Flet Seit Alikaj- Ish-Drejtori i NB “17 Nëntori”, tregon prioritetin që shteti kishte për bujqësinë dhe arsimimin e kuadrove. Kuçi i luftës, aksionet e rinisë dhe bisedat me udhëheqësit e kohës

933
Sigal

INTERVISTA/ Flet Seit Alikaj, ish- drejtor drejtor i NB “17 Nëntori” në Tiranë

Ju tregoj bisedat e mia sekrete me Enverin dhe Mehmetin

-Si e takova për herë të parë Mehmet Shehun si agronom

Pasi realizuam planin, Mehmet Shehu na organizoi një festë në Mesaplik

Mehmeti na tha përshëndetjen e Enverit “Si në luftë dhe në punë kuçiotët e mbajnë fjalën”

Në Kongresin e Rinisë në Durrës, Enver Hoxha më falënderoi

Enverin e kam takuar 5 herë, kurdoherë thoshte rinia e para

Albert Z. ZHOLI

Seit Alikaj ka lindur në 1 mars të vitit 1943, në fshatin Kuç të Kurveleshit. Pasi mbaroi arsimin 7 vjeçar në vendlindje, vijoi Teknikumin Bujqësor të Golemit në Kavajë, në vitin 1961, ku u specializua për frutikulturë dhe në shkurt të 1966 e mbaroi Universitetin Bujqësor të Kamzës në Tiranë. U martua me Drita Razo Bishaj e datëlindjes 28 shkurt 1950, me të cilën ka lindur dy fëmijë, Altinin(1971) dhe Ermalin(1973). Seit Alikaj është agronomi i parë me shkollë të lartë në fshatin e Kuçit dhe për shumë kohë punoi në vendlindjen e vet. Ndër meritat e tij si specialist është se, ai hodhi bazat shkencore në kultivimin e bimëve, sigurimin e bukës në këtë zonë malore, duke përdorur agroteknikë të lartë në kultivimin e bimëve dhe nga 8-10 kv/ha, që merrej në kulturën e grurit, u arrit të merrej 35-40 kv/ha, ndërsa në kulturën e misrit nga 25-30kv/ha u arrit të merrej 65-70kv/ha në gjithë sipërfaqen që mbillej me këtë kulturë. Ai hodhi bazat për shpyllëzimin dhe tarracimin e kodrave dhe zhvillimin e frutikulturës me blloqe në Kuç, duke krijuar bllokun e mollëve, të arrave dhe sidomos udhëhoqi punën për tarracimin e Kazhelit, gjë që u vazhdua nga agronomi tjetër i lartë, bashkëfshatari i tij Qebir Demiri dhe specialistë të tjerë. Gjurmët e Seit Alikaj u shfaqën dhe në kualifikimin e bashkëfshatarëve për krasitjen e pemëve, frutave dhe pjergullave, e rekave si dhe për kultivimin e shumëllojshmërisë së perimeve, drithërave të bukës dhe patateve. Seiti është kuçioti i parë që në vitin 1969 arriti të bëhet sekretari i parë i komitetit të B.R.P.Sh. të Vlorës. Gjatë asaj kohe, ai punoi me dashuri e përkushtim me të rinjtë dhe tek ata la gjurmë respekti e ndershmërie, duke u bërë iniciator i veprimtarive të bukura rinore. Edhe sot të rinjtë e Vlorës flasin me respekt për të.

Cilat janë mbresat e Seit Alikajt nga jeta në shkollën e lartë?

Instituti Bujqësor na dha çelësat e jetës. A mund të harrohet njeriu që të gjendet kur je në udhëkryq të jetës? Ky njeri për mua është rektori Gaqo Tashko. Isha mprehur të vazhdoja studimet e larta në Bullgari, por prishja e marrëdhënieve me vendet e Lindjes (1961) më la në rrugë të madhe; as punë dhe as shkollë. Kishin kaluar dy muaj në vitin mësimor 1961-1962 kur u nisa nga Kuçi në Tiranë, drejt dhe te sekretari i partisë të ILB-së, Rifat Meta, i cili më drejtoi tek zyra e rektorit. Më dëgjoi me vëmendje të madhe shkëmbyem ndonjë dialog të vogël dhe në fund më tha se do të bëhesha agronom i lartë.

U zgjidh edhe e ardhmja ime si me “dues ex machine” të dramave të lashta. Ai fliste dhe më kujtoheshin praktikat e frutikulturës në vitin e katërt që bëheshin në Laprakë, në Ndërmarrjen Bujqësore “Gjergj Dimitrov”, ku na mësonin Andon Ikonomi, Syrja Frashëri, Abedin Çiçi, Tajar Nazifi. Vitet e shkollës së lartë më bindën se unë kisha rënë në duart e një personalitetit të kompletuar si njeri dhe shkencëtar, e një figure model për jetën. Veçoj Vasfi Samimin, pedagogun e zooteknikës. Ai na tregonte aspektet edhe nga jeta e tij, për origjinën shqiptare, për kthimin e tij në Shqipëri së bashku me Bilal Golemin për ngritjen e blegtorisë shqiptare etj.

