Drita në fund të tunelit

683
Vili Minarolli
Lëvizja e studentëve të Universitetit të Tiranës, në fillimin e javës së dytë të dhjetorit të vitit 1990, nuk mund të thuash se lindi si një lëvizje thjesht e motivuar nga kërkesa ekonomike, as si një lëvizje e çastit apo spontane
Në Shqipëri, jehona e asaj që ndodhte në botën komuniste të Europës Lindore e Qendrore, vinte e zbehtë, jo e plotë, për shkak të izolimit nga informacioni, por ndiqej edhe me frikë, për shkak të egërsisë së regjimit “të plagosur”, i cili e ndiente se po i lëvizte toka nën këmbë. E vërteta është se te ne jo vetëm që nuk ekzistonte një opozitë, si në rastin e “Solidarnostit” në Poloni, qoftë edhe e dobët, por as edhe një kulturë opozitare, si në rastin e vendeve të tjera ish-komuniste, në Hungari apo në Çekosllovaki. Zërat kundërshtues, pothuajse të mekur dhe ambiguidë, kishin filluar të dëgjoheshin ose nga pinjollë të nomenklaturës së lartë komuniste, ose nga intelektualë të rinj, të mbajtur afër nomenklaturës, me shkollime në perëndim dhe që mendonin për një reformim të sistemit, me qëllim që të zinin vendet e atyre që tashmë duheshin larguar. Për këta intelektualë të rinj ishte bërë kujdes nga ana e regjimit, sidomos pas vdekjes së diktatorit, që të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste, ose në struktura të tjera të krijuara nga regjimi, si njerëz që do të merrnin më pas fatet e vendit. Prandaj, ata ishin edhe të mbrojtur kundrejt ndonjë deklarate apo opinioni të tyre, sigurisht me porosi dhe miratim nga lart, që binte ndesh me qëndrimin zyrtar dhe që për të tjerët dukej si thyerje e një tabuje. Në të vërtetë, për shumë intelektualë të tjerë, të cilët i ndiqnin me vëmendje ngjarjet në Europë, ishte i rrënjosur mendimi se kjo mbyllje e syrit dhe veshit ndaj këtyre zërave opozitare të regjimit, ishin pjesë e një skenari, që dirigjohej po nga regjimi. Rrjedhja e ngjarjeve të mëvonshme tregoi se regjimi e drejtoi me mjeshtëri shndërrimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri të lirë, pluraliste dhe demokratike. Në të vërtetë, këto tri cilësime rezultuan të deformuara. Ky kontigjent, i përbërë fillimisht nga besnikë të partisë-shtet, drejtoi proceset transformuese të vendit, duke u rreshtuar në formacione politike të ndryshme, apo duke u futur në ekonominë e tregut të lirë dhe të biznesit, fillimisht me mbështetje financiare nga ana e ish-shtetit të centralizuar dhe më pas me hapësirat e pakufizuara që u krijuan ish-kolegët e tyre, të cilët tashmë drejtonin vendin politikisht. Ajo që ndodhi në Shqipëri nuk ishte e ndryshme nga ajo që ndodhi në vendet e tjera ish-komuniste, gjë që të krijon bindjen se procesi i transformimit nga një shoqëri e centralizuar në një shoqëri të hapur, pati të njëjtin program dhe u bë sipas një rruge të paracaktuar. Pas vdekjes të diktatorit, u duk se situata do të ndryshonte, për shkak të iluzionit që pasuesi i tij ishte më liberal, por edhe sepse qe krijuar një përshtypje, sikur ai nuk kishte qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në krimet e paimagjinueshme të diktaturës. Propaganda punoi që ai të paraqitej si një njeri i butë, jo me egërsinë e të parit, reformator dhe që jepte shpresë për një dalje të vendit nga izolimi prej disa dhjetëvjeçarësh. Ky iluzion ra shpejt. Ai ishte një nxënës besnik i ish-diktatorit të vdekur dhe qe “konservuar” si i tillë, pikërisht për të ruajtur status quo-në e regjimit dhe të vazhdonte në të njëjtën rrugë, që e kishte lënë të hapur dhe “të pastruar” paraardhësi. Për arsye se nuk mund të vepronte ndryshe, në një situatë shumë të rëndë ekonomike, u duk se do të ndërmerreshin disa masa më liberale, por gjithçka ishte një propagandë e gënjeshtërt dhe synonte t’i zgjaste jetën atij regjimi, i cili duhej të kishte mbaruar me kohë. Ai dhe regjimi zgjati ditët duke mashtruar me të ashtuquajturat “reforma ekonomike”, qoftë duke sjellë në krye edhe disa “teknicienë”, në vend të disa figurave të konsumuara, si pjesë e sjelljes në qeverisje “të frymës të re”. Dihet tashmë se çdo “lëshim” që u bë, ishte pjesë e propagandës dhe mashtrimit. Regjimi e bëri çdo lëvizje të komanduar dhe të kontrolluar plotësisht nga njerëzit e tij. Sot mund të them me bindje se një shkrim i botuar në maj të vitit 1990 në gazetën “ZP”, me titull “Në kërkim të kohës së humbur” dhe me autor Y. P., ishte i ngjizur në zyrat e propagandës së regjimit. Kur e dëgjova autorin e shkrimit disa vjet më pas në një emision televiziv, kuptova që ai vazhdonte të ishte një adhurues patologjik i ish-diktatorit të vdekur, mjek personal i të cilit pati qenë për shumë vite. 

