Si u ngritën zonat e Jugut në 1935-n kundër shtypjes dhe varfërisë duke luftuar me armë në dorë për liritë e tyre. Vrasja e Kryegardistit të Zogut dhe terrori në Mallakastër
ARKIVA E DËSHMI/ Më 14 gusht të vitit 1935, mijëra banorë luftuan me armë për liritë e tyre
Përvjetori i 77-të i “Kryengritjes së Fierit” kundër shtypjes dhe varfërisë
Me urdhër të Ahmet Zogut, u varën, pushkatuan dhe dënuan 2000 mallakastriotë
Bardhyl HAZIZAJ
Fshatarësia e Mallakastrës e urrente regjimin dhe pushtetin shtypës të Ahmet Zogut. Ajo nuk qe pajtuar me të akoma pa ardhur në pushtet, edhe kur u bë Kryeministër, President dhe me vonë kur u vetë shpall mbret. Krahina e Mallakastrës, për shkak të pozicionit gjeografik, ku ndodhet dhe sistemit të kodrave të ëmbla, është e pasur në bujqësi, blegtori, frutikulturë, veçanërisht në ullinj dhe me burime nëntokësore gazi dhe nafte. Edhe pse natyra e ka favorizuar t’i kishte këto pasuri, fshatari mallakastriot varfërohej nga viti në vit nga taksat e larta e të shumta, nga gjobat, ryshfetet, sjelljet e këqija e të padurueshme të nëpunëseve, kryeplakut, administratorëve në komuna, e deri tek prefekti, gjykatësi, prokurorët, avokatët, të cilët me sjelljet e tyre mbillnin urrejtje në masën e fshatarëve. Më e theksuar kjo urrejtje bëhej tek fshatari i varfër dhe i mesëm. Taksat bëheshin më të rënda kur kishte prodhim të pakët nga kushtet e këqija të motit, thatësira, dimri i ashpër, apo vitet me prodhim të ulët. Toka punohej me parmendë, nuk njiheshin plehra kimike, shërbimet e mbrojtjes së bimëve, shërbimi zooteknik, e shëndetësor. Kur vinte koha për vjeljen e taksës, taksidari i merrte fshatarit edhe enët e shtëpisë, “bakëret”, siç quheshin në atë kohë, ku përfshiheshin tigani, kusitë, gjymat, jamaket etj. Regjimi ia merrte me zor fshatarit taksën nëpërmjet ushtrimit të dhunës me xhandarë e policë. Djemtë e mallakastriotëve, veçanërisht ata të fukarasë, shërbenin në ushtri mbi dy vjet nën kërcënimin e kamxhikut pa mbrojtje nga ligjet e shtetit, ku diskriminohej si qenie njerëzore. Ushtari përdorej si shërbëtor, ordinancë e oficerit, duke e kthyer në një hyzmeqar me uniformë, me një trajtim të përbuzur e nënvleftësues. Në ushtri djemtë nuk mësonin asnjë zanat, nuk mësonin shkrim e këndim dhe trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore. Qeveritarët e regjimit nuk merreshin me hallet e popullit, por shfrytëzonin fukarallëkun e mizërie, duke futur njerëzit në grindje, ne mosmarrëveshje për probleme të ndryshme shoqërore me qëllim që të nxirrnin përfitime nga kjo situatë. Korrupsioni ishte shtruar këmbëkryq. Ndërsa në marrëdhënie me qeverinë, fshatarët nuk i zgjidhnin dot problemet me ligj. Në mirëkuptim me njëri- tjetrin ata merreshin vesh shumë mirë dhe i zgjidhnin vetë hallet e mosmarrëveshjet… Kjo gjë binte në sy të keq tek qeveritarët, të cilët donin t’i kishin të përçarë njerëzit. Ky mirëkuptim kishte bërë që në krahinën e Mallakastrës të mos kishte gjakmarrje… Qeveria për mallakastriotin ishte një e barrë e keqe, që vetëm i pinte gjakun si shushunjë dhe nuk bënte investime. Prandaj populli rrëmbeu armët…

