Feti Zeneli: Si ju përgjigj Baba Iljazi pyetjes së Enver Hoxhës; “A ndodh ndonjë hata, nëse prishim fenë?”

38
Sigal

KUR “GJITHË BOTËN” E KE BRENDA TEJE… si kleriku bektashian Baba Iljaz Shehu nga fshati Maricaj i Tepelenës.

-. Për merita e aftësi gjatë LNÇ e thërrasin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, ku u njoh direkt me Enver Hoxhën

– Babai i përgjigjet me thënien e një filozofi francez, për shkak të shkollimit në Paris: “Besimi fetar ka këtë veçanti, që edhe kur është zhdukur, vepron akoma”.

– E pabesushme, të krijosh një fshat më vete për çështje dinjiteti!

– Po të kem parasysh, origjinën e të ëmës së tij, Fatimes nga Vërzhezha e Skraparit, mund të themi se bashkë me qumështin e nënës, ai ka pirë dhe atë të besimit fetar.

 

Nga Feti Zeneli

 

Një nga sfidat më të mëdha të jetës është të jesh vetvetja, pa frikën e së drejtës dhe së gabuarës. Pra, të shfaqesh ashtu sikundër je në të vërtetë, pa u ndikuar nga ata që ke sipër apo poshtë teje, pasi askujt prej tyre nuk mund t’i diktosh botën tënde të brendshme. Një shkrimtare amerikane, Zora Hurtson thotë: “Dy janë gjërat që çdo njeri duhet të bëjë: t’i afrohet Zotit dhe të mësojë të jetojë jetën e vet”. Se vetëm në këtë mënyrë, më shumë se sa brigje, njerëzit bëhen ura lidhëse, sidomos kur vijnë nga radhët e besimtarëve të devotshëm, të cilët nuk mund të ndjehen në paqe me botën pa qenë më parë në një raport të tillë me veten e tyre.

Një “i pafe” që këshillohet me Baba Iljazin

 

