynin në më shumë se 100 porte të botës

-Në Angli Angli ne kemi çuar verë, bimë të ndryshme medicinale si dhe bitum

-Si u habitën Anglezët kur blemë 8 makina të rënda “Centaur” 40 tonëshe.

-Ngarkesa më e vështirë ka qenë transporti i dy kullave të mëdha që u montuan në Azotikun e Fierit