ANTIZOGIZMI NË MALLAKASTËR
Le t’i referohemi dokumenteve zyrtare, por dhe dëshmitarëve okularë
Në “Peticionin” e vitit 1925 kur Ahmet Zogu u bë Kryeministër, fshatarësia e Mallakastrës, në kuvendin masiv të saj, nuk e miratoi qeverisjen e tij. Kjo, jo për arsye personale, por duke u mbështetur në faktin se në ç’mënyrë dhe me mbështetje të kujt erdhi ne fuqi Zogu. Ai erdhi në pushtet me ndihmën e forcave ruse, serbe, bjellogradiste, ku si shpërblim, ai u dha një pjesë të trojeve shqiptare duke e reduktuar edhe më shumë trungun e Shqipërisë, duke e sjellë deri në 28 mijë k/m2 nga 76 mijë k/m2 që kishte qenë deri në vitin 1912. Ky peticion u firmos nga përfaqësues të fshatarëve mallakstriot si: Halim Hamit Hekali, Durke Harun Belishova etj. Urrejtja e shprehur në Peticion bëri që administrata e Zogut të hakmerrej ndaj mallakastriotëve, duke caktuar nëpunës nga krahina të tjera, të besuar të regjimit të Zogut, shërbëtorë besnik e agjentë të regjimit. Në Mallakastër nuk u bë asnjë investim nga Zogu… Teki Selenica në librin e tij “Shqipëria në vitin 1927” shkruan: ‘Mallakastra me një popullsi prej 18.854 banorë përmbledh 55 katunde. Qendra e krahinës është Ballshi, e cila përmbledh 35 katunde me 13.769 banorë dhe krahina e Cakranit ka 20 katunde me 5085 banorë. Mallakastra ka 3402 shtëpi, 8570 ha tokë të mbjellë me drithë, 40 ha të mbjellë me vreshta, 125 ha kopshte. Sipërfaqen më të madhe të tokës e zinte ulliri që përbënte 1/7 e sipërfaqes së ullirit në shkallë vendi. Ka 14.763 ha tokë të punueshme 10,578 ha kullote 29.845 ha mal e pyll. Mallakastra ka 31 nëpunës, 2 oficerë policie, 6 nënoficerë dhe 25 xhandarë. Zogut nuk u ngriti as shkolla, as spitale, as kopshte, as çerdhe, as rrugë. Edhe rrugën nacionale Ballsh-Tepelenë e bëri me punë angari, me punë të detyrueshme nga fshatarët e pabindur. Edhe rrugën Koshovicë -Cakran e bëri me punë të detyruar e punë agari… U vodhën jo vetëm mjetet financiare, por dhe veglat e punës… Punët filloheshin dhe me vite të tëra nuk përfundonin, rrogat e punëtorëve nuk jepeshin në kohë nga pagatorët, vjedhja e fondeve bëhej në mënyrë të tillë sa që kur pyeteshin se ku shkuan paratë, të gjithë ngrinin supet me ironinë e tyre te zakonshme”.

VRASJA E KRYEGARDISTIT
Kjo shtypje e ky shfrytëzim e çoi popullin e Mallakastrës ne revoltë… Diskriminimi i popullit bëhej publikisht dhe arriti deri atje sa xhandari u drejtohej fshatarëve: “E mor mender popull!” dhe kudo që shkonte u tundte kamxhikun e shkopin para hundës së njerëzve. Gushëkuqët (siç u thoshin fshatarët xhandarëve të Zogut), ishin bërë të padurueshëm… Faktorët që çuan në shpërthimin e Kryengritjes së Fierit kanë qenë të shumtë. Një gjë u duk qartë, se me këtë, populli vrau frikën, por njëkohësisht u bë edhe ndarja e atyre që bashkëpunonin në fshehtësi me Zogun, ata që punonin hapur dhe të tjerët që u vunë në shërbim të agjenturave të huaja… Dikush u lidh me fashizmin italian. Qeveria e Zogut kishte rënë në gjurmët e kryengritjes, por nuk dinte momentin se kur do të fillonte.