Midis shumë emra klerikësh të njohur bektashian në Jug të vendit, spikat dhe ai i Baba Iljaz Shehut nga fshati Maricaj i Tepelenës. Vendlindja e tij bën pjesë në një zonë si ajo e Buzit, ku ky lloj besimi është ushtruar nga personalitete të shquara të tarikatit Bektashian, si Baba Ali Tomorri, Medin Gllava, Abaz Rabija, Ismail Gllava, etj.Baba Iljaz Maricaj ka lindur në 2 maj të vitit 1926. Po të kemi parasysh, origjinën e të ëmës së tij, Fatimes nga Vërzhezha e Skraparit, mund të themi se bashkë me qumështin e nënës, ai ka pirë dhe atë të besimit fetar. Fatimeja ishte kushërirë e parë me Dervish Iljaz Qafokun e famshëm të Skraparit, i cili ndërroi jetë 3 vite para se sa të Fatimeja të lindëte djalin e saj, ndaj ia trashëgoi këtë emër të birit. Por mesa duket bashkë me emrin i trashëgoi atij edhe dëshirën për të vazhduar në rrugën e Dervish Iljazit të Vërzhezhës, bamirësit dhe ndërtuesit të famshëm të rrugëve, urave e puseve përgjatë viteve 1902-1923. Kjo ishte arsyeja që qysh në moshë të vogël, Iljazi kapej pas harkasë së Baba Feimit, bashkëfshatarit të tij dhe nuk i ndahej, duke e ndjekur deri tek objekti i kultit. Gradualisht u formua si klerik i devotshëm, ku spikatën cilësi të tilla si dashuria, mirësia dhe vëllazërimi, të cilat e bënë të njohur jo vetëm në zonën e Buzit, por mëpërtej këtyre trojeve. Ishte nga ata lloj klerikësh për të cilin thënia e Profetit Muhamed: “Pa atdhe nuk ka fe”, qëndronte mbi gjithëçka. Ky lloj formimi atdhetar qe ndoshta aryseja kryesore, që gjatë viteve të luftës Antifashiste u përfshi në formacionet partizane për çlirimin e vendit. Idealet patriotike dhe ato fetare qarkullonin bashkë me gjakun në të gjithë qenien e tij. Ai besonte tek feja, po aq sa ç’besonte tek liria. Të dyja janë dukuri njerëzore, të cilat më shumë se sa shihen, ndjehen, ndërkohë qëpa to nuk mund të jetohet. “Njeriu jeton, ngaqë beson në diçka”,- thotë Tolstoi. Kësisoj, Baba Iljazi e nisi një gjë të tillë duke besuar tek Zoti dhe përfundoi duke besuar tek liria. Ndaj zhveshi përkohësisht harkanë dhe veshi uniformën ushtarake. Fillimisht u aktivizua në njësitë luftarake të Mallkastrës, ku u shqua për guximin dhe trimërinë e treguar. Për këto merita e aftësi e thërrasin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, ku u njoh me udhëheqësit kryesor të kohës, mes të cilëve edhe me vet Enver Hoxhën. Edukata fetare apo laboratori shpirtëror i besimit bektashian e ndihmuan Baba Iljazin ta njohë më mirë se të tjerët, Komandantin e Përgjithshëm, duke arritur që lëndën e veseve ta nxjerrë nga “mostra” virtytesh. Kjo ishte arsyeja që refuzoi të merrte detyra të rëndësishme shtetrore e politike pas çlirimit të vendit, edhe pse disa prej tyre sugjeroheshin tek vartësit nga vet udhëheqësi komunist. Madje në një takim të kësaj natyre me Enver Hoxhën ja kishte bërë të qartë atij, se e konsideronte të përmbushur misionin e tij atdhetar, dhe në vazhdim do t’i përkushtohej besimit fetar. Baba Iljazi e vlerësonte udhëheqësin komunist për zgjuarësinë, ndaj kësisoj kish dashur t’i jepte atij mesazhin, që jeta e besimit fetare ka të bëjë me mirësinë. Nga ana tjetër, ai kishte krijuar bindjen, se në një farë mënyre, instancat politiko-shoqërore që po ngriheshin anë e mbanë vendit, nuk ishin gjë tjetër veçse “besime fetare” të ndërmarra në praktikën ekonomiko-prodhuese për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ndaj lë kryeqytetin, ndonëse në afërsi të Kryegjyshatës kishte blerë tokë me të vëllain, dhe kthehet në Maricaj, ku vazhdoi të shërbente si dervish në teqenë e fshatit…

Ndërkohë që ishte rehatuar aty në paqe e vëllazëri me bashkëfshatarët e vet, nga fundi i vitit 1965 e thërret në një takim Enver Hoxha, ku veç të tjerash i shtron pyetjen: “A bëhet ndonjë hata, nëse prishim fenë?” Përgjigjen e kishte gati, por përballën ndodhej një“i pafe”, që nëse perifrazojmë shkrimtarin britanik Tolkein, të “…thotë lamtumirë sapo bie errësira mbi rrugë”. Ose më sakt Enveri i thoshte “Lamtumirë!”, sapo Baba Iljazi të kalonte pragun e zyrës së tij. Ndaj i përgjigjet me thënien e një filozofi francez, duke menduar se udhëheqësi komunist do ta njihte për shkak të shkollimit në Paris: “Besimi fetar ka këtë veçanti, që edhe kur është zhdukur, vepron akoma”. (Siç dhe ndodhi praktikisht në periudhën pas vitit 1967). Nuk dihet sakt, nëse largimi forcërisht dhe prishja e objektit të kultit në Maricaj, ndryshe nga sa ndodhi me shumë teqe e mekame në zonën e Buzit pas ’67-ës, të cilat të paktën u ruajtën si godina, lidhet me ndonjë porosi të veçantë hakmarrëse të Enver Hoxhës për organet e partisë e të pushtetit në rrethin e Tepelenës. Por jeta prej qyqari e tij; gjithë ditën pas një tufe të vogël bagëtish, me të cilat mbante frymën gjallë, nuk ishte rastësi. Sidoqoftë, edhe kjo situate nuk vazhdoi shumë gjatë, pasi ato pak bagëti që kishte ja konfiskoi kooperativa dhe aty në fshat po ja bënin jetën skëterrë, të padurueshme. Në këto kushte miserabile detyrohet të largohet nga Maricaj dhe të vendoset në Çërrilë, ku banonte një vëlla tjetër i tij, i cili punonte në gjeologji. Tregon një miku i tij nga Selckë e Vogël, një fshat në kufirin verilindor të Tepelenës, ku ajo ndahej me rrethet Berat e Skrapar: “Në fillim të viteve ’80, Baba Iljazi ndodhej si mysafir në shtëpinë tonë. Po binte muzgu. E shoh në oborrin e shtëpisë me vështrimin e drejtuar nga mali i Tomorrit, ku ndodhet Çuka e Abaz Aliut, duke thirrur me zë: “Pse e vonon, ktheje prapë!”E përsëriti disa herë këtë tip lutjeje “të përgjithshme”. Qoftë si besimtar, ashtu dhe i pafe nuk bëhesh me zor, mendova me vete, ndërkohë që hyra brenda për të mos i rënë në sy mikut të ngushtë të babait tonë, me të cilin ai është këshilluar kohë pas kohe. Ishte nga ato lloj miqësish që vlerësohen si gjërat më të shtrenjta që mund të ketë njeriu dhe i japin kuptim jetës së tij”.

