Gentian Çala: Etatizëm, autoritarizëm dhe KÇK-izëm brenda paketës rama-rilindje

663
Sigal

Nga Gentian Çala

Paketa Rama-Rilindje si ofertë politike dhe si administrim pushteti degjeneroi me kalimin e viteve nga prirjet etatiste të fillimit, në sjelljen autoritariste dhe kap ç’të kapësh të viteve të fundit. Aq sa duket anarshiste dhe po krijon përplasje të mëdha jo vetëm me Opozitën, por edhe me institucionet e tjera kushtetuese. Institucionet e vëna nën pushtetin e paketës Rama-Rilindje janë krejtësisht pa integritet dhe shpesh në shkelje të çdo kornize ligjore, komunikimi ndërinstitucional apo rregullash funksionimi.

Do të vinte momenti që Parlamenti, i cili ishte i aftë të bënte ligje për çështje të veçanta, si p.sh. për Teatrin Kombëtar, nuk do të vononte që të bënte ligje kundër frymës së Kushtetutës. Tani nuk është çudi që të hapin rrugën e zaptimit të institucioneve me forcën e kartonave të Parlamentit të arnuar me mercenarët e pushtetit. Kjo rrëmujë e pashoqe, kjo anarshi ku e ka futur vendin mazhoranca, po kulmon me kapjen e institucioneve të drejtësisë, ku synimi është kapja e Gjykata Kushtetuese nga paketa Rama-Rilindje. E gjitha po provokon një situatë të ndezur, përfundimin e së cilës dhe kostot mund të mos jenë të parashikueshme.

Presidenti i Republikës duket i qartë dhe më i vendosur se kurrë për ta denoncuar dhe për ti bërë rezistencë kçk-izmit të mazhorancës. Kjo nuk është betejë kompetencash presidenciale, por betejë mbijetese e demokracisë, e parimeve mbi të cilat ajo ndërtohet si ai i ndarjes së pushteteve dhe kushtetutshmërisë. Vendi duket në një udhëkryq dhe kjo nuk është aspak beteja midis Metës dhe Ramës, por midis një Shteti Ligjor dhe një Autokracie. Ta lexosh këtë si betejë të figurave të rëndësishme politike do të thotë ti ikësh thelbit të çështjes ose ta keqinterpretosh atë. Paketës Rama-Rilindje i intereson që kjo të lexohet se përplasje individësh dhe jo si një përplasje institucionale në mbrojtje të parimeve të caktuara dhe të kushtetushmërisë.

Tashmë kjo situatë e papracedentë kërkon zgjidhje. Paketa Rama-Rilindje duhet ndalur në turraprapin e tyre në kapjen e institucioneve, në rikthimin e vendit në një plaçkë që komandohet nga një bandë dhe që bën si të dojë apo çfarë të dojë. Kjo duket mjaft e rëndë, jo vetëm për ne, por edhe për partnerët tanë, të cilët duhet të reagojnë vendosmërisht. Ky është momenti, ku të gjithë ata që nuk e duan Shqipërinë një vend në anarki duhet të reagojnë. Situata precipitoi deri këtu sepse thirrjet e zërave kritikë me paketën Rama-Rilindje nuk u dëgjuan ose nuk u morën seriozisht. Ndaj duhet reagim qytetar i kujtdo që nuk e do Shqipërinë më keq se sa është tani.