Dossier / Vepror Hasani: Tre vitet e qeverisjes franceze të Korçës, qeveritë shqiptare nuk i arrijnë as për 100 vjet

629
Sigal

 Dossier / Vepror Hasani: Tre vitet e qeverisjes franceze të Korçës, qeveritë shqiptare nuk i arrijnë as për 100 vjet. Pas Ismail Qemalit, kryeqeveritarët tanë vijojnë të prezantojnë injorancë dhe mediokritet. Dalja e përditshme nëpër ekrane, ironi e pakapërdyeshme, imitim i “baballarëve të kombit”

 

Vepror Hasani

 Askush nuk e kishte menduar ndonjëherë se Korça mund të qeverisej nën kujdesin e francezëve. Madje gjithçka ndodhi shumë shpejt. Një lajmërim i papritur u shpërnda me shpejtësi ndër njerëzit e qytetit, por lajmi u përhap sakaq në gjithë trevat e Korçës. Ajo që njoftohej  ishte tepër e shkurtër: “Lajmërohet populli i Korçës të ndodhet (sot) më ora 9.30 para mesdite në mbledhjen që do të bëhet në shkollën e Shën Gjergjit e cila do të jetë për të mirën e Korçës dhe të qarkut të saj”. (Gazeta “Adriatiku” 10 dhjetor 1916). Njerëzit pyesnin njeri-tjetrin me shqetësim: “Përse kjo mbledhje e papritur me kaq nxitim?” “Përse bëhet vallë?” Përgjigjet që vinin ishin befasuese: “Franca do të vendosë lirinë në rajonin e Korçës!” “Do të kemi edhe ne ditë të gëzuara”. “Me ardhjen e francezve ushtria greke do të largohet, populli i Korçës do ta qeverisë vetë Korçën me ndihmën e francezve”. “Thuhet që edhe ne do të jetojmë si evropianë”. Lajmi u mor vesh prej të gjithëve. Nëpër rrugë nisën të dëgjohen thirrje: “Rroftë Franca!” “Rroftë populli francez!” “Liri për gjithë shqiptarët!” Të gjithë dëshironin të ishin të pranishëm në orën 9.00 pasmesdite kur Korça do të merrte vendime për jetën e vet. Pas kësaj, mes njerëzve do kishte dashuri dhe vëllazëri të vërtetë.

10 dhjetorit 1916

Banorët e Korçës filluan të mblidheshin para shkollës së Shën Gjergjit. Grupi i parë i njerëzve mbërriti në orën 9.00, por vargu i tyre nuk kishte të mbaruar. Në orën 10.30 minuta mbërriti Themistokli Gërmenji i shoqëruar nga parësia, entuziazmi i të pranishmëve u bë edhe më i madh. Thirrjet nuk kishin të sosur. Të shumtë ishin ata që kishin lot në sy. Gërmenji u përshëndet me të gjithë. Pritej edhe ardhja e njerëzve të tjerë. Të gjithë u vendosën përgjatë “Rrugës së madhe”, (sot Pedonalja), aty gjendej edhe Prefektura e vendosur në një ndërtesë të bukur. Para prefekturës ishte vendosur ushtria franceze. Deri atë çast askush nuk dinte saktësisht për çfarë ishin mbledhur dhe çfarë do të ndodhte. I pari që e mori fjalën ishte Themistokliu, të parat fjalë që tha, ishin: “Sot deklarojmë vetëqeverimin e Shqipërisë!” Më pastaj vuri theksin te fjalët: “…tashi e tutje duhet të nisë një jetë e re në mes të vëllezërve, duhet të kenë një vëllazëri dhe dashuri ndë mes të tyre kësisoj lumtësia ndë gjendien e këtushme se mjaft u prishmë”. (“Adriatiku” 10 dhjetor 1916). Pas tij e mori fjalën zoti Vasil Kondi i cili ndër të tjera tha:  “…duhet të përpiqemi dhe për vëllezërit tanë që na i hoqnë përtutje dhe asisoj të vijë vëllazëria e përgjithshme”. Pas përfundimit të fjalimeve, një komision prej 14 vetash u nis drejt Prefekturës, të shoqëruar nga një grup njerëzish ku u pritën me nderim nga ushtria franceze. Ambientet e prefekturës shkëlqenin. Edhe koloneli Descoen (Dekoen) me oficerët e tij të veshur me uniforma dhe dekorata, shkëlqenin. Të gjithë ndiheshin të lumtur, më në fund ia kishin mbërritur qëllimit.

