Flet ‘Mbreti’ i romëve Gurali Mejdani: Seksi me vajzat tona, melhemi i shpirtit

1823
Sigal

Rrëfim ndryshe i kreut të romëve. Origjina, lidhjet e romëve me muzikën, ritet, fejesat, dasmat, vdekjet dhe ingranimi në shoqëri

Quhet Gurali Mejdani, por për romët e Shqipërisë, ai njihet e thirret “Mbreti ynë”. Po kështu njihet dhe në opinionin e gjerë.  Është presidenti i parë i “Amario Diva” shoqatës së romëve të Shqipërisë prej 22 vitesh. Është gjithashtu dhe zëvendëspresident i Shoqatës Botërore të Romëve, zgjedhur në kongresin e mbajtur në vitin 2012 në Beograd të Serbisë. Kur i themi përse e thërrasin ‘Mbret’, ai qesh me atë natyrën që reflekton mirësi dhe mbledh supet. ‘Po më duan e ndaj më thërrasin kështu’- shton ai. Por më pas, me shaka ai shton: “Po ka në botë e tek ne deputetë të përjetshëm, senator të përjetshëm. Po dhe unë jam zgjedhur kreu i romëve në të gjitha kongreset e bëra në këto vite, e pse mos më quajnë të tillë?”. Reflekton në bisedë e sjellje respekt, mirësi, dashuri, gjë që është karakteristike tek romët. Ka një kujtesë të admirueshme dhe një të shprehur të qetë, modest e korrekt, teksa flet për romët, traditat, ritet, dasmat, mortet, e këngët e muzikën e mrekullueshme rome… Kur qëndrojmë tek muzika na thotë: “Lorka ka thënë se një vend po romë, është një vend pa liri!”.  Në intervistën e gjatë dhënë për “Telegraf” Mejdani rrëfen dhe intimitete të pa treguara të jetës së tij, jetën, rininë, muzikën, të dashurat, flirtet dhe përkushtimin në mbrojtje të të drejtave të romëve… “Seksi me vajzat rome, është ilaçi i shpirtit…. Po dhe me të tjerat… Seksi varet nga shpirti, nga ndjenja…”,- rrëfen ai….

Zoti Gurali! Që pas ndërrimit të sistemit ju jeni Presidenti i shoqatës së romëve shqiptarë “Amaro Diva”, diçka më konkretisht për aktivitetin e saj dhe rolin tuaj në këto vite?

-Faleminderit. Ju më pyesni dhe unë do u përgjigjem për gjithçka. Po dua të them që në fillim se jam krenar që jam kreu i romëve shqiptar, e që përfaqësoj ata kudo në aktivitete ndërkombëtare. Shqiptarët janë popull i mrekullueshëm, e romët njerëz të mirë…. Kemi marrë e kemi dhënë, marrim e japim me njeri-tjetrin… Po shtoj se jam dhe zëvendëspresident i romëve të gjithë botës… Jam zgjedhur në vitin 2012 në Beograd, në kongresin e 12 të romëve të botës.… Zgjedhja ime ishte vlerësim dhe për Shqipërinë…

Pohuat gatishmërinë për t’u përgjigjur për gjithçka… Pra dhe për flirtet, të dashurat tuaja …?

-Po, po, se njeri jam dhe unë… Pra kam dhe unë ato të miat… Do u përgjigjem, po ca gjëra dhe nuk thuhen….

Të kthehemi tek zgjedhja juaj në krye të romëve pas ndërrimeve të sistemeve?

-Po. Për herë të parë në Shqipëri, përfaqësuesit e romëve, nga i gjithë vendi dhe nga gjithë fiset, u mblodhën dhe krijuar shoqatën e tyre “Amario Diva”, ku në krye të saj u zgjodha unë.  Ky është dhe moment që romët shqiptar, u bënë pjesë e organizmit botëror të romëve, që ishte krijuar gati 3 dekada më parë në Paris. Më pas, u krijuan shoqata dhe organizma të tjera nga romët, por shoqata jonë është më e vjetra dhe më e madhja…

Sipas jush, sa romë jetojnë në Shqipëri dhe ku janë vend popullimet më të mëdha të tyre?

