Flet Aleksandër Dragoti

1625
Sigal

LANÇ dhe harresa për babanë, komandatin e Brigadës VIII-S. Ilustrimi i baladave për Agollin e Kadarenë dhe kutimet nga vëllai për studimet në universitetin “Karl Marks” ku ka studiuar edhe Merkel

INTERVISTA/ Piktori Aleksandër Dragoti: Babai im Asafi, ka qenë Komandanti i Brigadës VIII Sulmuese, sot e kanë lënë në harresë

Kam bërë portrete të mëdha të Enverit që e mbanin punëtorët e ndërmarrjes “Josif Pashko”

– Ilustrimet e para i kam filluar në vitet ’80, në atë kohë ishin revistat “Yllka”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Horizonti”,

– Kam ilustruar edhe baladat e Ismail Kadaresë, Agollit që lidheshin me epikën, Kostandinin dhe Doruntina, Lahuta e Fishtës

– Vëllai im Faruku ka studiuar në Laipcig, në Universitetin “Karl Marks” aty ku ka studiuar edhe Kancelarja gjermane Merkel.

-Në vitin 1967 vëllai im shoqëroi ekipin e madh të Bekenbaurit gjatë ndeshjes në Tiranë

– Si më dhuroi Shulci një stemë të klubit dhe ekipit gjerman

-Aneta Rama dhe nusja e vëllait Periana, kishin mbaruar studimet bashkë në Poloni

Albert Z. ZHOLI

 

Ka afërisht 40 vjet që merret me pikturë dhe se ka ndjerë kurrë kohën. Madje, duke punuar për një kohë të gjatë edhe në Greqi ai nuk i mban mend pikturat e tij. Rrjedh nga një familje intelektualësh nga fisi me emër i Dragotëve tepelenas, fama e të cilëve ka shkuar deri në SHBA. Sigurisht, emri i Sten Dragotit tashmë është publik në gjithë botën. Babai i tij, Asaf Dragoti ka qenë Komandant i Brigadës VIII Sulmuese dhe një nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme. Por në familjen e tij nuk mund të mos përmendet dhe vëllai i tij Faruk Dragoti, një intelektual pikant, poliglot, diplomat që solli një frymë të re në mjekësinë shqiptare. Ai ka studiuar në Laipcig, në Universitetin “Karl Marks”, aty ku ka studiuar dhe Kancelarja gjermane Merkel. Gruaja e vëllait të tij, Perjana ishte mike e ngushtë e nënës së Edi Ramës, pasi si Perjana ashtu edhe Aneta Rama kishin mbaruar të dyja studimet për stomatologji. Në vitin 1967 në ndeshjen e madhe Shqipëri -RFGJ, vëllai i tij Faruku ishte përkthyes i ekipit të madh gjerman, madje i ftoi edhe në shtëpi. Ishte një ngjarje e madhe në Tiranë ajo ndeshje dhe vizita e tyre në shtëpinë Dragoti.

 -Tashmë njiheni për pikturat tuaja, pasi në Athinë në Muzeun e madh keni shumë piktura. Kur keni filluar për herë të parë të ilustroni dhe cilat kanë qenë gazetat dhe revistat tuaja të para me të cilat keni filluar?