Është e vërtetë që diplomatë të ambasadave të huaja në Tiranë nxitën futjen e shqiptarëve në ambasada, por shumë nga të guximshmit e parë ishin njerëz që nuk kishin ç’të humbnin. Më pas diktatura nuk e ndaloi dot dyndjen e ikanakëve nëpër ambasada të huaja dhe hapi rrugën “për të pastruar Tiranën” nga të pakënaqurit. Por, u kuptua se diktatura ishte në grahmat e fundit të saj. Mitingu në sheshin “Skënderbej” pas 2 korrikut, do të shënonte fillimin e ceremonisë funebre për regjimin. Diktatori i ri ndoqi të njëjtën rrugë si mësuesi i tij. Veprimet e dhunshme ua faturoi bashkëpunëtorëve të vet, të cilët për fat njiheshin në popull si njerëz xhahilë dhe injorantë. Ai vetë kërkoi të dalë “i larë” nga gjithë kjo dhe e orientoi procesin, që tashmë ishte i pashmangshëm, në interes të tij dhe të njerëzve besnikë të regjimit. Ai ishte aq i zgjuar, sa e kuptonte që pati nisur një rrugë pa kthim dhe dukej se dinte si të orientohej në këtë rrugëtim, kur shumë nga bashkëpunëtorët e tij të afërt u gjendën si në shkretëtirë pa busull. Prandaj, ai luajti me ta si macja me minjtë. Ata dolën para opinionit publik, ashtu siç ishin në të vërtetë, njerëz të paditur, manekinë dhe të gatshëm për t’u përdorur, ndërsa i pari i vendit, në këtë vakum “udhëheqësish” që u krijua (apo e krijoi vetë), e paraqiti veten si reformator dhe “shpëtimtar” të situatës. Në të vërtetë, nga vetë rrethanat që u krijuan, ai i pati mundësitë të luante rolin e reformatorit. Por shpejt u kuptua, se jo vetëm nuk mund ta kapërcente formimin e tij, por dhe nuk do ta lejonin të dilte jashtë rolit e të vepronte ndryshe nga ç’ishte përgatitur kohë më parë, për të qenë në krye të vendit. Për të fituar kohë, diktatori i fundit shpiku forma për të mashtruar opinionin e brendshëm me gjoja reforma, siç ishte pluralizmi i mendimit me subjekte politike nga stani i tij, apo “mendimi i ri ekonomik”. Por, ai e kishte të qartë se pas situatës së krijuar në të gjitha vendet e ish-kampit socialist, tani duhet të ishte radha jonë. Gjithçka bëhej për të fituar kohë dhe për ta çuar procesin atje ku donte regjimi. Pas disa kohësh do të kuptohej se ai nuk kishte hequr dorë nga ideja e krijimit të shoqërisë pluraliste sipas modelit që donte, të cilin me siguri e kishte huazuar nga ata që e patën bërë para tij. Pas krijimit të partisë së parë politike opozitare, kreu i vendit u vu vetë në drejtimin e një fushate për të krijuar parti të shumta politike, duke e bërë pluralizmin politik një dukuri qesharake dhe duke u kujdesur për balancimin e forcave në betejat e ardhshme politike. Në tetor të vitit 1990, shkrimtari më i madh shqiptar, I. K., u largua nga Shqipëria dhe kërkoi strehim politik në Francë. Ai iku jashtë vendit ashtu siç kishte bërë për dhjetëra vite me radhë, pa pasur asnjë dyshim se këtë herë nuk do të kthehej më, ndonëse tashmë po largohej së bashku me familjen dhe një numër jo të zakonshëm bagazhesh, duke kërkuar strehim politik “si disident i regjimit”. A e dëmtoi diktaturën largimi i tij? Them largimi, pasi ai nuk u arratis, siç kishin bërë para tij ish të burgosur politikë të diktaturës, apo bashkëpunëtorë të diktaturës, për t’i shpëtuar ndëshkimit. Ai u largua normalisht, siç kishte bërë edhe herëve të tjera, me ato privilegje, që i kishin të paktë njerëz në