Selman Rama – Skënderbegasi nga Dibra që u bë oficer marine

1518
Sakip Cami

73-vjetori i shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” 
Gjashtëdhjetë vjet më parë (më 15 gusht 1958), pas 7 orë udhëtimi me një “zis” makinë ushtarake, së bashku me tre shokë të tjerë, Sabri Jella, Fais Kurti e Ahmet Loka mbërriti në oborrin e shkollës “Skënderbej”. Për Selman Ramën, si edhe për bashkëmoshatarët e tij skënderbegas, ditët e para qenë të vështira, pasi nuk ishte larguar asnjëherë nga familja dhe vendlindja e tij, Muhurri i Dibrës. Por skënderbegasit dibranë të viteve të tjera u qëndruan afër për t’ua hequr sado pak mërzinë. Pas ndarjes në klasa, Selmani kujton se në klasën e tij u njoh me djem të shkëlqyer që vinin nga rrethe të tjera të vendit. “U njohëm me njëri – tjetrin dhe ndihma ishte e pakursyer për përvetësimin e mësimeve, sidomos nga shokët Adem Çobani, Sabri Jella, Fiqiret Doda, Asim Pregja, Daniel Reveli etj. E pata të vështirë fillimisht me gjuhët e huaja, pasi ne nuk kishim bërë në shkollën 7 – vjeçare, por me ndihmën e pakursyer të mësueses të gjuhës ruse, Florika Papajani dhe asaj të gjuhës angleze, Nina Agolli arritëm që të ishim pothuajse në të njëjtin nivel me të tjerët”, nis rrëfimin e tij ish-skënderbegasi i viteve 1958 – “62, Selman Rama, ndërsa i falënderon nga zemra mësueset Florika e Nina, pasi njohuritë e marra në gjuhet e huaja i kanë shërbyer më vonë edhe në punën e tij, gjatë jetës ushtarake e asaj civile. Por në memorien e tij janë ngulitur edhe kuadro ushtarak të atyre viteve, si Drago Isufi e Muhamet Ormani që i dhanë një ndihmesë të madhe për t’u ambientuar me jetën ushtarake. Ndërkohë, sipas tij, e paharruar do të mbetet për brezat e skënderbegasve e gjithë trupa pedagogjike e shkollës, e drejtuar nga drejtori Stavri Angjeli. 

Po kush është në të vërtetë Selman Hidër Rama?
Ka lindur në Muhurr, Dibër më 01.09.1944. Shkollën fillore dhe atë 7 – vjeçare i mbaroi ne fshatin e lindjes, me rezultate të mira. Me mbarimin e shkollës 7 – vjeçare pati fatin, t’i dalë e drejta e studimit për në shkollën e mesme ushtarake “Skenderbej” Tiranë, studime të cilat i mbaroi në vitin 1962 dhe po atë vit filloi shkollën e lartë të marinës në Vlorë, ku u diplomua në vitin 1965. Gjatë viteve në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe atyre studentore në Shkollën e Lartë të Marinës, Vlorë, Selmani manifestoi inteligjencë e pjekuri, aq sa fitoj dashurinë e respektin e pedagogëve dhe të shokëve studentë. Në Flotën Luftarako-Detare punoi për 36 vjet (deri sa doli në pension), në detyra të ndryshme, si shef organi deri ne vitin 1968 dhe nga 1968 -1978, shef i armëve të nënujshme në Bazën Ushtarako-Detare, Durrës. Kuadri i përgatitur me dije e njohuri të larta profesionale, në vitet 1978 -1980 do të shërbente edhe si pedagog i armëve të nënujshme në Shkollën e Lartë të Marinës, Vlorë, për t’u kthyer pranë familjes (1980 – 2001) si specialist i armëve të nënujshme në distriktin detar Durrës. Selman Rama shërbeu me devotshmëri e përkushtim në të gjitha këto funksione, duke e mbajtur me nder emrin e skënderbegasit dhe të familjes së tij nga fshati i bukur Muhurr, që shtrihet në luginën e Drinit të Zi, në hapësirën mes dy maleve më të lartë të vendit, Korabit e Runjës hijerëndë e kreshnike. Si i tillë, Selman Rama bën pjesë në plejadën e ushtarakëve shqiptarë që u shkolluan në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe në Shollën e Lartë të Marinës, Vlorë dhe që kontribuan për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare. 


Sigal