Ish-partizani i LANÇ Abaz Hoxha: Si na përqafuan motrat e Qemal Stafës ditën e çlirimit të Tiranës

549
Sigal

Krijimi i Batalionit të Disiplinës pas ikjes së gjermanëve dhe roli i Mehmetit, Dali Ndreut dhe Teme Sejkos

Kujtimet e veteranit Abaz Hoxha: Si u krijua Batalioni i Disiplinës dhe komandohej nga Hajdar Aranitasi dhe me komisar Teme Sejkon

-Si na përqafuan motrat e Qemal Stafës ditën e çlirimit të Tiranës

-Batalioni i Disiplinës kishte komandant Hajdar Aranitasin dhe komisar Teme Sejkon

Ju përcjell kujtimet nga Lufta për çlirimin e Tiranës

Si u vendosëm pranë shtabit të Korparmatës, që komandohej nga Dali Ndreu dhe me Komisar Hysni Kapon

-Lufta për çlirimin e kryeqytetit iu ngarkua si kryekomandant Mehmet Shehut.

Gazeta Telegraf

Më 17 nëntor 1944 pjesë e çlirimit të Tiranës ishte edhe veterani Abaz Hoxha. Ai i ruan të freskëta ngjarjet për çlirimin e kryeqytetit. Ai bënte pjesë në një batalion special, që u krijua nga forcat e Brigadës I ,V IV. Ky u quajt Batalioni i Disiplinës dhe komandohej nga Hajdar Aranitasi dhe me komisar Teme Sejkon.

-Cila ishte detyra juaj për çlrimin e Tiranës?Detyra jonë ishte të përgatiteshim që mbas çlirimit të ushtronim funksionin e policisë, ruajtjes të rregullit dhe të garnizonit ushtarak. U kthyem në Tiranë pranë shtabit të Korparmatës, që komandohej nga Dali Ndreu me Komisar Hysni Kapon. Lufta për çlirimin e kryeqytetit iu ngarkua si kryekomandant Mehmet Shehut. Por partizanët mezi prisnin të futeshin në luftime. Kërkesat e shtabit të batalionit tek shtabi i Korparmatës për të marrë pjesë në luftime u refuzuan disa herw. Por vetëm një here na u dha rasti të futeshim në luftime duke i bërë pritë një reparti gjerman që marshonte drejt Tiranës. Luftimet u bënë te ura e Mulletit natën. Nuk qe ndonjë betejë e madhe, mbasi ne ishim në pozita të privilegjuara duke përfituar jo vetëm nga errësira e natës por edhe se ishim në pritë, pra ata u zunë në befasi. Megjithatë gjermanët bënë një rezistencë të vendosur, por kushtet e tyre të disfavorshme bënë që ata të linin në fushën e betejës pesë të vrarë, për tërheqjen e trupave të të cilëvet gjermanët bënë rezistencën më të madhe. Ata lanë prapa edhe dy makina ushtarake, të cilat po vazhdonin të digjeshin. Nga ana jonë pati vetëm dy të plagosur. Megjithatë kjo na mbajti në gjendje lufte.

-Ju kishit kohë që nuk ishit pjesë e luftimeve?

Ne kishim një muaj që nuk kishim marrë pjesë në luftime. Pas kësaj morëm urdhër që të dislokoheshim në zonën e çliruar të Tiranës ku kishin filluar luftimet për çlirimin e saj nga një divizion që komandohej nga Mehmet Shehu. U vendosëm pjesërisht në një vilw në rrugën “Bardhyl”/pranë spitalit të sotëm infektiv/ dhe në ndërtesat e tjera dy-tre katëshe. Një pjesë e Tiranës ishte çliruar. Luftimet bëheshin kryesisht në pazarin e ri dhe rrugën që më vonë u quajt “Rruga e barrikadave, vazhdonin deri tek fundi i Bulevardit “Musolini” dhe shtypshkronja/ish stabilimenti “Bashkimi”, sot “Zëri i Popullit”/ ndërsa në jugë ishte marrë pallati mbretëror dhe ishte frenuar sulmi nga një bunker gjerman që ishte në rrugën e Elbasanit /pak më sipër se atje ku është sot Fakulteti Histori Filologji/. Një qendër e fortifikuar ishte sheshi “Skënderbej” ku ishte vendosur një bunker me kupolën e tankut që rrotullohej në 360 gradë dhe mbronte të gjitha rrugët që vinin drejt qëndrës. Ky bunker ishte lidhur me një tunel nëntokësor me ish Bashkinë e Tiranës dhe bënte roje të pandërprerë 24 orë dhe nuk lejonte që trupat partizane t’i afroheshin qendrës së qytetit. Luftimet kryheshin natën, ndërsa ditën shtinin vetëm pikat e fortifikuara gjermane në drejtim të stacionit të sotëm të trenit, rrugës së Durrësit, tw Kavajës, ndërtesës së sotme të universitetit si dhe në drejtim të rrugës “28 Nëntori”/ ku ishte ndërtesa e sahatit të Tiranës/ vetëm kur ata shikonin ndonjë lëvizje edhe të vogël ose të ndonjë kafshe shtëpijake të trembur.

