Agron KAJA/ Eliminimi në Europë, “hipoteka” për futbollin tonë

515
Sigal

VËZHGIM/ Pas eliminimit të skuadrave tona në Europë, futbolli kujton me nostalgji Kukësin 2013

Muaji korrik u rrokullis me nxehtin e tij, por që tradicionalisht mbetet i tillë edhe me futbollin, ku skuadrat elitare pasi kanë bërë “shkrydhjen” në Europë i drejtohen fazave përgatitore të shoqëruara me merkaton e futbollistëve e trajnerëve. Njëherësh, edhe skuadrat e tjera që u bitisën ashtu-kështu në sezonin e kaluar, i kanë bërë llogaritë e tyre për këtë muaj, ku mediatikisht e më pak realisht, po shohim e dëgjojmë lëvizje dhe emra, në ndonjë rast edhe drejtime të reja në klube e bankina. Gjithsesi, duke qëndruar tek skuadrat që u përfaqësuan në Europë gjatë këtij korriku, le të themi se pas shëtitjeve që ato bënë në gjashtë qytete evropiane në ndeshjet e Europa Ligë (Kukësi, Laçi e Flamurtari) dhe të Skënderbeut në Ligën e Kampionëve, një reagim “inatçor” na vjen rrotull në mendimin se tashmë jemi me “certifikatë pronësie” sa i përket rezultateve të dobëta që këto skuadra arritën në këtë sezon evropian. Sepse, duke hyrë në korridoret e historisë së përfaqësimit të skuadrave tona në Europë që nis me Partizani-Norçeping e Suedisë në sezonin 1963-1964 (1-1 në Tiranë dhe 0-2 në Suedi), e deri tek eliminimi i Skënderbeut nga BATE Borisov në sezonin 2014-2015 (0-0 në Bjellorusi dhe 1-1 në Korçë), e kemi të drejtën të bëjmë dallimin se kush ishim dhe kush jemi ne futbolli shqiptar në kompeticionet europiane. Dhe më në brendësi të kësaj historie, konstatimi është konkret kur shohim se skuadrat tona vetëm teorikisht kanë bërë ndryshime me paraqitjen e tyre në Europë. Pas Flamurtarit në vitin 1986, i pasuar me dinjitet nga Kukësi në vitin 2013, e gjithë historia jonë flet kundër rrymës me Europën, sikundër ndodhi edhe këtë sezon me Kukësin, Laçin e Flamurtarin. Edhe pse nuk mund ta themi këtë për Skënderbeun, gjithsesi eliminimi nuk është kualifikim, që do të thotë se edhe skuadra korçare futet në një realitet që preket në çdo kohë me regresin. Mjafton që të sjellësh në kujtesë, qoftë edhe me një memorie të pjesshme, dhe do ta kuptosh lehtë se klube të shteteve më të vegjël në madhësi gjeografike e në futboll nga Shqipëria i kalojnë disa ture, ndërkohë që skuadrat tona të futbollit nuk kanë ditur, ndoshta edhe nuk kanë dashur që Evropës t’i marrin “frytet” e pjekura. Kësisoj vlen fjala e urtë popullore shqiptare se: “Çfarë do të mbjellësh, do të korrësh”, e  kështu vazhdon “telenovela seriale” ku me vështirësi kalojmë në goglat e dyta të shorteve në Europë dhe si përgjigje kritike nga kjo Europë vjen braktisja e rrjetave të shpuara të topkëmbës sonë. Ndoshta sot për sot, në këtë aspekt klubet dhe skuadrat tona të “aromës evropiane” mundet që ta kenë gjetur edhe një justifikim, i cili ka mbetur “nul” mes nesh dhe Europës së futbollit, por që të shohësh një skuadër të eliminuar me të gjithë elementët e tij, kjo është sa serioze, aq edhe profesionale. Gjithçka e thënë sa më sipër, nuk është vetëm një konstatimin kalimtar. Përkundrazi, themeltare është të mendohet e të kuptohet se çfarë do t’i sjellin futbollit tonë pikërisht skuadrat e eliminuara nga turet fillestare të Kupave të Europës. Nga këto ture që janë të denja për Azerbaixhanin, Luksemburgun, Lihtehshteinin e Andorrën, dhe jo për Shqipërinë europiane. Gjithsesi, teksa gushti trokiti me vranësirën e tij të zakonshme, futbolli duket se po i numëron ditët së prapi, pasi sezoni në këtë muaj starton zyrtarisht, edhe nëse skuadrat nuk janë gati. Këto radhë që cekën një realitet, por nuk kërkojnë që pas “Napoleonit” që kërcyem në Europë të kemi “groshët” e zakonshëm edhe në futbollin tonë. Ky nul duhet zgjidhur, futbolli ka vite që e pret këtë ndryshim. Përndryshe, Evropës pas marrjes së Statusit Kandidat, po i drejtohemi me “frena dore” në aspektin sportiv, kryesisht në futboll. Sa e gjatë do të jetë kjo pritje? Të urojmë  që kjo pritje, në kohë mos të shkojë me dekada!

