Agron Kaja: Bankina “bio” beratase, Arbëri-Muxhaj-Gjata, “tenort” e vlerave të Tomorrit

247
Sigal

 Rezultatet e Kategorisë së Parë dhe renditja. Panajot Pano një Mbret që nuk duhet harruar !

NDRYSHIMET/ Pas “hegjemonisë” me trajnerë të huaj e të pakolauduar për elitën, gjendet bankina bio beratase

Arbri-Muxhaj-Gjata, “tenorët” e vlerave te Tomori

Në historinë e tij 99 vjeçare, Tomori ka patur ndryshime të mëdha në emrin e skuadrës, në drejtimin apo përbërje. Por ka patur hallakatje që shpesh ia imponononte ish-regjimi i kaluar, i cili e ka quajtur më shumë skuadër dytësore dhe dërgonte në Berat trajnerë që “kolaudoheshin” për skuadra të tjera. Asnjë trajner joberatas nuk ka një sukses të vetëm në krye të Tomorit, qoftë edhe një vend nga kreu i renditjes. Këtë e thonë statistikat, ku nga 17 trajnerë jo beratas, vetëm një sukses është në vitin 1977 si kampion i Kategorisë së Dytë me trajner Saimir Dautin. Dhe kaq, sepse duke kujtuar historinë gjithçka e arritur më pas nga Tomori, janë emrat e trajnerëve beratas Guxim Mukli, Andrea Xheblati, Kristaq Mile, Përparim Kovaçi e Theodhori Arbri që kanë sjellë ndryshimet pozitive.

Dhe e gjithë kjo hyrje e ka një spjegim. Kjo situatë tregon se zgjedhjet që janë bërë ditë më parë në drejtimin e skuadrës së Tomorit, ndoshta janë më të mirat e momentit. Konktretisht: 1)Klodian Arbri Trajner i parë, në sezonin 1999-2000 shpallet kryegolashënues i Shqipërisë dhe nënkampion me Tomorin. 2) Në këtë skuadër ka qenë kapiten Madrit Muxhaj, portieri më i mirë i kampionatit dhe fitues në formacionin e vitit. 3) Edmond Gjata ka qenë sulmues plotësues me golat e tij, por shpesh edhe vendimtarë. Kjo është “trio” që me këta tre “tenorë” në bankinë, Berati do t’u kërkojë që të “këndojnë” më ndryshe se paraardhësit e tyre, jo për të vazhduar në skena të vogla e fusha provincash. Por të mos e anashkalojmë edhe Tomi Fanin, ndihmësmjekun fizioterapist, i cili ka bërë të veçantën në historinë e Tomorit, pasi është mbrojtësi që ka shënuar në të gjitha kompeticionet me skuadrën beratase. E tashmë ai është në këtë staf, për të thënë se në Berat duhet të fryjë era e profesionizmit me aktorë talente të fidanishtes beratase të futbollit.

Të gjitha këto realitete sot janë të prekshme, sepse Tomori ka 20 sezone që luan në kategori inferiore, dhe si asnjëherë në historinë 99 vjeçare të tij, në këto 20 vite ka dominouar bankina me trajnerë jo beratas. Më shumë me emra të dëgjuar e padëgjuar në trajning që Tomorin e kanë mbajtur në nivelin e një skuadre lagjeje. Asnjë përgjegjësi prej tyre, por edhe e drejtuesve të pushtetit lokal në këto vite. Sepse kryebashkiakët i kanë prezantuar trajnerët me CV “bombë”, por kur ajo u ka plasur në duar, i kanë fshehur ato në ambientin e tifozërisë beratase. Kanë qenë thjesht trajnerë elektoralë dhe aspak sportivë e dashamirës për krenarinë e qytetit të Beratit.

Dhe këtu e veçojmë këtë si një fenomën në futbollin shqiptar, nga i cili janë penalizuar edhe skuadra që në histori kanë shënuar emrin si kampione e nënkampione, si fituese të Kupës apo me ndeshje të bukura e rezultate positive në Europë. Pikërisht këtij fenomeni, këtë herë Tomori i dha një goditje “beratase”, ndoshta për t’u bërë shembull për një vazhdimësi profesionalisht të mbarë në gjithë futbollin shqiptar.