Batalioni ynë nuk u fut në luftime, por kryente përgatitje dhe funksione patrullimi e kontrolli në lagjet e çliruara për të kapur ish spiunë dhe bashkëpunwtorë të armikut.Vetëm një natë, rastësisht, u ndodha në vijën e frontit në pazarin e ri së bashku me një N/komandant kompanie nga Skrapari, që kishim dalë natën për të kontrolluar rojet tona të vendosura në pika të ndryshme të zonave të çliruara. Ishte një batalion i Brigadës së parë kur filloi një bombardim i pa ndërprerë me artileri nga ana e gjermanëve.

-Si po veprohej nga forcat partizane? Cila ishte situata dhe si po veprohej që armiku të rrethohej plotësisht? A po vinin forcime për gjermanët?

Një autokolonë gjermane që u përpoq të futesh nga Krraba në ndihmë të trupave të rrethuara në Tiranë pothuajse u shpartallua plotësisht nga forcat e Brigadës të 15-të në Qafën e Krrabës dhe shumë pak prej tyre mundën të futeshin në Tiranë të bashkoheshin me forcat e tjera gjermane. Shumë prej tyre u zunë rob dhe u shkatërruan e u dogjën shumë makina ushtarake.

Po afrohesh dita e sulmit vendimtar. Dy ditë para çlirimit u lejua edhe batalioni ynë të futesh në luftime përkrah forcave të brigadws I, që kishte çliruar rrugën e Durrësit dhe po rrethonte Radio Tiranën në rrugën e Kavajës. Kompania jonë u rrjeshtua prej Radio Tiranës deri tek shtypshkronja sot “Mihal Duri: ku është rruga e ambasadave. Unë me skuadrën time u ndodhëm në rrugicën më poshtë Radios, një rrugicë e shkurtër (Kont Urani) që nga prapa me disa porta e kalime të çonte ku është sot shtëpia e Reshat Arbanës. Skuadër komandanti vendosi dy partizanë, njëri me automatik, në ndërtesën dykatëshe në anë të rrugës së Kavajës, që lidhesh me rrugicën ku ndodheshim ne: ku është sot një shtëpi me dritare hekuri. Unë, që isha më i vogli, n’atë kohë 14 vjeç, kisha një automatik anglez që ma kishin dhënë mbas sulmit që bëmë mbi bazën e Abaz Kupit në fshatin e Shën Palit që ja u kishin hedhur aleatët me parashutë, ndërsa skuadër komandanti, që ishte edhe i sëmurë me ethe kishte një pushkë të gjatë. Ndodheshim nën një portë me hark të mbuluar me çati dhe brenda saj ishte një shtëpi e vogël njëkatëshe gjysëm e shkatërruar. Sapo futeshe te porta ishte një motoçikletë gjermane e rrëzuar dhe një gjerman i vrarë, i shtrirë për tokë me fytyrën lart. Plumbat e kishin goditur në ballë dhe i kishin bërë një gropw të madhe.