Shpejt, shumë shpejt. Ilustrimet e para kanë filluar në vitet ‘80, në atë kohë ishin revistat “Yllka”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Horizonti”, këto ishin për grupe të ndryshme të moshës fëminore. “Yllkat” ishin për kopshtet, “Fatosi” për parashkollorët dhe “Pionieri” ishte për klasat e 3-8. Unë u njoha me Xhevat Beqarajn, që ka qenë Kryeredaktor i revistës “Fatosi” dhe aty u angazhova me fillesat e para dhe me ilustrimet e personazheve që kanë qenë të njohur në atë kohë si Adelina Mamaqi, Odise Grillo, Gaqo Bushaka, Shpresa Vreto etj.. U lidha me Ramadan Fatmaxhiun, i cili më vonë më tha se do të bëhesh piktor i revistës së “Yllkave”. Ai ishte Kryeredaktor i kësaj reviste. Kisha një rubrikë te yllkat 4 faqe. Ato ishin tentativat e para që unë bëja, ato ishin një lloj fumeti. Ishte 4 -faqesh që ishte tregim pa fjalë. Ishin tregime të ndryshme si me shiun, për bregdetin dhe fëmijë që shkojnë në plazh, ndodhitë mes fëmijëve, për lulet etj.Aty punonte edhe Alida Frashëri që ishte piktore e Fatosit dhe Kryeredaktor ishte Sokol Jakova që përgjigjej direkt për cilësinë e revistës “Fatosi”. Punoja paralelisht punoja në të gjitha revistat e asaj kohe. Në revistën “Horizonti” ka qenë Thanas Qerama dhe redaktor Zefir Shehu dhe Agim Zeka. Këtu më angazhuan për shkencën, biologjinë dhe bëja tregime të ndryshme vetëm me anë të figurave. Bëja edhe për planetet, duke krijuar një lloj universi, por edhe për problemet e asaj kohe. Por edhe me revistën “Pionieri” punoja, ku ka qenë drejtues Besim Tula, ku njëkohësisht ka qenë edhe një piktor tjetër Llambi Dido. Në revistën “Pionieri” ka qenë Shpresa Vreto, Odise Grillo. Unë ilustroja edhe tek revista “Shkenca dhe Jeta”. Në tërësi pata një suport të madh edhe nga mediat e asaj kohe siç ishte “Zëri i Popullit”, gazeta “Bashkimi”, ku edhe intervistohesha për ilustrimet. Më vinin shumë në punë, dhe kam qenë si përgjegjës artistik, kulture në ndërmarrjen “Josif Pashko”, aty unë merresha me propagandën dhe agjitacionin. Për punën e bërë kam marrë shumë falënderime. Kam ilustruar edhe baladat e Ismail Kadaresë, Agollit që lidheshin me epikën, Kostandinin dhe Doruntina, Lahuta e Fishtës, Kapelja e Skënderbeut. Muji dhe Halili etj.. Kam pasur një cikël shumë të ngjeshur nga viti ‘80-‘90, pastaj erdhi koha e re.

-Portretet e udhëheqësve ishin të përcaktuara, ju a kishit leje për të pikturuar Enver Hoxhën?

Për portretet e Enverit në zyrat shtetërore piktorët ishin të përcaktuar, por në portretet e mëdha që mbaheshin në supe nga klasa punëtore gjatë manifestimeve kisha leje. Në atë kohë kam bërë portrete shumë të shokut Enver dhe portrete me shumë kualitet si dhe figura të shumë anëtarëve të Byrosë Politike, këto vendoseshin në ballë të ndërmarrjes “Josif Pashko” që ishte një nga ndërmarrjet më të mira në rang Republike. Këto vinin me direktiva nga Komiteti i Partisë që autorizoheshin piktorë, persona të veçantë për ta ushtruar dhe për t’i bërë këto portrete. Në atë ndërmarrje ka qenë drejtori i Josif Pashkës që nuk jeton më Koço Konomi. Ishte një njeri punëtor, mjaft autoritar, pasi në ndërmarrjen tonë bëheshin pritje ministrash. P.sh., në atë kohë vinte ministri i asaj kohe Fareudin Hoxha, ku shënoheshin planet e realizuara dhe njëkohësisht përcilleshin direktivat e reja të Partisë ku ne shpeshherë merrnim falënderime. Në ndërmarrjen tonë dhe në Shtëpinë e Kulturës që ishte një nga modelet e mira që e kishte projektuar Gazmend Tepelena. Ne merrnim përsipër që të bënim edhe koncertet e Majit dhe aty kanë dalë emra shumë të njohur siç ka qenë: Alqi Boshnjaku (që sot nuk jeton më), Alfred Kaçinari, Elida Buçpapaj. Jam njohur edhe me Çesk Zadenë, sepse “Josif Pashko” kishte një vend nderi në Koncertet e Majit, mbante vendin e parë në lidhje me valltarët e shquar e asaj kohe. Aty ka qenë edhe Dashnor Diko, Aleksandër Gjoka, Alida Hisku, Rexhep Çeliku.