Miqësitë në ato kohë të vështira, përfshi periudhën e luftës, por dhe atë të pasçlirimit, krijoheshin mbi bazën e vlerave shpirtërore të njerëzve. Ashtu si besimi, edhe miqësia e asaj kohe ishte diçka hyjnore; dy të mira të paçmueshme. Këto lloj miqësish përshkoheshin fund e krye nga sinqeriteti dhe dashëmirësia. Edhe në atë kohë, këshilla mund të gjeje kudo, sepse njerëzit e ditur nuk mungonin, por këshilla më e mirë ishte ajo e mikut të vërtetë. “Zoti na dha të afërmit; falë Zotit mund të zgjedhim miqtë”, përsëriste shpesh Baba Iljazi, teksa takohejme një nga vëllëzërit e kunatës së tij (nuses së të vëllait), Tahir Iliazin. (Si për rastësi hyjnore, ndoshta me bekimin për ta bërë më të përsosur këtë miqësi, fjalën “Iliaz”, njëri e kishte për emër kurse tjetri për mbiemër). Tahiri ishte një njeri i thjeshtë, por me përmasa të jashtëzakonshme si mik, ndaj të cilit mund të hapje zemrën pa patur asnjë lloj frike.

Pse po flas me një siguri të tillë për këtë lloj miqësie? Sepse, në një farë mënyre jam dëshmitar okular i historive të treguar nga Jonuzi, i biri i Tahirit, që ashtu si virtytet dhe pasuritë, kishte trashëguar edhe miqësitë e të atit. I kam përjetuar nga afër këto lloj emocionesh. Gjatë periudhës kohore 1983-1987, teksa kryeja detyrën e shefit të financës në kooperativën bujqësore Selckë jam njohur më së miri me Jonuz Iliazin që punonte si magazinier. Na lidhte puna, por më shumëse puna, korrektësia me të cilën ai e kryente detyrën, qëniste qysh me krjimin e kooperativës, derisa doli në pension.

Ishte një vend pune, ku kishe mundësi të përfitoje sadopak, mjafton të ishe i prirur për një gjë të tillë. Por Jonuzi mund të përbëjë, ndoshta një ndër rastet e rralla të asaj kohe në të gjithë republikën, që nuk e shfrytëzoi këtë “vend pëllumash”, siç thoshin atëherë për postin e magazinierit. Përveçse i ndershëm e korrekt ai ishte shumë i rregullt në hartimin e dokumentacionit që shoqëronte hyrje-daljet e prodhimeve bujqësore apo mallrave e materialeve të tjera. Shëmbujt ilustrues në këtë drejtim janë pa fund, por po tregoj një opinion të Skënder Kuçit, ish-Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë Tepelenë në vitet 1987 – 1989, që flet shumë. Fatimeja, bashkëshortja e Jonuzit dhe Skënderi ishin kushërinj mes tyre. Vjen një ditë ai me shërbim në Selckë të Vogël dhe kthehet tek shtëpia e kushërirës; natyrisht i shoqëruar edhe nga një tufë drejtuesish e zyrtarësh të tjerë të kooperativës. Dikush prej tyre fillon t’i flas Sekretarit të Parë me vlerësime maksimale (ashtu siç e meritonte në fakt) për Jonuzin. Skënderi, edhe për ta nxjerrë disi nga korrnizat e solemnitetit këtë drekë familjare, thotë me shaka: “Mirë, mo, mirë, ashtu siç thoni ju është, por unë nuk kam parë magazinier më të varfër se sa Jonuzi, kudo ku kam shkuar…”