Dr. Haki Mborja

Doktor Haki Mborja, personalitet i njohur, ashtu siç ishte parashikuar nga grupi përfaqësues prej 14 vetash, i kërkoi komandantit francez vetëqeverimin e Shqipërisë nën mbrojtjen e Francës, i cili e priti me shumë kënaqësi pasi gjithçka që do të arrihej ishte rënë dakord nga të dy palët kohë më parë. Pas fjalës së kolenelit Descoens, u përgatit një protokoll në gjuhën frënge, i cili u përkthye në shqip nga dr. Noeke. Protokolli u nënshkrua nga francezët dhe shqiptarët. Më në fund, vetëqeverimi i Shqipërisë ishte shpallur: Korça, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora do të kishin mbrojtjen ushtarake franceze nën flamurin e Shqipërisë me tri ngjyrat e Francës. Shqipja do të ishte gjuha zyrtare; qeverisja do të bëhej nga vendësit, të cilët do të kujdeseshin për të drejtat civile të të gjithë qytetarëve; do të organizohej xhandarmëria dhe një trupë vetëdashëse e rregullt, pjestarët e saj do të ishin vullnetarë të ardhur nga krahinat e përmendura më sipër. Komisioni që u prezantua te koloneli dhe që mori barrën e kujdesisë së vendit, përbëhej nga: Tefik Mborja, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani Haki Shemshedin (Mborja), R. Avrami, K. Niçka, N. Vangjeli, V. Singjeli, V. Kondi dhe  Th.Cali.  Kryetari i Këshillit u zgjodh Tefik Rushiti, nënkryetar z. Th. Cale, kurse Petro Harizi sekretar i përgjithshëm. Pas këtij momenti, Themistokliu doli në ballkonin e Prefekturës dhe ngriti flamurin. Ushtria Franceze mori qendrimin për nder të flamurit. Nga turma e njerëzve shpërtheu buçima: “Rroftë Shqipëria!” Themistokli Gërmenji mbajti një fjalë të shkurtër. Së fundi, komandant Descoenc i përcolli të gjithë deri te dera duke i dhënë dorën secilit. Përfaqësuesit e vetëqeverimit shqiptar u pritën në Katundari (në bashki) me nderime të mëdha nga krybashkiaku z. Belul efendi Korça. Ndërkaq mbërritën edhe përfaqësuesit e komandës franceze. Themistokli Gërmenjit iu dha drejtimi i Policisë. Mes palëve ishte arritur më e mira.

Asnjë minutë kohë e humbur

Lajmërimet e para të vetëqeverimit shqiptaro-francez ishin: Qeveria merr përsipër rendin dhe qetësinë, kujdesin për të sëmurët në spital, sigurimin e ushqimit, punësimin dhe lumturinë e njerëzve, ndaljen e vdekjeve nga mungesa e bukës dhe sëmundjeve, grabitjen e fondeve dhe mjeteve financiare etj. Tashmë po shënohej një fillim i ri. Kushdo që do të shkruhet polic ose xhandar me rrogë, duhej të paraqitej në zyrën e Policisë; njerëzit që kishin leje udhëtimi të përkohshëm për të shëtitur natën në Korçë, duhej t’i shpinin në zyrën e komandantit ushtarak të Francës; ata që dëshironin të kishin leje zyrtare duhej të bënin kërkesë me emër dhe mbiemër, sepse pas dt.13 dhjetor 1916, lejet e vjetra do të bëheshin të pavlefshme. S’do të kishte më të priviligjuar dhe të nëpërkëmbur, të gjithë të barabartë mes të barabartëve. Sakaq nisi ndërtimi i ndërtesës së Policisë e cila qe shkatërruar nga lufta. Gazeta “Adriatiku” 18 dhjetor 1916, shkruante: “Policia po ndreqet e po ndërtohet. Po prishen mjaft të holla për të se ishte shkatërruar shumë dhe nuk kish mbetur gjësendi më këmbë dhe e paprishur”. Taksat e paguara nga banorët e qarkut Korçë, nuk po shkonin humbur siç kishte ndodhur më parë më qeverinë greke në Korçë, ku gjithçka vidhej grabitej dhe shpërdorohej. Qeveritarëve grekë u pëlqente të silleshin si pashallarët. Çfarë ndodhet me  të ardhurat që mblidheshin nga banorët e qarkut Korçë nuk e dinte as Perëndia.

Popull i mirinformuar

Krejt ndryshe po ndodhte me vetëqeverimin shqiptaro-francez. Për gjithçka ndodhte informohej edhe banori i fundit i qarkut Korçë, kjo gjë kryhej nëpërmjet kryepleqve të fshatrave. Kryetari i Policisë thërriste myftarët (kryepleqtë) dhe i vinte në dijeni mbi vendimet që ishin marrë. Për vendimet më të fundit, në Mitropoli u dërgua z. R.Avrami dhe te Myftari z. Tefik Panariti, që edhe priftërinjtë dhe hoxhallarët të njiheshin me çdo vendim të marrë. Sipas nyjës 8 të protokollit 10 dhjetor 1916, gjuha zyrtare e rrethit vetëqeveritar të Korçës, që nga ajo ditë ishte shqipja, gjuhë që do të përdorej për gjithë punët qeveritare: dava (mosmarrëveshje), kërkesa, qarje, kontrata etj. Ndërsa në shkresat e çfarëdolloji që i drejtoheshin shtat’majorit të Francës mund të shkruheshin edhe frëngjisht. Sipas gazetës “Adriatiku”, 12 dhjetor 1916: “Zoti Dekuen oficer i madh e i mirë i Francës, u rrëfye në këtë punë jo vetëm një njeri politik, i mençur, i punës, i fortë, po dhe një njeri me dëshira fort të mira dhe pa interes, reprezentat i zoti i Francës së lëvduar, e cila gjithnjë dhe në të gjitha çështjet e Evropës ishte dëftyer shumë e lartë dhe pa ndonjë interes…”. Prej francezeve punohej fort, dëshironin t’i shihnin shqiptarët të lumtur, sepse tashmë ishin njohur me hallet e pasosura të popullit shqiptar.