Kështu, më 14 gusht 1935, në orët e para të mëngjesit, vjen rastësisht gjenerali kroat Gilardi, Komandant i Gardës, besnik i Zogut, me shoqëruesin e tij dropullit me emrin Goga… Krerët e kryengritjes së Fierit, dyshonin se Gilardi kishte ardhur apostafat për të shtypur revoltën. Shtabi kryengritës nuk kishte njoftim për ardhjen e Gilardit, dhe në këtë situatë, ata vepruan me shpejtësi duke vrarë në vend Gilardin dhe shoqëruesin e tij Goga. Pas vrasjes, u sqarua se gjenerali kishte ardhur për ekskursion në Manastirin e Pojanit. Në këto kushte, kryengritja filloi para kohe.

KRYENGRITJA
Shtabi i Forcave të grumbulluara në Fier dha urdhrin për të filluar marshimin me mjetet që kishin, kush me këmbë e kush me kalë, dhe duke shpartalluar forcat qeveritare në të gjithë gjatësinë e rrugës Fier-Lushnje, në orët e mbrëmjes u futën në qytetin e Lushnjes. Kryengritja filloi menjëherë me rreth 2 mije vetë që ndodheshin aty. Në ecje e sipër, me ta u bashkuan dhe mijëra të tjerë. Disa që u gjenden në Fier për pazar, të tjerë erdhën me shpejtësi sa e morën vesh. Me ato pak armë të vjetra që kishin dhe duke u bashkuar me ta edhe komanda e xhandarmërisë së Fierit, e cila ndihmoi me armatosjen e popullit me ato pak armë që kishte, me dy oficerë. Një pjesë e xhandarëve u vunë në ballë të çetave kryengritëse me në krye Mustafa Kaçaçin. Shtabi i kryengritjes për Fierin përbëhej nga Zenel Hekali, Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Bektash Cakrani, Hekuran Maneku, Kol Çekrezi e të tjerë. Pritej të vinte Riza Cerova me forcat e Skraparit, por ai nuk mundi të vinte pasi u bllokua në Berat nga forcat zogiste. Kështu që shtabi vendosi të sulmojë qytetin e Lushnjës. Këtu ato u ndeshen me forcat e ushtrisë e xhandarmërisë, të ardhura nga Tirana dhe zhvilluan luftime deri në orën 04:00 të mëngjesit të datës 15 gusht 1935. Në këto kushte, shtabi i kryengritjes në Fier tentoi të lidhej me qytetet e tjera, veçanërisht me atë të Beratit. Por kur komandanti i shtabit Zenel Hekali mori në telefon Beratin, pasi mendonte se Riza Cerova e kishte marrë Beratin, në vend të Riza Cerovës në telefon i del Prefekti i Beratit. Ja ç’thotë në kujtimet e veta Zenel Hekali: “Kur mora në telefon Beratin për të komunikuar me ndonjë nga krerët e kryengritjes, sipas parullës, dëgjova zërin e prefektit Qazim Bodinaku, i cili më njohu menjëherë nga zëri dhe me tha: “Këtë radhë jo vetëm do ta thyej edhe këmbën tjetër (Zenel Hekali çalonte në njërën këmbë), por do të pres edhe kokën njëherë e mirë”. Në këto kushte, kur mësuam se kryengritja nuk kishte filluar në asnjë qytet tjetër, siç kujton Zeneli, u detyruam të japim urdhër për tërheqje duke u kthyer prapë në Fier. “Me datën 16 gusht 1935 zhvilluam luftime të ashpra duke iu rezistuar forcave qeveritare dhe nuk lejuam të depërtonin në Fier. Kur pamë se presioni po rritej si rezultat i ardhjes së forcave të freskëta nga Tirana, u detyruam t’u japim urdhër kryengritësve të shpërndahen. Disa nga krerët i porositëm të mos dorëzohen, por të dalin ilegalë, komitë, ose të largoheshin jashtë vendit. Unë bashkë me Kol Çekrezin dhe tre të tjerë, u tërhoqëm drejt Karavastasë. Për koincidencë, në bregdet gjetëm një anije italiane që transportonte dru nga Durrësi për në Itali. E paguam dhe, më 18 gusht në mbrëmje, zbritëm në brigjet italiane në Brindizi. Karabinieria italiane na arrestoi e na burgosi duke mos pranuar kërkesën tonë për strehim politik… Disa krerë të tjerë si: Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Bektash Cakrani, Hekuran Maneku ,Jakov Mile, Dano Malo Meçaj e shumë të tjerë ranë në duart e forcave të operacionit zogist.

HAKMARRJA