Deri në vitin 2021, Tomorin e kanë drejtuar 16 trajnerë joberatas. Nën drejtimin e tyre nuk janë arritur rezultate sikundër me Sabri Behrin finalist në Kupë, me Guxim Muklin vendi 4-t në Superiore dhe me Kristaq Milen nënkampion në Superiore e pjesëmarrës në Kupën UEFA

 

Klodian Arbri “violinë” e parë

Për Klodian Arbrin sot 43 vjeçar, kjo është përvoja e parë si trajner i parë te skuadra e Tomorit, ndërkohë që ai ka mbi dhjetë vite që drejton Akademinë dhe ekipet e të Rinjve në Berat. “Për mua është një vlerësim në radhë të parë, jo vetëm për emrin tim si futbollist, por edhe për traditën e “Dinastisë Arbri” në futbollin beratas. Përkushtimi im dhe i stafit me talente të futbollit tonë do të jetë që të marrim maksimalen në çdo ndeshje. Nuk e kam problem se jam trajner i parë dhe të mbërthehem në emocione, por do ta drejtoj Tomorin si dikur në fushën e lojës Klodianin në shënimin e golave”, kështu shprehet trajneri Klodian Arbri për këtë nisje të një përvoje që mendon se do ta shoqërojë gjithë jetën.

Tomori nën drejtimin e Klevis Dalipit

Kur Klevis Dalipi morri drejtimin e Tomorit, për shumëkënd që e njeh atë si ish-futbollist e trajner, pritshmëritë kanë qenë për rezultate më të larta. Por në 15 javë kampionat, Tomori në drejtimin e tij arriti të grumbullojë 25 pikë në 15 ndeshje, me 7 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje. Një pikëzim larg pretendimeve, ku nga starti e deri në javën e 15-të luhatjet ishin të prekshme, madje që në ndeshjen e parë në Berat me humbje me Korabin, skuadër, të cilën e viziton këtë fundjavë. Ndoshta këtu ka çaluar divorci, që duhet thënë se kishte nisur nga rezultatet në javët e para të kampionatit.

Rezultate me trajnerë beratas

Trajneri               Sezoni         Rez.

Sabri Behri           1964-1965  Fin. Kupë

Guxim Mukli        1990-1991 Vendi 4

Pjesmarrje në Kampionatin Ballkanik

Kristaq Mile                   1999-2000  Vendi 2

Pjesëmarrje në Kupën UEFA

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-java e 16-të

E shtunë, 22 janar 2022

Erzeni-Apolonia   13:30

Pogradeci-Butrinti         13:30

Bylis-Besëlidhja   13:30

Turbina-Besa       13:30

Vora-Shkumbini  13:30

Korabi-Tomori     13:30

Lushnja-Maliqi     13:30

Burreli-Tërbuni    13:30

RENDITJA

Skuadrat    Nd     Pikë

1.Bylis        15      38

2.Erzeni      15      35

3.Korabi     15      29

4.Tomori    15      25

5.Burreli     15      23

6.Tërbuni    15      23

7.Apolonia 15      22

8.Besa         15      21

9.Shkumbini         15      18

10.Butrinti 15      17

11.Besëlidhja15    16

12.Pogradeci15    14

13.Lushnja  15      14

14.Turbina 15      12

15.Vora      15      11

16.Maliqi    15      11

IN MEMORIAM

Panajot Pano, një Mbret që nuk duhet harruar!

Ai quhet Panajot Pano dhe historia e ka veçuar si një nga futbollistët më të mirë në futbollin shqiptar, dhe me të drejtë e ka quajtur si mbretin e topkëmbës shqiptare. Ai u nda nga jeta 12 vite më parë, në atë 19 janar 2010 me shumë dritë e ngrohtësi në Tiranë, ndërsa sytë e tij u mbyllën në Amerikën e largët. 12 vite më parë, i madhi Pano u nda nga jeta pas një ataku në zemër, sulm të cilin nuk mundi ta ndalte, sikundër ndali sulme e kundërsulme në fushën e lojës dhe në jetë. Panajoti është një ndër figurat më të mëdha në futbollin shqiptar, dhe padyshim ka mbetur si futbollisti MBRET në futbollit tonë.