Sigurimi i bukës dhe i ushqimit

Vetëqeverisja shqiptare konsolidohej çdo ditë. Mbretëronte rregulli dhe ligji. Nuk po ndodhte më asnjë vrasje. Dy anëtarë të Këshillit Qeveritar morën në dorëzim Gjykatoren. Më 16 dhjetor u lajmëruan gjahtarët (avxhinjtë) që brenda datës 18 të prezantoheshin në Prefekturën e Policisë me dokumentat e nevojshme që t’u jepej leje edhe t’u tregohej vendi ku mund të gjuanin. Kush zihej pa leje i merrej çiftja. Askush s’do të mbante armë nëse nuk ishte me shërbim zyrtar. U mblodhën të gjitha armët pa leje. Gazeta e përmendur më sipër shkruante: “Lumtësia dalngadalë po vjen në vendin tonë. Dita me ditën po veprohet për t’u mirësuar gjendja e popullit që është më një fatkeqësi të madhe dhe kushedi se më ç’shkallë do të arrinte po të mos merreshin masat e nevojshme. Andaj po shohim se dje u thirrë tregtarët e Korçës në Këshillën Qeveritare të kazasë Korçë për sjelljen e dy vagonave java me javën me grurë, miell, misër dhe bakallëke (ushqime). Tregtarët u thirrë për të marë punë përsipër, shoqëri tregtarësh që mund të sillnin me fitim më të pakët, domethëne, kush t’i sjellë e t’i shesë më lirë. Dje u mblodhën për këtë punë, por dhe sot; tani kur po e shtypim gazetën merr fund dhe do t’iu dorëzohet atyre që do ta marrin me fitim më të pakët sikurse shkruajtëm”. (“Adriatiku”  21 dhjetor 1916).

Vetëqeverisje për gjithë qarkun

Qeverisja shqiptaro-franceze po shtrihej në gjithë qarkun e Korçës: Bilisht, Kolonjë, Opar dhe Gorë. Pas Korçës vetëqeverisja shqiptaro-franceze u vendos edhe në Devoll. Për herë të parë, më 22 dhjetor 1916, flamuri kombëtar u ngrit edhe në qytetin e Blishtit. Gjithçka u realizua nga një togë xhandarësh të kryesuar nga Qamil Panariti, ndërkaq u organizua edhe qeveria shqiptare e Devollit. Në krye të saj u vendos, z. Panariti si primar (mydir), me funksionet e qeveritarit civil dhe ushtarak, pasi nën urdhërin e tij do të ishte dhe xhandarmëria. Fill pas ngritjes së flamurit, u dëgjuan thirrjet e popullit që ndodhej aty në këtë ditë të shënuar: “Rroftë Franca!” “Rroftë Shqipëria!” “Rroftë Bilishti!” Më pas u zgjodh edhe. Këshilli në shërbim të këtij rrethi. Në fillim të vitit 1918 për fajtorët u mendua të përdoreshin mënyra më praktike me përfundime më të mira në krahasim me dhunën. Kushdo që bënte faj dënohej me burg dhe gjobë. Për shlyerjen e burgut dërgohej të thyente gurë për ndërtimin e rrugëve; kësisoj edhe rruga ndreqej, edhe fajtori nxinte mend. Në fund paguante gjobën dhe lirohej. Ndërkaq kishte nisur edhe funksionimi i Postës së Bilishtit. Nga Follorina erdhi njoftimi se në këtë qytet kishin mbetur 50 thasë me letra të postës. Pa asnjë vonesë u urdhërua të dërgohen kafshë për marrjen e thasëve me letra dhe sjelljen e tyre në Bilisht.