Shqipëri, pa krijuar asnjë dyshim se këtë radhë nuk do të kthehej më. Siç u mësua gjatë ditëve të para të largimit të tij, ai foli kundër regjimit në median e vendit ku kërkoi strehim, dhe për të u bënë shumë intervista nga media dhe gazetarë të huaj. Dukej se edhe ky skenar ishte përgatitur me kohë. Më vonë, një prej botuesve të tij francezë e shpjegoi planin e largimit të tij nga vendi dhe atë të intervistave e të propagandës, duke e paraqitur largimin e I. K. si arratisjen e një shkrimtari të shquar nga diktatura komuniste. Por, në asnjërën nga këto intervista dhe publikime për të, nuk u tha se ai kishte qenë një beniamin i ish-diktatorit, se kishte pasur poste të larta në shtetin komunist, si deputet dhe nënkryetar i Frontit Demokratik, një instrument i rëndësishëm i diktaturës, nëpërmjet së cilës ajo realizonte luftën e klasave. Miqtë e vet në Francë u përpoqën t’i bënin jehonë “arratisjes” së tij, për të shprehur disidencën kundër regjimit dhe për ta ndërkombëtarizuar këtë “arratisje”. Në të vërtetë, jehona ndërkombëtare e këtij largimi nuk qe ajo që pati menduar se do të ishte, pasi Shqipëria nuk krijonte ndonjë ndjeshmëri ndërkombëtare, ngaqë ishte i vetmi vend i botës ish-komuniste që pati mbetur pas të tjerëve. Ikja e shkrimtarit u komentua si “largim i minjve nga një anije që po mbytej”. Me gjithë skenarin e parapërgatitur, ai nuk ia doli të paraqitej si një Saharov shqiptar. Jehona më e madhe iu bë brenda vendit. Nga njëra anë, largimi i tij u dënua si tradhti kombëtare. Diktatori, që e kishte mik, e quajti “prerje në besë”, propaganda zyrtare e dënoi me ashpërsinë më të madhe, ashtu siç kishte bërë edhe me të tjerë para tij. Nga ana tjetër, miqtë e vet, veçanërisht ajo pjesë e intelektualëve të rinj, që ishin përgatitur për të marrë frenat e vendit, apo pinjollë të diktaturës, e mbrojtën duke e paraqitur veprimin e tij si një “akt të guximshëm kundër diktaturës”. Në të vërtetë, ky grup u përpoq ta përdorte arratisjen e shkrimtarit edhe për interesat e veta. Duke dalë kundër qëndrimit zyrtar dhe pjesës më të inkriminuar të shoqërisë, ata donin të tregonin disidencën e tyre, mosbindjen, antikonformizmin ndaj regjimit, por edhe frymën liberale, të munguar deri në atë kohë. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe pjesa më e madhe e këtyre intelektualëve do të vihej në krye të lëvizjes opozitare, ndërsa të tjerë në krye të Partisë Komuniste, për ta reformuar dhe përshtatur me kërkesat e kohës. Por, te njerëzit e thjeshtë, largimi i shkrimtarit nuk pati asnjë jehonë dhe nuk bëri asnjë përshtypje. Ai njihej në popull si i përkëdheluri i veçantë i diktaturës, sidomos i diktatorit, dhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt i së vesë së këtij të fundit. Shumica e veprave të tij, sidomos ato që brenda vendit konsideroheshin si kryevepra, ishin thjesht ditirambe për diktaturën dhe diktatorin.Ai ishte shkrimtar i talentuar, i veçantë në llojin e tij, nga më të mëdhenjtë e letrave shqipe, por talentin dhe gjeninë si shkrimtar e vuri në dispozicion të diktaturës, për të mbijetuar në shoqërinë e xhunglës, ku i ra për pjesë të jetë, por edhe për përfitime personale, të cilat i pati me shumicë. Ai mendonte (për fat të keq) se duke mos qenë pjesë e strukturave të larta të Partisë