Madhështia e njerëzve të thjeshtë

 

Thënia e Leon Tolstoit, se, “…nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi dhe mirësi të vërtetë”, na shtyn t’i gjejmë shembujt ilustrues: “jashtë, jashtë nga qyteti; nga brengat, nga thashethemet; nga rrëmuja, nga rrëmeti…” i sotëm. E, si mund të realizohet një gjë e tillë në jetën reale? Duke udhëtuar fizikisht, apo mendërisht e shpirtërisht? Po, përderisa dija, në kuptimin e mençurisë dhe urtësisë, qartëson përmasat e vlerave të njeriut, atëhere duhettë ngulitim mirë në mendje, atë ç’ka predikon Hazreti Ali: “…përbrenda teje bota mbarë gëlon/, jasht’ vetes kërkon kot, vetja të mjafton.” Sepse vetëm kështu do të vlerësojmë siç duhet; sakrificat, mbështetësit, inkurajuesit, vlerësuesit e vërtetë të jetës, tokësorët; pra njerëzit e thjeshtë, që janë vetë madhështia e shpërfillur e kësaj bote, në qindra-mijëra shembuj e raste. Deri-diku, duket se po mëkatojmë duke i mbushur faqet e gazetave, por shpesh, dhe ato të librave; kryesisht me histori jetësore të heronjve, personaliteteve, politikanëve, biznesmenëve të mëdhenjë e kështu me radhë. Mendojmë se veç këta të fundit janë “xhevahiri” i jetës, ndeshen rrallë e kanë ç’të tregojnë për të tjerët. Madje rrëfehen si raste prej të cilëve duhet marrë shembull, modele që duhet të ndiqen, kulme që duhet të arrihen, etj. Të dhënë pas “të mëdhenjëve”, harrojmë veten, e para së gjithash shpirtin tonë, që ka nevojë për dritën e thjeshtësisë njerëzore. Ndryshe nga sa ndodh me “të mëdhenjtë”, njerëzit e thjeshtë, të cilët në fund të fundit janë vetëmençuria e lindur prej shpirtmirësisë; nuk ka sukses që t’i ndryshojë dhe vështirësi që t’u mposhti karakterin. Në zemrën e tyre s’ka vend për zili, intriga, pabesi, zhgënjime dhe çdo ndjenjë tjetër negative që helmon e shkatërron marrëdhëniet njerëzore.

Tahir Iliazi është mëshirim i gjithçkaje, që përmendëm më sipër; simbol i thjeshtësisë, miqësisë por dhe mënçurisë njerëzore, që siç thotë Frederik Shopen, shpesh na “ shfaqet si kurorëzim i artit”. Bëhet fjalë për një lloj të tillë thjeshtësie, që dituria, sado e sofistikuar qoftë, nuk i zë shumë besë.