Ushqimi dhe shëndetësia

Ndërkohë nga vetëqeverimi shqiptar i Korçës u morën masat edhe për ndërtimin e udhës Korçë – Bilisht me qëllim krijimin e marrëdhënieve tregtare më Selanikun. Marrëdhënie tregtare u lidhën edhe me tregtarët e Katerinit. Qeveria e Korçës realizoi ankandin për sigurimin e ushqimit. Tregtarët pjesëmarrës ishin të shumtë, gjithkush premtoi sjelljen sa më lirë të mallit. Përfundimisht Këshilli Qeveritar siguroi ushqimin e banorëve të kazasë.  Një nga tregtarët e mëdhenj ishte dhe Refat Arslani. Nga ana e ushtrisë franceze u sigurua rruga dhe të ardhurat, andaj lavdërojmë qeveritarin francez që ndodhet këtu,  i cili me gjithë shpirt dhe zemër po përpiqet që të mirësojë gjendjen tonë të këtueshme. Populli duhet të ketë mirënjohje te Koloneli Descoins (Dekoen) që po fatbardhëson rojtjen e gjendjes të këtushme me gjithë të mirat që i duhen popullit dyke hapur Postën, rrugën e Selenikut e të tjera, se mjaft gjer më sot vojtmë dhe pësuan, u zhveshmë e u zbathmë dhe u fatkeqësuam”. Për gjithçka që ishte arritur brenda 10 ditëve, u organizua një paradë e thjeshtë dhe e bukur. Gazeta “Adriatiku”, 25 dhjetor 1916 shkruante: “Sot më ora 10 u bë një paradë fort e bukur në rrugën e gjërë “Shën Gjergji”, atje ku ishin vargosur nga një trumbë prej çdo regjimenti (tabor). M’u ndë mest të rrugës së gjerë u dekoruan këta: Marechal Logis, z. Reboul, leitnant z. Touvet, major z. Massiet dhe z. Boison. Kremtimi përfundoi bukur”. “Mielli do të vijë mjaft i lirë, do të shitet këtu më pak se gjshtë grosh oka, dhe besojmë për nja 8-10 ditë ta kemi këtu”. (“Adriatiku” 28 dhjetor 1916). Gjeneral Zoffie u emërua Grand Marechal i Francës, gradë kjo nuk ish dhënë më që nga viti 1870. Rëndësi iu kushtua edhe shëndetësisë, kush ishte i prekur nga difteria kurimin e merrte falas.Gjithashtu nga vetëqeverimi shqiptar, mjekëve të qytetit të Korçës iu kërkua të raportonin situatën mbi sëmundjet që mbizotërojnë në këtë kaza, numrin e fëmijëve dhe të të rriturve që vuanin nga këto sëmundje.

Jeta artistike

Dhe, kur kishin kaluar vetëm 10 ditë nga shpallja e Krahinës Autonome, në qytetin e Korçës nisi edhe jeta artistike. Shtypi shkruante: “Sikurse u lajmërua që dje me zëdhëniet nëpër mure se do të bëhet një koncert prej ganizonës franceze këtu për të ndihmuar të varfërit. Koncerti u bë dhe nisnë që më leitnantin z. Vidal, Cavallier, z. Han, ora 1.1/2 të zënë të vinë gjithë njerëzia me familjet e tyre. Pastaj vjen dhe z. Descoin bashkë me oficerët e tjerë, të gjithë të veshur me petka zyrtare dhe me një gaz e çkëlqenjësi ardhë dhe zunë viset (vendet) e tyre që ishin quajtur. Koncerti u mbajt në Kazino atje ku ish mbledhur mjaft një shumicë e madhe se kjo bëheshe për të varfërit, andaj dhe njerëzia nuk ishin kursyer po ardhë të gjithë. Koncertin e nderuan me të ardhurit e anëtarëvet të Këshillës zoti Themistokli Gërmenji, kryekatundari me gjithë anëtarët, sikurse edhe shumë të tjerë. Nesër do të mblidhen më tepër”.  Për koncertin e ditës së nesërme shkruhej: “Dje përfundoi koncerti me një bukuri të madhe. Kazinoja ishte plot me njerëz sa s’kishin se ku të rrinin dhe kaq shumicë e madhe ishte sa njerëzit që ishn brenda dhe nëpër penxhere”. Të shumtit kishin mbetur jashtë. U mblodhë afro 500 franga.

Arsimi

Pas 12 ditëve të shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës, nisi jeta arsimore e fëmijëve “Nesër, të premten, më ora 9.1/2 allafrënga thërriten gjithë myslimanët të mblidhen në Xhami të Madhe për të zgjedhur komisionë që do të bëhet, i cili do të vërë në rregull punërat e arsimit dhe punërat e vakëfeve”. (“Adriatiku” 28 dhjetor 1916). Myslimanët iu përgjigjën thirrjes pa asnjë vonesë, zgjodhën një komision prej 10 vetash nga të cilët 6 prej tyre do të përkujdeseshin për  shkollat dhe 4 për vakëfet. Komisioni përbëhej nga këta zotërinj: z. Emin Malka me 99 vota, z. Ahmet Fazli me 96 vota, z. Mustafa Rami, 91 vota, z. Afëz Xhafer me 87 vota, z. Sefulla me 87 vota, z. Mustafa  Qenan me 77 vota, z. Riza Asan me 77 vota, z. Jusuf Agjah me 76 vota, z. Riza Kadi me 75 vota dhe  z. Afëz Riza Manka me 52 vota. Votimi u bë i fshehtë. Në komision janë zgjedhur gjithë njerëz të ndershëm e të mirë dhe shprehim se këta do të këqyrin punët me një drejtësi, dhe për të mirën të vendit tonë, andaj i urojmë nga zemra që puna ju vajtë mbarë”. (Adriatiku 29 dhjetor 1916).