Një patrullë, që mbronte krahët e gjermanëve tentoi të futesh në rrugicë duke përfituar nga errësira. Shoku im i urdhëroi të ndalonin dhe i pyeti se kush ishin. Njëri nga ata, që ishte shqiptar iu përgjegj se ishin nga shokët tanë. Dy shokët që ishin vendosur në vilën pranë rrugës zbuluan se ata ishin nga forcat armike, bashkëpunwtorë të gjermanëve dhe filluan luftimet nga të dy anët. Skuadër komandanti u plagos në dorë dhe pushka pothuajse i doli jashtë përdorimit, ndërsa njëri nga shokët që ishte tek vila ndërpreu zjarrin. Të nesërmen morëm vesh se ai ishte vrarë, ndërsa shoku tjetër që kishte një automatik si timin po vazhdonte të qëllonte. Forcat armike u detyruan të tërhiqeshin, por lanë në rrugë një tjetër të vrarë. Rrugica jonë ra në qetësi.

-Pse ra në qetësi, çfarë po ndodhte?

Vura re se skuadër komandantit po i rridhte gjak nga dora, përveç se ai ishte me temperaturë. I thashë të largohej në prapavijë nëpërmjet të një rrugice, që duke kaluar në oborrin e shtëpisë ku banon sot Reshat Arbana t’u drejtohej forcave të batalionit të Brigadës së parë për ndihmë. Mbeta në një pozitë të vështirë. Një fëmijë i vetëm në vijën e frontit. Isha vetëm 14 vjeç. Pse ta mohoj edhe kisha frikë, por për t’u larguar asqë nuk mund ta mendoja mbasi krijohesh një e çarë ku mund të futeshin forcat gjermane. Siç përmenda partizanët e tjerë të skuadrës ishin vendosur deri te stabilimenti tipogafik. Edhe trupi i gjermanit të vrarë pranë meje e shtonte këtë frikë. Gjermanët e mbushën qiellin me fishekzjarrë me synimin për të zbuluar vendet ku ndodheshin. forcat tona. Nën dritat e fishekzjarreve trupi i gjermanit të vrarë të shtonte më shumë frikën. Ndërkohë gjermanët filluan një sulm në të gjithë rrugën e Kavajës edhe me tanke e autoblinda me synimet për të liruar rrugën e kalimit. Në rrugicën ku isha unë u duk një tank që po qëllonte pa ndërprerje me fishekët dum-dum që të kallnin frikën. Dola në qoshen e portës dhe fillova të qëlloja me automatik. Por çfarë mund t’i bënte një automatik tankut gjerman? Ai vetëm sa të zbulonte grykën e zjarrit. Pa pritur nga oborri i shtëpisë erdhi një partizan, i cili mbante një mitraloz të lehtë. Nuk e njihja, por dija që bënte pjesë në kompaninë tonë. Edhe ai me mitraloz në dorë filloi të qëllonte pa ndërprerje drejt tankut. Shoku tjetër që ishte tek vila po qëllonte edhe ai me automatikun e tij dhe në tërheqje e sipër automatiku i tij u ndërpre.Të nesërmen pamë që edhe ai ishte vrarë në përpjekjen për të kapërxyer një mur. Kështu që ne mbetëm vetëm përballë një kodre metalike që ishte tanku. Mitralieri hodhi një bombë dore në drejtim të tankut.. Ndërkohë edhe automatiku im u bllokua dhe pushoi së qëlluari. Kishte harxhuar afro gjysmën e karikatores dhe ishte nxehur dhe nuk funksiononte më. Ishte nga ata automatikët që u thoshnim “teneqe” shumë të lehtë në peshë me mbajtësen prej teneqeje të prodhimit anglez.

U ula në gjoksin e gjermanit të vrarë i hoqa karikatoren automatikut dhe vendosa një tjetër. Fillova përsëri të qëlloja por pas pak automatiku përsëri u bllokua. Mbetëm vetëm me një mitraloz.

 

-Përballë tankut me një mitraloz. Ishte situatë kritike për ju?