Rezultatet në Europë, 2014-2015

 Liga e Kampionëve

Turi i Dytë

Takimi i parë/15 korrik 2014

BATE Borisov-Skënderbeu 0-0

Takimi i dytë/15 korrik 2014

Skënderbeu-BATE Borisov 1-1

 Europa Ligë

 Turi i Parë

Takimet e para/3 korrik 2014

Kairat (Kaz)-Kukësi 1-0

Rudar (Sllov)-Laçi  1-1

Sioni (Gjeo)-Flamurtari 2-3

Takimet e dyta/10 korrik 2014

Laçi-Rudar (Sllov) 1-1 (3-2p)

Kukësi-Kairat (Kaz) 0-0

Flamurtari-Sioni (Gjeo) 1-2

Turi i Dytë

Takimet e para /17 korrik 2014

Laçi-Zoria (Ukr) 0-3

Petrolul (Rum)-Flamurtari 2-0

Takimet i dyta/24 korrik 2014

Flamurtari-Petrolul (Rum) 1-3

Zoria (Ukr)-Laçi 2-1

 Presidenti Gjici synon titullin kampion. Jonuz ka drejtuar më parë Kombëtaren e Maqedonisë

  Muça-Jonuz, duel për stolin e Kukësit

 Kukësi ende nuk e zyrtarizuar trajnerin e sezonit 2014-2015, edhe pse nënkampionët vazhdojnë të përgatiten nën urdhrat e Shkëlqim Muçës. Pas eliminimit qysh në turin e parë eliminator të Ligës së Europës, që solli edhe shkarkimin e trajnerit Agim Canaj, Presidentit Safet Gjici ia ngarkoi detyrën Shëlqim Muçës, i cili në fakt kryen edhe rolin e drejtorit sportiv të verilindorëve. Por, kur kanë mbetur vetëm pak më shumë se tri javë nga fillimi i Kampionatit të 76-të Kombëtar të Futbollit emërimi i trajnerit është një shndërruar në një çështje urgjente. Shkëlqim Muça apo Mirsad Jonuz? Cili do të jetë trajneri i Kukësit për sezonin e ardhshëm? Presidenti Safet Gjici është në një dilemë të madhe, pasi kërkon të marrë vendimin më të mirë për skuadrën e tij, që sezonin e ardhshëm do të futet në garë me synimin kryesor titullin kampion. Emërimi i trajnerit të ri lidhte drejtpërdrejt me objektivat e verilindorëve, pasi Gjici është gati të investojë për postin e trajnerit vetëm për një qëllim madhor. Në takimin e zhvilluar mes palëve, çështjet ekonomike kanë kaluar në plan të dytë, pasi biseda është përqendruar kryesisht në anën sportive. Gjithçka ka mbetur e hapur për ditët në vijim, madje trajnerit maqedonas i është dhënë më shumë kohë për të njohur skuadrën që të jetë i bindur kur të pranojë sfidën për të dalë kampion. Mirsad Jonuz (52 vjeç), një ish-portier ka një karrierë trajneri që nga viti 1996, kur mori drejtimin e Rabotniçkit, ndërkohë që kulmin e ka si trajner i Kombëtares së Maqedonisë (2009-2011). Skuadra e fundit që ka drejtuar maqedonasi është ekipi qipriot Nea Salamis Famagusta. Ndërkohë alternativa “Muça” po bëhet gjithnjë e më serioze, pavarësisht se ish-futbollisti dhe trajneri i Tiranës është emëruar provizorisht pasues i Agim Canajt, pasi mban postin e drejtorit teknik. Afrimi i Hair Zeqirit si dhe ndonjë blerje tjetër cilësore e minutës së fundit mund ta bindin 54-vjeçarin për ta marrë përsipër drejtimin e skuadrës përgjatë gjithë sezonit.

 Hysaj: “Ëndërr, debutimi në Serinë A”

 Elseid Hysaj do të jetë shqiptari i radhës që do të debutojë në Serinë A, kampionatin maksimal italian, atje ku me Lacion luajnë Lorik Cana e Etrit Berisha, si dhe me Torinon, Migjen Basha. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, që aktivizohet në radhët e Empolit ishte protagonist në fitoren 4-0 në ndeshjen përgatitore ndaj Scandiçit. “Unë ndihem mirë, jam shumë i uritur dhe mezi po pres të fillojë sezoni i ri. Për mua do të jetë kampionat i parë në Serinë A. Duhet të luajmë me përulësi dhe falë grupit të sezonit të kaluar mendoj se do të shpëtojmë. Por duhet dhënë maksimumi në çdo ndeshje. Ne jemi të gjithë të rinj për një kampionati Seria A, megjithatë kemi gatishmërinë të përballemi denjësisht që në ndeshjen e parë në Udine, pastaj në të dytën kundër Romës në shtëpi”. I pyetur për emrat që u druhet më shumë në Serinë A, Hysaj u përgjigj. “Unë i vlerësoj të gjithë, por në qoftë se duhet të them dy emra po përmend Gervinjo dhe Iturbe. E them këtë për shkak se janë të dy sulmues të jashtëm shumë të fortë. Sidoqoftë, mezi pres momentin të përballem me ta në ndeshjen e parë në Seria A, në shtëpinë tone”. Hysaj pritet të grumbullohet nga Xhani De Biazi që në ndeshjen e parë eliminatore me Portugalinë në transfertë me 7 shtator.