Pse ndikonte fuqishëm?

Çdo 7 prill ai ndërpriste mësimin dhe fliste për pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italianë, të cilin e dënonte me gjithë qenien e tij. Ishte një sportist i kompletuar, notar, futbollist. “Në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar dhe ekzekutimin e himnit, përjetohen emocionet më të fuqishme, – na thoshte profesori, – të rrjedhin lot gëzimi dhe krenarie”. Këto ne i thithnim si patriotizëm të kulluar dhe vlerësonim aftësitë e forcën edukative, në ballkaniadën e parë ai doli kampion i notit dhe u ekzekutua Himni i Flamurit. Gjatë kampionateve botërore, ai në dërrasë vizatonte një trekëndësh në majë të të cilit vinte ata që ishin yje: Pele, Garinça, Pushkash etj.

Në mes vinte ata që nuk ishin yje, jashtë linte ata që nuk meritonin të luanin. Na tregonte edhe “këndin e vdekur” të portës, ku gjuajtja ishte 90% gol. Na ka shoqëruar edhe në stadium, duke u përpjekur të na luftojë tifozllëkun e sëmurë dhe përpiqej të na kultivonte sensin e analizës dhe përjetimit racional të ndeshjes.

Në një rast, më kujtohet, kur Mexhit Haxhiu gjuajti, qëkur topi ishte ende në ajër, profesori i tha se ky do të ishte gol. Dhe ashtu ndodhi. Në një rast tjetër, ai na tha se Panua gjuan në “këndin e vdekur” të portës dhe bën gola.

Pas kësaj, ne ndiqnim ndeshjet duke kërkuar racionalen në lojën e bukur dhe shmangnim dridhjet e tifozllëkut. Më tej. Pasioni i profesor Samimit shprehej qartë në leksionet e zooteknikës. Për kafshët ai dinte shumë, por më shumë i donte. Veçonte kalin, që ka bërë evolucionin më të madh, duke debutuar edhe si artist i arenave të cirkut.

Me ndjenjë fliste për kalin e racës Arabe të cilin, na thoshte ai, e ka seleksionuar shqiptari Mehmet Ali dhe pak a shumë ka mbetur po ai. Shprehej hapur si Morganist dhe përkrahës i teorisë së trashëgimisë e jo asaj të faktorit natyral.

Ne si studentë dëgjonim me shumë interes debatet që bënte me Teki Tartarin, që kishte studiuar në Bullgari dhe aty kishte marrë edhe dy diploma, pedagog i gjenetikës, një shok i mirë i studentëve, sportist edhe ky (basketbollist dhe alpnist).

Dua të kujtoj këtu edhe bisedat që na bënte profesori për Aleksandër Moisiun, të cilin e kishte takuar tre herë gjatë studimeve në Gjermani dhe kur tregonte për të, gati i imitonte rolet. Ai bënte edhe shaka. Në atë kohë luanin rolin e Hamletit tre aktorë nga të Teatrit Popullor.

Ai na thoshte: “dy t’ua shesim të tjerëve se na mjafton një”. Shpesh profesori na shoqëronte në shfaqjet e premierave teatrale, duke parë dhe biseduar të nesërmen për artistët e mëdhenj: Naim Frashërin, Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Lazër Filipin, Kadri Roshin, Ndrek Lucën, Behije Çelën dhe shumë të tjerë.

Po pedagogë të tjerë që ju tregonin për botën dhe gjëra interesante që kishin parë rreth saj?

Dua të them dy fjalë edhe për Alaudin Frashërin, këtë pedagog të shkëlqyer, që ishte në gjendje të kolaudonte me shikim teodolitin. I kërkonim gjatë praktikave të na tregonte edhe diçka nga jeta e tij, disi e veçantë dhe ai nuk përtonte.

“Në Vjenë vazhdoja studimet dhe natën punoja në asfaltimin e rrugëve të saj. Përfundova shumë mirë. Profesori më mbajti asistent të tij dhe madje e zëvendësoja atë për të dhënë disa leksione në disa universitete të kryeqyteteve të Evropës, pasi profesori im u shmangej udhëtimeve me avion”, na thoshte.

Ai tregonte gjithashtu edhe për nivelin e lartë kulturor të popujve skandinavë. Ata për shembull, vinte në dukje ai, që para Luftës së Dytë Botërore, prodhimet bujqësore e blegtorale i grumbullonin në një pikë të caktuar, ku transportuesi apo blerësi i merrte pa prezencën e prodhuesit, të cilit i dërgonte pastaj paratë. Në këto vende nuk njihej vjedhja dhe i dënuari i fundit ishte liruar para 100 vjetësh.