E çmund t’i bënte tankut një mitraloz i lehtë, vetëm zhurmë dhe që nuk lejonte daljen e ushtarëve gjermanë për të ardhur në drejtimin tonë.Tanku ndonwse shumë ngadalë, por po na afrohej. Nuk kishte rrugë tjetër ose duhej të luftonim sa të vriteshim ose duhej të kërkonim ndihmë në forcat e Brigadës së parë. Vendosëm këtë të dytën dhe çamë në errësirë në anën tjetër të rrugës dhe nëpërmjet tw oborrit të shtëpisë që përmenda ku banon sot R.Arbana iu afruam Radio Tiranës. Aty u ndodhëm përballë me një komandant batalioni të Brigadës së parë. I treguam situatën e vështirë që ishim, por ai na urdhëroi prerë të ktheheshim në pozicionin tonë, që të mos linim rrugën bosh. Ishte urdhër ushtarak dhe në gjendje lufte. Pra nuk diskutohesh. U detyruam të ktheheshim përsëri dhe ndërsa unë i ulur mbi trupin e gjermanit të vrarë çmontova automatikun dhe po merresha me të: shoku im mitralier vazhdonte të qëllonte për të bërë vetëm një terror psikologjik mbi gjermanët që nuk e dinin çfarë forcash kishin përballë. Nga mbrapa shtëpisë u afrua një hije. Shpejt e morëm vesh se ishte një shok i ynë i cili mbante në krahë një partizan të plagosur pa ndjenja,të cilin një nga plumbat e tankut pak më poshtë i kishte coptuar gjurin dhe po i rridhte gjak dhe ai kishte humbur ndjenjat. Në errësirë e ndihmova dhe kaluam përsëri pranë Radios ku ia dorëzuam partizanin forcave të brigadës së parë dhe vetë u kthyem ku ishim. U bëmë tre, me gjithw skuadwrkomandantin e plagosur, por në fakt aktivë ishim dy: mbasi automatiku im vazhdonte të mos funksiononte. Gjithë rruga e Kavajës po buçiste nga një zhurmë e madhe. Një përzierje të shtënash të armëve të ndryshme dhe zhurmës së makinave, autoblindave dhe tankeve që mbushën rrugën dhe po përpiqeshin të largoheshin duke marrë parasysh rrezikun. Qëllonin majtas -djathtas përpara bile edhe në drejtim të shtëpive rreth rrugës duke bërë terror. Tanku i rrugicës sonë më në fund iu bashkangjit kollonës gjermane, që po shkonte drejt ndërtesës ku më vonë do të ishte Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë. Disa ndërtesave përballë stabilimentit poligrafik u vunë zjarrin. Pjesa kryesore e forcave të tyre po grumbulloheshin në aeroport dhe po prisnin për të ardhur të gjithë forcat e tyre për të ndërmarrë rrugën në drejtim të Shkodrës.

 

Pra po agonte mëngjesi… Si ishte gjendja në sheshet dhe rrugët e Tiranës?!

Dolëm në rrugën e Kavajës ku gjendeshin shumë trupa, ushtarakë e civilë, të vrarë në rrugë dhe trotuarë. Gjermanët po tërhiqeshin në drejtim të aeroportit të Tiranës. Bashkë me shokun tim kaluam në anën tjetër të rrugës së Kavajës karshi shtypshkronjës, ku ishte një rrugicë dhe pranë një shtëpie, që ishte duke u djegur. Një nuse e re po ulurinte pranë trupit të burrit dhe babait të saj të vrarë gjatë natës nga gjermanët. I kishin vrarë burrin dhe babanë dhe shtëpia ishte kthyer në gërmadhë e vazhdonte të digjesh. Partizani u përpoq ta qetësonte, por gjermanët ishin ende rrotull dhe na duhesh të mbroheshim edhe nga mbrapa murit. Ishte një skenë makabër që më është fiksuar në memorje.

U dha urdhëri që të vazhdonim ndjekjen e gjermanëvet në drejtim të aeroportit të Tiranës. U futëm në oborrin e ndërtesës që më vonë u bë Instituti i shkencave. Befas para meje u ndodh një trup i shtrirë përmbys që çuditërisht edhe syzet i mbante ende në sy dhe nuk ishin thyer ndonwse ai ishte vrarë nga gjermanët atë natë. Sidomos natën e fundit gjermanët dhe bashkëpunwtorët e tyre bënë shumë krime në popullsinë civile, ç’gjenin përpara i pushkatonin.

