Gjon Bruçi: Dumbabistët modernë!

245
Sigal

Duke ndjekur vizitën e presidentit turk, Rexhep Erdogan, në vendin tonë, mendja më bëri “prapaktheu” drejt viteve 1914 – 15  dhe personazhit tepër të veçantë te atyre viteve, me emrin Haxhi Qamili. Dhe pa e ndërprerë shikimin tek ceremonia e pritjes së “vëllait” nga Turqia, u rreka të krahasoj Haxhi Qamilin e vitit 1914 me “Qamil Haxhinë” e ditëve tona, i cili, tani mbas 108 viteve ka ndryshime në emër, në poste, në gjatësi, në pamje (përjashtuar shallvaret dhe mjekrrën), por edhe mjaft pika takimi me atë të parin. Po, cilat janë këto pika takimi?

Në vitin 1914

1.- Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, Ismail Qemali, si kryetar i Qeverisë së Vlorës, nuk arriti të kontrollonte as teritorin dhe as miletin, sepse bejlerët dhe agallarët e tipit të Esat Pashë Toptanit me shokë, kërkonin me ngulm rikthimin tek principatat e mesjetës së hershme.

2.-Përballë kësaj sjelljeje të vendasve dhe presionit të ndërkombëtarëve, Europa u detyrua të dërgojë Princ Vidin, që të vërë në rresht shqiptarët e pabindur.

3.-Për të përballuar këtë situatë, del në skenë Haxhi Qamili, një ushtarak në rezervë i perandorise osmane, ku përfshihej edhe fshati i tij në malësinë e Tiranës.  Haxhi Qamili, falë “shkollës së analfabetit” që kishte trashëguar nga prindërit, përlau Flamurin e Turqisë, të vetmin flamur që i kishin parë sytë, dhe u lëshua mbi bejlerë, agallarë dhe pasanikë; por edhe kundër princit të “Evropit”, që të parët e tij i kishin thënë se është një rruspi e vjetër. Midis rruspisë dhe Turqisë, Haxhiu zgjodhi Turqinë, ndaj dhe me shokët e tij nga Kavaja e Peqini, u lëshua në betejë, duke tundur flamurin më gjysëm hënë dhe duke thirrur “DUAM BABËN, jo rruspinë Evropë”.

Në vitin 2022

108 vjet më vonë, dhe pikërisht në vitin 2022, kemi një histori të re, e cila në disa pika ngjanë si dy pika uji me atë të Haxhiut me namë të pahumbur:

 

1.- Tashmë, jo prej 2 vjetësh si në kohën e Ismail Qemalit, por për plot tridhjetë vite, politikanët e shtetarët shqiptarë nuk po arrijnë të krijojnë shtetin e tyre me mbiemrin e famshëm “demokratik”.  Madje, në ditët e para të 2022-shit, një pjesë e bejlerëve të politikës, janë përfshirë në një sherr të paparë, ku kanë hyrë në lojë të gjitha mjetet që përdoren për mbrojtjen apo për pushtimin e kështjellave.

  1. Përballë kësaj situate, frenat e vërteta të politikës e të shtetit i kanë marrë ambasadorët e perwndimit, me në krye zonjën Juri Kim të shtetit të përtej Atlantikut. Thonë se SHBA, në bashkëpunim me Evropin, po planifikojnë të dërgojnë një shtab drejtues për qeverisjen e vendit, pararoja e të cilit ishte shtabi Operacional dhe Aeroplanmbajtësja “Truman” e SHBA.

3.-Përballë kësaj situate tepër të çuditshme, por edhe të rrezikshme, “Haxhi Qamili” i ri (gjunjori), nuk mori një flamur me gjysëm hënë si ai i 1914-tës, por mbushi cep më cep bulevardin me të tillë, dhe ndryshe nga ai i pari, priti në një ceremoni perandorake, vetë padishahun modern të Stambollit, të cilin, ndryshe nga ai i pari, nuk e thirri “Baba”, por “vëlla”, duke ia dredhur Evropit, që rreket tash sa vjet të na “marrë” në gjirin e saj “demokratik”.

E gjithë kjo melodramë, do të kishte kaluar si gjithë telenovelat që na ka dhuruar pa hesapë “vëllai” turk, por nja dy gjëra të “vogla”, situatën në fjalë e kthejnë në dramë, e madje në tragjedi:

Së pari: E gjithë kjo histori e kjo ceremoni, u realizua pikërisht në 554 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, Heroit tonë kombëtar, luftëtarit që mbrojti identitetin e shqiptarëve kundër perandorisë osmane, përfaqësuar sot nga “sulltani modern” me emrin Rexhep; por mbrojti edhe qytetërimin europian nga vandalët e perandorisë otomane.

Së dyti: Ardhja, përqafimi dhe “vëllazërimi” që na bën padishahu modern i perandorisë turke në perspektivë, nuk bëhet për sytë tanë të bukur, por për disa interesa të ish pushtuesit 500 vjeçar, i cili, gjer tani ka akaparuar mjaft pasuri tona mbi e nëntokësore, si Metalurgjikun e Elbasanit, Hidrocentralet mbi lumin Mat, Minierat e bakrit e . . . gjer tek perspektiva e ardhshme e Naftës apo e Bazës së Pashalimanit.

Më thoni miq të dashur: A nuk ngjajnë në shumë pika dy “DUMBABAT”, ndonëse midis tyre janë plot 108 vite??!!