Komunist (në të vërtetë s’kishte ku shkonte më lart nga sa ishte dhe s’mund të pretendonte për privilegje më shumë nga sa kishte), do ta kishte të lehtë të vetëquhej disident i regjimit, qoftë edhe duke u dhënë një shpjegim tjetër disa prej vjershave dhe poemave të tij. Por, ai ishte më shumë se aq sa mendonte të mos ishte. Ai ishte kanakari i diktatorit dhe i gruas së parë që zuri vendin e të shoqit gjatë periudhës së sëmundjes së tij. Ai vetëm se bëhet qesharak kur thotë se ndiqej nga Sigurimi i Shtetit, kur realisht ishte e kundërta. Një fjalë e tij në formë ankese ndaj ndonjë personi të sigurimit, do të ishte e mjaftueshme të eliminonte këtë të fundit. Jam i sigurt që njerëzit qeshin, por edhe inatosen kur e dëgjojnë sot këtë “disident” të shprehet publikisht në emisione televizive, duke iu përgjigjur pyetjeve të parapërgatitura prej tij, që i bëjnë gazetarë lakej. Ai është i zgjuar dhe, sigurisht, me “arratisjen” në dritë të diellit dhe me bekimin e regjimit, mendoi të ishte një Pasternak shqiptar, një Saharov apo edhe një Havel. I. K. ishte thjesht një shkrimtar i madh, që e vuri gjeninë artistike në shërbim të vetes. S’ka dyshim që librat e tij, të përkthyera në shumë gjuhë të botës, kanë ndihmuar në njohjen e Shqipërisë. Unë nuk mund ta mohoj faktin që, kur ishte rasti të prezantohesha me ndonjë të huaj, të më përmendin se kanë lexuar I. K. dhe prandaj kanë dëgjuar edhe për vendin tonë. Ky ishte shkaku që në një tubim të emigrantëve shqiptarë në Athinë, në vitin 2007, ku do të flitej për veprën e I. K., shumë pjesëmarrës, ish-komunistë të pandreqshëm, iu vërsulën referuesit me fjalë fyese dhe ofendime në drejtim të shkrimtarit, ndërsa unë u ngrita dhe u thashë: “Ne si popull nuk kemi shumë vlera, por për fat të keq, ose të huajt, fqinjët, ose vetë ne, i denigrojmë edhe ato që kemi. I. K. është një vlerë e jona dhe s’duhet ta mohojmë, përkundrazi, të krenohemi që kemi edhe ne një shkrimtar, i cili lexohet në shumë gjuhë të botës. Historia njeh figura të tilla, artistë që i kanë dhënë njerëzimit, që i kanë shërbyer nazizmit, por vepra e tyre veçohet nga ajo që kanë bërë.” Pas kësaj, ata e lejuan folësin të vazhdonte të lexonte çka kishte shkruar. Me sa mbaj mend, ai është i pari ndër të gjallët dhe të vdekurit që i është dhënë dekorata “Nderi i Kombit”, në vitin 1995, nga presidenti i asaj kohe, S. B. Ai është ende gjallë dhe uroj të jetojë sa më gjatë, që të mbetet “Nderi” ynë deri në fund. Në vitin 2007, në pragun e një krize politike për shkak të zgjedhjes së presidentit të ri, të dy liderët kryesorë të politikës, E. R. dhe S. B. i kërkuan të pranojë postin e presidentit të republikës, të cilin e refuzoi. Për mua ai përsëri u tregua i zgjuar, duke mos pranuar të ngatërrohej me sherrnajat e politikës shqiptare, por më befasoi prononcimi i tij i panevojshëm dhe i palogjikshëm, kur në vitin 2011 i shkroi një letër të hapur kandidatit për kryetar bashkie të Tiranës, L. B., rival i kryesocialistit E. R., me anë të së cilës i kërkonte të tërhiqej nga gara kur po numëroheshin votat e qytetarëve dhe kur dukej se humbësi do të ishte favoriti i shkrimtarit. Kjo u komentua me larjen e ndonjë borxhi prej tij, kur edhe ky kishte qenë emigrant në Francë. U zgjata në këtë temë për të qenë i sinqertë në qëndrimin