Shqiptarë e francezë festojnë bashkë

Pas  dy javësh nga shpallja e vetëqeverimit, mbërriti Viti i Ri 1917. Francezë dhe shqiptarë festuan bashkë. Mirënjohja e shqiptarëve ndaj Francës ishte mëse e dukshme. Shoqëria e grave “Ylli i Mëngjesit” i bëri kolonelit Descoins një dhuratë të vogël që ta kishte kujtim nga Korça. Prej grave të kësaj shoqërie Efigjeni Janaq Prifti, Praksithea Nikolla Mborja, Olga Themeli dhe Margarita Mit’Eqimi, në shenjë mirënjohje për Francën përgatitën edhe një tapitë të vogël, fort të bukur dhe të këndshme. Kolonel Descoins tha se do të lajmëronte ushtrinë që mori dhuratën e parë nga vajzat. Kurse zonja Margaritë, me qenë se e dinte frëngjishten mjaft bukur, përmes një fjale fort të kënaqshme shfaqi simpathinë dhe mirënjohjen e shqiptarkave dhe të shqiptarëve ndaj Francës. Tapita ishte qendisur bukur, dy potkoj të bashkuar në mes; flamuri i Francës më të djathtë dhe i Shqipërisë më të mëngjër, fytyrë e Skënderbeut dhe qarku me caparka. Themistokli Gërmenji i dhuroi kolonelit Descoins një dyfek me çark dhe një kobure të larë me ar, kurse Pilo Krënxhi i dërgoi një sepete me të ngrëna etj. U bë edhe një paradë e bukur ku u dekoruan:  kapiteni, z. Drevon, Sus licute nanti Foutaine, marechal Logis, z. Fjoucat, kavalieri z. Jmbert, marechal Logis z. Taupit (nuk lexohet qartë), tetari z. Trotet, tetari z. Piette,  kavalieri z. Kricgel, kavalieri Cosaviellc, z. Perrichon,  z. Aschenbenuer Bouton, marechali Logis. z. Bart, z. E. Berinheni. Pas dekorimit ushtria u përnda dhe nisi të bëhet lutja. Lutja u bë në kishën e Shën Gjergjit për motnë e ri, pastaj vajtën gjithë parësia, tregtarë dhe zyrtarë për të uruar vitin e ri. (referuar gazetës “Adriatiku”, 1 janar 1917).

——-

Askush prej qeveritarve shqiptaro-francezë nuk e konsideroi veten si të zbritur  prej qiellit

Para vetëqeverisjes shqiptaro-franceze në Korçë vdiqën nga uria 2,500 njerëz

Asnjë autoritet civil dhe ushtarak nuk  i futi duart në xhepat e shqiptarëve

 

Pjesa e dytë – Vepror Hasani

 

Qeveria e krahinës autonome e gjeti Korçën pa bukë. Për shkak të pushtimit dhe tmerrit të përhapur prej andartëve, toka nuk mbillej prej disa vitesh, fshatrat ishin braktisur nga banorët e tyre. Francezët u bënë dëshmitarë të tmerrit që kishte pushtuar Korçën. Panë me sytë e tyre ç’ndodhte në furrat e bukës: “Po të deshte njeriu të kuptonte ç’domethënë nevojë buke, duhej të vinte atëherë në furrat ku do të vështronte gra, fëmijë dhe burra, po më tepër gra të mbledhura dhe të rrethuara pas furrës që në mëngjes. Bukët qenë të pjekura, të vënë me radhë në tezgat e bukës dhe pritej kontrolli i Komisionit, që të urdhëronte ndarjen e bukës. Posa vinte ky, zinte ndarja e bukës: “Nëmni edhe mua një çyrek”,- thërriste një që atje tutje. “Mos më harroni edhe mua se kam fëmijët pa bukë”, – thërriste tjetra.  “Sonte më fjetën pa darkë fëmija, nuk më sosin dy çyrekë që më dhatë ,-  thërriste një tjetër, – se kam 8 shpirt, dua edhe një, ju lutem edhe një, aman…”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”, f. 143).