Nuk kishim kohë. Duhej vazhduar ndjekja. Morëm urdhër të ngjiteshim në katin e dytë, në taracën e ndërtesës dhe andej të qëllonim në drejtim të gjermanëve, që po grumbulloheshin drejt aereoportit. Zura pozicion në një qoshe të taracës dhe fillova të qëlloj. Por automatiku im përsëri u bllokua. U ula poshtë parapetit të taracës dhe fillova përsëri të merresha me automatikun. Gjatë natës kisha grumbulluar 7 karikatore që mezi i ngrija. Më ishte bërë një mani për të grumbulluar sa më shumë fishekë ndonwse për moshën dhe trupin tim të vogël ishin një barrë e madhe. Gjatë natës disa partizanëve të tjerë që kishin të njëjtin automatik u ishin bllokur dhe kishin hedhur karikatoret e kishin marrë pushkë të gjermanëve të vrarë për të vazhduar luftën. Por unë pushkët gjermane mezi i ngrija dhe ishin tepër të gjata. Një partizan që e shihja për herw të parw aty në taracë, një trupmadh që ndoshta ishte i brigadws së parw më ngacmoi, ndërsa vazhdonte të qëllonte në drejtim të gjermaneve:

Pse i mbledh ato karikatore për të lozur me to pas luftës?. E pashë me inat ngaqë automatiku nuk punonte dhe iu përgjigja:

Ke hakë ti se shiko sa je, por unë duhet të qëlloj me breshëri derisa nuk më janë afruar armiqtë se po m’u afruan më shtrydhin me dorë.

Ai qeshi dhe vazhdoi të qëllonte. Batalionet e brigadave partizane po ngushtonin rrethimin e aeroportit, ndërsa gjermanët nisën largimin me mjetet e tyre të blinduara në drejtim të Shkodrës.

U kthyem dhe shkuam në rrugën “Kont Urani”në ndërtesën e Radio Tiranës. Në katin e dytë ndodhesh një thes me sheqer i lënë nga gjermanët. Deshëm të hanim. Sheqeri ishte një gjë e rrallë dhe kishim kohë që nuk e kishim provuar, por komandanti i kompanisë na ndaloi.

Mos prekni asgjë,- na tha. Sheqeri mund të jetë i helmuar.

Brenda ishte një kaos i vërtetë. Karrike dhe tavolina të thyera dhe të hedhura tutje e tu, dritare me xhama të thyer sikurse dhe mikrofonë e altoparlantë të hedhur sa andej këndej.

Ndërkohë një shoku ynë na solli një lajm tronditës. Partizani që ishte gjatë natës duke luftuar tek shtypshkronja ishte plagosur rwndë nga predhat e një tanku që i kishte coptuar gjurin e këmbës. Kish vdekur në spital nga hemoragjia. Ishte një partizan 16-vjeçar nga Përmeti, i cili kishte pak kohë që kish ardhur në repartin tonw dhe e kishte betejën e parw që merrte pjesë, por kishte krijuar një simpati të veçantë tek të gjithë shokët për sjelljet, devotshmërinë dhe korektesën e tij shëmbëllore, prandaj vrasja e tij shkaktoi një dhimbje të rëndë tek të gjithë.

 

-Me largimin e gjermanëve cila ishte frika më e madhe në Tiranë? Çfarë lanë pas gjermanët?

Kjo nuk dihej se çfarë kishte lënë…Morëm urdhërin që disa patrulla partizane të shpërndaheshin nëpër rrugët e Tiranës dhe të ndalonim popullsinë të dilte nëpër rrugë për t’i mbrojtur se mos gjermanët kishin bërë minime për të shkaktuar terror dhe hakmarrje. Mua me Lirinë, një partizane trashaluqe dhe optimiste, e qeshur dhe e shëndoshë, të cilën më vonë nuk kam patur mundësi ta takoj më, na caktuan të kontrollonim rrugën e Kavajës nga shtëpia e oficerave deri ku ndodhet sot Poliklinika Nr.9 si dhe rrugicat që lidheshin me të. Në hyrje dhe shkallët e shtëpisë së oficerave ishte një kasaphanë e vërtetë, mbushur me trupa, kryesisht oficerë dhe nënoficerë gjermanësh të vrarë. Tek- tuk midis tyre ishte edhe ndonjë civil nga bashkëpunwtorët e tyre. Skena të llahtarshme, por në zjarrin e luftës këto të duken normale, kur mendon se një natë më parë vetëm në skuadrën time ishin vrarë dy partizanë dhe skuadër komandanti ishte plagosur. Pra brenda nesh ziente ndjenja e hakmarrjes. Përballë, në trotuarin ku fillon rrugica,ku sot ndodhet shkolla “Kristoforidhi” ishte një nënoficer gjerman i plagosur rëndë që po bënte frymëmarrjet e fundit. Gjysmën e trupit e kishte në trotuar dhe kokën poshtë në rrugë. Edhe atë e shikonim me ndjenjën e urrejtjes. Na ishin shuar gadi në zero ndjenjat e dhëmshurisë të kohës së paqes, ndonwse edhe ai ishte bir i një nëne që priste ta shihte pas shumë vjetësh t’i kthehesh! Edhe ai ishte një viktimë e një regjimi kriminal diktatorial. Unë isha ende një fëmijë 14 vjeçar, një njeri që para se të shkoja në male më dhimbsej edhe therja e një pule. Por lufta është e egër, ajo pa dashur të kthen në një bishë të papërmbajtur. Ajo ka vetëm një ligj: përballë kundërshtarit po nuk e vrave ti atë, do të vrasë ai ty. Pra ndjenja e vetëmbrojtjes të bën të mos e përfillësh krimin, prandaj e shikuam me mospërfillje nënoficerin gjerman, që hiqte shpirt dhe vazhduam rrugën përpara. Lufta vazhdonte, ishim futur në vorbullën e saj, nuk kishte kohë për sentimentalizma.