Tahiri, miku i Baba Iliazit është me origjinë nga Malasi, një lagje në Gllavë të Tepelenës. Gjatë gjenocidit grek të viteve 1913-1914 në zonën Juglindore të vendit, së bashku me të vëllain Hamzon, ndodhej ende në vendlindje. Lufta i detyron të brakstisin shtëpitë e të shkojnë muhaxhirë në Zhapokikë të Beratit. Ishin të pasur, kishin kope të tëra me bagëti. Toka bujqësore jo dhe aq. I tillë është vendi i origjinës së tyre në afërsi të “Tri Avgave”; terren kodrinor. Por më e keqja ishte ekspozimi ndaj flakëve të luftës, si rrugëkalim ushtrish të huaja. Ndaj vendosin të zhvendosen më në thellësi. Disa miq të tyre nga Panariti i Beratit u rekomandojnë lagjien Barmë (vend me bar) të fshatit të sotëm, Selckë e Vogël. Tokat bujqësore në këtë territor ishin të frytshme, si në luginën e lumit, ashtu dhe sipër në fshat. Shesin tufën e bagëtive që kishin dhe të dy vëllezërit vijnë e vendosen në këtë vendbanim të ri. Blejnë rreth 10 ha tokë bujqësore në fushë dhe gati një hektar në fshat; në disa vende, si në Lëmënjëz, Kuqinë, Rrëzë dhe Kondas. Nisin ndërtimin e një shtëpie dykatëshe, me shkallë e hyrje më vete, për dy familje. Muratorët që pajtuan për ndërtimin e shtëpive ishin nga Opari i Korçës. Kujton një moment Jonuzi, nga rrëfimet e babait të tij: “Ustallarët ishin duke drekuar; të lodhur e të uritur. Në sofër bashkë me ta dhe im atë. Ndërhyn kryeustai, duke u tërhequr vëmendjen shokëve të tij, që të konsumonin sa më pak bukë se është “zija e urisë”, një fenomen i shkaktuar nga mungesa e ushqimit për shkak të luftrave dhe mosmbjelljes së kulturave bujqësore. “Lëri djemtë të hanë sa të duan, -i thotë Tahiri, -nuk ka “zi buke” për mua. Kam toka e para plot dhe hambarët të mbushur me drith”. Por mbi të gjitha ai kishte zemrën e bardhë dhe fjalën e thënë – fjalë të mbajtur; dinjitoz, burrëror e model drejtësie. Reagonte ashpër, por edhe mençurisht ndaj çdo veprimi të nxituar e të pamenduar. Ja një rast, sa për ilustrim: Ishte mbledhur Paria e fshatit Selckë tek shtëpia e Sabri Ahmetit (në atë kohë Selcka e Madhe dhe e Vogël ishin një fshat). Bëhet fjalë për mesin e viteve ’30. Tahiri kishte ardhur herët dhe qe ulur këmbëkryq në qoshe. Sabri Selfua ishte Kryeplak, dhe kur vjen ai, Tahiri u spostua më poshtë, por Sabri Ahmeti i thotë të ngrihet sërish për dikë tjetër. Atëherë Tahiri, i fyer ikën fare nga takimi dhe i paralajmëron të pranishmit se do ta ndaj fshatin në dy pjesë. Dhe ashtu bëri. Shkon takon në Tepelenë Sulo Dukaj, i cili e asiston në përpilimin e dokumentacionit të duhur. Ndërsa për të bërë vulën e ndihmon Baba Iljaz Maricaj, vëllai i të cilit ishte martuar me motrën e Tahirit. Ata e çmonin shumë njeri-tjetrin. Tahiri e kishte “këshilltar” kryesor Baba Iljazin. Në prag të krijimit të kooperativës, ai i dërgon një letër Tahirit, ku i thotë: “Shiti tokat, se do t’i marrë shteti falas”. Ndërkohë, vëllai i Baba Iljazit dhe njëherësh kunati i tij, Qazimi, e fton Tahirin të shpërngulet në Tiranë, në tokën që ai kishte blerë në Lagjien “Ali Demi”, afër Kryegjyshatës. Por ai refuzon me arsyetimin se “kam investuar jo pak në këto anë dhe nuk mund t’i braktisë kaq lehtë pronat”.

 

***

Mund të tregonim edhe detaje të tjera rreth shembujve të mësipërm, por kaq mjafton për të thirrur: “Rrofshin njerëzit e thjeshtë!”, të cilëve u detyrohemi; të paktën një buzëqeshje të sinqertë, një përqafim miqësor, një bisedë ku nuk duhet të ndjehen inferior, t’i ftojmë në një mjedis pa shumë salltanete, për një kafe të thjeshtë, t’u ofrojmë një shoqëri të vërtetë; gjithçka që s’mund t’i zhgënjejë e dekurajojë.  “Hyjnorja fshihet tek thjeshtësia”, thotë një shkrimtar italian. Kësisoj dhe ligjet e universit bëhen më të kuptueshme, ndërsa jeta njerëzore merr kuptim të vërtetë.