Si u futën 1.3 miliard lekë medikamente kontrabandë për fëmijë

285
Sigal

Skandali / Joti dhe Lekli, skemë mashtrimi me ilaçet e fëmijëve

2 kontrata 1.3 miliardë lekë për medikamentin e paregjistruar, e futën kontrabandë

Zbulohet një tjetër aferë kriminale në QSUT, Enkelejd Joti i dha dy tendera kompanisë mashtruese ‘Lekli’ për medikamente për fëmijë që nuk ka autorizim për ta tregtuar në Shqipëri. Luan Lekli, 200 tendera të dyshimtë dhe me letra false në shëndetësi

Zbulohet një tjetër skandal i përmasave të frikshme në QSUT, nën drejtimin e Enkelejd Jotit, të cilin Edi Rama i besoi sot drejtimin e RTSH, një tjetër gangrenë korrupsioni.
Detajet e dosjes që do të publikojmë sot veshin me përgjegjësi penale Enkelejd Jotin si titullar i QSUT dhe Luan Leklin, pronarin e një kompanisë mashtruese farmaceutike ‘Lekli’. Dyshja kanë realizuar dy tendera 1.3 miliard lekë për një medikament që nuk rezulton i regjistruar dhe që nuk është i autorizuar për t’u tregtuar në Shqipëri.

Luan Lekli ka marrë rreth 200 tendera të dyshimtë, me vlerë miliona euro në shëndetësi, duke paraqitur në disa raste barna që nuk janë të regjistruar në regjistrin kombëtar të barnave, në shkelje flagrante të ligjit. Po paraqesim dy raste mashtrimi, të verifikuar dhe dokumentuar, raste, të cilat duhet të vënë menjëherë në lëvizje prokurorinë dhe SPAK.
Në 25 qershor 2019, Enkelejd Joti i ka dhënë me paracaktim dhe pa konkurrencë Luan Leklit një tender me vlerë 740 milionë lekë për furnizimin me medikamentin ‘Velaglucerase Alfa 400 UI’ për shërbimin e pediatrisë. Oferta fituese është sa fondi limit.

Në 29 tetor 2020, Enkelejd Joti i ka dhënë një tjetër tender Luan Leklit, për furnizimin e pediatrisë me barin ‘Velaglucerase Alfa 400 UI’, me vlerë 580 milionë lekë. Edhe këtë tender e ka marrë me paracaktim dhe me ofertë sa fondi limit.

Bari ‘Velaglucerase Alfa 400 UI’, për të cilin Luan Lekli ka marrë 1.3 miliardë lekë, nuk rezulton i regjistruar në regjistrin kombëtar të barnave, të paktën deri në momentin kur është firmosur fituesi i tenderit. Pra, bari është futur në mënyrë të paligjshme.
Nisur nga ky fakt lehtësisht i verifikueshëm, më e pakta kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi të realizuar nga Luan Lekli dhe Enkelejd Joti, në funksion të vjedhjes së parave publike.

Jo vetëm kaq, por Luan Lekli ka marrë paratë publike nga Enkelejd Joti pa pasur autorizim për tregtimin dhe importimin e medikamentit, që është kërkuar në tender. Mashtrimi me dy tenderat është maja e ajsbergut. Në vijim detaje rreth aferave më të rënda të Enkelejd Jotit, Luan Leklit dhe klientëve të tjerë që përlajnë paratë në shëndetësi./Pamfleti