tim. Njeriu duhet marrë si një qenie shoqërore, inteligjente dhe aspak e përkryer. Unë e kam përjetuar njëlloj atë sistem ku jetoi e krijoi I. K. dhe të gjithë shkrimtarët e kohës. Asnjë prej kolegëve të tij nuk veproi ndryshe nga sa veproi I. K. dhe shumë prej tyre do të kishin dashur të kishin talentin e tij. Diktatura kishte nevojë për të dhe gjeninë e tij e përdori, deri diku, për interesat e saj. Por ai është një vlerë e çmuar e letërsisë shqipe dhe do të ishte në nderin e çdo shqiptari në qoftë se do të realizohej ëndrra e tij, ajo e marrjes së çmimit Nobel për letërsinë. Në fund të fundit, do të ishte një pasuri kombëtare që do ta na përkiste të gjithëve. Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit të vitit 1990, në televizionin e vetëm që ishte në Shqipëri në atë kohë dhe që kontrollohej nga shteti, si një nga mjetet kryesore të propagandës, filluan të dalin në intervista njëri pas tjetrit anëtarët e byrosë politike, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit, sigurisht të parapërgatitura, por jo nga ai ose ajo që i intervistonte. Megjithëse kuptohej të intervistuarit ishin parapërgatitur për çfarë do të pyeteshin, shqiptarët panë dhe u bindën se “udhëheqësit” e tyre ishin thjesht disa njerëz të zakonshëm, madje në kufijtë e injorancës, që jashtë sloganeve të mësuara përmendësh nga ato që kishte thënë dhe shkruar diktatori, ishin krejt të paaftë të jepnin një vlerësim për situatën dhe perspektivën. U bë e qartë se edhe kjo parodi ishte pjesë e një skenari të parapërgatitur nga pasardhësi i diktatorit për largimin e butë të tyre dhe zëvendësimin me figura të reja, si pjesë e reformave për ndryshimin e udhëheqjes së vendit, në përshtatje me situatat e reja. Gjithçka organizohej dhe drejtohej nga zyra e presidentit të fundit komunist, si pjesë e një programi të tërë të propagandës për lartësimin e figurës së tij dhe për ta paraqitur si të vetmen mundësi për daljen nga situata. Në të vërtetë, me këto makinacione ai ia arriti të krijonte imazhin e njeriut të vetëm që do të shpëtonte vendin nga situata e krijuar. Por, në mes të atyre manekinëve që drejtonin vendin deri në atë kohë, të gjithë e kishin të qartë rolin e tij të padiskutueshëm, ashtu siç e kishin të qartë se ishin edhe duar të tjera, të padukshme, që përpiqeshin të mbanin status quo-në sa më gjatë të ishte e mundur. Në këtë luftë brenda llojit ai kishte nevojë për mbështetje dhe e paraqiti veten si njeri që kërkonte ndryshimin, por ishin të tjerët që ia kishin lidhur duart. Në këtë fushatë propagande, ai u mbështet jo vetëm prej atyre që kishte pranë, por edhe prej atyre që ishin përgatitur dhe që u kishte krijuar bindjen se do të ishin ata zëvendësuesit e kastës së vjetër, e cila pritej të largohej. Ishin pikërisht këta që në muajt e fundit të vitit 1990 u ishte “dhënë liria” ta prezantonin veten si njerëz të kohës, që kishin studiuar në universitete të perëndimit, me “bindje liberale”, që shpreheshin “më të guximshëm” dhe jashtë shablloneve në shtypin vendës dhe që ishin bërë edhe të parapëlqyer të disa mediave e gazetave të huaja, gjë që ndodhte për herë të parë pas gati gjysmë shekulli. Këtë imazh për veten arriti ta krijojë duke pasur në dispozicion të gjithë aparatin shtetëror dhe propagandistik. 

Vijon…


Sigal