Shtrenjtimi i bukës

Çmimi i drithrave u rrit me ardhjen e grekëve: “Shtrenjtësia nuk tregohet dot. Një killë grurë (40 okë) shitet 160 grosh, një killë misër 100 grosh! Për të tjerat as pyesim se sot në qytet dhe fshatrave kanë vdekur shumë veta nga uria!!!” (Gazeta “Koha”, 24 june 1915). Njerëzit ushqeheshin me helb, tërshërë dhe urof. Kur mbaruan edhe këto nisën të ushqehen me bar, ndaj qeveria e krahinës autonome filloi të mblidhej katër herë në javë. Megjithse u bë e pamundura, qeveria nuk ia doli dot. Ishte tepër vonë. Gjatë vitit 1917 vdiqën 2,500 veta. “Pra, kur erdhi në atë kohë qeveria shqiptare (e Krahinës Autonome), u ndodh përpara ndalimesh (vështirësish) të mëdha. Të hollat e Korçës publike i kish marrë duke ikur greku pothuaj të gjitha, bereqet nuk kishte hiç, përveç atij që u fsheh. Populli qe në rrezik të madh për hamjen, (ushqimin). Nga e pangrëna zunë të përhapeshin në njerëzit lloj-lloj sëmundjesh. Nga sëmundjet prej të pangrënit dhe prej të ngrënit helb, tërshërë, urof dhe bar, vdiqën mijra njerëz”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”, f.191-192 dhe 195).

 Njerëzit braktisin Korçën  nga mungesa e bukës

Për shkak të mungesës së bukës, nga qyteti i Korçës u larguan mijëra banorë. “Sa e sa vdiqnë udhës prej të pangrëni, sa e sa linin shtëpin’ e tyre e ku nuku kishin gjë të hanin prej shumë dit, iknin më kot, ose vinin në katunde të tjera për të gjetur një çikë bukë dhe në mes të udhës vdisnin me që kapiteshin, ca nga e lodhura dhe më tepër nga e pangrëna! Sikundër që dëgjuam, tërë ata që hëngrën urof vdiqnë. Sa keq të vinte me të vërtetë kur vështronjë jo vetëm nëpër fshatra po edhe brenda në qytet: këtu një djalkë i vogël (çilimi) që qante më gjunjë të s’ëmës dyke i kërkuar një çikë bukë, të cilën e varfëra, e ëma, nuk kish t’ia jepte; atje një vajzë, një çikë më e madhe me një fytyrë simpathike, e cila nuk qante pranë s’ëmës se dukeshe që i vinte turp nga ata që shkonin dhe e vështronin, por, e cila duke u drojtur nga njerëzia i thoshte s’ëmës ngadalë: “Nëno një çikë bukë, se vdiqa!” 192-193

Sigurimi i bukës parësor

Sigurimi i bukës për njerëzit vijonte të mbetej detyrë parësore. Për këtë arsye, Këshilla Qeveritare e kazasë së Korçës s’e ndali punën asnjë ditë. Shumë shpejt u bë organizimi i Gjykatës Civile, synoheshin zgjidhje të drejta e të shpejta të çështjeve me shpenzime sa më të pakta, pa burokraci e pa trokitur derë më derë. U ngrit edhe një gjykatë për fajtorët. Taksimi i njerëzve u bë në analogji me fitimin e secilit dhe nuk shpenzohej asnjëherë më shumë nga sa ishin të ardhurat. Nga Selaniku mbërritën qiraxhinjtë e parë me karvane ngarkuar me plaçkë dhe ushqime. Tregtrarët blenë kuaj të fuqishëm që malli të mos u mbetej rrugëve. U ndihmuan edhe nga karvanet e vllehëve. Miell sillej edhe nga Karaferja. Mjerimi kishte nisur të largohej, por gjendja mbetej e vështirë. Për vetëqeverimin shqiptaro-frances qetësia e qytetarëve ishte parësore, po kështu edhe ofrimi i ndihmës ndaj të varfërve. Për të qenë sa më pranë tyre, herëpasherë grupe të rinjsh dilnin me kolendra, me qëllim mbledhjen e të hollave për të varfërit. Shumat e mbledhura, sipas rastit, shkonin deri në 200 franga dhe më shumë. Në një rast të tillë 56 franga iu dhanë shtëpisë së Spiro Bellkamenit, 56 shtëpisë së Vasil Trebickës, 56 franga shtëpisë së Kliut, kurse kusuri iu dha një të vobekti tjetër. Edhe lëshimi me qira i banesave, haneve, hoteleve, pensioneve etj bëhej sipas rregullave të përcaktuara ku deklarohej edhe numri i personave.