Familja Dragoti me shumë histori! Pasi rridhni nga fisi i madh i Dragotëve që kanë lënë gjurmë dhe në Amerikë. Babai juaj ka qenë Komandanti i Brigadës VIII Sulmuese. Por dhe vëllai juaj Faruku ishte një gjeni, një diplomat i shquar dhe një poliglot i rrallë. Për të pak dihet. Mund të na sjellësh disa çaste jetësore të vëllait tuaj?

 

Vëllai im Faruk Dragoti lindi në vitin 1937. Kur mbaroi shkollën 7-vjeçare, ai shkoi në shkollën e mesme “Skënderbej”. Pasi mbaroi këtë shkollë i doli e drejta e studimit në Laipcig të Gjermanisë Lindore. Ishte vitit 1953 ku ai studio në degën e mjekësisë. Aty studio katër vjet në Universitetin më të madh “Karl Marks”, pikërisht në Universitetin ku ka studiuar Kancelarja gjermane Merkel. Ishte ndër studentët më të dalluar. Doli me të gjitha 10. Ishte shumë studiues, shumë korrekt dhe tepër inteligjent. Kishte hobi gjuhët e huaja. I mësonte ato në mënyrë të rrufeshme. Ishte një djalë i zgjuar, i shoqërueshëm, i sinqertë, i dashur dhe i lidhur shumë me familjen. Për mua ai ishte gjithçka. Më ka munguar tërë jetën, pasi ai u largua nga jeta shumë shpejt. Model i tij më ka shërbyer shumë në jetë.

Kur vinte me pushime vëllai në Shqipëri me kë kishte shoqëri?

Kur vinte në Shqipëri ai u njoh dhe me bashkëshorten Periana Agalliu. Ajo studionte për stomatologji në Poloni. Shoqe e ngushtë e Perjanës ishte Aneta Rama, nëna e Kryeministrit Edi Rama. Të dyja këto shoqe të ngushta kishin mbaruar studimet në Poloni për stomatologji dhe nuk ndaheshin kurrë. Në këtë kohë vëllai im ishte njohur shumë mirë me Perianën ku ai tashmë kishte vendosur martesën. Në pushimet e verës Periana vinte në shtëpinë tonë së bashku me Anetën shpesh herë. Kur vëllai mbaroi shkollën dhe Periana gjithashtu, ata u vendosën në Tiranë ku dhe u martuan. Me martesën e vëllait, Aneta dhe Kristaq Rama vinin shpesh herë në shtëpinë tonë. Periana me Anetën u sistemuan si pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë. Ndërsa vëllai im u vendos në Institutin e Higjienës, ku ndërtoi për herë të parë këtë Institut sipas parametrave bashkëkohorë, duke marrë për bazë eksperiencën gjermane. Ishin vitet e fundit 1950 dhe fillimet e vitit 1960. Ky Institut ishte ndër më modernët për kohën. Këtu bëheshin eksperimentet dhe njëkohësisht studioheshin dhe përgatiteshin vaksinat. Miqësia e familjes së vëllait tim me atë të Aneta Ramës ishte shumë e ngushtë. Unë tek çifti Rama kam parë çiftin ideal. Të emancipuar, korrektë, intelektualë në kuptimin më të vërtetë të fjalës. Ishin vitet 1963.

Në një bisedë më keni thënë se vëllai juaj ka shoqëruar ekipin gjerman në ndeshjen e madhe Shqipëri-Gjermani, e kujtoni atë kohë?