Në këtë ditë përkujtimore të ndarjes së tij nga jeta (19 janar 2022), Pano kujtohet si një personalitet i madh i futbollit shqiptar, si një sulmues i kalibrit të lartë, i gjithanshëm dhe realisht ishte numri 10 i vërtetë në fushën e lojës. Në lojë, të gjitha skuadrat e thonin se ai e mbante mbi shpinë gjithë skuadrën e Partizanit si një lider. Specialistë të huaj apo edhe dashamirës të futbollit tonë e kanë quajtur Panon edhe si Pele-në e futbollit shqiptar.

Karrierën Panajoti e nisi me Tiranën në harkun e viteve 1957-1960 me të cilën në 29 ndeshje shënoi 8 gola. Por kalimi te Partizani në 15 vite (1960-1975), tregoi vlerat më të larta të tij si një futbollist i madh, të cilin futbolli shqiptar do ta kujtojë gjatë në memorrjen e tij. Sukseset e Panajot Panos mbeten edhe si dritarja nga e cila do e shohin gjithë jetën portretin e tij sportiv. Me mbi 210 ndeshje me fanelën e Partizanit, Pano shënoi 136 gola, fitoi 4 kampionate dhe 5 kupa të Shqipërisë. Në vitin 1970 del kampion i Ballkanit me Partizanin, pa harruar medaljet e argjenda në Turneun e Hanoit në vitin 1963. Njëherësh, Panajot Pano ka qenë edhe shtylla e ekipit kombëtar (1963-1973), ku në 28 ndeshje shënoi 4 gola.

Panajot Pano është padyshim emri më i madh i futbollit shqiptar ndër vite, i nderuar me tituj e çmime të mëdha: Mjeshtër i Merituar i Sportit; Mjeshtër i Madh; Urdhri i Punës i Klasit të Parë; Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të tretë, të dytë e të parë; medalja “Urdhri i Meritës” për 100 vjetorin e FIFA-s; Nderi i Kombit. Panajot Pano ka qenë president nderi i Klubit Partizani si dhe president nderi i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Këto radhë të shkruara në ditën e përvjetorit të 12-të të ndarjes së tij nga jeta janë pak, por ato e rikujtojnë figurën e Panajot Panos jo vetëm si pjesë e historisë më pozitive në futbollin shqiptar, por edhe si frymëzim për brezat, ku deri më sot nuk ka dalë një kalibër si ai.

I paharruar do të mbetet “Mbreti” i futbollit shqiptar, Panajot Pano!

 

LEGJIONARËT

Tifozët thirrje Brojës: Firmos me Sauthempton!

Me formën e mirë që po tregon në Premier Ligën Angleze në radhët e Sauthemptonit, futbollisti i Kombëtares Shqiptare Armando Broja është bërë idhull i tifozerisë së kësaj skuadre. Të pasionuar pas tij, tifozët i kanë bërë thirrje sulmuesit të dëgjojë prindërit e tij, të cilën duan që djali i tyre të firmosë me Sauthemptonin. Ata duan që sulmuesi më i mirë i tyre të transferohet përfundimisht në “St Mary’s” brenda muajit janar, që përkon edhe me merkaton dimërore të futbollit. Në verën e viti të kaluar në nisjen e sezonit 2021-2022, Armando Broja është i huazuar nga Çelsi të Sauthempton, por po bind me potencialin e tij ku edhe ka shënuar 7 gola në 20 ndeshje.

 

Milani dhe Juventus, garë për Nedim Bajramin

Në futbollin italian sot, mesfushori shqiptar Nedim Bajrami është kthyer në një nga emrat më të përfolur në merkaton e janarit të klubet e Serisë A. Ata e shohin 22-vjeçarin e përfaqësueses shqiptare si një nga lojtarët me të ardhme të sigurt në elitën e futbollit në këtë vend. Në përbërjen e Empolit, Bajrami ka shënuar 5 gola në 20 ndeshje, duke u kthyer shpejt në një nga lojtarët e rinj më interesantë. Sasuolo është gati të paguajë 10 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa këtë javë është përfolur se edhe Juventusi po monitoron futbollistin e përfaqësueses shqiptare. Ditë më parë, e përditshmja italiane “Tuttosport” ka shkruar se mes klubeve që po monitorojnë lojtarin, tani bën pjesë edhe Milani.