Qeverisje të ndershme

Nga vetëqeverisja shqiptaro-franceze kërkohej ndershmëri. Edhe kur në zyrën e Financës u gjetën kusur (shuma) të pashkruara prej arkëtarit të fundit të qeverisë greke, prej 4,500 frangash, u telegrafis që të zirej dhe të jepte shpjegime për mungesat në arkë. Gjithashtu, u prenë monedha të reja, të cilat ishin fort të bukura e të këndshme me shqiponjën në mes, ndërsa në krye shënohej “Korçë”, për krahun më të mëngjër, “Shqipëri”, dhe përfund vleftën 25 cts dhe 10 cts. U mendua të kishte edhe prerje prej 5 qind, 50 qind dhe 1 frangë. U prenë edhe të holla shqiptare prej një frange e poshtë që thyerja e të hollave të bëhej më e volitshme. Më 18 janar të vitit 1917, kur nuk kishte kaluar asnjë muaj nga shpallja e Krahinës Autonome, u hartua  kanonizma për kryekatundarët; këta të fundit do të ishin nën urdhërin e Këshillit. Zgjedhja e kryekatundarëve bëhej nga vetë banorët, sipas numrit të popullsisë, vendasit zgjidhnin nga 2 deri në 4 këshillonjës, të cilët njoftonin çdo ngjarje, marrëdheniet mes njerëzve, pastërtinë e fshatit, sëmundjet epidemike etj. Të hollat që mblidheshin i dërgoheshin Financës. Kryekatundarët e zgjedhur  kishin gjithë nderimin e duhur, pasi puna e tyre ishte mëse e dobishmet.

Gjykatë edhe për fajtorët

Edhe gjykata për fajtorët u vu në veprim, në krye të saj u vendos Lambro T. Mborja. Prokuror u zgjodh Sali Babani, anëtarë: Vasillaq Avrami dhe Shaqir Hoxha, pyetës zoti Qani Sylemani, noter zoti Kristaq Pilika, kryeshkronjës Faik Emin dhe shkronjës Dhimosten Poçka. Gjykatorja ishte në veprim çdo ditë, përveç të premteve dhe të dielave që nuk do të kishte gjyqe. Po kështu edhe vendi i z. Lambo Mborja do të zëvëndësohej nga një tjetër. Më pas u bënë përsëri ndryshime, prej Këshillës Qeveritare u hoqën Lambro Mborja, Sali Babani dhe Shaqir Hoxha sepse morën pjesë në Gjykatore. Në vend të tyre u zgjodhën: Mehmet Babani, Selim Pojani dhe Mina Frashëri.

Dënime për abuzuesit

Nëpërmjet një urdhëri u lajmëruan gjithë kasapët, bostanxhinjtë dhe gjithë ata që shisin mish, lakra, patate, presh etj, sepse, sipas një vendimi të Këshillës Policore nr.5, çmimet e shitjes do të ishin të përcaktuara si më poshtë: Mish i kaut, i lopës dhe i deles fr. 2 oka; i shqerës, i mëshqerës, dhe i dashit fr. 2.40 oka; lakrat 0.80 qindarka oka, patatet 0.80 qindarka oka. Ndërsa kush dilte kundër këtij urdhëri dënohej herën e parë me 25 franga gjobë dhe me 24 orë burg policor. (U vendos, Korçë më 22 janar 1917). Ndërrime u bënë edhe në Katundari (Bashki). Kryesinë për kryekatundar e mori z. Aristidh Xherahu, kurse anëtarë ishin: Belul Efendiu, Mehmet Panariti, Nexhip Efendiu, Dhosi Ndriçi, Thanas Viso dhe Nikollaq Mborja. Gjithashtu më 23.1.1917 u thërritën në Prefekturë prej prefektit të Policisë L. Frashëri, gjithë tregtarët dhe populli që kishin më shumë se shtatë killë bereqet grurë, misër etj, me qëllim tregmin e sasisë së bereqetit që u ndodhej. Kujt i gjendej bereqet pas kohës së shënuar do të paguante gjobë dhe vleftën e shumës së bereqetit të gjetur pas çmimit që ishte vendosur nga qeveria dhe do të dënohej me burg. Gjithashtu nga drejtori i policisë S. Elezi, u lajmëruan edhe kasapët që të mos therin bagëtitë sa andej këndej, në çdo vend, përveçse në aallahanë (kasaphanë). Edhe kuzhinierëve u kërkohej higjenë, rregull dhe  pastërti.

U çelën vende pune

Për nxjerrjen e vendit nga kriza, francezët çelën mijëra vende pune për ndërtimin e rrugëve dhe hapjen e minierave. Udhët e qarkut Korçë u ndërtuan nën drejtimin e inxhinierit, kapiten Dymonit, ndërsa inxhinieri, leitnant z. Bidon ashtu sikurse z. Vylëri u përkujdesën për mademet e qarkut. Në Vithkuq u gjend bakër dhe baltë tunxhi, në Boboshticë u gjend gaz (vaj guri). Deri më 1 dhjetor 1917 nga qymyrguri i Mborjes u nxorën 2.000.000 okë, i cili deri në fund të majit 1918 u shit me çmimin 5 franga qindi okë për civilët dhe 4 për ushtarët. Në fund të vitit 1917, kur hartohej buxheti i qarkut për vitin 1918 u vendos dhënia e ndihmës publike ashtu si në gjithë shtetet e qytetëruara. Të vobektët do të ndihmoheshin me të holla, plaçkë, ose duke iu gjetur punë. U morën përsipër shpenzimet e varrimit për familjet e varfëra, ndihmoheshin familjet e xhandarëve të vrarë, pleqtë e pafuqishëm etj. (Referuar Petro Harizit, “Historia kronografike e Korçës”). Gjatë qeverisjes shqiptaro-franceze u ndërtua rruga Korçë –Ersekë – Sarandë – Vlorë; rruga Korçë – Voskopojë; rruga Korçë – Zvezdë – Podgoie – Pogradec; rruga Korçë – maliq – Pogradec dhe rruga Korçë – Follorinë. Korça nisi të vizitohej nga turistët francezë, amërikanë, englezë, dhe italianë. Të shumtë ishin edhe njerëzit e profesioneve si profesorë, inxhinierë, doktorë, avoketër, fabrikantë, tregtarë edhe njerëz të tjerë të ditur si publicist, organizatorë, politikanë, korrespondentë gazetash të mëdha etj.