E vërtetë. Kemi bërë dhe një shkrim të vogël për këtë. Vëllai im kur u kthye nga Gjermania shoqëronte gjithmonë delegacione apo grupe turistësh që vinin nga Gjermania, pasi e dinte në mënyrë të përkryer gjuhën gjermane. Në vitin 1967 në Tiranë erdhi për ndeshje për eliminatoret e Kampionatit Botëror, ekipi i madh i Gjermanisë Federale. Me urdhër të veçantë të Enver Hoxhës, nëpërmjet Hysni Kapos vëllait tim iu caktua detyra e shoqërues-përkthyesit të ekipit të madh. Ishte një barrë e rëndë për vetë faktin se si ishin ngjarjet. Duhej të ishe shumë i kujdesshëm. Në atë kohë ekipi gjerman ishte ekipi më i mirë në botë. Vëllai im tashmë konsiderohej si diplomat për vetë detyrat e mara për shoqërime të delegacioneve të rëndësishme, pasi zotëronte disa gjuhë si gjermanisht, rusisht, anglisht, italisht.

 

Ti ahere ishte 13 vjeç, çfarë kujtimesh ruani në atë kohë për këtë ndeshje dhe a munde të takoheshe me lojtarët më të mirë të Gjermanisë së asaj kohe?

 

Ah si s’e mbaj mend? Unë isha tifoz me Gjermaninë. Ishte koha e lulëzimit të futbollit gjerman. Atëherë ishin futbollistët që edhe sot lakohen si Bekenbauer, Shulc, Overat, Myler etj. Në këtë kohë vëllai im shkon në KQ dhe bën kërkesë që t’i ftonte dy orë në një drekë futbollistët që shoqëronte. Ne atëherë jetonim aty ku sot është Ambasada Gjermane. Babai im si ishte Komandant i Brigadës VIII Sulmuese dhe si një Drejtor me post të lart ënë Ministrinë e Brendshme e gëzonte këtë privilegj. Ne para vilës kishim një kopsht të madh. Rregulluam disa tavolina dhe disa karrige në oborr. Ekipi gjerman përbëhej nga 20 veta. Vëllait ia dhanë lejen. Ekipi erdhi rreth orës 12 deri në orën 14-00. Unë i shikoja si të vinin nga një planet tjetër. Trupa të gjatë, të veshur bukur, të qeshur. Unë këtu kam shumë kujtime. Kam shumë foto. Por mbaj mend sidomos Shulcin i cili më solli një stemë të klubit dhe ekipit gjerman dhe një palë këpucë Olimpike, si zbukuruese jo reale dhe një top futbolli. Shulci ishte mbrojtës i majtë një trup i gjatë. Dhuratat e tij m’u dukën një mrekulli. I kam mbajtur deri vonë si relikte të rralla. Madje dua të them se në shtëpi kisha tre revista që i kishte sjellë vëllai ku ishte ekipi i madh gjerman. Nga shumë foto kam ruajtur atë me Overatin, i cili më kishte marrë në gjunjë. Sot këtë foto e ka nipi im, djali i vëllait, i cili është në Bruksel.

A u mblodhën njerëz rreth vilës?

Shumë, shumë. Të gjithë kishin hipur mbi muret rrethuese të vilës. Në Tiranë ka pasur dhe ka shumë tifozë të Gjermanisë. Tirana gumëzhinte atë ditë. Ishte një ngjarje e madhe sportive ku të gjithë mediat e huaja edhe në Shqipëri e kishin komentuar shumë. Ishte koha kur dhe ne kishim një futboll të mirë. Askush nuk e besonte se do vinte në shtëpinë tonë ky ekip i madh. Atë ditë mbi muret rrethuese të vilës shikoje me qindra njerëz, qytetarë të Tiranës. Ishte eveniment për të gjithë. Dua të theksoj se një gazetë e atëhershme sportive shkroi për këtë event dhe për drekën në vilën tonë, ndërsa gazetat gjermane e kishin komentuar gjatë.