Rruga deri tek shtypshkronja ishte përsëri e mbushur me objekte të braktisura dhe tek- tuk edhe ndonjë të vrarë e të plagosur. Shkonim nëpër familjet dhe i këshillonim të mos dilnin se ishte me rrezik. Por sa na shikonin burra, gra,të rinj e të reja na hidheshin për qafe na puthnin e përqafonin dhe derdhnin lot. Këto ishin lotët e fitores. Na ftonin brenda dhe na qerasnin me ato pak gjëra që kishin mundur të shpëtonin. Ishte një atmosferë gëzimi dhe hareje. Ne u bëmë si njerwzit më të afërt të  tyre. Sytë e tyre shkëlqenin nga gëzimi. Ata më në fund kishin shpëtuar nga ankthi e frika, nga terrori e persekutimi dhe tërbimi gjerman sidomos i ditëve të fundit të largimit të tyre.

Fitorja ju buzëqeshi. Ku u ndodhe konkretisht në momentet e fitores. Si e priti populli largimin e gjermanëve?

U ndodhëm në një shtëpi përdhese. Dy vajza të reja na u afruan, na përqafuan dhe qanin me të madhe. Morëm vesh se ishin motrat e Qemal Stafës, e heroit tonë të luftës që ishte bërë simbol për të gjithë luftëtarët e lirisë, që jehona e emrit të tij kish shkuar në çdo familje shqiptare, që këngët për të këndoheshin që nga fëmijët deri te pleqtë. Ato nuk donin të na lëshonin, iu dukesh se ishte kthyer Qemali i tyre, qanin dhe na përqafonin. Por ne duhej të largoheshim se duhej të mbronim qytetarët të mos dilnin në rrugë sa të jepej urdhëri se nuk kishte rreziqe. Boll u vranë në luftë. Duhej të ndalonim çdo viktimë tashti pas fitores, nuk duhej që edhe fitorja të kthehej në një mallkim.

Gjithë banorët nuk dinin si të na përgëzonin dhe na ofronin çdo gjë që u kishte mbetur, por ne duhej të vazhdonim kryerjen e detyrës.

Gjatë natës, nga reparte të veçanta xhenjerësh që ishin përgatitur gjatë luftës, u kontrolluan të gjitha rrugët se mos kishte minime.

Të nesërmen më 17 nëntor, që herët në mëngjes, rrugët e kryeqytetit u mbushën me partizanë e popull që festonin me hare. Përqafime të pafundme nga njerëz krejt të panjohur. Buçitën këngët dhe vallet partizane nëpër rrugicat dhe sheshet që nuk prekeshin nga bunkeri gjerman i vendosur në qëndër.

Ndonwse kryeqyteti praktikisht ishte çliruar bunkeri gjerman në qëndër të Tiranës vazhdonte të rezistonte dhe u bë një rrezik për forcat partizane dhe popullin. Ai rezistoi disa ditë derisa iu mbaruan municionet dhe furnizimi dhe pastaj ata dolën nëpërmjet të tunelit që i lidhte me Bashkinë e Tiranës.