Asnjë qindarkë abuzim

 

Financa nisi punë më 16 dhjetor 1916, llogaritë e saj nga kjo datë deri më 31 dhjetor 1918 do t’i japim më poshtë, por duhet thënë gjithashtu se ishin autoritetet franceze ato që kërkonin disiplinë në menaxhimin e financave të Krahinës Autonome të Korçës.

Të ardhurat  e realizuara

16 dhjetor 1916 – 31 dhejtor 1917: 1,830,490.60 franga
1 janar 1918 – 31 dhjetor 1918: 3,943,295,.65 franga

Ndodhje e kasës më 1 janar 1919: 2,973,234.05 franga

Obligacione franceze fr.: 291,001.20 franga (kapital i paguar)

Bono frenceze fr.: 1,839,960.00 franga (kapital i paguar)

Bankënota në përdorje fr. 44,500.00

Të holla: 797,772.85

Shuma:  2,973, 234,05 franga

 

“Në fund të motit 1917 duke bërë buxhetin e qarkut Korçë për vitin 1918 u vendos të fillohet ndihma publike (asistenca publike) sikundër që është në tërë shtetet e qytetëruara. Qëllimi i kësaj ndihme është:

  1. Të ndihmojë të vobektët dyke iu dhënë të holla, ose plaçka, ose duke iu gjetur punë.
  2. Të sigurojë të varrosurit e këtyre.
  3. Të japë ndihmë në familjet e atyre xhandarëve, të cilët u vranë duke ushtruar detyrën e tyre, duke i paraqitur në njerëz të sevapit në të cilët do të jepet një çpagim.
  4. Të ndihmojë pleqëtë e pafuqishëm, ose ata që kanë aritur moshën e 70-viteve duke iu dhënë të holla, ose rroba dhe të ngrënë, ose duke i paraqitur në njërez të sevapit
  5. Të mendohet edhe të vërë në veprim tërë masat që u muar për të mbajtur dhe për të siguruar shëndetin në Kazanë e Korçës”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”, f. 268-269).

 

Mirënjohje ndaj shqiptarëve

“Për shqiptarët shkruheshin fjalët më të mira. Ja një fragment prej tyre: “O ju të cilit prej 600 vjet para Krishtit, ishit përpjekur për të drejtat e kombit tuaj, dyke këputur krerët e Idhrës Lernesë, o ju stërniprit e atyre të motshmve që ishin ndërmjet Argonaftëve, ju o djemt’ e kuzimtarëve, të atyre që u ndodhë në rrethimin e Trojës me ushtrinë të Ahilehut, juve që bashkë me Piron u hothtë përmbi Romanët, juve që bashkë me Filipin rrëmbyet lirinë e Greqisë dhe zaptuat me Aleksandrin më të madhen pjesë të botës, juve në të cilët stërgjyshërit tuaj ju lanë në vënt të shkrimit zërin e trimërisë dhe përdorimin e dyfegut, të cilat u dorëzuan bir pas biri në të gjithë ne, të cilët po mbajmë gjithnjë zemrat e shtërgjyshërve, juve o shqiptarë që kurdoherë kini dalë viktoris (me fitore), juve që s’ini lodhur kurrë për të kërkuar lirinë tuaj, mejtohuni sot se po mbajmë lart flamurin e lirisë që më 10 dhjetor të motit që shkoi në të cilët ndritoi drita e ëmbël prej bijëve të Francës, u përhap si Mana dyke rënë ngaj qielli, dhe e cila derdhi balsam ngushullimi nëpër zemrat tona se ballkani i Shqipërisë që po nxirrte zjarr prej kohësh, dhe që shuheshe me gjakun tuaj, pushoi, dhe nënat nuk do të tremben prej Turqve barbarë dhe pe Grekëve që kurse Franca mori vendimin që të na ndihmojë me bijtë bujarë të saj, në të cilët detyrojmë mërënjojtjen të jetës tonë, të nderit tonë dhe të kamies tonë, në këta bij të Francës që kanë për symbol lirinë, njehesinë, vëllazërinë, ne kjo Francë të jemi mirënjojtës…”. (“Adriatiku” 24 janar 1917).