Dua të them se nëna e Edi Ramës nuk ndahej nga nusja e vëllait tim. Ato nuk e kuptonin veten pa njëra tjetrën. Aneta atë kohë ishte ndër femrat më figurante dhe më me kulturë në Tiranë. Ajo tregohej me gisht si një femër model. Në atë kohë Edi sa kishte lindur, pra mund të ishte tre vjeç dhe ishte në vëmendjen e të gjithëve.

 

Pra, tashmë si diplomat, si vazhdoi rruga e vëllait tuaj?

Më pas vëllai shkoi në Rumani si diplomat ku ambasador ishte Jahja Pulaj. Tashmë vëllai ishte formuar si diplomat dhe në vitin 1970-74 ai shkoi ambasador në Gjermani. Shkoi në vendin ku studioi.

 

Kë do të veçoni nga piktorët që kini njohur?

Në atë kohë studiot e piktorëve kanë qenë në stabilimentin “Mihal Duri”, që nga Sali Shijaku, Myrteza Fushekati, Perikli Çuli, skulptori Janaq Paço, Shaban Hadëri, Mumtaz Dhrami u rritëm në ato studio. Qysh në fëmini në këto studio vinte dhe Edi Rama. Unë do të veçoj piktorin e mirënjohur Edi Hila, një piktor i talentuar, një piktor me vizion. Mund të them se Edi Hila dhe Sali Shijaku ishin ata që na ndihmonin shumë ne të rinjtë. Ata zbulonin talentet e reja dhe një nga talentet që ata shpreheshin ishte Edi Rama. Ndërsa për skulptorët Kristaq Rama hapi dyert për talentet e reja. Një ndër ta ishte Agim Rada që punoi shumë në studion e Kristaq Ramës ku bëri shumë vepra të mira që diskutohen dhe sot. Ai bëri Barletin, Onufrin, Mikelanxhelon, dhe zuri disa çmime. Ndërsa në atë kohë shikoja nga afër shpërthimet e Edi Ramës në pikturë. Ai shfaqte ide tepër moderne në pikturë. Mes miqve të tij ai diskutonte për piktorët dhe skulptorët më të mëdhenj të kohërave, i lexonte ata, edhe pse shumë libra mund të themi ishin të ndaluar. Në rrethet e tij shoqërore ku disa herë isha i pranishëm Edi diskutonte gjerësisht për Van Gogun, Matisi, Piakaso, impresionistët dhe dhe kritikët e artit me mendim filozofik si Andre Breton, Xhuliano Apolineri, të cilët kanë bërë analiza të famshme të piktorëve të mëdhenj, që ishin të ndaluar. Edi punonte shumë në shtëpi dhe në studio. Të gjithë këta kanë ndikuar në formimin Profesional të Edi Ramës, por më shumë tek ai ndikoi piktori shumë i talentuar Edi Hila. Piktori Hila ka qenë pedagog për shumë kohë, një mjeshtër i penelit, korrekt dhe tepër aktiv. Ai ka qenë jo vetëm ndër pedagogët e paktë me nivel të lartë por edhe një ndër themeluesit e RTSH për artet figurative, për emisionet dhe për ndërtimin si strukturë. Ai është një piktor me shumë bagazh dhe me shumë kulturë. Pikturat e tij ndodhen aktualisht në galeritë më të famshme të Parisit, aty ku kanë ekspozuar Pikaso, Renuari dhe emrat më të mëdhenj të piktorëve botërorë. Ai i është për nga niveli i pikturave përkrah të gjithë piktorëve të mëdhenj me pikëpamje kontemporane, me një këndvështrim të niveleve botërore. Sot Edi Hila është ende pedagog ndër më të rrallët për nivelin e mësimdhënies. Mes tyre kam mësuar shumë për artin impresionist deri tek surrealistët dhe rryma Pop, art i përfaqësuar nga Andi Uarrlo në lulëzimin e këtij arti në Paris. Por flitej edhe për Xhorxh Brak, Hart Benton, Xhekson Pollok.