Presidenti Meta: Ulja e eksporteve të perimeve mund të sjellë braktisjen e fshatit, të ndalet trendi negativ

146
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për uljen e eksporteve të perimeve në vendin tonë. Kreu i Shtetit shkruan përmes një postimi në Facebook se ulja e eksporteve për herë të parë pas 16 viteve, po i heq fermerit dhe bujqësisë tonë një ndër avantazhet e pakta në rajon.

Sipas tij, ky është një tregues shqetësues për nivelin e ulët të mbështetjes së bujqësisë dhe fshatit, për koston e lartë të prodhimit bujqësor.

Meta i bën thirrje qeverisë që të marrë masa për të ndaluar këtë trend negativ dhe të rrisë mbështetjen për fermerët dhe për të mbrojtur prodhimin vendas.

Postimi i Ilir Metës:

Ulja për herë të parë pas 16 viteve e eksporteve të perimeve, po i heq fermerit dhe bujqësisë tonë një ndër avantazhet e saj të pakta krahasuese në rajon dhe më gjerë.

Pas rrudhjes alarmante të prodhimit blegtoral dhe pakësimit drastik të numrit të krerëve në këto vitet e fundit, ky është një tjetër tregues mjaft shqetësues për nivelin e ulët të mbështetjes së bujqësisë dhe fshatit, për koston e lartë të papërballueshme të prodhimit bujqësor dhe blegtoral.

Kjo është një premisë e rrezikshme për braktisjen e fshatit dhe të vendit nga pamundësia për prodhim dhe shitje.

Është një obligim atdhetar, që të ndalet me çdo kusht ky trend negativ nga Qeveria duke rritur mbështetjen për fermerët dhe mbrojtur prodhimin vendas nga konkurrenca e pamëshirshme dhe e pandershme nga importet.