-Në Shqipëri ka 120 mijë deri në 150 mijë romë. Romë të grupuar në Shqipëri ka në Fushë-Krujë, Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnjë, Vlorë, Berat, Sarandë, Gjirokastër, Elbasan, Pogradec, Korçë, Bilisht dhe në zona të veçanta në veri të vendit…

Diçka më hollësisht për Gurali Mejdanin e familjen e tij?

-Kam lindur më 5 qershor të vitit 1945 dhe jetoj në Tiranë. Kam tre fëmijë. Të tre i kam në emigracion, në Greqi e Itali, me punë të ndryshme me biznes…

Si ‘Mbret” i romëve, si i vlerësoni marrëdhëniet me komunitetin ku ata banojnë?

-Shumë të mira, nga jugu në veri, në të gjitha qytetet e zonat ku banojnë romët. Në këtë aspekt, duhet të na kenë zili shumë vende të botës. Jam krenar që jam rom shqiptar Më merr malli e jam krenar, më dalin lot gëzimi kur kudo në botë unë përfaqësoj Shqipërinë… Do të përmend kështu kongresin e mbajtur në Çeki në vitin 2000, ku i ndodhur në podium, mes flamurit rom e atij shqiptar pohova fort: Jam krenar që jam rom shqiptar! Kështu dhe në shumë takime të tjera ndërkombëtare.

Si është jetesa e romëve, problemet e tyre?

-Romët, tek ne janë pjesë përbërëse e shtetit shqiptar, jetojnë si të gjithë shqiptarët. Një pjesë e romëve jetojnë shumë mirë pasi që në nisje të demokracisë, janë marrë e vazhdojnë të merren me tregti… Ishin ndër të parët që shkuan në Turqi, e më pas në gjithë Europën, Azinë, Kinë e Indi, deri dhe në shtetet më të largëta të Afrikës… Po ka dhe të varfër që për shumë shkaqe, nuk mund të ingranohen apo të vetë ingranohen në shoqëri, në ekonominë e tregut…

Diskriminohen romët në Shqipëri?

-Nuk ka pasur dhe nuk ka një politikë zyrtare të diskriminimit të romëve në Shqipëri. Këtu nuk e kam fjalën për ndonjë rast të veçantë që lidhet mes individëve… Asnjë pakicë në Shqipëri nuk diskriminohet, e kjo duhet thënë ashtu siç është…

Ndonëse me vite mbi supe, dukeni i ri dhe jeni i bukur ende…?

-Po tërë jetën kam punuar, po dhe e kam mbajtur veten…. Që 14 vjeç kam qenë një muzikant i talentuar dhe i shumëkërkuar nga njerëzit që nuk jetojnë dot pa muzikën. Kam qenë mjeshtër në klarinetë, e kam qenë në qindra dasma shqiptarësh në gjithë vendin…

Vazhdoni me muzikën tani, apo keni angazhime të tjera?

-Po mund të rroj romi, mund të rrojë njeriu pa muzikën. E dua dhe dëgjoj muzikë, po nuk i bie më klarinetës…. Jam divorcuar një herë e mirë me ‘të…

Pse e latë klarinetën?

-Lidhet me diçka të dhimbshme, mbase e cekim (bisedojmë më vonë), e që lidhet me brengat e jetës sime….

Ok. Duke qenë i bukur, sigurisht je adhuruar, ke dashuruar e të kanë dashuruar vajzat rome, keni flirte me ‘to?

-Po pse vetëm me vajzat e gratë rome mo!? Po dhe me të tjera…. Dashuria, seksi, janë ndjenjë, nuk duan t’ia dinë për racë, ngjyrë apo ku di unë… Seksi me romet është ilaçi i shpirtit… Ashtu si me çdo femër, se është ndjenjë seksi… Kam dhe unë flirtet në jetë si çdo njeri… Po si të mos i kisha xhanëm, sidomos për 16-17 vite që merresha me muzikë e kam bredhur vendin e botën… I kam shijuar të gjitha unë në jetë, pijet, ushqimin, seksin… Kujtoj këtu festivalet e dikurshme, me rini e muzikë… Në to unë kam marr shumë vlerësime, medalje etj… Të kishte qejf xhani….

Pra, si muzikant ke qenë në kohën e sistemit komunist dhe jashtë shtetit?