Por profesori, fatkeq do ta quaja, u kthye në atdhe për të zbatuar reformën agrare në vitet 1945-1946, me një ish-grua të ve (burri i parë ishte bërë i vdekur në luftë) dhe me djalin e vet. Por austriakes i doli i gjallë burri dhe ai erdhi në Tiranë, duke marrë gruan bashkë me djalin.

Edhe martesa e dytë nuk i shkoi mbarë. Kënaqësia dhe sadisfaksioni i vetëm i këtij profesori mbeti puna pedagogjike, lidhja me rininë studentore, vëmendja, respekti dhe dashuria jonë për të, që ai e meritonte dhe nuk i mungoi nga shumë breza studentësh.

Kur mbarove shkollën, ku u emërove? Si e prite emërimin?

Në shkurt të vitit 1966 shkova në Kuç, ku do të punoja si agronom i lartë, i pari me shkollë të lartë me një ekonomi bujqësore me pak tokë arë. Dërgimi i im si agronom në fshatin e lindjes e ka origjinën nga kërkesa që i bënë bashkëfshatarët Hysni Kapos më 29 nëntor 1965 dhe ai e mbajti premtimin. Unë punova për shumë vjet në vendlindje.

Në fshat hodha bazat shkencore në kultivimin e bimëve, sigurimin e bukës në këtë zonë malore duke përdorur agroteknikë të lartë ne kulturën e bimëve. Nga 8-10 kv/ha që merrej në kulturën e grurit u arrit që të merrej 35-40 kv/ha, ndërsa në misër nga 25-30 kv/ha arriti të merrej 65-70 kv/ha në të gjithë sipërfaqen që mbillej me këtë kulturë.

-Ju si një ndër agronomët e parë keni takuar shumë udhëheqës… Kur e ke takuar për herë të parë Mehmet Shehun?

Në tetor 1996, në Ramicë të Vlorës kuadrot dhe specialistët e Kurveleshit të poshtëm, dhe Mesaplikut,  i kërkoi  një takim Mehmet Shehut, i cili e zhvilloi këtë takim për plotësimin e detyrës që  kishte ngarkuar një vit më parë  lidhur me plotësimin e bukës në vend, për çdo ekonomi bujqësore. Ky takim u kthye në nj ditë feste, gëzimi, plot këngë dhe valle. Kënga labe nuk kishte të pushuar. Bashkë me ne këndonte dhe Mehmet Shehu.  Në këtë miting ai përcolli dhe fjalën e Enver Hoxhës i cili midis të tjerave theksonte” I lumtë Kuçit, që e mban lart flamurin e partisë si dje në luftë, po ashtu dhe sot në ndërtimin e socializmit”.  Për këto rezultate në Kuç u dekorova me medaljen “për punë të shquar në ekonomitë bujqësore”.

Kur u zgjodhe sekretari i Komitetit Qendror të BRPSH?

Në vitin 1972, u zgjodha sekretari i Komitetit Qendror të BRPSh , nga Kongresi i VI i saj, i cili u bë në Durrës.

A erdhi Enveri në këtë Kongres dhe çfarë kujton nga ajo ditë?

Enveri erdhi ditën e dytë. Unë kisha diskutuar ditën e parë. Unë isha në Presidium dhe Enveri erdhi dhe më shtrëngoi dorën. – “Më foli Mehmeti për ty. Diskutove bukur. Urime! Unë i thashë se rinia e Vlorës ka shumë për të bërë për partinë pasi ka si busull orientuese mësimet e tuaja.”.  Ai buzëqeshi.

 

Sa herë e ke takuar Enver Hoxhën?

E kam takuar plot pesë herë. Ku në çdo bisedë kam folur për lëvizjet e përsosjes së figurës moralo-politike të rinisë. Ai kur fliste për rininë në gojë vinte fjalët më të mira.

Kur je larguar nga KQ i rinisë?

Në vitin 1975, u largova nga KQ i rinisë për shkak se bashkëfshatarët e mi në Kuç, shkruajtën letra për dënimin e babait vite më parë, duke u bërë kështu pishman për përkrahjen që më kishin dhënë kohë më parë.

 

Nesër do lexoni:

Në NB Kamëz, rezultate që na sollën si shembull

Në NB “17 Nëntori” shkova me urdhër të Hysni Kapos

Simon Stefani më tha, s’është punë dëshire, partia të do në ndërmarrjen e re

Si u ndërtuan me punë heroike ujëmbledhësi i Paskuqanit dhe i Sarkozës

U mbollën plot 30 mijë rrënjë ullinj, direktivë direkte e partisë

Letra që i dërgova Adil Çarçanit për ndërtimin e ujëmbledhësit të Paretit

Si më përgëzuan për mendimin, por ai ujësjellës nuk u ndërtua kurrë

Si gjithmonë në socializëm anonimët të prishnin shumë punë