-Dëgjo, desha që ta anashkalojmë, po prapë po më del tek brenga e jetës sime, moment në të cilin vendosa që të mos e kap klarinetën me dorë… Ka kaluar kohë që atëherë po më dhemb shpirti… Nejse, po ta tregoj… Në Festivalin që u bë në Durrës, me “Vallen e Topallit”, ku unë i bija klarinetës, morëm çmimin e parë. Isha me Rajonin numër 3 atëherë… Do dilte ansamblin jashtë dhe unë isha pjesë e tij se kisha bërë muzikën e valles që mori çmimin e parë. Po nuk më lanë të dal. Ja mësuan melodinë një tjetri, e unë mbeta… U preka shumë, e që atëherë, lash klarinetën. Që nga ajo ditë, nuk e kapa më me dorë…

Të kthehemi tek traditat e romëve, jetesa…?

-Po. Romët kanë pasur dhe kanë ruajtur shumë tradita që nga lashtësia, brez pas brezi. Ka qenë traditë dhe ruhet, ajo për të ruajtur pastërtinë, pra që romët të martohen me romët. E ruajtëm me fanatizëm… Por ndër vite e dekada, sidomos sot, ndryshuan kohët… Jo shkolla, jo punët, jo kontakte më të lira se dikur… Filluan martesat e përziera, që po shtohen nga dita në ditë…

Po për martesat rome?

-Ka qenë traditë e respektohej, martesat bëheshin meshkuj e femra kur mbushnin moshën 13-14 vjeç. Me punën e organizatës sonë, kemi arritur që përgjithësisht, martesat të bëhen sot në moshë më të madhe, 16 vjeç vajzat e 18 vjeç djemtë…

Po dasmat?

-Dasmat rome janë të mrekullueshme… Dikur nga varfëria, bëheshin pa shpenzime shumë, po rakia nuk mungonte… Ka pas dhe një të keqe këtu… Pinin, bëheshin tapë e nisnin sherret… Kishte dhe vrasje, pra dasmat ktheheshin në mort… Sot është ndryshe… Ka tregti, ka punë nga romët, po ka dhe rritje të mirëqenies… Dasmat e romëve janë të rralla… Askush nuk mund t’i bëjë dasmat si ata… Aheng, këngë e valle pa pushim… Këndon e shpërthen shpirti i çiltër rom… Romi nuk jeton dot pa këngën… Po sot, siç ua thashë dhe më lart, romët martohen dhe me të bardhë, e dasmat kanë filluar të marrin një ngjyrë tjetër, atë të dy palëve…. Dhe po shtohen shumë këto martesa…

Si është familja rome, hierarkia, ndarja e punëve?

-Ne si popull rom, të ardhur nga India, thashë që kemi ruajtur dhe traditat e zakonet e lashta tonat. Kemi ikur e jemi shpërndarë shumë në gjithë Europën. Po ama, kemi një betim që e ruajmë dhe e  transmetojmë, atë të zakoneve e riteve, që t’i mbajmë pa prekur…  Ne, që kur fëmija nis të kuptojë, i themi nga e ka atdheun dhe të mos harrojë se nga kemi ardhur. Unë thashë se sot ne jetojmë në harmoni me shqiptarët…. Si vëllezër e shkuar vëllezërve…

Folët për origjinën e romëve, ritet, zakonet, shpërndarjen e tyre e bashkëjetesën me vendasit… Po në Shqipëri, ndër dekada, kë përmendni si fise apo personalitete me autoritet të botës rome në Shqipëri?

-Ja po e nis nga viti 1944-1945… Ja për shembull, njihet e ka lënë emër Shaziman Kosturi në Korçë, Shukri Aliu në Pogradec, Hamdiu me famë në Elbasan, Hyqmet Mejdani në Tiranë, Seit Basriu e Sali Hyseni po në Tiranë…

Romët dhe muzika… Pohuat se nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin.. Disa nga personalitetet tuaja në këtë fushë?

-Po. Po përmend të famshmin Hekuran Xhambali në klarinetë, unë kur isha i ri (qesh…), Astrit Qerimi, Mentor Xhemali,  Remzi Lela e tjerë që janë egjiptianë…

Disa nga aktivitetet tuaja?

-Ne kemi një aktivitet të dendur si shoqatë, brenda dhe jashtë vendit… Kemi marrë pjesë e jemi nderuar në shumë festivale botërore, si në Francë, Çeki etj… Dikur, ishte më e organizuar, tani vetëm me forcat tona…

(Vijon nesër)